Promovohet libri-testament “Histori e Çamërisë përmes heronjve të saj”
Në ambjentet e “Tirana Internacional” u promovua të hënën para një auditori të tej mbushur me veprimtarë kombëtarë, gazetarë e studiues, intelektualë e qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, libri i poetit Arben Iliazi “Histori e Çamërisë përmes heronjve të saj”. Vepra, e botuar nën kujdesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” është unike në llojin e vet. Përpara se të jetë një libër historie, libri është një vepër letrare me mesazhe të fuqishme për ruajtjen në breza të trashëgimisë çame, për të forcuar ndjenjën e përkatësisë, që të mos braktiset e harrohet kjo vatër e rëndësishme e djepit kombëtar.
Në nisje të aktivitetit aktori i mirënjohur Xhelil Aliu recitoi fragmente të veprës, duke ngjallur mjaft emocione te auditori.
“Muaji qershor, ose muaji i Çamërisë, është muaj shumë i ngjeshur me aktivitete për promovimin e historisë dhe kulturës sonë, por edhe kujtesë për viktimat e genocidit grek, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Libri Histori e Çamërisë përmes heronjve të saj është libri më I veçantë, të cilin fondacioni ka mundësuar për botim, pasi ky libër i njeh lexuesit e vegjël me Çamërinë, historinë e saj të lashtë që nga pellazgjia deri në shekullin e kaluar. Njeh lexuesit me heronjtë e Çamërisë dhe të kombit shqiptar: Pirron e Epirit, Gjin Bua Shpatën, Boçarët, Xhavellat, deri te Muharrem Rushiti apo Ali Demi. Njeh lexuesit e vegjël me tempullin e Dodonës, me lumenjtë Thyamis dhe Akeron, që buron nga mallet e Sulit. Gjyshi personazh në libër nuk harron t’I tregojë Buenit të vogël që nga Çamëria vjen një Papë, Shën Eleuteri. Vjen Shën Donati dhe babai i Rilindjes Kombëtare Hasan Tahsini. Po ashtu nga Çamëria vijnë Kolë Idromeno dhe Dora Distria, nga Parga magjepsëse me bukuritë e saj. Dhe shumë e shumë të tjerë. Po pse kanë kaq rëndësi libra të tillë për fëmijë? shtroi pyetjen zoti Veliu. Dhe ja përgjigja: Prej shekujsh jemi përballur me tjetërsimin e historisë, vjedhjen e saj dhe të heronjve tanë. Mungesa e informacionit për historinë e Çamërisë në librat shkollorë, madje duke hequr edhe emrin “Çamëri”, e bën edhe më të domosdoshëm botimin e librave të tillë. Është detyrimi ynë t’u tregojmë brezave që vijnë të vërtetat historike, duke hapur një kapitull të ri të shkrimit të historisë të përshtatur për fëmijët, që ata të ndihen krenarë për përkatësinë e tyre, përfundoi mesazhin e tij drejtuesi i Fondacionit Çamëria, Alket Veliu.
Redaktori i librit, prof. Pandeli Koçi, e cilësoi poemën si një lule që ka çelur me gjithë ngjyrat epiko-lirike. Poema është një enciklopedi për Çamërinë, me vlera njohëse për historinë dhe figurat e shquara të saj, që janë figura kombëtare dhe nuk i përkasin thjesht krahinës së Çamërisë. Libra të tillë duhet të futen si literaturë ndihmëse në tekstet shkollore, tha Pandeli Koçi, i cili u ndal edhe në vlerat artistike të veprës, te lakonizmi I vargjeve, muzikaliteti dhe vërtetësia.
Prof.Dr. Bashkim Kuçuku e cilësoi këtë vepër si një ngjarje letrare, për nga mesazhet që përcjell dhe vlerat artistike e historike që mbart. Autori e ka shkruar veprën i shtyrë nga nevoja e theksuar e teksteve shkollorë për Çamërinë, të cilat dikur në vitet ‘90 ishin me bollëk, kurse tani pothuajse mungojnë fare, pasi i kanë hequr nga programet shkollore. Libra të këtij lloji duhet të bëhen më shumë, duke filluar me përrallat çame, siç janë ato të gjuhëtarit të njohur danez Holger Pedersen, i cili kishte mbledhur rreth 30 përralla nga Çamëria pikërisht nga një mursiot, çam ortodoks, që ndodhej në Korfuz. Studiuesi Niko Stillo po përgatit librin “Fjalë të Urta Çame”, ku do të futen edhe këto përralla, tha prof. Kuçuku.
Edhe referanti tjetër në vijim, prof. Pajtim Çaushi, e cilësoi këtë vepër të munguar për tekstet mësimore. Libri është shkruar me dashuri, si dashuri e prindit për fëmijën e vet dhe si e tillë përcjell mjaft emocione, tha Çaushi. Autori e sjell historinë të përmbledhur në momentet më kulmore, në një përshkrim të bukur të pjesës me të tërën. Kjo vepër epiko-lirike përcjell edhe tragjiken, edhe të bukurën. Jo më kot e kanë quajtur Çamërinë “lulja e xhenetit”, tha në mënyrë lakonike P. Çaushi.
Studiuesi dhe poeti Ahmet Mehmeti, që mori fjalën në vijim, u ndal te mesazhet e gjithkohshme që përcjell vepra. Mehmeti vlerësoi veprat e fundit të autorit, si arritje jo vetëm në poezi, por edhe në fushën e dramaturgjisë, siç ishte drama “Osman Taka”, e cila u prit mirë nga publiku. Edukimi i fëmijëve me historinë tonë duhet të jetë i dorës së parë. Kush tjetër mund ta bëjë këtë më mirë se një poet. Poezia ka një forcë të madhe se iflet edhe mendjes edhe shpirtit. Historia e Çamërisë i ka gjurmët qysh në lashtësi, por ajo duhet të përcillet brez pas brezi, pasi ka shumë përpjekje për ta zhdukur. Por ne duhet t’i dalim zot historisë, kulturës dhe traditës sonë, apeloi zoti Mehmeti.
Historia jonë është legjitime, ngaqë është shumëshekullore, tha autori Arben Iliazi. Ndaj na lindi ideja, së bashku me Alketin, këtë shkruajmë këtë histori të përmbledhur në vargje, mbështetur edhe në referenca të autorëve seriozë grekë apo të huaj. Libri është i ngjashëm me një testament poetiko-historik e letrar, përshtatshëm për moshat nga 6 deri në 13 vjeç. Në libër zbulohet shpirti çam, i brujtur me humanizëm dhe asnjëherë me urrejtje. Mes vargjeve rrëzëllen arsyeja, drejtësia, e vërteta, të cilat u bënë viktima të padrejtësisë historike. Nuk mund të ndash arsyen nga historia, tha më tej autori A. Iliazi. Gjithçka hyjnore është jo vetëm e drejtë, por edhe njerëzore, ndërsa gjithçka njerëzore i përket historisë, përfundoi autori, duke iu referuar një thënieje të Sokratit, filozof i lashtë grek.












