Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Art dhe Krijimtari #Autoktoni #Çamëria Sot #Histori

Konturet e Trojës tek Çamëria dhe nevoja për katarsis -ese- Fatbardh Amursi Rustemi

Para se të vinin tragjedianët, ai që ua mësoi grekërve dhe botës katarsin ishte Homeri, i cili u kthye në shembullin e kujtesës njerëzore. Falë tij, Troja i shpëtoi harrimit, por jo shkretimit. Homeri lartësohet mbi të gjithë ata, që, krijuan në botën moderne një kinse dashuri me thënien: “I dashur armik!” Dhe ky katarsis homerik nis me lotin e Akilit në trupin e Hektorit të vrarë prej tij. Mbarë njerëzimi, në të gjithë kohërat, në vend të gërmadhave të Trojës panë shpirtin human të grekërve, të cilët në shekullin XX e përsëritën historinë me Çamërinë, duke u mburrur me karikaturën e një Napoleoni, i cili s`ngjan me asnjë prej grekërve të Homerit, aa me Agamemnonin, madje as me ata të “juntës ushtarake”. M`u kujtuan gjithë këto teksa lexoja disa libra të dhuruar nga drejtuesi i fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, ndoshta i tërhequr nga rrëfimi im, kur po i tregoja se si në Zhamë të Lushnjes u ndodha në një dasëm çame me një magnetofon në dorë për të regjistruar këngë popullore. Dasma bëhej në një barakë nga ato të aksionistëve të hekurudhës, nuk po flas për “Dasmën” e Kadaresë. Më parë se të dëgjoja këngët dhe të shihja vallet, para meje krejt një botë tjetër, ku vajza dhe gra të veshura me stolitë e gjysheve, ruajtur në sepete, rregulluar dhe zbukuruar, më lanë të mahnitur se ku ishin fshehur ato hire femrore, që i shihja përdita me pantallona, me napa mbuluar dhe shatin hedhur në sup?!
 
Të parin, që lexova nga librat e dhuruara, ishte poema për fëmijë “Historia e Çamërisë” e Arben Iliazit, e ndërtuar në një dialog midis nipit dhe gjyshit, që unë po e prezantoj si të luhej në amfiteatrin e Dodonës:
Nipi-“Kjo Çamëria a ekziston vërtetë?”, “Se historitë janë historira/ Përrallat s`i dua!”, “A është larg nga ne/Të shkojmë bashkë në verë?” (Vetëm tek çamët, për shkak të “ligjit të luftës”, nuk funksionon shprehja: “Hajd baba të tregoj arat?!”
Gjyshi-“Atje kish ditë e nuk kish natë/Kish këngë e hare/Atje shtëpitë me sofat/Zbardhnin porsi re.”
 
Nipi-“Të lutem, gjysh, ti mos e zgjat/Dhe sa do pres prej teje?/Që të më çosh atje/Të kalëroj mes reve?” Kush mund t`ia thotë nipit: se sa do presi? Arben Iliazi me një rrëfim poetik tregon historinë e Çamërisë, së cilës betejat dhe heronjtë nuk i mjaftua për ta shpëtuar, pavarësisht se shumë prej tyre kishin ndihmuar në pavarësinë e Greqisë. Gjithsesi gjyshi nuk e humb besimin, se: “Do vijë dita e rikthimit”. Ndërsa Luan Rama në poemën “Odë për tempujt që nuk u harruan”, përmes zërave të kujtesës, përmend Napoleon Zervën, i cili, me dufin e Filipit të Maqedonisë po kërkonte të rrafshonte Tebën: “Myslimanëve nuk do u lë as macet të marrin frymë.” (Në media lexoj se Greqia ka miratuar një ligj të ri se kush dhunon kafshët, qentë e macet dënohet me 10 vite burg. Mos katarsin e Homerit dhe tragjedianëve po e ushtron tek “qenët Mollos”?!) “Kur hapej e bëhej drita/Na ikte një çikë frika”-këndoi poeti anonim. Qeveria monarkiste e kohës meshkujt i internoi, ndërsa ata që ishin në ushtri i çarmatosi dhe i vuri të hapnin rrugë e kanale. Të gjithë trimat e Napoleon Zervës bëhen pronarë të mëdhenj tokash dhe bagëtish. Dëbohen çamët myslimanë dhe lihen ata orthodoks. Suliotët zbresin nga malet për në qytet, sikurse inkurajohen vllehët të vendosen si kolonë në fshatrat e braktisura çame, sikurse shkruan dhe Popi Pituli e zbritur nga Gramozi në Igumenicë. Nis helenizimi përmes kishës. Pyjet mbulojnë kullotat dhe shtëpitë e rrënuara duken si fragmente të Trojës së shkatërruar. Trashëgimia arkitekturore vazhdon të rrënohet, lexoj në librin e anglezëve Miranda Vickers dhe James Pettifer me titull “Çamëria dhe Greqia.”
 
Meqë pronat s`po i marrin dot, poeti Luan Rama në poemën “Odë për tempujt që nuk u harruan”, shkruan: “-Po zbresin yjet!/t`i presim e t`i mbajmë si prushet,/s`kemi ç`mbajmë tjetër, veç yje,/si lotët e nxehtë që na u thanë/e kristale të hirta u bënë në qiellin e errët të Thesprotisë.” Pretendohet po ajo zbritje heronjësh homerik, veçse me deux ex machina. Gjyshja e shkrimtarit L. Rama, kujton: “Shtëpia jonë, me një portë të madhe druri në formë harku, të lyer në vishnje si jashtë dhe brenda, ishte një nga më të bukurat e Filatit…Në atë kohë kishim qeraxhinjë grekë që jetonin në shtëpinë tonë. Një ditë na erdhi një kushërir i nënës dhe na u hakërrua: “Grekërit Vangjeli dhe Vasili duhet t`i përzini nga shtëpia! Ata na kanë masakruar!”, “Përse i do, për t`i vrarë? Pa ik, shporru!”-u tha babai.
…Ishte mëngjes heret kur në portë u dëgjuan të trokitura të forta. I binin me shqelma dhe bërtisnin në greqisht. Babai u ngrit dhe po dilte tek porta, por qeraxhiu grek i tha: “Ndalo! Tani e kam radhën unë të të mbroj.” Kështu veprojën fqinjët, popujt që i janë gjetur njeri-tjetrit në kohë të vështira. E ëma e Heroit të Popullit, çamit Ali Demi, nuk pranon të jetojë në një vilë të sekuestruar nga komunistët me prekstin se “kishte frikë nga pasqyrat”. “Më vonë e kuptova se ajo nuk donte të banonte në një shtëpi ku kishin banuar vrasësit e djalit të saj.”-shkruan autori. Ndruhej, mos në ato pasqyra i shfaqeshin vrasësit. (“Pranvera dy hapa pranë” L. Rama) Sulltan Hamidi në çdo kthinë ta pallatit vinte pasqyra, nga frika e ndonjë atentati të mundshëm.
 
Në librin “Çamëria dhe Greqia. E shkuara dhe e tashmja” me autorë Miranda Vickers dhe James Pettifer shkruhet se Zvicra njihej si vendi ku u zhvillua hartografia, e cila mori prioritet në luftën e Napoleonit me britanikët dhe se një hartë titullohej “Çamëria/Thesprotia”, e cila në antikitet njihet si Epir. Luan Rama në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në tablot e piktorëve francez”, në galerinë tërheqëse të piktorëve dhe portreteve të tyre të bien në sy dhe figura suljotësh e çamësh, por dhe mbresa si kjo, që s`dallojnë shumë nga ato të mia në barakën e sektorit Zhamë të Lushnjes: “Gratë çame, me sy të mëdhenj e të zinj dhe flokët e gjatë gështenjë, kanë hijen e fytyrës greke. Ato kanë një lëkurë të brishtë, edhe pse brune, qafë nga më të bukurat, një qendrim sensual, me këmbë të holla e të brishta, si ato të shqiptarëve më në veri, çka janë karakteristika bujare të bukurisë së tyre.” Charles Gleyre “Racë e bukur. Gra me flokë të krehura që më joshin t`i njoh.” Ja dhe Muhamed Çami i “Ervehesë” dhe i “Jusufi e Zylejhaja”, që feja ia ndalonte skena të tilla: “E mbaj mend herën e parë,/që të zura nga këmisha./keshe hak për të marrë/ma grise, kundër ta grisa.”
 
Tirania e Ali pashë Tepelenës ndaj suljotëve shihet dhe në penelin e piktorit francez Louis Dupré, i cili e pikturon mizorin Ali fshehurazi në Butrint, kur ai gjuante i hipur në varkë, pasi e kishte refuzuar kërkesën e tij. Më shumë se sa feja islame që e ndalonte përdorimin e imazhit, shkak duhet të jetë bërë vetë piktori, i cili i tregon disa portrete suljotësh bërë në Korfuz. “Sytë e pashait qendruan mbi figurën e një prej suliotëve që sapo e kisha pikturuar një ditë më parë në Korfuz. “Ah, këtë këtu e njoh! Është një nga armiqtë e mi.” Gjithë sa shkruam nga libra autorësh i gjen dhe në këngët çame të mbledhura nga Fatos Mero Rrapaj. Është interesant fakti që autori në fund të çdo këngë shënon vendin ku e ka mbledhur, zakonisht: Vlorë, Fier, Lushnje, Sarandë, Durrës, njëherësh duke shënuar dhe vendin e origjinës: Filat, Pargë, Margëllëç, Arpicë, etj. Një popull që jeton me mbivendosje imazhesh.
 
camiko.al