Një qytetërim nuk gjykohet nga monumentet, por nga njerëzit që lë pas.
Më 7 korrik 2025, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jiorgos Gerapetritis, gjatë përurimit të Konsullatës të Përgjithshme të Greqisë në Korçë, në ndërtesën e rinovuar “Seferis” tha se e kaluara ekziston për të bashkuar, jo për të ndarë.
Dëshiroj të përshëndes Ministrin Gerapetritis që citoi poetin e famshëm Seferis, vepra e të cilit është universale. Ajo na thërret për kthim tek vlerat njerëzore, për të vërtetën dhe të mos shtrembërojmë realitetin.
Mithistorima
Në kryeveprën Mithistorima, me vargjet e poemës V: “U zgjova me kokën e mermerit në duar, që po më këput krahët dhe nuk di ku ta vendos;” Seferis na jep një imazh drithërues të barrës së historisë, identitetit dhe kujtesës. Ai thotë se e kaluara nuk mund të braktiset, as nuk mund të integrohet lehtë në realitetin e sotëm për të ecur përpara. Kujtesa historike, personale dhe kombëtare është si një plagë që nuk mbyllet dhe harresa është po aq e rrezikshme. Dëbimi me genocid i minoritetit shqiptar nga trojet e veta historike në Çamëri/Thesproti nuk mund të harrohet dhe nuk është një kapitull i mbyllur i historisë, por një plagë që vazhdon të dhemb për mijëra njerëz. Harresa do të ishte fyerje ndaj të vërtetës dhe drejtësisë. Për këtë arsye, kërkon të njihet, të pranohet dhe të zgjidhet me dinjitet.
Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, 1944–45, shteti grek organizoi masakrën e dëbimit të minoritetit shqiptar nga trojet e veta shekullore. Të gjitha qeveritë greke të pasluftës kanë refuzuar në mënyrë sistematike të njohin dëbimin me genocid të shqiptarëve myslimanë (çamët) nga Thesprotia si spastrim etnik të dhunshëm; nuk kanë pranuar kurrësesi t’i trajtojnë si pakicë etnike apo si viktima të shtetit grek për një sërë arsyesh historike, politike dhe ideologjike; të rrënjosura thellë në ndërtimin e shtetit kombëtar grek dhe në vetëdijen kolektive të pasluftës. Në qoftë se Greqia pranon krimet, që ka bërë kundër shqiptarëve të Çamërisë, do të rrezikonte themelet e identitetit kombëtar, të drejtën mbi territorin dhe stabilitetin politik të marrëdhënieve ndërkombëtare; mund të humbë edhe “kartën politike,” që përdor për të mbrojtur pakicën greke në Shqipëri, prandaj kjo çështje është politikisht e papranueshme për të.
Për të mbuluar këtë spastrim të mirëfilltë etnik, Greqia përdor një justifikim kolektiv racist dhe antishqiptar: i portretizon shqiptarët e Çamërisë si “bashkëpunëtorë të nazistëve”. Por, dëbimi i minoritetit shqiptar në Thesproti nuk ishte rezultat i bashkëpunimit të tij me forcat e pushtimit, por “veprimtari e politikës shtetërore greke, e cila kishte si qëllim çrrënjosjen e minoritetit shqiptare nga trojet e veta të përjetshme. Për ironi të këtij diskursi të mjerë, shumë të rinj çamë, përfshirë edhe baban tim, u rreshtuan në formacionet e Ushtrisë Popullore Çlirimtare Greke, ELAS. Po kështu, në Filat, në fillim të janarit 1943 u formua çeta ‘Çamëria’ dhe më 18 qershor 1943 u ngrit batalioni partizan “Çamëria,” që luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e Greqisë nga forcat nazi-fashiste. Në arsimin dhe propagandën publike grek, kjo histori është e shtrembëruar ose e fshirë.
Në narrativën zyrtare greke, hebrenjtë, grekët ortodoksë dhe të tjerët u persekutuan nga pushtuesit gjermanë dhe italianë, kurse vet grekët nuk u përfshinë në krime masive. Pranimi i masakrës ndaj shqiptarëve të Çamërisë do të thotë se grekët kryen krime lufte ndaj civilëve të pambrojtur myslimanë, kur Greqia prezantohet si viktimë dhe hero i luftës. Kjo cënon reputacionin ndërkombëtar të Greqisë, sidomos në Europën Perëndimore. Për këtë arsye, Greqia bllokon çfarëdo diskutimi ndërkombëtar mbi këtë temë dhe e ka shpallur atë si “të mbyllur” në mënyrë të njëanshme.
Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, dëbimi me dhunë i një popullsie nga trojet e veta historike, si rasti i shqiptarëve çamë/thesprotë, është shkelje e rëndë e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Ai është spastrim etnik pasi përbën një dëbim të qëllimshëm dhe të dhunshëm sistematik të një komuniteti etnik nga trojet e veta të lashta nëpërmjet përdorimit të forcës, masakrave, vrasjeve dhe plaçkitjes të pronave për arsye të përkatësisë etnike. Sipas Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (1998) ky është, gjithashtu, një krim kundër njerëzimit; po kështu, është një shkelje e të drejtave të njeriut sepse shkel Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Konfiskimi i pronave të shqiptarëve të Çamërisë/Thesprotisë nga shteti grek
Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti grek miratoi ligje që konfiskonin pronën e atyre, që deklaroheshin “bashkëpunëtorë me armikun”. Shqiptarët e Çamërisë u etiketuan kolektivisht si bashkëpunëtorë dhe tokat, shtëpitë dhe fermat e tyre u sekuestruan pa kompensim. Shumë nga këto prona iu shpërndanë banorëve grekë vendas, të tjerat u përvetësuan nga shteti.
Greqia përdor Ligjin e Luftës të vitit 1940, që ende mban me Shqipërinë dhe ligje të tjera të brendshme për të justifikuar konfiskimet apo sekuestrimin e pronave dhe për të bllokuar kërkesat për kthim. Deri tani, nuk ka asnjë rast që një shqiptar me origjinë nga Çamëria t’i jetë rikthyer prona e vet nëpërmjet drejtësisë greke.
Ndryshe nga vendet e tjera europiane, Greqia nuk është angazhuar kurrë në procese zyrtare pajtimi ose dëmshpërblimi për komunitetin shqiptar çam. Gjermania ose Italia bashkëpunëtorët i gjykuan individualisht, kurse Greqia ndëshkoi kolektivisht gjithë popullsinë shqiptare muslimane të Thesprotisë. Çdo përparim i vërtetë për kthimin ose njohjen historike të pronave të shqiptarëve çamë do të kërkonte guxim politik. Vendimi i Presidentit Zhak Shirak, që njohu publikisht përgjegjësinë e Francës për deportimin e mijëra hebrenjve në kampet naziste të vdekjes gjatë pushtimit gjerman është shembulli më i mirë. Në një ceremoni përkujtimore, 53 vjet më vonë, ai tha:”Këto orë të errëta e njollosin përgjithmonë historinë tonë dhe janë një fyerje për të kaluarën dhe traditat tona.”
Trysnia greke
Shqipëria mbron ligjërisht pakicën greke duke tejkaluar edhe standardet kushtetuese europiane. Ajo është e përfaqësuar në të gjithë spektrin e jetës politike e shoqërore të vendit: në parlament, qeveri dhe në sistemin gjyqësor. Gëzon shkolla në gjuhën greke, simbolikë greke, shoqata dhe forume të ndryshme kulturore e artistike, etj. Kisha ortodokse është e pranishme kudo. Dhe Greqia vazhdon të ushtrojë trysni për garanci shtesë.
Trysnia greke nuk lidhet drejtpërdrejt me situatën reale të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, por me një kombinim faktorësh strategjikë, historikë dhe politikë. Greqia aplikon një standard të dyfishtë, duke ndjekur një politikë të qëllimshme asimetrike, mbron me forcë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri për të justifikuar modelin e saj të integrimit të brendshëm, për të ushtruar trysni diplomatike dhe për të rritur ndikimin e vet rajonal dhe ndërkombëtar, kryesisht, në kontekstin europian.
Ajo e paraqet minoritetin grek si çështje themelore të të drejtave të njeriut dhe trashëgimisë historike; ndërkohë që refuzon kategorikisht të njohë çështjen çame, refuzon të pranojë ekzistencën e padrejtësive, që vetë ka kryer kundër shqiptarëve të Çamërisë/ Thesprotisë për arsye që lidhen me interesa shtetërore, narrativa historike selektive, për të shmangur kërkesat për kthimin e pronave, njohjen e shtetësisë, apo kërkim faljeje historike si viktima të shtetit grek. Greqia kërkon të jetë mbrojtëse e të drejtave të njeriut jashtë kufijve të saj, ndërsa brenda fshihet pas narrativave nacionaliste dhe mohimit të krimeve historike. Një qasje vërtet europiane do të kërkonte një trajtim të drejtë, reciprok dhe të sinqertë të të gjitha çështjeve të pazgjidhura historike, përfshirë edhe ato që nuk i shërbejnë interesave afatshkurtra politike.
Greqia ushtron trysni të vazhdueshme që kjo çështje të mos përmendet në forume ndërkombëtare. Sa herë që çështja e shqiptarëve të Çamërisë përmendet në Shqipëri apo në ndonjë forum ndërkombëtar është përcjellë me shantazhe diplomatike. Madje edhe klasa politike shqiptare shpesh ka treguar mungesë guximi, për të mos prishur “marrëdhëniet e mira të fqinjësisë”.
Pyetja e thjeshtë, që lind, është: si ka mundësi që një vend anëtar i BE-së (Greqia) mbron të drejtat e minoritetit të vet në një vend tjetër (Shqipëri), por në të njëjtën kohë mohon plotësisht ekzistencën e një komuniteti që vetë e përzuri me dhunë dhe që nuk është thjesht një çështje historike, por një plagë e hapur politike, diplomatike dhe morale?
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe vetua greke
Si anëtare e BE-së, Greqia ka të drejtë të vendosë veton për mospranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kjo është një fuqi reale, që ajo e ka përdorur, apo ka kërcënuar ta përdorë në mënyrë të përsëritur. Athina e ushtron këtë trysni për të siguruar “garanci”, ndonjëherë jo vetëm për të drejtat e minoritetit, por edhe për çështjet e pronës dhe ndikim gjeopolitik.
Në periudhën 2009–2014, Greqia pengoi ecurinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për shkak të mosmarrëveshjeve për regjistrimin civil dhe të drejtat e minoritetit grek. Më pas, kërkesat nuk kanë qenë gjithmonë të qarta, por përfshijnë: mosdiskutimin e çështjes të shqiptarëve të Çamërisë/Thesprotisë në forume ndërkombëtare; mbrojtje të zgjeruar të të drejtave të minoritetit grek, garanci për pronat “të grekëve etnikë”, veçanërisht, në Himarë; çështjen e detit, ndonjëherë, të drejtat kulturore, respekt për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” dhe çështje simbolike, si: përdorimi i gjuhës greke në emërtimet zyrtare apo ruajtja e kishave ortodokse. Këto qëndrime janë subjekt edhe të klimës politike në Greqi dhe fushatave elektorale.
Për të mos e varrosur përgjithmonë spastrimin etnik tragjik të shqiptarëve të Thesprotisë/Çamërisë, Shqipëria mund ta përballojë trysninë greke me maturinë e një shteti serioz europian, duke ndërtuar konsensus me vendet kryesore të Bashkimit Europian, si: Gjermania, Italia, Franca, Holanda, etj. Në parashtrimin parimor me transparencë dhe standarde mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, të mënjanojmë përuljen në dëm të dinjitetit kombëtarë dhe të kërkojmë trajtim simetrik për të drejtat e shqiptarëve.
Ashtu si në rastin e NATO-s, Brukseli dhe Uashingtoni nuk do të toleronin lehtë një veto greke për interesa dypalëshe, për arsye simbolike apo dytësore. Përdorimi i padrejtë i vetos apo i motivuar nga çështje historike të pazgjidhura si ai i popullsisë shqiptare të Thesprotisë bie ndesh me vetë parimet themelore të BE-së, si: reciprociteti, të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve. Në diplomaci nuk ka as miqësi të përhershme, as armiqësi të përhershme, ka vetëm interesa të përhershme. Kjo do ta izolonte Greqinë diplomatikisht.
Epilog
Bashkëpunimi shqiptaro-grek uroj të zhvillohet sipas shembullit franko-gjerman, që dëshmon se edhe armiqësitë e thella historike mund të tejkalohen nëpërmjet vullnetit politik, dialogut të sinqertë dhe përfshirjes të brezave të rinj. Nëse Tirana dhe Athina i qasen marrëdhënieve me një frymë të re strategjike, konstruktive dhe largpamëse, mund të krijojnë një partneritet që jo vetëm do të shërojë të kaluarën, por do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për të dy popujt. Një “Entente Cordiale” shqiptaro-greke do të ishte një akt politik dhe etik i nivelit të lartë, një akt ndershmërie dhe vullneti të ndërsjellë për paqe, siguri dhe mirëqenie në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian.
Marrë nga Gazeta Panorama

