Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Gjenocid/Dëshmi #Lajmet e Fundit

Luan Rama : Një histori familjare, masakra dhe shpërngulja me tmerr nga Filati nën plumbat e kolonel Zervës që shfarosi gjithë Çamërinë që të mos dëgjohej më zë shqiptari.

 Kushërira e parë e nënës time përjetoi një histori pothuaj identike me personazhin e këtij tregimi, ku ajo mban të njëjtin emër. Po të njëjtin emër ka në tregim dhe ish burri i saj. Historinë e saj e dëgjova që i vogël. Ajo vinte shpesh në shtëpinë tonë. Sa herë afrohej viti i Ri vinte dhe na bënte bakllavanë e festës dhe unë vështroja i mahnitur flokët e saj të gjatë, të artë, me onde, që i binin gjer në mes, si të ishte një personazh përralle. Ishte Ferro që kërcente bukur në dasma, që harrohej në vallen çame, që dehej për pak orë edhe pse në shpirt mbante gjithnjë atë tragjedi të madhe kur kishte parë vdekjen me sy: vdekjen e saj dhe vdekjen e shqiptarëve të Çamerisë. Ishte e bukur, si peri… Tani ajo ka vdekur, po kështu dhe nëna ime, e megjithatë, historitë jetojnë gjithnjë, plagët janë gjithnjë aty.

Ajo mu shfaq para pak ditësh, sërish, m’u fanit në shtëpinë e saj të varfër, lyer me gëlqere të bardhë, në një cep të Tiranës, ku dikur ishin kazermat e braktisura të ushtrisë italiane pas luftës. Sa shumë dashuri kishte ajo shtëpi përdhese, koha ishte ngjizur në të. Nëna me kishte përshkruar në detaje atë histori barbare që ndodhte në mesin e shekullit XX, aty, në paqen e tyre kur prisnin që jeta të rifillonte në liri. E unë gjithnjë pyesja veten : Po Ferron, përse nuk e vranë tek kërkonte burrin e saj të coptuar. Çfarë kishte ndodhur? Pasi gra të tjera ishin ç’nderuar, ishin hedhur në lumë, ishin varur në degët e pemëve dhe vrarë barbarisht. E gjithnjë nuk arrija ta gjeja përse? Vallë ngaqë ishte e bukur, me ato flokë të artë dhe ata sy të mëdhenj. Ndoshta dikush kishte zgjatur dorën ta kapte nga flokët dhe ta zvarriste edhe atë drejt vdekjes, por pikërisht atë çast, duke imagjinuar, mendova: jo, barbari ishte stepur para bukurisë së saj. Bukuria siç duket ka një forcë magjike që ta ndalon dorën e vdekjes, aktin e e vrasjes e të barbarisë. E kështu, duke menduar për të u ula të flas për atë grua dhe tragjedinë e saj që e ndoqi gjer në varr…
(Ky tregim ështê botuar dhe në librin “Ode për tempujt që nuk u harruan”)

Përtej Qafës së Botës
—-
… Dhe një hap dhe ja ku ndjeu këmbën t’i binte në humbëtirë, në një gjendje pa peshë, duke e bërë të hepohej dhe të rrëzohej në boshllëk, duke tërhequr me vete dhe dy fëmijët e saj që mbante nga duart.
Ishte akoma natë. Agu nuk dukej ende. Një botë e frikshme, rrethuar veç nga hijet e errëta të pemëve. Sapo klithi, menjëherë kafshoi buzët nga frika se mund ta dëgjonin dhe të suleshin drejt saj. Vetëm dëgjoi zërin e pastaj pëshpërimën që nxori në gjysmë zëri:
– Bedo, Hyso… o Zot!…
Jo, ishin aty, pranë saj, duke kërkuar të ngriheshin në këmbë. I mbështolli me krahë sikur do t’ia rrëmbente dikush.
Binte ende shi, një shi që kishte rënë që pasditen e djeshme dhe i kishte lagur gjer në kockë. Rrobat u ishin ngjitur në trup e megjithatë ata vazhdonin në ikjen e tyre të tmerruar nga vdekja që i ndiqte pas, me një dihatje të çuditshme, përzier nga era, mes pemëve që tundeshin, gurët ku pengoheshin dhe shkarpat që u thyheshin nën këmbë.
– Fero! – dëgjoi zërin e hijes që iu afrua dhe e kapi nga krahët.
Bëri të ngrihet. Vetëm një “oh” lëshoi. Filloi të qante.
– Ec, edhe pak do të arrijmë! Mblidhe veten, Fero, ke fëmijë, motër!…
Ajo qëndroi një çast e hutuar në atë hendek dhe një forcë e çuditshme e bëri të dilte, duke tërhequr gjithnjë fëmijët pas saj. Po, ishin fëmijët që e mbanin tani, se po të ishte për të, donte të vdiste një orë e më parë.
Ecte, shtyhej, turrej përpara me ato këmbë të lodhura e të sfilitura, duke vështruar gjithë frikë hijet e atyre pemëve përreth, ku shihte veç të varur. Ishte një pyll të varurish që lëkundeshin në atë rendje marramendëse, pylli me të varurit që kishte parë në Margëlliç e që e rrethonin ngado. Kështu e kishte parë atë ditë kur kishte shkuar te prindërit e Esatit dhe atje, në pemën e fqinjit të tyre kishte pikasur e shastisur atë grua të varur. Një grua… një grua me mandilen e bardhë në kokë, së cilës ia fshihte gjysmën e fytyrës, ashtu kokërënë e që tashmë po i shfaqej përsëri.
Ecte, dihaste e shkonte mes atij pylli të varurish, ndiqte hijen e burrit që nxitonte përpara. Papritur shiu pushoi dhe ja tek u hap në qiell një dritë e zbehtë, e ndrojtur. Ishte një dritë e bardhë diellore, që shumë shpejt u zmadhua dhe më së fundi agimi u shfaq para tyre gjithnjë e më me dritë.
– Arritëm! – tha më së fundi burri, i veshur me një xhaketë të vjetër lëkure.
Vetëm tani ajo e vështroi përsëri fytyrën e lodhur të fqinjit të saj të mirë.
– Ku jemi këtu?
– Në Qafën e Botës!
– Ç’botë, o Jorgo ziu! – psherëtiu ajo.
– Kështu i thonë këtij vendi, – i foli Jorgo greqisht. – Tutje fillon Shqipëria… nuk e sheh luginën?
Ajo vështroi përpara e habitur me atë hapësirë të gjelbër që iu shfaq e ku dielli hidhte dritën e tij të bardhë.
– Në të djathtë është Konispoli.
Vetëm tani ajo pikasi atë grup shtëpiash që ngriheshin anash në atë shpat dhe që dukej se flinin ende. Tek-tuk, tymi i oxhaqeve kishte filluar të ngrihej lart, drejt qiellit.
Jorgo hoqi pagurin nga krahu dhe u dha fëmijëve të pinin gllënjkat e fundit.
– Mbaje ta keni për rrugës! – tha ai dhe ia zgjati një shami me bukën që kishte sjellë.
Pa folur, me frymën që i merrej, ajo zgjati duart dhe e mori.
– Shkoni tani… shpëtuat. Nuk ka kush t’ju kapë më e t’ju vrasë… Rrugës do të gjeni mjaft çamë që kanë marrë rrugët e Shqipërisë.
E habitur dhe me një ankth që e kishte kapur në grykë, ajo vështroi përsëri nga ato fusha, mbuluar nga ullishtat e ku dielli po hidhte rrezet e para plot reflekse argjendi, çka i krijonte më shumë idenë sikur ishte ende në ëndërr, në një kushmar.
Qëndronte si e ngrirë. Ç’po ndodhte vallë? Përse nuk po ikte me vrap dhe të sulej drejt fushës? Kthehu kokën pas dhe vështroi nga monopati nga kishin ardhur, por këmbët nuk i bënin dhe shpirti gjithashtu. Po linte pas gjithçka: tokën, Filatin me shtëpitë e bardha dhe avllitë, varret, rininë dhe fëmijërinë e saj, gjithçka. Por papritur klithi me të madhe!
– O, moj nënë!… E mjera unë! Ç’hata e madhe na gjeti!
Filloi të qante dhe ra në tokë, me fytyrën nga dheu, sikur të donte ta puthte dhe ta përqafonte atë. Dy fëmijët qëndronin në këmbë, të hutuar e të ngrirë, duke parë lebetitjet e nënës së tyre.
– Po si do ta lë varrin tënd, Esati im i dashur! Burri im i shtrenjtë që s’na lanë ta gëzojmë këtë jetë!
Jorgo nuk fliste. Ç’të thoshte?… Më së fundi zgjati dorën dhe e preku në sup.
– Mjaft, Fero! Nuk është koha të vajtosh tani… Duhet të ikësh pa ia behur andartët e Zervës. Mund të vijnë nga çasti në çast.
Sapo përmendi emrin e Zervës, sytë e saj u çapëlyen dhe një frikë e madhe e pushtoi, duke parë fëmijët që zgjasnin duart drejt saj.
– Ah, dorë e zezë e Zervës… Ç’të kanë bërë çamët, o i zi, që i vrave dhe i preve! Të rëntë rrufeja, o mizor!
Jorgo zgjati përsëri duart dhe e ngriti ngadalë. Ajo mezi merrte frymë nga ngashërimi i madh. Dridhej e tëra. E mori në krahë, ia mbështeti kokën në gjoksin e tij dhe e puthi mbi flokët e saj të artë, të lëshuara mbi supe.
– Të ndihtë fati, motër! Kjo marrëzi do të ndalojë një ditë, dëgjon? Mbase një ditë të afërt… Të presim, motër! – dhe ai e lëshoi nga duart.
Vetëm tani Fero e kuptoi se s’kishte ç’bënte më aty, se duhej të ndahej me fqinjin, mikun e shtëpisë dhe se duhej të shkonte.
– Amanet, Jorgo… kujdesu për varrin e Esatit tim të gjorë! Amanet shtëpinë!
Jorgo tundi kokën pa folur. Ajo kapi fëmijët me të dy duart, ndërkohë që Jorgo largohej, duke i tundur dorën për herë të fundit. Vallë, a do ta shikonte më?…
Më së fundi, trupi i tij u zhduk pas një shkurreje të madhe dhe tashmë ajo e ndjeu se ishte vetëm në këtë botë, këtu ku mbaronte tragjedia, bota e saj e dikurshme dhe një tjetër botë, e panjohur dhe e dhimbshme fillonte. Një botë midis jetës dhe vdekjes, asaj që po shuhej ngadalë pas krahëve dhe shpresës që kërkonte t’i shfaqej mes asaj përhumbjeje e ankthi që e mbështillte si në një mjegull të madhe.
Qëndroi një çast të gjatë, ashtu me atë vështrim të zbrazët e të përhumbur, duke parë s’dihet nga. Ç’të bënte? Ndërkohë djali i madh e tërhoqi nga dora me sytë që gati i mbylleshin nga lodhja.
– Eja nënë, shkojmë… Duhet të dalim në rrugën matanë.
Ishte zëri i Bedos. Ajo ua shtrëngoi duart të dyve dhe nisi të ecte. Nuk bënë as njëqind metra dhe Hyso i vogël u rrëzua. Përgjumej ende. Atë çast pikasi tutje një ulli të vjetër, të djegur kushedi nga ç’rrufe dhe duke u afruar u struk menjëherë nën të, e sigurt se nga kodrina nuk do t’i shikonin.
Fëmijët flinin me kokat nderur në prehërin e saj e po kështu dhe ajo me atë kokë të varur. Donte t’i paqtonte dhe nisi t’u këndonte një ninullë të vjetër, që ua këndonte kur ishin foshnja, ashtu, me atë zë të ngjirur nëpër dhëmbë, duke menduar jetët e tyre, të sajën, të babait të tyre, Esatit, që tani nuk e kishte më. Ndërkohë, ajo ç’kishte ndodhur para dy-tre ditësh nisi t’i shfaqej sërish para syve, në fillim si në një brymë të dendur, të zezë e që gradualisht një erë e çuditshme kishte filluar ta daraviste, duke zbuluar çatitë dhe konturet e Filatit. U drodh… Përjetonte përsëri atë gjëmë të madhe që kishte jetuar, atje në Margëlliç, ku Zerva ishte sulur me furi me ushtarët e tij të armatosur gjer në dhëmbë, i cili brenda shumë orësh kishte masakruar sa kish mundur… Oh, sa shumë kishte qarë. Atje ishte shembur në tokë, ishte ngritur, kishte rënë përsëri nga llahtara e madhe, ishte ngritur dhe kishte vrapuar, por ngado kishte parë veç zi dhe kufoma. Kur kishte hyrë në shtëpinë e prindërve të Esatit, një heshtje varri mbretëronte aty. Shtëpia sapo ishte bastisur nga ushtarët. Kishin rrëmbyer gjithçka kishin gjetur: vajin, djathin, thasët e misrit. Pleqtë nuk ishin aty. Ç’kishte ndodhur me ta? Ku kishin shkuar? I kishin vrarë apo kishin mundur të shpëtonin? Kishte dalë në oborr, kishte klithur, i kishte kërkuar sa kishte mundur, e pastaj, lumturisht, një karrocë kishte kaluar dhe e kishte marrë atë prej një shtëpie që digjej ende. Shtëpitë digjeshin, tokat digjeshin, gardhet gjithashtu. Një botë shkrumbi. Dhe ajo nxitonte, duke dëgjuar si në përhumbje ato emra fshatrash që i vinin së largu dhe që kishin parë llahtarën: Globoçar, Karbunarë, Arvanicë, Gardhiq, Vris, Koskë, Smarto… Dhe kështu, më së fundi kishte mundur të vinte në Filat. E ngado gjatë rrugës, veç fytyra të tmerruara të bashkatdhetarëve të saj, që nxitonin të merrnin arratinë, ngarkuar me plaçka e bohçe në krah…
Vetëm kur hyri në Filat pa Zervën me kapedanët e tij dhe priftin ortodoks në krahë, me tunikën e zezë që i tundej nëpër këmbë, ndjekur nga andartë të tjerë të armatosur.
– Vritini e pritini barbarët! – klithte Zerva me sa zë që kishte… Nuk dua të ketë më asnjë këmbë çami këtu!… Greqia është e madhe dhe Zoti e mbron gjithnjë!
Sapo kishte dalë para shtëpisë dhe u tmerrua nga ata ushtarë e andartë që shkonin drejt sheshit të Filatit, duke nxjerrë me dhunë dhe klithma burrat nga shtëpitë. Ngado qëllohej. Burra e pleq binin nën plumbat e grekëve të Zervës. Gratë klithnin, fëmijët qanin, diku një shtëpi digjej.
– O Zot!… Po Esati im ku është? – kishte klithur ajo dhe ishte sulur drejt rrugëve në kërkim të burrit të saj. Një çast u rrëzua, e penguar nga një gur, por menjëherë u ngrit dhe u sul sërish… Shkonte drejt një grupi njerëzish, ku gratë ulërinin para shumë të vrarëve, hedhur në një hendek. Fytyra dhe sy të perënduara, përmbysur, krahëhapur, përgjakur ngado. Menjëherë ndaloi si e çmendur para tyre, duke shtyrë njerëzit për të parë se mos burri i saj ishte mes tyre. Ktheu njërin prej tyre, por nuk ishte ai… Nga goja e të vrarit kishte ngrirë një rrjedhë gjaku.
– Oh, ç’tmerr!… Esat, burri im… Si të kanë katandisur kështu? Ku je? – dhe ajo u sul sërish nëpër rrugë duke u drejtuar nga stadiumi, ku shpesh loznin fëmijët e fshatit dhe shkollarët e tjerë. Edhe atje kishte njerëz, kufoma, të vrarë, të hedhur njëri mbi tjetrin. Tutje, ushtarët e Zervës qëllonin ende… Përsëri i shtyu banorët që ishin aty dhe nisi të kërkonte Esatin e saj. Dhe papritur shtangu… Njohu pantallonat e Esatit dhe mbeti si e ngrirë, pa guxuar t’i afrohej nga frika se mos vërtet ishte Esati i saj. Po përse vallë ai trup pa kokë… pa duar? Ç’kishin bërë me të, me duart dhe sytë e tij, me ballin e tij të bukur?
Lëshoi përsëri një piskamë, sikur të ishte shfaqur një egërsirë aty papritur. Njerëzit u hapën të trembur e të tmerruar. Me siguri një e çmendur! – menduan. Të çmendurat vajza që rendnin tutje nëpër Çamëri. Dikush e kapi nga krahu, por ajo ia largoi menjëherë dorën. Papritur një forcë e çuditshme, nga një tjetër fuqi, kushedi nga ç’hyjni, e shtyu atë menjëherë drejt atij trupi pa krahë dhe ja ku pikasi pak më tutje kokën e zhgërryer të Esatit nga balta përreth. Pa sytë e tij të perënduar, buzët e hapura mavi, gojën me gjakun e mpirë dhe flokët e përbaltur që i binin mbi ballë. Po, ishte Esati, me gjoksin e tij të bukur që shpesh vinte kokën mbi të. E mbështolli me duart që i dridheshin dhe klithi si e marrë:
– Esat, burri im i shtrenjtë! Po ç’të kanë bërë korbat kështu? Thuaji vdekjes të më marrë dhe mua!… Oh, nëna ime, ç’më gjeti mua të zezën! Ma vranë… Ma vranë Esatin, engjëllin tim!
Dhe ajo klithte, klithte pa pushuar me një pikëllimë që kurrë nuk ishte dëgjuar në ato anë, as në vdekjet e mëdha. Dhe ajo tundte kokën me flokët e saj të dendur mbi trupin e tij në një marramendje klithëse. Menjëherë i afroi krahët dhe kërkoi ta bashkonte trupin e tij pa jetë.
Një heshtje e çuditshme ra papritur, një heshtje morti.
– Po ç’të kanë bërë kështu, o burri im i mirë! Hapu varr dhe për mua! Dua të vdes me ty, Esati im i dashur! Esat!
Ajo i fliste kufomës dhe të tjerë njerëz po afroheshin, meqë kishin dëgjuar klithmat e saj. Ndërkohë ndjeu një dorë që e preku në sup. Ktheu kokën dhe vështroi me egërsi nga njeriu që ishte në këmbë ballë saj. Por pas pak e njohu, ishte Jorgo, fqinji i tyre.
– Eja, Fero, eja… eja ta marrim Esatin e gjorë!
Ai u ul dhe kërkoi ta largonte nga kufoma e burrit të saj. Pranë kishte marrë një karrocë dore për të marrë trupin e Esatit…
Fero vështronte e tmerruar trupin e Esatit, që Jorgo po e vendoste tashmë mbi karro. Dhjetra njerëz shikonin të shtangur atë skenë tmerri dhe morti. E mori kokën dhe ia vendosi në krahë e po kështu dhe krahët e përgjakur mbi trupin e tij.
– Eja, Fero, ta varrosim vëllain tonë të shtrenjtë.
Tani nuk klithte më. Qëndronte e ngrirë, duke e mbështjellë me krahë trupin e saj pa mundur t’i hidhte hapat normalisht, e megjithatë zuri ta ndiqte fqinjin e tyre nga pas tek shkonte me karrocën që mbartte trupin e Esatit… Esati i vdekur me sy meiti. As vetë ajo nuk e dinte ku shkonte, veçse ndiqte pa folur karrocën e Jorgos.
Disa grekë që ishin aty hapnin rrugën dhe shikonin gjithë trisht atë grua të çmendur që ndiqte pas trupin e burrit të sakatuar. Pastaj gjithçka heshti. Të shtënat pushuan, klithmat e grave dhe të qarat e fëmijëve ndalën. Gjithçka ra në një heshtje varri. Asgjë nuk pipëtinte, as zogjtë, të cilët të tmerruar dhe ata nga breshëritë, kishin marrë arratinë…
Sa orë kishin kaluar në këtë zhgjëndërr të frikshme. Nga shkonte kështu?
Ishte një heshtje e çuditshme, e plotë, sikur të ishte në një botë tjetër, nëpër qiej apo nëntokë, në botën e të vdekurve. Papritur ajo ngriti kokën. Përgjoi. Një zhurmë makine u dëgjua nga rruga. E frikësuar ngriti kokën. E kuptoi që atje, në atë trung të vjetër e të nxirë ulliri me fëmijët që kishin pak kohë që flinin, kishte jetuar ende me ato çfarë kishte përjetuar ato ditë tmerri. Përgjoi përsëri dhe vërtet zhurma sa vinte dhe afrohej. Atëherë i shkundi fëmijët nga krahët e saj, duke u thënë:
– Zgjohuni, Bedo, Hyso! Ejani, shpejt… Një makinë po vjen.
Me ta në duar dhe bohçen hedhur krahëve, ajo u turr poshtë drejt rrugës, me vërtik.
Kur arriti në rrugë mezi merrte frymë. Doli në mes të rrugës së vetmuar, ndërkohë që makina po i vinte përballë. Kur shoferi e pikasi, menjëherë ndaloi. E kuptoi që vinte përtej kufirit, siç kishte parë gjatë gjithë atyre ditëve çamët e vrarë e të gjymtuar nga kasaphana e madhe.
– Merrna dhe ne, o njeri i mirë… vijmë nga Filati!
Shoferi doli nga kabina e kamionçinës dhe i bëri shenjë të hipnin nga pas.
– Ku do të shkoni?
– Në Sarandë, ku tjetër?
– Atje shkojmë dhe ne, – tha shoferi me një trisht në fytyrë, me sy të ngrysur e të dhimbur, duke parë atë grua me pamje të shpërfytyruar.
Kur hipën pas makinës, ajo vuri re se ishin edhe dy njerëz të tjerë, një grua disi e thinjur dhe një plak i strukur mes dy dengjeve. Kishte kohë që flinte nga lodhja e madhe. Vinin nga Konispoli.
Duke mërmëritur, Fero u tundi kokën pa ditur ç’t’u thoshte. Makina u nis përsëri. Kishin bërë disa kthesa, kur gruaja pasi nxori një psherëtimë të thellë, e vështroi me dhimbje dhe e pyeti:
– Nga vjen ti?
– Nga Filati!
– Kanë mbetur akoma çamë?
– Po, ka ende… E si mund t’i lënë shtëpitë?
Gruaja e thinjur tundi kokën. Fero vazhdoi:
– Më shumë janë pleq… Ruajnë shtëpitë, bagëtitë dhe tokat nga andartët. Tani nuk kursejnë as fëmijët. Vetëm vrasin, presin, u kërrejnë sytë!
Fero uli kokën dhe vështroi nga fëmijët e saj. U përkul dhe i puthi në kokë të dy.
Gruaja e vështroi në heshtje dhe nuk foli, veç buzët i kishte të mbledhura, sikur donte të përmbante klithmën e saj.
– Po ju nga vini? – e pyeti Fero gruan me ata flokë të zbardhur para kohe.
– Nga Paramithia. Atje u bë kasaphanë, moj bijë. Na i vranë të tërë, baballarët, burrat, fëmijët… Vajzat i morën dhe i mbyllën në gjimnaz. Zervistët i mbajtën dy net me radhë… I përdhunuan dhe më në fund i lanë të shkonin. Të mjerat vajza, veç t’i shikoje, fshihnin fytyrat që të mos i shikonim. Qanin e klithnin, iknin si të marra… Ja, ky ishte Zerva që mallkuar qoftë!
– Po tjetër?
– Çfarë tjetër?… Kështu ndodhi dhe në fshatrat përreth, në Gardhiq, Kaminë, Karbunarë… kështu ndodhi dhe në Lopës, Arpicë, Kuç, Niste, në qytetin e Margëlliçit… Ç’të të them, moj motër! Na u nxi qielli dhe shtëpia!
Makina ecte dhe dielli shkëlqente gjithnjë e më shumë. Gruaja me të zeza vazhdonte:
– Ah moj bijë, vdekjes do t’ia tregoj këto thagma. Ishin të etur për gjak shqiptari. Na morën gjithçka, mall e pasuri, unazat, varëset dhe petkat e nusërisë… Më së fundi arritën dhe na dëbuan, me armë, me vdekje!
Makina shkonte, duke zbritur drejt fushës.
– I njeh Hadot e Paramithisë? – e pyeti papritur Fero.
Gruaja ktheu kokën dhe e tundi lehtë nga ajo.
– Selman Hadon, plakun e vranë në sytë tanë dhe e tërhoqën zvarrë… I biri, Kadriu, kishte ikur bashkë me familjen. I mjeri plak! I shau, i mallkoi, i pështyu në fytyrë dhe ata e vranë!
Makina shkonte gjithë zhurmë. Fëmijët përkundeshin, flinin, kushedi në ç’ëndërr të frikshme, në ç’botë, kushedi në ç’greminë po zbrisnin. Herë pas here kokat e tyre tundeshin si të trembura nga ndonjë shfaqje e frikshme. Ajo i mblodhi në prehërin e saj si të donte t’i mbronte nga ndonjë rrezik tjetër, që endej nëpër atë hapësirë të çuditshme, ku dhe era bënte një zhurmë misterioze, të frikshme: vu, vu, vu!
Gjithçka i vinte rrotull në atë vorbull të madhe, ku përziheshin fytyra, pemë, duar të prera, trupa të hedhur tutje, të tjerë të shtrirë me sy nga qielli, sikur të donin të thonin lutjen e tyre të fundit.
Fëmijët flisnin nëpër gjumë, në zgjëndërr.
Zuri të qante e heshtur, nën zë, me një rënkim të lehtë, sikur vetëm ai rënkim e mbante për të qëndruar ende me sytë nga dy pjellat e saj.
Një dorë papritur e preku në sup. U drodh e llahtarisur, pa e ditur se nga i erdhi ajo dorë. Ktheu kokën anash dhe pa sytë e dhimbsur të gruas me atë shami të zezë në kokë.
– Të të rrojë fëmija tani!… Ndërsa mua të zezës më vdiq nga plagët… E goditën në kokë. S’kam më zë të qaj, s’kam më lot të derdh. Përrenjtë e mi shteruan. Kushedi, perëndia do të më ndihë të bëj edhe një fëmijë!
Me sytë e saj të përlotur, disi të vagëlluar, ajo pikasi atë fytyrë të trishtë gruaje, që vdekja e fëmijëve e kishte ngurosur dhe ia kishte rrudhur buzët e shpirtin bashkë. Për një çast iu duk si një shtatore guri. Uli kokën përsëri e hutuar, duke menduar se si kjo grua e kishte pranuar kështu vdekjen e pjellës së saj. Papritur, njëri nga djemtë foli nëpër gjumë dhe ajo u gëzua që ata kishin mbetur gjallë.
Makina mori një kthesë dhe tani po ngjitej në të përpjetë. Duhej të ishte pasdite vonë. I vinte gjumë, nanurisej, përkundej bashkë me ta, por imazhet që i shfaqeshin nuk e linin të prehej një çast, një çast të vetëm, të flinte pak, vetëm pak minuta që të mund të kishte forcë kur të mbërrinin në Sarandë.
Koka iu var. Dhe ja, në çast iu shfaq përsëri kolonel Zerva, me qillotat e tij ushtarake, me kapën e tij dhe revolen në brez, tek ecte triumfator dhe jepte urdhra sa majtas-djathtas, për të vrarë burrat që nuk ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Me robën e tij të zezë dhe mjekrën që i varej e tundej nga një gëzim i përmbajtur, prifti e ndiqte pas dhe ngrinte duart… “Këtej e tutje këtu s’do të dëgjohet më shqip!” – klithte Zerva.
Koloneli dukej si një mesazher i zi i një bote tjetër, i vetë vdekjes, dërguar në atë qytet të paqtë plot ullishta e diell. Vallë, a do ta gjente Shefqetin në Sarandë? Ku duhej ta kërkonte. Në ikje e sipër, një nga kushërirat i kishte thënë ta kërkonte në Sarandë, por se ku, as ajo nuk e dinte. Një pjesë tjetër e familjes ishte nisur drejt Gjirokastrës, pa lënë ndonjë lajm se do të qëndronin aty apo do të vazhdonin drejt Vlorës e Tiranës.
Duke iu afruar Muzinës, fëmijët u zgjuan, ngritën kokat duke pyetur:
– Mbërritëm, nënë?… Ku jemi këtu?…
Vështronin përreth në atë qetësi të çuditshme, gati mortore që shtrihej përreth.
– Edhe pak arrijmë! – u pëshpëriti ajo.
Për një çast mbylli sytë dhe përsëri iu shfaq trupi i së varurës me mandilen në kokë, tundur nga era. Tani s’kishte më vetëm një të varur, por shumë. Gra, burra, pleq, varur nëpër degë pemësh apo trarë shtëpish, të varur të shumtë, çka i dukej më një pyll të varurish. Po, pylli i të varurve të Çamërisë martire. Dhe atëherë, në atë makth të madh, menjëherë hapi sytë, me forcë, pasi vetëm ashtu mund t’i shpëtonte atij pylli të varurish aq të frikshëm. Tashmë i dukej se gjithë Çamëria që kishte lënë pas krahëve, ishte shndërruar në një varrezë të madhe, ku kishte veç gropa të hapura dhe pirgje dheu. Papritur ndjeu dorën e Bedos që e tërhoqi dhe e pyeste:
– Nëno, a do të kthehemi përsëri në shtëpi?
– Do të kthehemi, bir… do të kthehemi, ndoshta një ditë, kushedi?
Ajo donte të shtonte diçka tjetër, por heshti. Ç’të thoshte? Pas kishte lënë qindra të vdekur, qindra shpirtra që kishin rënë theror.
Për një çast, në të përpjetë, makina ndaloi. Motori i saj shfrynte dhe nxirrte avuj. Shoferi zbriti, hapi kapakun e kamionçinës, shkoi drejt një burimi aty pranë me një kovë uji në dorë dhe nisi të ftohte motorin e nxehur. Rrugës, tek-tuk, refugjatë të ndryshëm që ishin nisur me kohë, kalonin të ngarkuar me plaçka mbi gomarë, e rrallë mbi ndonjë kalë. Ishin çamë, të gjithë, me fytyrat e tyre të vrara nga dhimbja, lodhja, pagjumësia dhe tmerri, kush me një deng në kurriz, një tjetër me bohçe, nëna, plaka hipur mbi gomarë dhe fëmijë të zbathur e plot lecka, që mezi ndiqnin hapin e të rriturve. Ishin muhaxhirë që shkelnin një tokë tjetër, por të ngjashme me të tyren: po ato lugina, kodrina me ullishta, pemë limonash e portokajsh.
Më së fundi makina u nis përsëri dhe ja ku në majë të qafës, ata panë diellin që po zhytej tutje në horizontin e detit të kaltër, disi në të kuqërremtë. Po binte muzgu. Fëmijët zgjasnin kokat dhe vështronin nga ai det i qetë, pa dallgë. Gjithçka ishte e bukur përreth. Dhe ajo gati e harroi llahtarën e jetuar, veten e saj, tek mblidhte pjesët e trupit të Esatit. Ishte e para herë që shikonte një det, për më tepër një det në perëndim, me një diell të përflakur që zhytej tutje në horizont, gjersa një çast, horizonti u skuq dhe pastaj, papritur, u shua. Po ky vend po i shfaqej si i vetmi vend i shpëtimit. Ishte vendi i lirisë.
Makina tani zbriste gjithnjë drejt asaj qyteze të vogël dhe ja ku u shfaqën shtëpitë e para prej guri. Më së fundi, shoferi ndaloi buzë detit, në rrugën kryesore. Zbriti dhe uli barrierën e pasme. Fero u hodh përpara bashkë me një bohçe dhe pas saj edhe fëmijët. Qëndroi një çast e hutuar, pa ditur ç’të bënte dhe duke vështruar nga shoferi, zuri të qajë. Shtrëngoi buzët nga keqardhja. Ç’t’i thoshte?…
– Ke njeri këtu?
– Po… do të kërkoj. Të të rrojë fëmila, vëlla!
Ai e përqafoi dhe puthi fëmijët. Pastaj me çiftin në makinë, me atë grua të zbardhur që qante me ngashërim, vazhdoi për më tutje.
Fero ndoqi një çast makinën, duke përshëndetur me dorë atë grua të trishtë që s’fliste dot e që mbahej ende pas vdekjes së birit të saj. Por dora i mbeti në ajër. Makina ishte zhdukur në kthesën e parë.
Pikërisht atë çast, në atë udhë të shkretë nga njerëzit, përballë atij deti të paqtë në muzgun që sapo kishte rënë, ajo u ul dhe nisi të qajë me një ulërimë mbytëse. Fëmijët iu hodhën në trup si të donin ta mbronin nga ajo dhimbje që po i çante zemrën.
Tashmë e kishte lënë pas pyllin e të varurve dhe e kishte kapërcyer Qafën e Botës…