Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Figura të Shquara #Histori

ÇAMËRIA: PLEJADA TË SHQUARA nga LLAZAR BICAJ, HASAN TAHSINI (1811–1861)

Atdhetar i zjarrtë, ideolog i Rilindjes Kombëtare, mësues i rilindasve shqiptarë, dijetar i gjithanshëm, rektor i parë i universitetit të parë të Perandorisë Osmane, shkencëtar i niveleve evropiane.

Që në të mugëtit e historisë sonë, Çamëria, kjo trevë e lashtë shqiptare, bashkë me viset përreth, ka nxjerrë personalitete të spikatura në të gjitha fushat. Nuk është e rastit që nga ky truall kanë dalë figura të shquara, jo vetëm për të, por për mbarë kombin tonë, ashtu siç nuk është e rastit që banorët e kësaj treve, veç trimërisë e punës, shquhen edhe për zgjuarsinë e tyre natyrore.

Duke qenë në kufi me grekët që në lashtësi, kjo pjesë e kombit tonë ka qenë në kontakt me një kulturë më të lartë, me përmasa botërore. Prej saj, sigurisht, ka marrë, por edhe ka dhënë. Për të përballuar rrezikun e asimilimit, i pranishëm si në kohërat e vjetra ashtu edhe në të reja, kësaj i është dashur të përpunojë e të zhvillojë kulturën e vet në një nivel të lartë. Krahas armëve të zjarrit, popullsisë së trojeve tona më jugore, për të mbijetuar, vazhdimisht i është dashur të përsosë armët e kulturës, për t’i dalë ballë një qytetërimi fqinj të zhvilluar.

Rol të padiskutueshëm në emancipimin material e shpirtëror të vetë asaj e të mbarë kombit, si dhe në përballimin e vërshimit gërryes shovinist në shekuj nga jugu, kanë luajtur atë të mëdhenj të shumtë që kjo trevë ka nxjerrë.

Pirro i Epirit, apo Pirro Burri, në lashtësi, burim krenarie për gjithë shqiptarët, nga një fshat i Gumenicës, njihet si një nga strategët më të shquar ushtarakë të kohës së vjetër. Gjin Bua Shpata, princi çam i Artës në shek. XIV, është quajtur “Lavdia e Arbërit”. Kapedani i Sulit, Marko Boçari, me bëmat e tij trimërore tundi Shqipërinë dhe Greqinë. Historia nuk mund të lërë pa përmendur edhe bij të tjerë të trimërisë sonë si Muharrem Rrushiti, figurë e lëvizjes kombëtare në Shqipëri nga fshati Koskë i Filatit që dha ndihmesën e vet në shpalljen e pavarësisë; një atdhetar si Alush Taka nga Konispoli që mori pjesë më 1920 në Luftën e Vlorës; Thimjo Gogozoto nga Rrapëza e Pargës, që derdhi gjakun e vet në betejat e lumit Ebro në Luftën e Spanjës më 1938, etj.

Nga të katër anët e Çamërisë kanë dalë edhe dijetarë në zë. Mjafton të përmendim: në jug, nga Arta, Mihal Trivoli, i mbiquajtur Maksim Artioti, një nga figurat më të mëdha të humanizmit evropian në shek. XV–XVI. Ky kolos diturie ka dhënë një ndihmesë të madhe në kulturën e popullit rus. Në veri, nga Konispoli kemi Muhamet Kyçyku (Çami), dijetar i shquar me kulturë solide orientale që na la perla në shqip, sidomos poemën “Erveheja”. Në perëndim kemi nga Parga, siç e pohon vetë prejardhjen e saj, dijetaren e shquar, princeshën e letrave Elena Gjika (Dora D’Istria). Ajo ishte nga të rrallat gra në botë që arritën nivele të tilla për kohën. Ndërsa në lindje, në shek. XVIII, nga Janina kemi Mehmet Esatin, dijetar i shquar në Perandorinë Osmane. Bashkëvendasi i M. Kyçykut nga Ninati i Konispolit është edhe dijetari ynë i madh dhe shumë i dëgjuar, ideologu i Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini. Bashkëkohësit e kanë cilësuar personalitet të madh të kulturës në kohën e Perandorisë Osmane. Abedin Dino nga Preveza ka qenë dijetar i shquar me njohuri të gjera që nga ekonomia e deri te mjekësia, nga filozofia e deri te gjuhësia, shkrimtar, poet, diplomat, përkthyes, iluminist i shquar. Ai ishte një atdhetar demokrat.

Në gjurmë të të atit eci i biri, Rasih Dino. Atij i takon vendi i nderit krah figurave të shquara që luftuan për pavarësinë shqiptare. Pak kush e di se, kur vendosej më 1912–13 fati i Shqipërisë dhe i tërësisë tokësore të saj, ky njeri shkriu pasurinë e tij për udhëtimin e Ismail Qemalit në Londër. Emrin e atdhetarit e diplomatit Rasih Dino e gjejmë në një varg aktesh që nxori Qeveria e Përkohshme e Vlorës e kryesuar nga plaku Ismail Qemali.

Atdhetarizmi është me rrënjë të thella në këto troje. Nuk është e rastit që në trevën çame u ngrit pashallëku autonom i Janinës nga Ali Pashë Tepelena, që synonte shkëputjen nga Sulltani. Kjo bie në sy edhe në faktin se prej këtej kanë dalë breza atdhetarësh. Një figurë në Kryesinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është Ymer Narta nga Arta, i cili për veprimtarinë e tij për Shqipërinë u internua nga Sulltani në Sinop të Turqisë, ku edhe vdiq i persekutuar nga qarqet sunduese osmane. I biri i tij, Besim Ymeri, u bë një nga shkencëtarët më të shquar në Turqi, sidomos në lëmin e mjekësisë. Vazhdë atdhetarizmi përbëjnë edhe dy fise të shquara nga Filati, Dematët dhe Sejkatët. Vëllezërit Rexhep dhe Musa Demi ishin dy atdhetarë që zhvilluan një veprimtari të shënuar në fund të shek. XIX dhe çerekun e parë të shek. XX. Traditat e tyre i çoi më tej në Luftën Nacionalçlirimtare Heroi i Popullit Ali Demi. Haki Musa Sejko përmendet si atdhetar i shquar. I biri, Bido Sejko, ra dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Dy të afërm të Hasan Tahsinit, si Hysni Hoxha, që qe një ndër drejtuesit e revoltës së Filatit më 1903 kundër autoriteteve osmane, dhe Ismail Mudea, që mori pjesë si delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës të 1912-s krah Ismail Qemalit, dëshmojnë më së miri ndjenja të thella atdhetarie.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ndihmesën e tri figurave të shquara. I pari është Hasan Çapari nga Çaparenjtë e Çamërisë, i dëgjuar në luftën kundër pushtuesit osman; i dyti Tahir Mete Mazarreka nga Margëlliçi, një nga krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Çamërinë; dhe së treti Asal Çami, i cili krah Hoxhë Kadrisë mori pjesë në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.

Kuadri s’do të qe i plotë po të mos flisnim edhe për Spiro Çallëkin nga fshati Potamë i Paramithisë, me profesion avokat, i cili u bë avokat i çështjes shqiptare derisa dha jetën, i vrarë në mënyrë gjakatare nga bandat shoviniste të Zervës. Më 1917 ai ngriti flamurin kombëtar në Paramithi.

Në Çamëri kanë zhvilluar një veprimtari të gjerë edhe disa atdhetarë të shquar si vëllezërit Frashëri, Sabri Preveza dhe Fehmi Tepelena, të cilët nuk mund të lihen mënjanë sa herë flitet për të. Vetë pasqyrimi i veprimtarisë së tyre do të kërkonte faqe të tëra.

Mendja çame ka shkëlqyer jo vetëm në fushën e dijes e letërsisë, por edhe të artit, si në muzikë, pikturë, teatër, etj. E kush nuk ka dëgjuar këngët e bukura çame e nuk është ngjethur me epizmin dhe tragjizmin e tyre? Kush nuk ka parë vallet çame, fustanellat e bardha të valëviten në ajër dhe nuk i ka hovur trupi e gjaku përpjetë! Ka hyrë në histori vallja e trimit në zë Osman Taka, valle e rëndë burrërore, tepër e lashtë. Shumë e njohin Kolë Idromenon si piktor të shquar, pak e dinë se është me prejardhje nga Parga. Ndërsa Abedin Dino është piktor me famë evropiane, emri i të cilit ka hyrë në mjaft enciklopedi. Nga Çamëria kemi edhe një ikonograf në zë, piktorin e kalibrit të Onufrit, Anagnostin, ose siç e kanë quajtur, Onufri çam.

Këtu vetëm sa përmendëm disa nga lista e gjatë e personaliteteve të shquara që ka nxjerrë treva jonë e jugut e mbetur jashtë kufijve shtetërorë. Në numrat e tjerë të gazetës sonë do të vazhdojmë të flasim për figura të veçanta të dala nga kjo trevë, apo që punuan në të, për figura të diasporës çame, të Shqipërisë së jugut, etj.

Të gjithë personalitetet e përmendura e të tjerë nuk kanë kursyer për atdheun djersën, mundin, gjakun. Gjithçka që kishin e vunë në shërbim të Shqipërisë dhe i shkrinë për të. Historia, si gjykatësja më e mirë, ka treguar se kjo pjesë e kombit tonë, e harruar tashmë për gati gjysmë shekulli (kur duhej të ndodhte e kundërta), për theroritë që ka bërë jo vetëm për vete, por për tërë kombin, për vuajtjet që ka hequr në emër të shqiptarizmit, për ndihmesën e saj si një popullsi shumë aktive edhe këtu në Shqipëri, e meriton një fat më të mirë dhe të paktën një interesim më të madh. Populli thotë: “Më mirë vonë se kurrë.”

LLAZAR BICAJ, Kandidat i Shkencave

camiko.al

MENU