Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria (Nderi i Kombit), aktivitet në kujtim të jetës dhe veprës së Mjeshtrit të Madh të tashëgimisë kulturore Fatos Mero Rrapaj
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Fatos Mero Rrapaj, folklorist, humanist e atdhetar i rrallë.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria (Nderi i Kombit), aktivitet të përbashkët në kujtim të jetës dhe veprës së Mjeshtrit të Madh të tashëgimisë kulturore.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria (Nderi i Kombit), organizuan ditën e enjte, më 25 prill, aktivitetin në kujtim të jetës dhe veprës së Fatos Mero Rrapajt, Njeriut – Institut, Mjeshtër i Madh i folklorit dhe trashëgimisë shqiptare. Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” solli në këtë aktivitet librin “Rënkimet e Çamërisë”, botim i dytë. Fatos Mero Rrapaj, porsi një bletë punëtore, hyri në çdo shtëpi për të mbledhur nektarin e çmuar të folklorit shqiptar të Çamërisë e Labërisë. Ai la pas vetes një thesar të jashtëzakonshëm të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare. Profesorë, gazetarë e studiues të njohur, që e kanë njohur dhe takuar nga afër mjeshtrin Fatos Mero Rrapaj, u shprehën se ai i kushtoi jetën mbledhjes së folklorit, duke e shpëtuar tradhëgiminë çame nga vdekja e sigurt.
Drejtuesi i Fondacionit Camëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, duke përshëndetur auditorin e mbushur plot, tha: Në vijim të aktiviteteve që Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” zhvillon për 80 vjetorin e genocidit grek ndaj Çamërisë, po përkujtojmë sot jetën dhe veprën e folkloristit dhe studiuesit të shquar Fatos Mero Rrapaj.
Është nder i madh për ne që po kujtojmë këtë figurë të ndritur , bir të Labërisë, bashkë me shoqatën Labëria, Nderi i Kombit, dhe për këtë falenderojmë drejtuesit e kësaj shoqate të cilët, ashtu si Fatos Mero Rrapaj, vazhdojnë kontributin atdhetar me moton “Labëria dhe Çamëria janë si dy motra të bëra nga një nënë”. Fatos Mero Rrapaj ishte nga Gumenica e Lumit të Vlorës, por populli i krahinës sonë e thërriste me emrin “Djali i Çamërisë”, për kontributet e mëdha, për pasionin patriotik të theksuar dhe për durimin e jashtëzakonshëm, duke shkuar në të gjitha qytetet e fshatrat ku ishin vendosur familjet çame. Kur u shfaq Fatos Mero Rrapaj si bujtës nëpër konakët e çamëve në vitet ’70, për të biseduar me gjyshërit e baballarët tanë, me gjyshet e nënat tona, për të mbledhur këngët dhe vargjet popullore, ne çamët ishim të shkulur nga rrënjët, si pasojë e genocidit grek, por të lënë në harresë edhe nga shteti amë. Por ky njeri u ngrit i pari kundër kundër shovinizmit të kulturës. Dhe kur, pas përmbledhjes me këngë labe “Te sheshi i flamurit” në vitin 1972, u botua libri 800 faqësh “Këngë Popullore nga Çamëria” në vitin 1983, me recensë dhe parathënie të shkrimtarit Ismail kadare, morëm zemër si me magji dhe u bëmë krenarë për vendin tonë. Athere e kuptuam se kishte SHPRESË. Te ky libër gjetëm të mishëruar në vargje Kodin e Kombësisë, impulset e shpirtit çam, frymën tonë legjitime dhe të patjetërsueshme. Pas botimit të këtij libri u zhytëm në të me një mall e nostalgji që nuk rrëfehet me fjalë. Na dukej sikur jeta jonë kishte tjetër kuptim. Ne kishim traditë të rrallë, kulturë të lashtë, vlera të mëdha estetike, që na i kishin mohuar përdhunisht. Ndaj mund të them se Fatos Mero Rrapaj nuk ishte thjesht një folklorist, por edhe një humanist e patriot, që na ngjalli krenarinë kombëtare. Me një punë intensive e pasionante prej rreth 50 vjetësh, duke mbledhur këngët labe dhe çame, ai ka çarë një rrugë të parrahur më parë nga studiues e folkloristë të tjerë. Ka qenë një ndërmarrje e madhe dhe e vështirë të mblidhje dhe të botoje këngët dhe vjershat e krahinës së Çamërisë në ato vite. Pa përkrahje dhe fill i vetëm autori i ka realizuar veprat e tij në kushtet e një mungese thuajse të plotë të studimeve për krijimtarinë popullore çame, duke hasur mjaft probleme me censurën e kohës. Nuk ishte e lehtë në ato vite të sfidoje politikat zyrtare të institucioneve studimore, që ndiqnin linjën e harrimit dhe të mohimit të Çamërisë. Porsi një bletë punëtore Fatosi ka arritur të mbledhë, të klasifikojë, të studiojë e të sistemojë tërë trashëgiminë kombëtare letrare të Çamërisë, një pasuri e rrallë me vlera të shumëanshme, rrjedhim i një pune shumëvjeçare, me privacione e vështirësi të shumta. Botimet që na la trashëgim mbartin karakterin dhe përkatësinë kombëtare shqiptare. Kriteret mbi të cilat janë hartuar veprat e tij janë të nivelit akademik, me bazë të shëndoshë, të mbështetura në filozofinë e popullit, dhe kjo është, padyshim, një arritje e madhe për një njeri pa arsimim dhe specializim përkatës. Fatos Mero Rrapaj ishte tepër i entusiazmuar dhe, si të thuash, gjith jetën i dashuruar pas folklorit të Çamërisë. Legjendat dhe këngët popullore çame e kanë përpirë të tërin, saqë u kushtoi pjesën më të madhe të jetës. Në këto këngë e vjersha del e qartë fizionomia shpirtërore e popullit çam, bota e tij e brendshme, personaliteti i tij autentik, përballë rrebesheve që iu kanosën gjatë historisë.
Kjo neve si çamë na bën tepër krenarë. Fatosi ka meritën e padiskutueshme që theu i pari tabutë për Çamërinë, për artin dhe kulturën e saj të mrekullueshme, falë edhe mbështetjes që pati nga personalitete të rëndësishme letrare dhe akademike si Eqerem Çabej, Ismail Kadare, Qemal Haxhihasani etj.
Ndaj përulemi me mirënjohje të përjetshme para këtij Njeriu! Respekt përjetë për këtë atdhetar e folklorist të shquar, që u afirmua si figurë madhore e kulturës dhe shkencës shqiptare, dhe njëherazi si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të folklorit dhe vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare. Vepra që na la pas Fatos Mero Rrapaj përbën një Mesazh, përbën një apel për studiuesit e sotëm shqiptarë, që të rendin pas së vërtetës dhe vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, me guxim e vetëmohim, për t’i vënë ato në shërbim të forcimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar”.
Kreu i Shoqatës Labëria, Agim Çiraku, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se Labëria përkrah Çamërisë në momentet historike të Shqipërisë.
“Si një luftëtar për lirinë e atdheut Fatos Mero Rrapaj u bë edhe një luftëtar për të nxjerrë në pah të vërtetat historike, që e lidhin Labërinë tonë me Çamërinë.
Fatos Mero Rrapaj është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar nga Vlora, por edhe një përfaqësues dinjitoz i Labërisë sonë të dashur. Ai, lindi në Gumenicë të Vlorës më 6 korrik 1930, dhe ndërroi jetë në Vlorë më 2 prill 2012. Por origjina nga Gumenica e Vlorës ku edhe kaloi fëmijërinë, edukimi trashëgimor si një lab i devotshëm, aftësia e tij për të hulumtuar për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe për folklorin dhe kulturën e Çamërisë në veçanti, i dha atij nder dhe e bëri të njohur si një akademik. Labëria dhe Çamëria kanë pasur një lidhje historike shekullore, kanë luftuar kundër të njëjtit armik, kanë bashkëpunuar në tregti dhe në lidhje farefisnore, që e bën të dukshme edhe faktin që studiues si Fatos Mero Rrapaj të tërhiqen nga historitë që na lidhin ne lebërit me çamët si një krenari historike e Shqipërisë së Jugut. Ndaj vazhdimësia e lidhjeve mes dy krahinave na bën krenar dhe në vazhdimësi mes Labërisë dhe Çamërisë dhe jemi krenar për birin tonë të nderuar që ka qenë një Institut vlerash akademike jo vetëm për Vlorën dhe Labërinë, por edhe për Çamërinë dhe kjo është një lidhje e fortë që na nderon të gjithëve. Si një luftëtar për lirinë e atdheut Fatos Mero Rrapaj u bë edhe një luftëtar për të nxjerrë në pah të vërtetat historike, që e lidhin Labërinë tonë me Çamërinë. Në krijimtarinë e tij Fatos Mero Rrapaj është treguar largpamës; Jo lokalist që të punonte vetëm për Labërinë ku ka lindur, por edhe për Çamërinë. Ai e dinte më mirë se kushdo, se një kombi të ndarë , që i goditet qëllimisht Identiteti Kombëtar nga fqinjët apo armiqtë e tij shekullorë është lehtësisht i asimilueshëm. Dhe që të mos ndodhte asimilimi Fatos Mero Rrapaj e nisi në kohën e duhur aksionin patriotik, duke e quajtur këtë si një detyrë të përbashkët kombëtare nëpërmjet folklorizmit gjuhësor dhe historik. Sot në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria, ju premtoj se së bashku me intelektualët e Labërisë, Botën Akademike dhe personalitetet e shquara të trevës sonë , do të bashkpunojmë me institucionet shtetërore dhe ato shoqërore si dhe përfaqësues të Çamërisë për edukimin patriotik, revolucionar, atdhetar në shërbim të Kombit”, përmbylli fjalën e tij Kryetari I Shoqatës Labëria.
“Fatos Mero Rrapaj mund të cilësohet si Njeriu-Institut i studimeve për kombin. Këngët e mbledhura nga krahina të ndryshme të Labërisë dhe Çamërisë, nga studiuesi dhe folkloristi i mirënjohur Fatos Mero Rrapaj janë një thesar i çmuar për këto dy treva, që kanë historikisht jo vetëm lidhje gjeografike, por edhe shpirtërore mes tyre. Populli i Labërisë dhe ai i Çamërisë, që në kohët historike, kanë dhënë kontribute të çmuara dhe këngët e mbledhura nga Fatos Mero Rrapaj janë dëshmi e padyshimtë autentike e traditës, që nga lashtësia deri më sot. Mishërojnë historinë e Çamërisë dhe të Labërisë. Ata shquhen nga origjinaliteti dhe marrin e japin me kulturat e krahinave të tjera shqiptare dhe si të tilla janë një dokument i patjetërsueshëm dhe i pamanipulueshëm, një dëshmi e rrallë historie, tradite, kulture, qënësie, etnie, që dëshmojnë për identitetin tonë territorial dhe kulturor, për trashëgiminë e jashtëzakonshme identitare. Misioni i Shoqatës Labëria është përsosja e mëtejshme e kësaj tradite dhe kulture, duke mbështetur studimet në fushën e trashëgimisë kulturore. Krahinat tona, me marrëdhënie të gjera shpirtërore emocionale, me ndjesi estetike për të bukurën, janë të afta për të krijuar vlera në çdo kohë”.
Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, duke përgëzuar bashkëpunimin e Fandacionit Çamëria me Shoqatën Labëria, foli me detaje për kontributet e cmuara të Fatos Mero Rrapajt përgjatë 50 viteve që iu përkushtua mbledhjes së folklorit, me një sakrificë vetjake, në kushte ekonomike tejet të varfëra e sfilitëse, duke punuar roje nate, me qëllimin e vetëm që të kishte kohë që ditën të merrej më mbledhjen e folklorit. Libri i parë “Këngë Popullore nga Çamëria”, botuar në vitin 1983, pati një jehonë të jashtëzakonshme. Me ndihmën e prof. Alfred Uçit dhe të Dritëro Agollit, me muaj të tërë Fatosit i jepnin leje krijuese, kujtoi prof. Kuçuku.
Në ndihmë të punës dhe veprës së tij u angazhuan mjaft personalitete të kohës si: Eqerem Çabej, Ismail kadare, Alfred Uçi, Andrea Varfi, Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani, etj. Me qëllim që vepra e tij të kalonte problemet e censurës. Por, megjithëse një pjesë e madhe e e kësaj vepre pa dritën e botimit, fatkeqësisht mijëra faqe mbetën të pabotuara dhe pas vdekjes së autorit nuk dihët ku janë”
Një nga mbledhësit më të shuar të folklorit, një zë të veçantë e cilësoi Fatos Mero Rrapajn edhe prof. dr Bardhosh Gaçe. Si me vëllimin “Te Sheshi i Flamurit” . “Këngë Popullore nga Camëria”, “Fjalori Onomastik i Epirit”, si dhe mjaft dorëshkrimeve në prozë, poezi, anekdota e fjalë të urta.
Duke u konsideruar një burim i madh dhe i përhershëm identitar dhe studimor, folklori ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë fondamentin e arkivës, brenda së cilës ka histori, traditë, etnologji, kulturë zakonore, ritual, lidhje të njeriut nëpër kohë me besimin, natyrën, punën, marrëdhëniet në rrafshin familjar e prindëror, marrëdhëniet sociale, qëndrimet për zhvillimet kohore. Si i tillë folklori do të mbetet një thesar, i cili do të duhet të zbulohet gjithmonë, tha prof. Gaçe.
Por fatkeqësisht në tre dekadat e fundit shkenca shqiptare është përgjumur. Fatosi mblodhi te popullsia çame edhe të dhëna për genocidin.
Ndihesha me fat që e kisha njohur nga afër këtë Njeri, tha shkrimtari dhe publicisti Arben Iliazi. Aq shumë u frymëzova nga puna e tij, saqë në vitin 1987 përgatita temën e diplomës me një studim mbi librin “Këngë Popullore nga Çamëria. Fatosi ishte një misionar i paarritshëm, i papërsritshëm, i cili na afroi më shumë te ndërgjegjia kombëtare, te trashëgimia jonë kulturore e letrare”.
Çamëria dhe Labëria ngjajnë si dy motra, dy ishuj etnokulturorë dhe Fatos Mero Rrapaj ka bërë një punë unike për të dy trevat, tha prof. dr. Ago Nezha. Organizimi i kësaj veprimtarie të përbashkët i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” me Shoqatën Labëria është për t’u përgëzuar, tha më tej prof. Nezha. Duke vijuar më tej: Poezia popullore, e kthyer në këngë polifonike labe e came, ka lindur si nevojë jetësore në njësi të vogla familjare e fisnore dhe janë trashëguar në breza. Origjinën e kanë në truallin a,ëtar dhe jo në “sirenat greke dhe muzikën kishtare, byzantine, sic duan të na i shesin pseudoakademikët prohelenë, që e kanë regjistruar në UNESKO dhe që përbën një rrezik për të ardhmen për ta përvetësuar si pasuri të tyre, sic ndodhi me lahutën, po nuk u tjetërsua dhe korrigjua ky deformim tinzar. Labëria dhe Camëria u ka kënduar dhe i ka qarë trimat me vargje të shndritshme, që lëshojnë dritë deri në ditët e sotme”, tha mes të tjerash prof. Ago Nezha.
“Me skrupulozitet shkencor autori fatos Mero Rrapaj në këto vepra na jep vendet dhe njerëzit, veprimtarinë krijuese në të gjitha dukuritë e jetës materiale e shpirtërore. Një kujdes të veçantë u kushton ai dokumentimit e ilustrimit të ngjarjeve, figurave, dukurive, proceseve e problemeve nga antikiteti deri ne ditët tona”, tha studiuesi Ahmet Mehmeti.
“Në këto enciklopedi jeta e çamëve jepet në tërësinë dhe vazhdimësinë teritoriale me të gjitha pjesët e tjera përbërëse të atdheut si dhe me diasporën, me popujt e tjerë fqinj e më tej, në kontaktet me ta në kohë e hapësirë. Përveç njerëzve, vendeve dhe ngjarjeve në këto libra një vend të veçantë zenë edhe fjalët e rralla shqipe, një pjesë e madhe e të cilave përdoren edhe sot nga çamët dhe janë një burim i pazëvendësueshëm për pasurimin e gjuhës letrare kombëtare. Një punë padyshim kolosale ku pulson sot e në të ardhmen një zemër e madhe e një mendje e ndritur. Ndaj këtij njeriu duhet t’i ngrihet monument në Tiranë ose Vlorë, për kontributin e çmuar që ka dhënë, por që shteti e ka harrur”.
“Te Fatos Mero Rrapaj shoh fytyrën ëngjëllore të një heroi kombëtar, u shpreh shkrimtari Namik Selmani. Fatosi është një mbledhës folklori legjendar, që hyn te njerëzit jo të zakonshëm”.











