Promovimi i librit “Muhamet Kuçuku-Çami” përgatitur nga Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i mundësuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”.
Vepra letrare tregon për dokumentimin e hershëm të çamërishtes. Sipas studjuesve ajo është një udhërrëfyes shumë i mirë studimor, jo vetëm dialektor, por i pasur në stilistikë, që tregon identitetin tonë si shqiptar të hershëm.
Vepra letrare tregon për dokumentimin e hershëm të çamërishtes. Sipas studjuesve ajo është një udhërrëfyes shumë i mirë studimor, jo vetëm dialektor, por i pasur në stilistikë, që tregon identitetin tonë si shqiptar të hershëm.
Gjatë fjalës së tij kryetari i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, theksoi bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të tretin vit radhazi. me Shoqatën Patriotike “Çamëria” dhe Fondacionin, për të botuar veprat që flasin për historinë e Çamërsië, apo që janë botime të shkrimtarëve të njohur nga Çamëria dhe nga Akademia e Shkencave flitet pikërisht, për një nga trevat më vitale të historisë së Shqipërisë. Ndërsa për botimin e sotëm ai tha:
“Përsa i përket botimit të sotëm të prof. Bashkim Kuçuku, ky është libri më i veçantë që ka mundësuar fondacioni ynë, jo thjesht për figurën e Muhamet Çamit, vlerat poetike, por edhe për dokumentimin e hershëm të çamërishtes.
Unë gjej rastin t’i drejtohem sot historianëve të dëgjojnë thirrjen e Nexhat Merxhushit, për të mos heshtur dhe të bëhen pjesë e debatit për historinë duke treguar të vërtetën e Çamërisë.
Është koha për të mos heshtur dhe unë besoj shumë që ky institucion i nderuar do të mbrojë me forcë të vërtetat historike të Çamërisë, duke mos i lënë vend spekulimeve keqdashëse të armiqve të çështjes çame”.
Ndërsa Prof. Bashkim Kuçuku i cili ka sjellë veprën studimore për autorin Muhamet Kuçuku-Çami tha se vepra deri në vitet 60 ka qenë pjesë e letërsisë dhe teksteve shkollore e më pas për 40 vjet ajo u anatemua.
“Vetëm pas viteve 90 ndodhi që lexuesi të njihej me rikthimin e shkrimtarëve të mëdhenj. Muhamet Kuçuku – Çami është një poet me potencial të madh krijues, kulturor dhe filozofik.
Nëse do të gjendet një e mesme e artë për t’u futur në librin shkollor unë jam i bindur që vargjet e “Jusufit dhe Zelihasë”, një prej veprave të Muhamet Kuçukut – Çamit, do të mësohen përmendësh nga rinia, sepse kanë një frymë shumë moderne, shumë tolerante, mos të them libertine”.
Prof. Irakli Koçollari e vlerësoi veprën si një dokument historik dhe përpjekjen e madhe të shqiptarëve për të mbrojtur gjuhën shqipe e në veçanti dialektin çamërisht. Autori është një thesar i Arbërisë jugore dhe veçanërisht i Çamërisë, pasi ishte pionier i çamërishtes së shkruar.
Prof. Valter Memishaj vlerësoi se vepra ka vlera të dyfishta. Gjen vend për gjyhësinë historike dhe atë dialektore, për ekolinguistikën dhe sociolinguistikën, për semantikën dhe leksikologjinë, për fonetikën e morfologjinë, për sintaksën e stilistikën.
Prof. Gëzim Hoxha tha se Muhamet Kuçuku – Çami njihet si një prej shkrimtarëve me njohjen më të madhe jashtë gjuhës shqipe dhe lexuesi mund të gjejë kënaqësinë e merituar nga leximi i kësaj vepre, shumë të përmendur e përfolur e pak të lexuar.
Të gjithë akademikët e profesorët e vlerësuan botimin e kësaj vepre, jo vetëm për rëndësinë dialektore në letërsinë shqipe, por edhe për vlerën historike, pasi ajo është shkruar rreth 200 vjet më parë dhe është një dokument i rëndësishëm kombëtar për historinë e Çamërisë.







