"Promovimi i librit të akademik Shaban Muratit “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”,
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i akordoi medaljen “Mik i Madh i Shqiptarëve” presidentit kroat në vitet 2000-2010 Sh.T.Z Stjepan Mesić
Medaljen e mirënjohjes ia dorëzoi presidentit Mesić drejtuesi i Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, gjatë prezantimit të librit të akademik Shaban Muratit “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”, e cila u zhvillua të mërkurën në mbrëmje në ambjentet e Hotel Tirana Internacional. Stjepan Mesić është personifikimi më i mirë i aleancës, Kroaci-Shqipëri. Presidenti i Republikës së Kroacisë për 10 vite, tepër i impresionuar nga ftesa për të marrë pjesë në prezantimin e librit si dhe nga ky vlerësim i lartë i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, u shpreh se “libri i ambasador Shaban Muratit po del në momentin e duhur dhe tregon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve”.
Ai kërkoi që Europa të bashkohet. Theksoi se për momentin Europës i mungon një lider që të marrë vendime të mëdha për bashkimin e kontinentit të vjetër. “Në historinë tonë nuk kemi pasur asnjë të keqe mes vete, por mundemi edhe më mirë që të jemi. Unë gjithmonë në politikën time kam luftuar që t’i përkrah shqiptarët” tha ai.
Më tej, Mesić tregoi një episod me Millosheviçin. “Ai më tha, ti nuk i njeh shqiptarët. Ata marrin vesh vetëm me grusht në hundë”, por tha ai më tej, “koha tregoi se i ranë atij hundët”.
“Tani ka ardhur një kohë e re. E shihni vetë se çfarë po bëhet në Ukrainë dhe Palestinë. Këto nuk janë të mira, por Europa duhet të bashkohet sa më shpjet. Tani Europa nuk ka lider, as Amerika. Derisa nuk ka lider të mirë, as vendimet nuk janë të mira. Një pjesë e Europës është e lodhur, pjesa tjetër po presin. Europa duhet të jetë e bashkuar. Pse duhet të presë Shqipëria dhe të tjerët me u bashkuar? Nuk e kuptoj pse Rumania dhe Bullgaria janë futur në BE, çfarë demokracie më të madhe kanë se Shqipëria?! Një Europë e bashkuar do të thotë se nuk do të ekzistojë një luftë këtu në mes të Europës” tha ai.
“Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëri për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot. Diplomati Murati tha se libri është një mesazh për politikën shqiptare që të vlerësojë orientimin gjeopolitik drejt interesave të kombit. “Kjo ngjarje për mua është shumë e veçantë. Mesazhi i librit është që Shqipëria duhet të bëjë një vlerësim të orientimit gjeopolitik që të përputhet me interesat e kombit shqiptar. Duhet bërë sa më parë” tha ai. Të pranishëm në promovimin e librit ishin edhe shumë personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, ambasadori i Republikës së Kosovës, si dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës Kroate.
I pranishëm ishte edhe ish-Presidenti Bamir Topi, që e cilësoi ambasadorin Murati një studiues ekselent. “Aleanca organike mes Shqipërisë dhe Kroacisë erdhi me Mesiç dhe bashkë kemi pasur rrugëtimin për në NATO. Mesiç është nga ata personalitete që kanë qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve”.
Ish ministrja e jashtme, Arta Dade, vlerësoi punën e autorit dhe ish bashkëpunëtorit të saj gjatë kohës që drejtonte MJ, duke e cilësuar ambasadorin Murati një njohës të shkëlqyer të rajonit. Zonja Dade tha se në analizat e ambasador Muratit kuptojmë se sa të rrezikshme janë tezat e ndërrimit të kufijve dhe si duhet të jenë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit. Edhe Mimi Kodheli, kryetare e komisionit parlamentar për punët e jashtme shprehu vlerësimet e saj për ambasadorin dhe veprat e tij diplomatike, në favor të konsolidimit të aleancave. Libri që kemi në dorë është një vepër që na bën të reflektojmë thellë, u shpreh znj. Kodheli. Studiuesi dhe profesori i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare Ksenofon Krisafi, duke i bërë një analizë të detajuar këtij libri, tha se ambasador Murati është nga ata diplomatë e gazetarë që nuk bëjnë kompromise me të vërtetëtën; ai është personifikim i një studiuesi shembulor, mjeshëtr i analizave dhe studiues i shquar i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, tha gjatë prezantimit:
Në Ballkanin e trazuar nacionalizmi ekstrem ka prodhuar jo pak luftra të përgjakshme. Shekulli i XX u mbyll me një bilanc tragjik jetësh njerëzore e spastrim etnik. Serbia dhe Greqia e dy shekujve të shkuar kurrë nuk pranuan bashkëjetesën në paqe me fqinjët në Ballkan.
Kjo politikë, kinse ekspansioniste, që është drejtuar kundër fqinjëve dhe ka rrëzuar të ardhmen evropiane të rajonit, është manifestuar në shekuj me programe gjenocidale, sikurse janë “Megali ideja” greke dhe “Naçertania”, të shpalluara qysh në vitin 1844.
Te nderuar miq, unë jam me origjinë nga Çamëria. Babai im ka lindur atje dhe sot, në moshën 83 vjeçare, i ndalohet të vizitojë shtëpinë ku ka lindur, pasi qeveria e sotme greke e akuzon si “kriminel të luftës së dytë botërore”! Im atë ka plot 80 vjet që pyet: Çfarë krimi kam kryer në moshën 4 vjeçare kur më dëbuan nga shtëpia ime? Përgjigje që fatkeqësisht nuk e ka marrë nga asnjë qeveri greke këto 80 vjet, madje as nga qeveritë e Greqisë, anëtare të BE-së.
Edhe në ditët e sotme liderët grekë nuk pranojnë ekzistencën e minoritetetve kombëtare, mohojnë ekzistencën e çamëve, Çamërisë dhe çështjes çame, mohojne të drejtat njerëzore që çdo njeri i ka nga Zoti dhe nga askush tjetër.
Në vjeshtën e vitit 1991, në një qytet të bukur buzë Danubit në Kroacinë lindore, u krye një ndër masakrat më të tmerrshme të shekullit të kaluar.
Vukovari u kthye ne “Stalingradin” kroat, u bombardua me artileri të rëndë nga Ushtria Kombëtare Jugosllave, e cila hodhi në këtë vend 150 mijë predha duke e kthyer qytetin në një grumbull gërmadhash.
Makina ushtarake e Miloshevicit nuk kurseu as pacientët nëpër spitale, 200 prej të cilëve u ekzekutuan. Civilët, të moshuarit, gratë dhe fëmijët ishin objektivi i ushtrisë serbe. Varre masive u hapën për të mbuluar krimet e kryera dhe më shumë se 22.000 vetë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Vukovari është qyteti ku kuptuam se nacionalizmi përdor një fjalor të vetëshfajësimit moral. Askush nuk është përgjegjës për asgjë përveç palës tjetër. Në një luftë nacionaliste gjithkush flet me gjuhën e fatit, të detyrimit dhe të abdikimit moral. Askund tjetër kjo logjikë nuk arriti një delir të tillë si në Vukovar.
Por 80 vjet më parë edhe shqiptarët e Çamërisë patën “Vukovarin” e tyre. Në 27 qershor 1944 ushtria e gjeneral Napoleon Zervës, që vepronte si bandë e drejtuar nga qeveria kuislinge greke, vrau 600 civilë të pafajshëm brenda një ditë. Thikat dhe bajonetat e armëve të tyre nuk kursyen as fëmijët, as foshnjat në barkun e nënave. Varri masiv te stadiumi i sotëm i Paramithisë është akoma i pazbuluar për të fshehur krimin e kryer dhe duke mos u dhënë mundësinë viktimave të kenë një varr të tyrin.
Në vlerësimet e historianëve dhe të përfaqësuesve të komunitetit çam janë 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra e fëmijë, që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet. Si pasojë e vandalizmave dhe masakrave të viteve 1944 -1945 u spastrua etnikisht një popullsi mbi 35 mijë banorësh, që u vendosën kryesisht në Shqipëri .
Krime të ngjashme dhe spastrim etnik u krye edhe nga Serbia gjatë konfliktit të përgjakshëm në Kosovë. Nga janari 1988 deri në qershor 1999 ka patur gati 13.000 viktima shqiptare, mes tyre me shume se gjysma ishin gra dhe 11 përqind e viktimave dhe të humburve, janë fëmijë. Tmerri i Masakrave në Reçak ndaj 45 shqiptarëve, në janar të vitit 1999, bëri që Perëndimi të sensibilizohej dhe të vendoste të futej në luftë me kriminelin Milosheviç, i cili u ndëshkua për krimet e tij.
Por ndërsa drejtësia nderkombetare funksionoi me Miloshevicin, krimineli Zerva është akoma I pandëshkuar për krimet e kryera dhe jo vetëm kaq por në token ku bandat që ai drejtoi kryen një genocid mbi shqiptare, ai nderohet si hero me bust dhe shtatore. Nderkohe qe Zyrtarët tanë qeveritarë i lejuan grekët të ndërtojnë qendra përkujtimore dhe varre ushtarësh pushtues në tokën tonë, ata kurrë nuk pranuan të ngrihet asnjë memorial i thjeshtë për të rënët tanë, që kanë luftuar kundra fashistëve në Çamëri.
Qeveritarët nacionalistë grekë e kanë të pamundur të mohojnë shtetin dhe qeveritë paraardhëse të fashistit Metaksa dhe kuislingut Ralis, që vranë e prenë popullsinë e pafajshme çame. Sjellje te papershtateshme te qeveritareve te sotem grek, si thirrja e kryeministrit Micotaqis për vetvendosje në Himarë, vendosja e kurorave me lule nga zv-ministri jashtëm grek te varri i Kacifas një terrorist që qëlloi me armë policinë apo rasti I tablosë së Dendias duke ushqyer orekset e vorio-epirit sigurisht që përbëjnë incident diplomatik dhe do te duhej të kërkohej sqarim nga pala shqiptare. Këto janë veprime të cilat nuk I shërbejnë aspak stabilitetit dhe paqes mes popujve tanë.
Ajo që ka ndodhur në vendet tona do shekuj për t’u harruar. Nuk mjaftojnë as 33 vjet për Kroacinë, as 25 vjet për Kosovën dhe as 80 vjet për Çamërinë. Popujt dhe qeveritë tona duhet t’i besojnë fuqisë shëruese të së vërtetës historike. Por ende veprojnë shpirtra të errët, më të egër dhe më të fortë se e vërteta. Vaclav Havel ka thënë se njerëzit kanë nevojë të jetojnë të vërtetën. Pra kombet nuk mund të shpresojnë të bashkëjetojnë, po qe se nuk arrijnë në një variant të përbashkët dhe të vërtetë për të kaluarën e tyre.
Ballkani sot vazhdon të jetojë brenda një paranoje nacionaliste totale. Fatkeqësisht edhe sot gjuha që karakterizon epokën tonë është nacionalizmi etnik, i cili ka rrënjë të thella. Ky nacionalizëm nuk mund të jetë demokratik, përderisa nuk njeh sovranitetin e të gjithë popullit, nuk njeh minoritetet kombëtare, liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, ku përfshihet edhe riatdhesimi dhe rikthimi i të drejtave pronësore të grabituar me dhunë.
Regjimet nacionaliste në Greqi apo Serbi janë më tepër autoritare se sa demokratike. Ende vazhdon të mohohet gjenocidi dhe spastrimi etnik mbi shqiptarët, kroatët, sllovenët e boshnjakët.
Llogjika e spastrimit etnik e Serbise funksionon edhe sot, pasivizimi i adresave te Shqiptareve ne Luginen e Presheves nuk eshte gje tjeter vecse nje spastrim etnik i koheve moderne. Ende askush, as grekët as serbët, nuk kanë shfaqur keqardhje e nuk turpërohen për krimet e paraardhësve, nuk kanë shfaqur në asnjë rast një gjendje pështjellimi moral për gjëmat që u kanë shkaktuar të tjerëve. Greket dhe Serbet akoma nuk kanë gjetur një politikan si Vili Brand i cili 53 vjet me pare u ul në gjunjë para memorialin e të rënëve në Warshave duke shprehur njekohësisht falje dhe pendesë për krimet e kryera nga nazistët.
Një komb që nuk mund të hedhë poshtë një të kaluar fashiste e genocidiste arrin të dënojë veten me një të ardhme fashiste. Nëse do kishin vepruar kështu, nëse do ishin shkundur nga paranojat nacionaliste, nëse do kishin respektuar arsyen historike, grekët dhe serbët do kishin filluar procesin e mbylljes së të kaluarës, në vend që ta jetonin atë përsëri nga e para. Në rast se do kishte një brerje të ndërgjegjes nga Greqia e Serbia, në rast se do të kërkonin falje për spastrimin etnik, duke e identifikuar historinë me realizëm, padyshim do çelej një kapitull i ri në historinë e Ballkanit i shumepritur nga popujt tanë.















