
Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë
Eshref Himi (dëshmi)
Eshref Himi, qytetar nga Paramithia, deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:
“Të martën më 27 qershor 1944, në orën 7 të mëngjesit, hyjnë në Paramithi monarko-fashistët grekë të komanduar nga kolonel Kamora, major Kranja, kapiten avokat Kristo Stavropulli, kapiten avokat Lefter Strugari, N-toger Nikolla Çenos etj. Porsa hynë në qytet, u dha urdhëri që kurrkush mos të lëvizte nga vendi, sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin në asnjë mënyrë. Mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër filloi vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë. “Pasi më mbajtën katër ditë në burg, më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur “Kisha e Ajorgjit”, munda të njoh pesë nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara.
Të pesë viktimat të njohura prej meje janë: Met Qere, Sami Asimi, Mahmut Kupi, Adem Beqiri, Haki Mile. Pas dy ditësh më shpunë pas “Golatajt”, në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku kishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh se i kishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtura Sanie Bollati pësoi tortura të frikshme, e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vend të mërkurën dhe të premten në mëngjes trupi i saj u transportua i mbuluar me një batanie nga e ëma dhe dy bashkëqytetarë, të cilën e vendosën në një qilar me urdhër nga monarko-fashistët, që s’linin asnjë ta shikonte. Atje, ajo grua e mjerë, vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e saj ishte plot me krimba. Gjithçka deklaroj, – i kam parë me sytë e mi. Në fillim u fsheha për pesë ditë rresht në një tavan, kur monarko-fashistët më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt, i cili pas pyetjesh të shkurtëra, urdhëroi burgimin tim. Në burg gjeta 380 persona, ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urie. Katër persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe prej andej na përcollën për në Prevezë, prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të pa përshkruara. Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave të EAM-it ne u liruam.
Dervish Sulo nga katundi Spatar i Filatit i përshkruan në këtë mënyrë masakrat në Spatar:
“Në mëngjesin e një të shtune të shtatorit 1944 e gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit (Spatar). Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani, 50 vjeçare, u çnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj në afërsi të Muços. Në shtëpinë tonë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skropjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë, të cilave iu shpuan gjiret me thika, të gjithë u masakruan… Në shtëpinë e Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë… Në shtëpi te Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër… Në shtëpinë e Dule Sherifit ju pre koka plakut 80-vjeçar Sulejman Dhimicës dhe të shoqes së tij. Në shtëpi të Meta Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra… Kije Nurçia, 76 vjeçar, u ther me thikë… Në vreshtin e Zules dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 20 persona të masakruar… Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderua vajza e Haxhi Gulanit, kurse në banesën e Mejdi Metos u çnderua Hava Ajshja dhe Nano Arapi, madje kjo e fundit u masakrua.”

