“Heshtja vret” – Dëshmi rrëqethëse nga genocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Aktiviteti nisi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqatës Patriotike Çamëria – Dega Sarandë, z. Rexhep Ismaili, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për çështjen çame si pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Ai ndau me të pranishmit një poezi të frymëzuar nga mallëngjimi i çamëve ortodoksë që ende jetojnë në trojet e lashta të Çamërisë:
Zerva me maskaranë
Na larguan vëllezërit tanë
Ç’ish na bëtë, pse ikni
Na u pre uji te burimi
Hajdeni te mëmëdheu
Të këndojë bilbili dhe dheu…
“Këto vargje,” u shpreh z. Ismaili, “janë një thirrje zemre, një mall i pashuar për vëllezërit e ndarë, për trojet e humbura, për jetën që u ndërpre me dhunë.”
Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, theksoi nevojën për adresimin e një kërkese thellësisht njerëzore: të mbijetuarit e Çamërisë të kenë të drejtën të vizitojnë shtëpitë ku kanë lindur, trojet ku hodhën hapat e parë të jetës.
“Prej 81 vitesh u mohohet kjo e drejtë për të kujtuar oborret ku ju vranë prindërit, gjyshërit, familjarët e tyre të pafat dhe pa varr. Ata nuk kërkojnë hakmarrje, por duan të vendosin lule te dera e shtëpisë. Kjo është një e drejtë themelore dhe një akt njerëzor që duhet adresuar nga qeveria shqiptare ndaj asaj greke. Një vizitë e tillë nuk do të sillte asgjë të keqe – përkundrazi, do të ishte një hap i parë drejt ndjesës së munguar për krimet e kryera,” u shpreh Veliu.
Në qendër të aktivitetit ishin dëshmitë rrëqethëse të të mbijetuarve – zëra që sfidojnë harresën dhe sjellin në vëmendje të vërtetat e hidhura të historisë sonë.
Në një bisedë të moderuar nga gazetarja e njohur Luela Myftari, dëshmitarët Sali Bollati dhe Njazi Mehmeti ndanë me publikun përjetime personale nga një periudhë tragjike për shqiptarët e Çamërisë. Rrëfimet e tyre të gjalla dhe të dhimbshme shërbyen si një kujtesë e fuqishme për të gjithë të pranishmit, duke rikujtuar nevojën për drejtësi dhe njohje ndërkombëtare të kësaj tragjedie.
Ky aktivitet përkujtimor vjen si një zë i fortë kundër harresës dhe indiferencës, duke i dhënë zë atyre që ende kërkojnë drejtësi për plagët e pambyllura të Çamërisë.











