Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Gjenocid/Dëshmi

Masakra e Selanit – prologu i gjenocidit kundër minoritetit shqiptar në Çamëri Fjalë e mbajtur në aktivitetin përkujtimor për masakrën e Selanit nga Ahmet Mehmeti

Menjëherë pas pushtimit të Janinës, më 6 mars 1913, pasi gjenerali Sucos u deklaroi konsujve të akredituar në atë qytet: “Greqia ka ardhur në Epir që të sjellë qytetërimin dhe lirinë”. E kundërta ndodhi në fakt. Ushtria pushtuese në Çamëri, e shoqëruar me mbi 10 000 andartë, u përhap si flakë edhe në Delvinë, Gjirokastër e Tepelenë. Fjalët “e bukura” u shndërruan në veprime terroriste të përbindëshme për të rrënjosur “homogjenitetin etnik helen”. U rrafshuan e shkretuan me dhjetra fshatra si Dhragomia, Gardhiqi, Kamini, Karbunari etj. U prishën rrugët dhe urat, u dogjën e shkretuan me qindra shtëpi, u shkatërrua rrjeti telefonik etj. Qeveria e Ismail Qemalit u njoftua se grabitja e bagëtive dhe dhuna mbi gratë e fëmijët i tejkalonte edhe barbaritë më të shëmtuara të mesjetës, ku thereshin fëmijët në sy të prindërve. Poshtërime të tilla bëheshin edhe ndaj të krishterëve që deklaroheshin me kombësi shqiptare.

 

Në këtë atmosferë të terrorit racist helen, në natën e 19 marsit 1913 u organizua mbledhja e fshehtë, e kryesuar nga mitropoliti i Paramithisë, Neofit Athenagora, në bashkëpunim me kryetarin e organizatës nacionaliste “Ethniki Eteria”, Themistokli Ringa, me komandantin e garnizonit të qytetit, Dhimitriadis, dhe nënprefektin Floros. Së bashku përpiluan listën me emrat e parisë së zgjedhur të zonës së Paramithisë, me qëllim çarmatimin, arrestimin dhe ekzekutimin e tyre. Lista përbëhej prej 150 vetësh, dhe për asgjësimin e tyre u caktua kapiten Delijanaqi nga Kreta, komandant i bandave andarte me histori të mbushura krimesh në Çamëri e në Shqipërinë e Poshtme. Në dispozicion si ndihmës i tij u caktua Joti Spiro Popova me 140–200 kriminelë nga fshatrat Lefterohor, Llabanicë, Popovë e Selan.

 

Siç ka pohuar Vasil Barka, ish-pjesëmarrës i andartëve në Camanda, dhe që ia ka dëshmuar mikut të vet të ngushtë, Sami Malkos nga Gurrëza: “Mbi 5 000 andartë të armatosur me çfarë kishin mundur ishin mbledhur në Camanda, ku u caktua programi bazë që të bëheshin shumë vrasje nga paria e vendit në fshatrat muslimane, me qëllim që të trembej popullsia vendase dhe të largohej nga trojet e tyre. Komandant u caktua kapedan Delijanaqi për kazatë e Paramithisë dhe Margëlliçit, dhe kapedan Spiro Kremidha e Janaq Koteci për kazatë e Gumenicës e Filatit. Kapedan Delijanaqi u nis menjëherë për detyrën e ngarkuar, ndërsa dy kapedanët e tjerë e lanë për të nesërmen, pasi kishin nevojë për armë, të cilat priteshin të vinin nga Janina. Të nesërmen pothuajse ishin mbledhur të gjithë andartët dhe prisnin urdhërin për t’u nisur. Secili bënte planin për grabitjet që do të bënte në fshatrat muslimane dhe terrorin që do ushtronte. Ndërkohë vazhdonin fjalimet e zjarrta që mbanin lektorët për fitoren e Elladhës dhe masat që duhej të merreshin për pastrimin nga muslimanët që “nuk kanë gjak helen”.”

Befas nga Athina erdhën pesë telegrame radhazi për komandën e ushtrisë në Janinë, ku shkruhej se në Filat nuk duhej të shkonte asnjë andart. Bëhej e ditur se atje do të shkonte ushtria e rregullt mbretërore, ashtu siç edhe ndodhi. Sipas dëshmitarëve, ata që ishin mprehur për masakra e grabitje, në shenjë proteste thyen kondakët e dyfekëve; një pjesë u larguan të zemëruar, por kishte edhe shumë vetë që u erdhi mirë nga ai urdhër, pasi nuk donin një masakër të padrejtë.

 

Të thirrurit e një dite më parë u grumbulluan vetë në fshatin Skupicë, ku u përzgjodhën 78 më kryesorët, të tjerët i lëshuan. Të përzgjedhurit, si prijës të qendrave të tyre të banimit, u mashtruan me pretekstin se kërkoheshin për të negociuar për administrimin e krahinës dhe për kthimin e pasurive të grabitura nga andartët. Në mëngjesin e 27 marsit 1913, të gjithë u mbyllën në avllinë e shtëpisë së vëllezërve Bajram e Nuredin Kushe. Shtëpia ishte një godinë e madhe me dy dalje në krahë të kundërt. Këtu zunë t’i lidhnin dy e nga dy me litarë e zinxhirë. Në këto e sipër, një i ri, 20-vjeçari Rexhep Vejseli nga Vratila, guximtar me trup atletik, u hodh mbi murin e avllisë dhe nëpër breshëritë e plumbave mundi të shpëtonte. Shkoi në fshatin e vet dhe përhapi me shpejtësi lajmin e kobshëm anekënd vendit, që tronditi gjithë Çamërinë.

 

Sipas përshkrimit të Ismail Kasimit nga Minina, të gjithë të lidhurit, të mbërthyer dy e nga dy, u varguan në kolonë dhe i vunë në ecje, gjoja për t’i çuar në Paramithi. Kur arritën tek Rrapi i Kushës, u hasën në 4–5 ushtarë, të cilët thanë se ishin dërguar nga komandanti i garnizonit të Paramithisë me një letër për Delijanaqin. Në të, komandanti urdhëronte: “Të kapurit të mos sillen në Paramithi, por të shpihen në Janinë.” Kolona e viktimave e ndryshoi drejtimin me një të katërt rrethi dhe u shty drejt maleve lindore; u ndal në një grykë të thellë, nëpër të cilën rrjedh një prrua drejt humnerave, në vendin e quajtur Liver, rreth dy km pa arritur në fshatin Selan. Atje u grinë me breshëri plumbash, dhe shumëkujt që s’kishte mbaruar u gri trupi me bajoneta, kama, thika e sëpata, si dhe iu shtyp koka me qytat e pushkëve, thundra këpucësh e me shkëmbenj, duke demonstruar mënyra prej më sadisteve e më çnjerëzoreve. Kufomat e pajeta u mbuluan disi me gurë.

 

Masakra e Selanit u krye nën urdhrat e kolonelit Ebitis. Grumbujt e eshtrave të thyera gjendeshin atje edhe shumë vjet më pas (shkresë e Qendrës së Informacionit të Ushtrisë Italiane në Pargë, më 3 shtator 1917, dërguar kryetarit të Zyrës Politike Ushtarake në Janinë).

Menjëherë opinioni publik vendas dhe ai ndërkombëtar e kuptuan se masakra e Selanit ishte terrorizëm shtetëror grek, pasi autoritetet morën në mbrojtje kriminelët dhe nuk reaguan fare, sepse vetë i nxitën në një barbari aq të shëmtuar. Në raportin e konsullit austro-hungarez të Janinës për këtë ngjarje të kobëshme, dërguar qendrës në Vjenë, theksohet: “Një oficër që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar konstatoi faktin e kryer, sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve…”

 

Ky veprim barbar dhe i shëmtuar shpalli hapur që në krye të herës objektivin e politikës shtetërore greke: gjenocidin mbi popullsinë shqiptare muslimane, kurse për atë ortodokse shqiptare asimilimin me anën e kishës, shkollës dhe joshjen me pronat e bashkëkombasve me besim tjetër. Masakrimi i 78 burrave nga paria e Çamërisë bëri jehonë dhe përshtypje të shëmtuar në arenën ndërkombëtare si gjenocid pa kufi, dhe u debatua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku ra në sy përpjekja e përfaqësuesit grek për të fshehur dhe manipuluar të vërtetën me pretendimin: “Për veprat e kryera nga bandat kryengritëse të andartëve nuk ishte përgjegjëse qeveria e tij”. Tashmë dihej botërisht se Foresti, ish-kryekonsull i Greqisë në Janinë, kishte kaluar nga kjo detyrë në shtabin e ushtrisë, ku drejtonte shërbimin informativ dhe lëvizjen e andartëve, gjë që nxirrte zbuluar qeverinë greke si autore e gjenocidit.

 

Në këto kushte popullsia muslimane po terrorizohej nga autoritetet ushtarake dhe civile: nuk i njiheshin pronat, ishin nën presion; popullsia ortodokse, e nxitur nga autoritetet, nuk pranoi të paguante detyrimet, plaçkiteshin shtëpitë dhe grabiteshin kopetë; hidheshin poshtë ankesat e fshatarëve muslimanë që nuk kishin asnjë mbrojtje institucionale e ligjore; nuk u lejohej komunikimi dhe lëvizja nga një vend në tjetrin, në qytete e fshatra fqinje. Persekutimi bëhej për të ndjerë “forcën e qeverisë” dhe për t’i detyruar të merrnin pjesë në manifestimet në favor të Greqisë, përndryshe ajo nuk u njihte pronat.

 

Në mbështetje të këtyre veprimeve monstruoze u vu në lëvizje “Ethniki Eteria” për të burgosur sa më shumë njerëz me ndikim në popull, intelektualë dhe të pasur, duke mbushur burgjet e Janinës, Filatit, Margëlliçit, Pargës etj. Shpiknin akuza si mbajtje e fshehtë armësh në pyll, akuza për përgatitje komploti në favor të Shqipërisë etj. Edhe tubimet me raste vdekjesh e varrimi shfrytëzoheshin për burgosje masive, për të mbjellë frikë e terror racist aq sa popullsia nga tmerri nuk kontaktonte as me të burgosurit. Të gjitha këto veprime, ashtu si edhe vrasja e 78 krerëve, kryheshin vetëm sepse kishin ndjenja shqiptare.

 

Gjendjen e çamëve muslimanë në kohën e masakrës së Selanit e shpreh qartë memorandum-i i të burgosurve në kështjellën e Janinës:

“…Gratë dhe familjet e tyre enden rrugëve në mjerim… Ushtarët grekë futen si bisha nëpër shtëpi, grabisin ç‘u pëlqen, dhunojnë mizorisht gratë dhe vajzat tona… Autoritetet i detyrojnë shqiptarët të marrin pjesë në mitingje për të shprehur se tokat tona janë greke… Vuajtje të tilla nuk kemi njohur as nën zgjedhën turke” (7.6.1913).

 

Kështu erdhi “qytetërimi helenik” në Çamëri, kështu filloi shfarosja gjenocidiale dhe spastrimi brutal etnik.