Ekspozita fotografike “Mos harro” - VLORË
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Ekspozita fotografike “Mos harro” – Vlora, 15 qershor 2024
Pas prezantimit në Tiranë dhe Skënderaj (Kosovë), ekspozita itinerante “Mos harro” mbërriti më 15 qershor në qytetin e Vlorës, në një nga hapësirat më simbolike të këtij qyteti bregdetar – Rruga Çamëria (Lungomare). Aktiviteti u çel në orën 18:00, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, qytetarëve vlonjatë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, institucioneve lokale dhe mediave.
Ekspozita solli një përzgjedhje të kujdesshme të fotove dokumentare që dëshmojnë gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në dy periudha historike të errëta: Çamëria 1944 dhe Kosova 1999. Përmes 40 fotografive autentike, të shoqëruara me përshkrime dhe dëshmi historike, publiku pati mundësinë të njihej më nga afër me dimensionin njerëzor të dhimbjes, humbjes dhe rezistencës.
Përtej aspektit dokumentues, ekspozita synoi të krijojë një hapësirë reflektimi dhe dialogu mbi pasojat e luftës dhe mbi nevojën për drejtësi e pajtim të bazuar në të vërtetën historike.












