Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Ide dhe Polemika

Çamëria e rrëfyer nga historianët grekë, si ka ndryshuar narrativa dhe fajësimi i shtetit të tyre nga Ferdinand Dervishi

Në vitin 1945, në Konispol të Sarandës, mbërriti një komision ndërkombëtar hetimor, me detyrë për të prekur nga afër dhe grumbulluar provat e masakrës dhe shpërnguljes së popullsisë së Çamërisë. Mes dëshmitarëve, një pjesë ende me plagët e dhunës në trup, përpara tyre u shfaq një grua plakë e cila nxorri nga gjiri, si gjënë më të shenjtë, skalpin e kokës së një të afërmi të saj.

Plaka quhej Fatime Pronjo, ishte 75 vjeçe, ndërsa pjesa e lëkurës së kokës, me flokë të zinj, i përkiste të birit, Abedin Pronjo, të masakruar nga forcat greke të Napoleon Zervës. Këto janë të vetmet pamje filmike të kohës që provojnë gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë. Një ngjarje që, për shkak të rrethanave historike, për 8 dekada me radhë, për autorët grekë ka mbetur e vulosur dhe e ngrirë në kohë. Ndërsa për palën tjetër, për ne shqiptarët, ka mbetur një ngjarje e kohës që nxiton, qoftë vetëm për shkakun se dëshmitarët, tashmë, për shkak të moshës, pothuaj të gjithë janë ndarë me këtë jetë, duke u larguar me peng në zemër.

Por le ta marrim nga historia një shpjegim të këtij rezultati aktual. Le të kthehemi pas në kohë dhe të shohim si e gatiti ajo masakrën dhe shpërnguljen masive të popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Dihet se kufijtë e cunguar të shtetit shqiptar, ata kufij që kemi edhe sot, u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, që u mbajt në Londër në korrik të vitit 1913. Jashtë trungut amë mbetën territore të konsiderueshme, përfshirë Kosovën, që u bë pjesë e Mbretërisë Serbe, dhe Çamëria që u bë pjesë e Greqisë. Sipas studiuesve të ndryshëm, Çamëria popullohej kryesisht me shqipfolës dhe përbëhej nga dy grupe integrale fetare: të krishterët ortodoksë dhe myslimanët sunitë. Ky grup jetonte në një zonë gjeografikisht të gjerë, duke përfshirë territoret që sot njihen si Prefektura e Prevezës dhe duke u zgjeruar në veri-perëndim me territoret që sot i përfshin prefektura e Thesprotisë. Sipas një regjistrimi osman të vitit 1908, në Çamëri jetonin 30,726 muslimanë shqipfolës. Pak më vonë, pas një vale emigrimi për shkak të Luftrave Ballkanike, sërish sipas statistikave, numri i myslimanëve shqiptarë të Çamërisë ra në 26 mijë.

Në Çamëri gjendej edhe një popullsi shqipfolëse e besimit ortodoks, por që ishte më larg idesë kombëtare sesa fqinjët myslimanë. Kjo pjesë mbeti më e orientuar nga Greqia dhe, për pasojë, pas aneksimit të zonës, shpejt u identifikua me shtetin dhe kombin grek, duke u regjistruar zyrtarisht si e tillë. Gjuha e zonës ishte shqipja, ndërsa greqishtja përdorej si një gjuhë e dytë, madje edhe nga myslimanët. Grekët e shënjuan atë që kishin në plan të bënin me Çamërinë dhe çamët, vetëm disa ditë pas pushtimit të zonës. Sipas burimeve të historigrafisë, përfshirë atë greke, pikërisht në këtë kohë, një njësi e parregullt pushkatoi në Paramithi përmbi 70 fisnikë muslimanë.

Mbështetur në të dhënat e publikuara në gazetën “Bashkimi” të dhjetorit 1945, kjo pjesë e historisë është dokumentuar edhe nga UNRRA – Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Rehabilitimin, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, që së shumti kontrollohej nga Shtetet e Bashkuara. “Nga viti 1913 filloi pushtimi; më vonë fiset vijuan të merren me punët e tyre dhe pas fiseve ishte politika e qeverisë dhe autoritetet e tyre administrative, të cilat shtypnin një pas një popullsinë shqiptare. Në atë kohë prijësi i një fisi, i quajtur Deli Janaqi, nga Kreta, vrau në mënyrë të pabesë 72 persona, prijës nga Paramithia dhe fshatrat e tjera përreth atij distrikti; të gjithë u morën dhe u vranë në përroin e quajtur Selani.”

Sipas historisë, periudha e viteve 1913-1914 ka qenë tejet e vështirë për shqiptarët e Çamërisë, edhe për faktin se ata nuk mund të merrnin asnjë mbrojtje nga shteti shqiptar që ishte ende në fazë embrionale. Por, edhe pse të mbetur jetimë, në njëfarë mënyre, shqiptarët muslimanë të Çamërisë, pohohet të jenë ndihmuar nga shteti turk – një e vërtetë apo pretendim që gjithsesi nuk provohet nga ana dokumentare. Ja si vazhdon më tej artikulli i “Bashkimi”:

“Pesë ditë pas kësaj ngjarje, ushtria greke mblodhi në distriktin e Gumenicës 23 burra, të përzgjedhur nga krerët e fshatrave të Grykohorit, me qëllimin për t’i vrarë, por duke qenë se në atë kohë u përhapën thashetheme se qeveria e Turqisë kishte arrestuar në Stamboll shumë grekë në shenjë hakmarrjeje për atë që u ishte bërë çamëve, 23 personat nuk u vranë, por pësuan terror aq të rëndë sa u desh të dërgoheshin në spitalin e Korfuzit, ku duhej të kuroheshin për muaj të tërë.”

Një nga studiuesit më seriozë dhe të paanshëm grekë, profesor-doktor Lambros Baltsiotis i Universitetit Pantheon të Athinës, i cili në vitin 2011 ka publikuar një studim tejet serioz me titull “Çamët myslimanë të Greqisë Veriperëndimore”, argumenton se menjëherë pas përfshirjes brenda kufijve të zonës së Çamërisë, shteti grek nisi të ndërtojë politika për të shmangur rreziqet që mund të vinin nga komuniteti i shqiptarëve. “Para kësaj periudhe, Çamëria ishte tashmë një shqetësim si për shtetin grek, ashtu edhe për të krishterët e Epirit që identifikoheshin si grekë. Duke qenë se objektivi më pak ambicioz i irredentistëve grekë në vitin 1912 ishte përfshirja e të gjitha zonave në një linjë që përfshinte Korçën, Gjirokastrën dhe Himarën brenda kufijve të shtetit të zgjeruar grek, synimi ishte të errësohej fakti që popullata e krishterë, apo edhe ajo myslimane, nuk fliste greqisht, por shqip.”

Shteti grek i kishte të qarta politikat që duhet të ndiqte me çamët muslimanë. I njëjti studiues serioz paraqet fakte se si të gjithë historianët e kësaj periudhe nisën të falsifikonin të vërtetën. Sipas Baltsiotis, institucionet greke ndoqën dy politika të ndryshme: e para ishte të fshihnin gjuhën që popullsia fliste, dhe e dyta, të amplifikonin argumentin se gjuha e përdorur nga kjo popullsi nuk kishte asnjë lidhje me përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ekzistenca e një rajoni (Çamëria), popullsia e të cilit ishte përafërsisht gjysma myslimane dhe thuajse tërësisht shqipfolëse, konsiderohej një problem serioz për shtetin grek, i cili duhej të përballej si praktikisht ashtu edhe diskursivisht. Çdo lëvizje proshqiptare në këto vise duhej eliminuar me të gjitha mjetet.” Pas kujdesit për fshehjen e gjuhës, shteti grek nisi të ndërhyjë te prona e shqiptarëve të Çamërisë. Për këtë qëllim u miratua një legjislacion i ri që parashikonte vendosjen e kufizimeve në të drejtat pronësore të popullsisë muslimane që banonte në territoret e sapopërfshira në hartën e shtetit grek. Krijimi i një baze ligjore për të ndërhyrë te prona mbështetej në të dhëna e informacione që shteti grek i kishte nga terreni. Në këtë kohë, në Çamëri kishte një numër pronarësh të mëdhenj tokash, të quajtur bejlerë, që të gjithë shqiptarë muslimanë. Po kështu, sipas studjuesve, veç bejlerëve, shumica e popullsisë myslimane përbëhej nga pronarë të mesëm tokash.

Sulmi ndaj pronave të çamëve kishte edhe një tjetër synim. Zona e Çamërisë ishte më e mira në gjithë Greqinë për cilësinë e prodhimit të ullinjve dhe konkurrente për mbarështimin e blegtorisë, sidomos për prodhimin e djathit që shqiptarët e zonës e quanin “feta”. Për këto arsye, hapi tjetër i shtetit grek ishte ngrirja e shitjes së pronave dhe lejimi me ligj, miratuar në vitin 1914, i pushtimit të parcelave të quajtura “të braktisura”, të cilat ishin në pronësi të muslimanëve që kishin emigruar. Sipas profesor Baltsiotis, këto politika të shtetit grek ndikuan shumë te popullsia e krishterë e Çamërisë:

“Sjellja e ushtrisë greke, në lidhje me legjislacionin e zbatuar në atë kohë, preku thellë myslimanët dhe konfirmoi çarjen e parë serioze midis komuniteteve të krishtera dhe shtetit grek nga njëra anë dhe komuniteteve myslimane nga ana tjetër.”

“Delegacionet e popullsisë çame të viseve: Filat, Gumenicë, Paramithia dhe krahinat respektive patën vendosë me përfitue nga ardhja e Kryeministrit helenik në Janinë për me i parashtrue rishtas ankimet e formuluara nga parësia e Çamërisë në Athinë, më 15 maj 1937.”

  • 1-Në krahinat e Margllëçit e të Paramithisë janë shpronësuar, veç pasurive tokësore të mëdha, edhe kopshte e oborre. Shpërblimi i caktuar, tepër i vogël, nuk ka qenë paguar.
  • 2-Shumë familjeve u janë marrë tokat që ata i punonin vetë, dmth që nuk mund të konsideroheshin çifligje për t’u shpronësuar sipas ligjit.
  • 3-Familjes së madhe Fetahenj nga Grikohori i Gumenicës ia ka zaptuar komuna ullinjtë dhe do t’u marrë edhe shtëpitë. Mbi këto pasuri të interesuarit kanë tapia prej 300 vjetësh dhe shpronësimi i tyre nuk parashihet nga ligji përkatës.

Tashmë është fakt i njohur se në shtator 1940, menjëherë pas nisjes së sulmit të Italisë fashiste për pushtimin e Greqisë, krerët e komunitetit çam u arrestuan dhe u internuan në disa ishuj, përfshirë Kretën. Të ndërgjegjshëm për dhunën e vazhdueshme që kishin ushtruar ndaj kësaj popullsie, autoritetet greke ishin të bindura se shqiptarët e Çamërisë do të bashkoheshin me ushtrinë italiane. Pra internimi, sipas tyre, ishte një masë parandaluese. Sipas Prof. Baltsiotis, në retrospektivë ky veprim është kritikuar, pasi i dha komunitetit mysliman prova të padiskutueshme të perceptimit negativ të autoriteteve greke ndaj çamëve.

“Kjo masë i la ata pa lidership, fakt që ndoshta, gjatë muajve në vijim, ndikoi në sjelljen e tyre kundër grekëve. Kur refugjatët çamë luftuan në krah të ushtrisë italiane, ata u kthyen kundër popullsisë së krishterë vendase, të favorizuar nga shteti grek. Më pas, ushtria greke ripushtoi zonën, internoi gati të gjithë popullsinë mashkullore çame dhe mbylli sytë para mizorive të grekëve vendas kundër tyre.”

Gjatë pushtimit italian të zonës, çamët tentuan të rifitonin disa nga pasuritë dhe pushtetin e humbur ndër vite. Duke risjellë një histori të historianit Janis Sarras, Baltsiotis argumenton se politikat greke dhe pushtimi fashist ndikuan në përkeqësimin e marrëdhënieve mes çamëve myslimanë dhe popullsisë kristiane.

Shembulli i përmendur rrëfen edhe burrërinë e shqiptarëve myslimanë:

“…rreth 300 myslimanë të armatosur pushtuan fshatin Ka’stri për t’u hakmarrë për plaçkitjet në fshatin Parapo’tamos (ish-Varfani) nga banorët e Kastrit dhe Agjios Vlasios. Pas tre ditësh negociata, palët ranë dakord që plaçka të kthehej. Por kur ajo u paraqit, myslimanët e Parapo’tamos refuzuan duke thënë: ‘Ne erdhëm këtu për të vënë të drejtën në vend dhe për të treguar fuqinë tonë’ – dhe u larguan.”

Masakrat kundër myslimanëve nisën menjëherë pas largimit të gjermanëve. Përgjegjës: forcat e EDES-it të drejtuara nga Napoleon Zerva, me origjinë shqiptare nga Suli.

Sipas Baltsiotis, fakti që disa çamë u bashkuan me ELAS-in komunist shërbeu si justifikim për Zervën.

“Kur gjermanët u tërhoqën, EDES-i vrau jo vetëm luftëtarët çamë të dorëzuar, por edhe gra e fëmijë. Kjo ndodhi në Karvunar, Pargë, Trikorifo (ish-Spatar), Filat dhe mbi të gjitha në Paramithi ku u vranë rreth 300 vetë. Në total mbi 1200 – disa burime thonë rreth 2000. Popullsia myslimane u largua në fund të 1944-ës. Vendasit ortodoksë morën pjesë në këtë eksod përmes plaçkitjes e vrasjes, megjithëse kishte edhe raste mbrojtjeje.”

Dëshmitë në Arkivin e Shtetit shqiptar të përmbledhura nga Kastriot Dervishi janë tronditëse:

“Atë ditë Tosho Çifuti me shokët na mblodhi në pllajë, ishim rreth 3500 veta. Andartët na pritën në kodrën e Filatit. Ndanë gratë nga burrat. Burrat i çonin diku dhe i vrisnin, dikë me thika e hanxharë. Një tmerr… Tre djemve, pasi i lidhën, u prenë veshët, sytë, këmbët, i rropën lëkurën dhe i lanë të kërcenin si zogj…”

Masakrat dhe dëbimi dëshmuan se shteti grek kishte një plan të vjetër për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët, një mundësi që ia dha Lufta e Dytë Botërore. Profesor Baltsiotis shkruan se politikat ndaj çamëve nuk u aplikuan ndaj minoriteteve të tjera, si turqit myslimanë të Trakisë Perëndimore. Zerva nuk kishte asnjëherë plan bashkëpunimi me çamët. Edhe historiani britanik Mark Mazower konfirmon këtë. Në librin “Brenda Greqisë së Hitlerit” shkruan se grekët masakruan shqiptarët e Çamërisë, por kursyen vllehët e Thesalisë, të cilët kishin formuar një legjion roman nën italianët. Dëshmitë e para të çamëve të shpërngulur në Shqipëri janë mbledhur nga Majori Gay Hudson i ushtrisë britanike, i cili ndihmoi në çlirimin e Sarandës dhe Himarës.

“Gjenerali pyeti: Me kë ishit? – Çamët: Me ELAS-in. – Si u armatosët? – Duke luftuar e kapur armë nga armiku. – Kush ju masakroi? – Togeri Kristo Koçua, major Ilia Koça nga Palo Fshati dhe kolonel Zotua. Çamët treguan se, nëse nuk besohej, mjaftonte të vizitoheshin shpellat plot me refugjatë çamë deri në Konispol.”

Shteti shqiptar në prag të fundit të luftës tregoi apati përballë gjenocidit ndaj çamëve. Më të kujdesshëm u treguan përfaqësuesit e misionit amerikan në Tiranë, të drejtuar nga Joseph Jacobs, që përmes UNRRA-s siguruan ushqim dhe strehë për rreth 20 mijë refugjatë çamë.

Amerikanët prisnin që Enver Hoxha të reagonte me reciprocitet ndaj grekëve, por…

Historiani pohon se procesi i shuarjes së çdo shenje të ekzistencës së mëparshme të çamëve ka ndodhur në mënyra reale, se menjëherë pas dëbimit të çamëve muslimanë, fshatrat e tyre u ripopulluan nga popullsi grekofone nga zonat malore fqinje si dhe me vllehë. Njëkohësisht u shfarosën edhe të gjitha objektet e kultit. Madje një numër xhamish demonstrativisht u hodhën në erë me eksploziv. Sipas punimit të Profesor Baltsiotis, shteti grek ka arritur të realizojë një proces aq të sukseshëm të fshirjes dhe errësimit të çështjes së çamëve, saqë edhe sot në televizionet greke, gazetarët dhe spikerët i emërtojnë ata si “pseudoçamë” apo si “të vetëquajtur çamë”.

Njëhohësisht shteti shqiptar i postdiktaturës nuk ka rrëfyer në asnjë rast vizion të qartë përballë kësaj tragjedie. Vizioni tij ka qenë ashtu si e duan grekët, e dobët dhe i kontrolluar. Po kështu, një numër shoqatash të vetëshpallura për mbrojtjen e të drejtave të çamëve si dhe një numër peronash që njohin veten për personalitete, janë shfaqur në diskursin publik, ashtu si shteti grek e dëshiron. Për trurpin e një shoqërie të tërë, sot padrejtësia e madhe e gjenocidit, apo spastrimit etnik, e ndodhur me shqiptarët muslimanë të Çamërisë, është lënë jetime, e zhveshur dhe e mardhur, në mes të udhëkryqit. Të mbetura në mëshirë të fatit, sot vajtojnë edhe banesëat dhe trojet e tyre në Çamëri, si dëshmi e një padrejtësie të stërmadhe greke dhe pazotësie, po aq të madhe, shqiptare.