
Kalendari Historik
Janar 1991 – Themelimi i Shoqatës Patriotike Çamëria
Viti 1991 shënon fundin e heshtjes së madhe. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për bijtë e bijat e Çamërisë një ngjarje historike. Ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare.
Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, pa ndonjë ndihmë nga jashtë, filluan menjëherë organizimin për krijimin e “Shoqatës Patriotike Çamëria”, qysh në dhjetor 1990. Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë dhe e frikshme hija e diktaturës.
Takimet e para u bënë në studion e skulptorit Ilmi Kasemi, në shtëpinë e Ferhat Sejkos, në shtëpinë e Sali Bollatit e të Ilmi Saqes. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, Lutfi e Ilmi Saqe, Petrit e Ilmi Kasemi, Sali Bollati, Nexhat Merxhushi, Petrit e Resul Demi, Nexhat Merxhushi, Servet Mehmeti, Emin e Ferhat Sejko, Arshin Rexha, Ibrahim Hoxha, Hasan Minga, Vehip Dojaka, Gazali Sejko, Resul Taipi, Fatos Mero Rrapaj, Laurant Bici, Ballkize Halili, Ibrahim Hoxha, Gjin Varfi, Hasan Musaj, Jaho Saliu, Martin Demi, Rexhep Çami, Ramazan Banushi, Bejdo Mehmeti, Daut Xhaferi e plot të tjerë.
Me anë të një deklarate të afishuar në 10 Janar 1991 u njoftua botërisht themelimi i Shoqatës Patriotike Çamëria.Vendimi për miratimin e shoqatës nga Ministria e Drejtësisë, me firmën e ministrit Enver Halili, u transmetua në TVSH po më 10 janar 1991.
Qëllimi që i vuri vetes shoqata ishte “Mbrojtja dhe njohja e të drejtave të popullsisë shqiptare të Çamërisë në përputhje me parimet e normat e Kartës së OKB-së dhe Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, si dhe të njihet e drejta e rikthimit në vatrat e saj për popuillsinë çame të shpërngulur”.
Selia e shoqatës u vendos fillimisht ku është sot ambasada italiane dhe më pas në rrugën e Kavajës. Logon e shoqatës e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi. Menjëherë në Tiranë dhe në rrethe filloi puna për ngritjen e seksioneve në lagje. Jo me pak kontribut kanë dhënë dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj. Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti,etj. Në Fier: Naim Dalipi, Agush Veliu etj. Në Durrës: Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmëri patrioti Daman Sinani dhe pedagogia Emine Sadiku. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zenel Qeveri. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.
Nga fundi i muajit janar 1991, u zgjedhën drejtuesit e shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar (foto) dhe Arshin Rexha sekretar i përgjithshëm(foto). Më 28 mars 1991doli numri i parë i gazetës “Çamëria, nën drejtimin e Bashkim Kuçukut.
SH.P.A. ÇAMËRIA filloi veprimtarinë e saj duke i parashtruar Presidentit të Shqipërisë Ramiz Alia Problemin Çam si problem mbarëkombëtar dhe Kryeministrit grek Konstantin Miçotaqis që do vinte për vizitë në Shqiperi.
Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në prag të ndryshimeve të mëdha. SHP “Çamëria”, me këtë rast, riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, në fund të shtatorit 1944 dhe Kongresi i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945.
Kryeministri Micotaqis, i pyetur nga gazetarët, deklaroi i nervozuar: “Problemi Çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”. Pas kësaj shoqata Çamëria fillon të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë.
Programi i saj u bë i njohur si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, duke marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Për të prezantuar problemin çam krerët e shoqatës u takuan me pjesën më të madhe të përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke dëshmuar të vërtetat e hidhura, dëshmitë e shumta të tragjedisë çame.
Shoqata bëri thirrje për bashkimin e gjithë atdhetarëve çamë, për ndërgjegjësimin e atdhetarëve të vërtetë nga të gjitha trojet shqiptare.
Në qershor të vitit 1991 ish ministri i jashtëm shqiptar Muhamet Kapllani shtron në tryezën e bisedimeve për herë të parë zyrtarisht “Çështjen Çame”, si problem ekzistent në marrëdhëniet dy palëshe shqiptaro-greke. Ministri i Jashtëm grek Samaras detyrohet të deklarojë se: “Kjo çështje duhet studiuar në thellësi”.
Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj. Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para.
Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve, për të përkujtuar ditën e gjenocidit, ku u mbajtën referate nga Hasan Minga dhe Nexhat Merxhushi. Menjëherë filloi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë për regjistrimin e popullsisë çame, në bazë seksionesh. Në Tiranë figuronin 29700 çamë, kurse në gjithë Shqipërinë 204 255 vetë.
Me ardhjen në fuqi të forcave demokratike, predispozicioni për çështjen çame duket se ndryshoi. Qeveria e parë Demokratike formuloi në programin e saj për politiken e jashtme edhe interesimin zyrtar për “Çështjen Çame”. Nga ky moment kemi një konturim dhe një klimë të favorshme për ecurinë e “Çështjes Çame”.
Por në fakt nuk sollën atë që shpresonin çamët, zgjidhjen e problemit të tyre. Ishte e paharrueshme në këtë kohë deklarata e ish Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z.Uilliam Rajerson. Zoti Rajerson, i cili ndër të tjera i bën thirrje qeverisë dhe shtetit grek që “t`u japin fund persekutimit politik të shqiptarëve të Çamërisë dhe t`u njohë atyre të drejtën e pronësisë…”. Greqia zyrtare protestoi dhe i kërkoi Përfaqësisë Amerikane në Athinë që të distancohej nga kjo deklaratë e ambasadorit në Tiranë. Në 3 maj të po këtij viti, pa rënë akoma entuziazmi i fitores së forcave demokratike, fluturon përsëri për në Tiranë Kryeministri grek Konstatin Micotaqis. Shoqata Çamëria e priti me një demonstrate masive, që bëri jehonë në shtypin e vendit dhe të huaj.
Në pankarta kërkohej vetëm njohje e të drejtave të mohuara. Kjo atmosferë elektrizoi si bisedimet edhe konferencën e shtypit, ku gazetarët shqiptarë, por edhe grekë, përqendruan të tërë vëmendjen tek Çështja Çame. Kryeministri grek, i vënë para presioni të gazetarëve që donin me çdo kusht prononcimin e tij për Çamërinë, duke humbur qetësinë, deklaroi:
“ Bëra të qartë në të gjitha nivelet, deri tek Presidenti z.Berisha, se Greqia nuk do të pranojë kthimin e tyre në Greqi, për arsye të ndryshme që nuk mund t’i analizoj sot…Politika jonë mbështet tek ligjet për kriminelët e luftës“.