Duket krejt paradoksale. Dy palë, njëra palë nga Italia dhe tjetra nga Greqia, që janë ndeshur në Pogradec gjatë Luftës italo-greke në dhjetor të vitit 1940, vijnë dhe kërkojnë eshtrat e ushtarëve. Një grup familjarësh nga Italia, të ushtarëve italianë të vrarë në dhjetorin e vitit 1940 gjatë Luftës italo-greke në kalanë e Pogradecit, vijnë pas 89 vjetësh në Pogradec me një autobus, me tufa dafinash në dorë, për të mësuar për të vrarët nga kjo betejë e përgjakshme dhe një pjesë prej tyre kërkojnë prindërit e vrarë në këtë betejë.
Brenda ditës në kalanë e qytetit të Pogradecit u vranë 42 ushtarë italianë dhe humbën 25 të tjerë, ndërsa nga pala greke janë vrarë 176 ushtarë, pas një gabimi që bëri koloneli grek duke vrarë me artilerinë greke ushtarët e tyre. Ndonëse kanë kaluar gati 90 vjet nga kjo betejë, ata kanë sjellë me vete dëshmi të shumta të mbledhura nga prindërit e tyre, ditarë dhe skica të betejës.
Grupi i madh prej 20 vetësh shoqërohet nga koloneli italian Luigji Marucci dhe gazetarë e kameramanë të televizionit italian “Rete 4”. Fillimisht, ata, në bazë të skicave që kishin me vete, janë ngjitur tek kalaja e qytetit, pikërisht atje ku ishin vendosur forcat italiane dhe ku ishte zhvilluar beteja me grekët. Në hartat e tyre ishte gjithçka e precizuar.
Kardiologu i famshëm italian Filippo Barbarini, djali i një komandanti italian që ka marrë pjesë në këtë betejë, i cili ka gjetur nga babai i tij skica të betejës dhe detaje të hollësishme se si është zhvilluar kjo betejë e përgjakshme, na tregon versionin e tij. Filippo Barbarini thotë se ai ka mbledhur të dhëna të shumta rreth kësaj ngjarjeje dhe ka përdorur si material burimor ditarin dhe letrat që i ka lënë babai i tij.
Ai vë mbi tavolinë skicat dhe dokumente të tjera rreth kësaj beteje, të përfshira në ditët e para të dhjetorit të vitit 1940. “Ja, shiko,” thotë ai. “Ushtria italiane ka qenë e vendosur në qytetin e Korçës, por ushtria greke, shumë më e madhe në numër, i ka shtyrë ata në drejtim të Pogradecit deri në fshatin Lin. Ndërkohë, vija e dytë e frontit të ushtrisë italiane ka pasur, nga Vlora në Pogradec, një front me një gjatësi 250 km larg njëri-tjetrit.”
Gjeneral ka qenë Silvio Bonini, komandant i divizionit “Venecia”, që ishte vendosur në fshatin Lin, vetëm 15 km larg qytetit të Pogradecit. Ai u ka dhënë porosi ushtarëve italianë që të krijohet një vijë e fortë që të mos çahet nga ushtria greke. “Ja,” thotë ai, “lexo këtë dokument ku ka kodin e kësaj beteje; italianët kishin kodin ‘gatuani peshk’.”
Ndërkohë, sipas skicave, fronti grek ishte vendosur në kodrat e fshatit Rëmenj, ku kishte instaluar edhe artilerinë e rëndë. Forcat greke sipas dokumenteve italiane drejtoheshin nga koloneli Mousterkos. Ai kishte planin që të merrte “Patkoin e Kalit”, kështu ishte shënuar maja e kalasë së Pogradecit ku ishin vendosur forcat italiane.
Në datën 3 dhjetor, të dyja ushtritë, të vendosura përballë njëra-tjetrës, filluan të lëviznin. Në planin grek ishte vendosur që nga data 3 deri më 7 dhjetor të merrej kalaja e qytetit. Pikërisht më 3 dhjetor, forcat e divizionit “Venecia” lëvizin nga fshati Lin në drejtim të kalasë së Pogradecit.
Në orët e mbrëmjes, pikërisht tek lumi i Tërhanit ku ndodhej një urë e vogël, ata filluan ngjitjen për në kala nga pjesa e prapme. Gjenerali Silvio Bonini, kur mbërritën në majë të kalasë, iu ka thënë ushtarëve dhe oficerëve se fatet e kësaj lufte vendosen nga kjo betejë dhe nga kjo kala. Nëse grekët na marrin majën e kalasë, ne shpartallohemi krejt. Por, thuhet në dokumentet e mbledhura dhe në ditarin e gjeneralit Silvio Bonini, në ditët e para të dhjetorit ushtria italiane ka qenë në vështirësi të shumta. Qeveria italiane e asaj kohe e kishte nënvleftësuar ushtrinë greke. Kjo ishte një luftë e padëshiruar nga populli italian. Ushtria italiane ishte e pajisur me një armatim të papërshtatshëm. Grekët kishin mobilizuar të gjithë burrat për këtë betejë dhe kishin diferenca të larta në numër, pasi kishin mobilizuar të gjithë moshat. Në mëngjesin e ditës tjetër, grekët sulmuan rreth orës 11. Pas gabimit të artilerisë greke që vrau ushtarët e saj, majori grek Elefteriadhis arriti që nga anash kalasë, tek Lakoveci, në vendin e quajtur Shkalla (në hartën italiane lexon “Shala”), të futej brenda në një kuadrat të fshehur tip xhepi nga ana e kalasë që ishte jo më shumë se 40 m2.
Oficerët italianë e kuptuan dredhinë greke që po iu binte nga anash shpine dhe filluan goditjen. Aty tek shkalla e kalasë janë vrarë 42 italianë dhe 20 persona janë zhdukur. Ky ishte bilanci i ushtrisë italiane, ndërkohë që nga pala greke bilanci ishte shumë tragjik, më shumë se 200 të vrarë.
Kjo sa për kronikë, por… çuditërisht pas një intervali prej dy javësh, vjen një delegacion grek me një prift, të cilët me ndihmën e një punëtori që kishte zhvarrosur 200 ushtarët grekë pasi aty u ngrit fabrika e mobiljeve, i ngjitën tek kodra e Vërdovës. Delegacioni grek bëri foto me priftin Lazarov të ushtarëve të vrarë dhe thanë: “Okej, këtu në tokën tuaj do të ngremë varrezat greke!”
Ndërkohë që delegacioni italian me familjarët kërkojnë eshtrat e ushtarëve italianë për t’i marrë në Itali, çuditërisht në një periudhë të shkurtër pala tjetër greke kërkon që të ngrejë varreza në tokën tonë. A nuk duken absurde kërkesat e ministrit të jashtëm grek dhe po aq absurde edhe fakti që qeveria shqiptare miraton vendin për varrezat greke në tokën tonë? Pse italianët kërkojnë t’i marrin eshtrat e të vrarëve me vete, ndërsa pala greke të ngrejë varreza këtu në Shqipëri? Jetojmë në kohë të çuditshme dhe absurde.

