Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Histori

Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme nga Prof. Selman Sheme

Sipas regjistrimit të vitit 1991 të bërë nga Shoqëria Patriotike “Çamëria”, popullsia me origjinë çame e vendosur në Republikën e Shqipërisë arrin në 204.255 banorë. Duke u mbështetur në ritmet e shtimit natyror të popullsisë në vendin tonë në 28 vjetët e fundit, llogaritur sipas teorive demografike të riprodhimit të popullsisë, rezulton se numri i popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë në ditët tona duhet të jetë mbi 300.000 banorë, ose rreth 11 për qind e popullsisë së regjistruar të vendit në vitin 2011.

Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë, ruajnë traditat, të drejtën zakonore të kultivuar në shekuj (kanunin e adeteve), dialektin e tyre të lashtë, këngët, vallet, veshjet e tyre karakteristike, kulinarinë unike, folklorin dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për t’u kthyer në trojet e veta.

Spastrimi etnik i Çamërisë krijoi precedentin e rrezikshëm të spastrimeve etnike në Ballkan. Ai ndryshoi dukshëm balancat etnike në raportet greko-shqiptare në favor të grekëve dhe krijoi një problem që do të ndikonte për një kohë të gjatë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Spastrimi etnik i Çamërisë nxiti dhe fuqizoi presionet e shtetit grek ndaj kombit dhe shtetit shqiptar, duke avancuar planet dhe aktivitetet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.

Bazuar në Konventën Evropiane dhe Deklaratën Universale, shteti grek duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Njëkohësisht riatdhesimi i popullsisë çame që banon në shtetin amë, në trojet e veta në Çamëri dhe kthimi i pronave të tyre do të përmirësonte situatën demografike dhe ekonomike në këtë krahinë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mëtohet për integrim dhe demokratizim të Rajonit të Ballkanit.

 

Migracionet zënë një vend të veçantë dhe me peshë në popullimin human të krahinës së Çamërisë dhe zhvillimin e saj në shekuj. Zhvillimet ekonomike dhe politiko-shoqërore, por sidomos faktorët shkatërrues të jetës shoqërore, si pushtimet koloniale, luftërat civile dhe spastrimet etnike me dhunë, shpronësimet dhe diskriminimi social, etj., kanë diktuar lëvizjet migruese të popullsisë shqiptare të Çamërisë në shekuj. Shpërnguljet e mëdha dhe të imponuara kanë qenë ato që lidhen me pushtimin serb të shek. XIV. Pushtimi serb shkaktoi një emigracion të vazhdueshëm dhe masiv të popullsisë edhe nga krahina e Çamërisë.

 

Ky emigracion u orientua drejt pjesës jugore të Greqisë dhe të Italisë. Arbëreshët që jetojnë në Voshe të Korintit, sipas F. Pouqeville, janë me prejardhje nga Çamëria. Studiuesi italian K. Taliavini, duke u nisur nga mbaresat e trajtave të emrave të banorëve të kolonive arbëreshe të Italisë, ka shfaqur mendimin për prejardhjen e këtyre kolonive nga Çamëria.

Studimet e fundit për disa shënues gjenetikë dhe të biologjisë molekulare (eritrocitet, serumi, hemoglobina) në shqiptarët e Italisë (arbëreshët), krahasuar me të dhënat e popullsisë italiane dhe të shqiptarëve të trojeve etnike, dëshmojnë për origjinën e arbëreshëve nga trevat shqiptare që shtrihen nga Vlora në Prevezë.

– Shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërruese për strukturën demografike të krahinës së Çamërisë janë ato të 100 vjetëve të fundit. Gjurmët e dëbimit me forcë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre i ndeshim që në gjysmën e shek. XIX. Por kjo dukuri bëhet më e dukshme dhe në mënyrë të organizuar pas luftës ruso-turke të viteve (1877-1878) dhe Kongresit të Berlinit 1878). Synimet ishin të qarta: zgjerimi i kufijve shtetërorë tradicional të Greqisë dhe grabitja e tokës dhe e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve.

– Shpërnguljet me dhunë dhe kolonizimi helen i krahinës u zhvillua nën parullën e spastrimit etnik të saj nga popullsia shqiptare e fesë islame. Me islamizimin e krahinës, në shek. XVIII, një pjesë e mirë e popullsisë së Çamërisë u kthye në fenë islame. Ata kishin pasuri të tilla si: toka, pyje, kullota, etj. Me shpërnguljen e popullsisë shqiptare, synohej që në këto toka të vendoseshin kolonë grekë dhe në këtë rrugë të realizohej helenizimi i krahinës.

 

Shpërngulja me forcë e në rrethana të përdhunshme e popullsive shqiptare të Çamërisë nga trojet e veta nuk u bë në të njëjtën kohë e në mënyrë të pandërprerë. Këto procese janë zhvilluar në momentet historike më kritike për fatet e popullit shqiptar, kryesisht në viset periferike të trungut etnik, siç është Çamëria.

 

Vala e parë e shpërnguljes i përket viteve ‘80 të shek. XIX, kur Greqia e ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, në bazë të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878) mori nga Turqia rrethet e Artës dhe shpërnguli me forcë popullsinë shqiptare nga këto troje.

 

Faktet tregojnë se në fillim të shek. XX shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Krahina e Çamërisë bëhet më intensive e masive dhe është e orientuar gjeografikisht në mjediset qendrore të trojeve shqiptare, në Turqi, në SHBA, etj.

Një fazë e re dhe me pasoja tragjike për popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të viseve të Konicës, Kosturit, Follorinës, etj., fillon me Luftërat Ballkanike dhe copëtimin e Shqipërisë nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913. Me këto vendime pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë mbeten jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë nën sundimin grek. Diplomati i shquar shqiptar Rasih Dino i deklaroi konferencës së Londrës, se paqja dhe qetësia e Gadishullit do të arrihej vetëm në qoftë se Shqipërisë së ardhshme, do t’i jepej një strukturë homogjene dhe kufijtë e saj të ndiqnin vijën e kufirit të atëhershëm me Malin e Zi, të përfshinin bashkë me hinterlandin e tyre përkatës, qytetet e Ipekut, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit e Manastirit, deri në Meçovë dhe të ruanin kufijtë ekzistues me Greqinë deri në Prevezë.

 

Duke kundërshtuar pretendimet e Greqisë në Aneksin e Memorandumit të paraqitur më 2 janar 1913, para Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga përfaqësuesit shqiptarë jepen këto të dhëna demografike për sanxhakun e Çamërisë:                                                           

– Sanxhaku i Çamërisë kishte një popullsi prej 75000 banorësh nga të cilët 18.000 ishin shqiptarë të krishterë. Sanxhaku ndahej në disa kaza si vijon:

  1. Kazaja e Reshadijes (Gumenicës) me 16.000 shqiptarë
  2. Kazaja e Filatit, me 20.000 Shqiptarë
  3. Kazaja e Margëlliçit me 26.000 Shqiptarë
  4. Kazaja e Paramithisë me 13.000 Shqiptarë
  5. Kazaja e Llurosit.

– Qyteti është i banuar krejt nga shqiptarët. Në këtë Kaza shtatë fshatra që përbëjnë Llakan e Lehovës dhe pesë fshatra që formojnë Llakan e Sulit janë populluar nga shqiptarë. Në Kazanë e Llurosit banonte edhe një popullsi endacake kucovllahe dhe disa familje çifute. Këto pakica popullsie nuk kishin prona. Ata banonin dhe punonin në tokat dhe banesat e shqiptarëve.

– Kazaja e Prevezës banohej nga popullsi heterogjene (e përzier). Krahas popullsisë shqiptare në këtë Kaza jetonin edhe pakica familjesh greke, vllahe dhe çifute. Gjithashtu edhe qyteti i Janinës, ishte me popullsi të përzier.

 

Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Parmithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare myslimane e ortodokse prej më shumë se 75.000 frymë (viti 1913). Përveç regjionit te Çamërisë, u shkëputën edhe vise të tjera, ku kishte një numër të madh të popullsisë Shqiptare, si Janina, që kishte qenë kryeqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, Konica, rrethet e Kosturit e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur edhe numrin e këtyre kazave, numri i popullsisë shqiptare në trojet që iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë.

Brenda kufijve shqiptarë mbeten vetëm një pjesë e vogël e Çamërisë, gjeohapësira e Konispolit me fshatrat: Markat, Ninat, Janjar, Shals, Dishat, Vervë, Ciflik, Mursi, Xarrë, Vrinë, Shkallë, Sopik e Pandelejman (13 fshatra).

– Për të nënshtruar përfundimisht viset shqiptare, administrata greke ndërmori aksionin e mbledhjes së armëve, vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimin e qarkullimit të shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre. Autoritetet ushtarake e administrata civile filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta për ta detyruar të shpërngulej, ndërsa popullsinë e krishterë e shtrëngonin të mohonte përkatësinë kombëtare dhe të pranonte etnitetin helen e të shpallej greke. Për të shtypur qëndresën e shqiptarëve u ndërmorën masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë. Në vitin 1913-1914 në kazanë e Paramithisë u shkatërruan fshatrat Gardhiq me 300 shtëpi, Dhragomia me 200 shtëpi, Petrovica me 75 shtëpi, Minina me 65 shtëpi. Në kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjerë: Ninati me 120 shtëpi, Markati me 12 shtëpi, Janjari me 150 shtëpi, etj.

– “Fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, – shkruan F . S. Noli, – provincë e aneksuar prej Greqisë nuk ndryshon nga ai i kosovarëve. S’është veçse një ribotim i tragjedisë në tre akte: ç’pasurim, ç’përngulje, ç’farosje”.

 

  1. Etapa e parë: Spastrimi etnik gjatë Luftës së Parë Botërore

Në rrethanat e Luftërave Ballkanike dhe të pushtimit të Çamërisë fillon etapa e parë e shpërnguljes së dhunshme masive e popullsisë së krahinës për në Turqi, Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit, në SHBA, etj.

Për pasojë, vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore rreth 10.000 Shqiptarë të Çamërisë, të cilët u dërguan në Turqi. Gjatë shpërnguljes pati shumë të vrarë e të masakruar.

Në vitet 1913-1914, duke kaluar kufijtë e porsacaktuar të Shqipërisë, ushtria greke vrau, dogji e shkatërroi mjaft vendbanime rurale e urbane në rrethet e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit e Tepelenës, duke përfshirë edhe Kurveleshin. Këtyre masakrave të grekëve iu nënshtrua në mënyrë të veçantë popullsia myslimane. U shkatërruan 190 fshatra dhe dy qytete, u dogjën 6831 shtëpi dhe mbetën pa strehë 43.296 banorë. Një pjesë e popullsisë u vra. Vetëm në fshatin Kodër të Tepelenës, më 2 maj 1914, u therën nga oficeri grek Saqillari 217 hormovitas. Në fshatrat e djegura u grabitën bagëti e pasuri të tjera. Popullsia që u detyrua të largohej prej andej, erdhi e u vendos në ullishtat e Vlorës, ku, nga vuajtjet, sëmundjet dhe uria, vdiq një numër i madh refugjatësh. Mis. E. Durham, që shkoi t’u jepte ndihmë mjekësore e ushqime, thotë se brenda dhe jashtë Vlorës bëheshin së bashku së paku nja 70.000 frymë, përveç atyre që kishin zënë vend në mes të Beratit e Vlorës dhe në tokat malore.

– Midis këtyre mijëra refugjatëve nga Shqipëria e Jugut, që qenë të detyruar nga dhuna e bandave “Vorioepirote” të vendoseshin në ullishtat e Vlorës, kishte edhe rreth 20.000 shqiptarë Janinas, Vashtinjarë, Konicarë, etj.

 

Gjatë Luftës së Parë Botërore shqiptarët e Çamërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare në Greqi, mbështetën programin e Lëvizjes Kombëtare për të krijuar një Shqipëri në kufijtë e saj etnik. Me përfundimin e Luftës dhe me thirrjen e Konferencës së Paqes në Versajë (Paris), lëvizja për bashkimin e Çamërisë me Shtetin Shqiptar u zgjerua. U krijuan shoqëritë e para të mirëfillta çame, në Shqipëri, SHBA, etj., në të cilat u aktivizuan shqiptarë nga Çamëria dhe emigrantë nga trojet e tjera shqiptare.

Me gjithë shpresat që ushqenin shqiptarët te Konferenca e Paqes e Versajës, kjo konferencë nuk solli asnjë ndryshim në gjendjen e popullsisë shqiptare, që kishte mbetur nën qeverisjen greke. Keqtrajtimi i popullsisë së pafajshme do të vijojë në vitet 1919-1921, e më pas, në Shqipërinë Jugore e Juglindore, në të dy anët e kufirit. Viset kufitare greko-shqiptare qenë objekt i një dhune të egër, prandaj edhe largimet e popullsive qenë më të shumta. Si rrjedhim, numri i popullsisë shqiptare në krahinë erdhi vazhdimisht duke rënë.

 

Në vitin 1921, në Memorandumin e Përfaqësuesve të Komiteteve të Bashkuara të shqiptarëve irrident drejtuar Bonin Longarit, ambasador i Italisë dhe anëtari i Konferencës së Paqes, vërtetuar nga Prof. Bedri Pejani, ndër të tjera kërkohet që t’i kthehen Shqipërisë Çamëria dhe trojet e tjera jug-shqiptare të aneksuara nga Greqia, duke u mbështetur në disa argumente si më poshtë:

  • Shqiptarët, për t’ia arritur ndërtimit të një shteti me të vërtetë të pavarur kanë nevojë para së gjithash për rivendosjen e baraspeshës në Ballkan, ç’ka nuk është e mundur pa arritur më përpara bashkimin e tyre kombëtar.
  • Çamët me shumicë myslimane, të mobilizuar si vullnetarë, kanë luftuar heroikisht kundër aleatëve të Kalifatit të Kostandinopojës, përkrah ushtrive italiane më 1917 dhe më 1918, pikërisht në atë fazë të Luftës së Madhe, kur grekët qëllonin kundër trupave franko-angleze në rrugët e Athinës…
  • Çamëria është ngjitur me Shtetin Shqiptar, me të cilën ajo formon një vazhdimësi etnike të pandërprerë dhe se aneksimi i saj nuk do të hasë asnjë vështirësi të natyrës teknike.
  • Së fundi, një zgjidhje e drejtë e çështjes së Shqipërisë së Jugut, do t’i jepte fund konfliktit shqiptaro-grek që ka lindur qysh më 1913 dhe do të ndihmonte në mënyrë serioze për forcimin e paqes në Ballkan. Në vijim të Memorandumit jepen kufijtë dhe struktura demografike e banorëve të Çamërisë.