Deklaratat e fundit të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, z. Gerapetritis, gjatë vizitës së tij në Korçë, risollën në qendër të vëmendjes një qëndrim që prej vitesh përpiqet të mbulojë të shkuarën me një gjuhë diplomatike të lodhur: “nuk ka vend për histori të vjetra”, tha ai, duke tentuar të mbyllë një kapitull që ende nuk është as pranuar, as adresuar.
Por historia e Çamërisë nuk është as e vjetër dhe as e mbyllur. Ajo nuk është një faqe muzeale. Është një plagë e hapur, sepse janë ende gjallë ata që i mbijetuan kasaphanës së vitit 1944-45. Janë ende gjallë ata që u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre, që humbën gjithçka për shkak të përkatësisë së tyre etnike, dhe që sot, tetë dekada më pas, nuk lejohen as t’i vizitojnë ato troje. Babai im sot mbushi 85 vjeç, u dëbua nga shtëpia e vet kur ishte vetëm 4 vjeç dhe përballet përditë me përçmimin institucional, me mohimin, heshtjen dhe mos lejimin për të vizuar shtëpinë ku ka lindur. Asnjë qytetar europian, asnjë qytetar grek pa ngarkesa politike nuk e kupton si mund të ndalohet dikush të vizitoj shtëpinë e vet në një shtet anëtar të BE!
Zoti Ministër, nuk ka shqiptar që kërkon ndryshim kufijsh. Nga burojnë paranojat tuaja kur askush nuk i kërcënon kufijtë e Greqisë? E vërteta është se kufijtë e dinjitetit njerëzor janë shkelur rëndë dhe ende nuk janë rikuperuar. Ne kërkojmë të drejtën tonë legjitime për t’u kthyer në shtëpitë tona dhe kthimin e dinjitetit të mohuar për mijëra shqiptarë të Çamërisë.
Për më tepër, le të mos harrojmë se armiqësia nuk vjen nga shqiptarët. Shqipëria nuk ka asnjë ligj lufte ndaj Greqisë. Është Greqia ajo që zyrtarisht ende mban në fuqi një ligj lufte ndaj Shqipërisë, një absurditet historik që vetë paraardhësit e z. Gerapetritis e kanë quajtur “shizofreni historike”, por që çuditërisht ministri aktual e harroi. Mos vallë dhe ligji i luftës hyn në historitë e vjetra që nuk interesojnë askujt?!
Ne shqiptarët duam të shohim përpara. Kërkojmë paqe dhe fqinjësi të mirë. Por kjo nuk ndërtohet mbi heshtje dhe harresë. Sepse drejtësia nuk plaket. Dhe kujtesa nuk është pengesë por është themel i bashkëjetesës dhe i respektit reciprok.
Në këtë frymë dua të shpreh zhgënjimin tim. Prisja që Ministri i Jashtëm grek, në tokën shqiptare dhe në një qytet mik si Korça, të kishte gjetur kurajën për të kërkuar ndjesë për krimet e forcave shtetërore greke në Çamëri në 1944 – 1945. Një ndjesë që nuk do të ndryshonte historinë, por do të bënte histori, duke e afruar më shumë Greqinë me idealet e drejtësisë dhe ndërgjegjes europiane.
Zoti Gerapetritis përmendi Seferisin, një zë poetik i thellë i shpirtit grek dhe i humanizmit universal. Por nëse do t’i qëndrojmë frymës së Seferisit, atëherë nuk mund t’i mbyllim sytë përpara vuajtjes së të tjerëve. Humanizmi i tij nuk ishte retorikë politike, por ndjeshmëri e sinqertë për njeriun dhe për padrejtësinë.
Çështja çame nuk është një dosje e harruar në arkiva. Është një realitet i dhimbshëm, që s’mund të mbyllet pa drejtësi. Dhe drejtësia për Çamërinë është një provë e demokracisë greke, një test i ndërgjegjes europiane dhe një domosdoshmëri për paqe të qëndrueshme në rajon.
I dashur Ministër, erdhët në një vend mik. U pritët si mik. Por na kërkuat të harrojmë historinë tonë jo të largët, por të afërt dhe ende të pashëruar. Na kërkuat të heshtim për një të tashme që ende vret dinjitetin e të moshuarve që nuk mund të shkelin trojet e tyre. Në vend të një fjalie ndjese, urdhëruat për të harruar. Kjo nuk është rruga e paqes.
Paqja e vërtetë ndërtohet mbi të vërtetën. Dhe vetëm duke pranuar historinë, edhe atë që dhemb, mund të hapim një kapitull të ri, të denjë për dy vende që duan të ecin përpara si fqinj dhe si europianë.