Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Gjenocid/Dëshmi

‘Testamenti” që la themeluesi dhe Kryetari i Shoqatës Çamëria, Hilmi Saqe

 Në maj 2025 ndërroi jetë, në moshën 89 vjeçare, një nga themeluesuet e Shoqatës Patriotike Çamëria dhe Kryetar i kësaj Shoqate në vitet 1997-2000, zoti Hilmi Saqe.

Hilmi Saqe ishte i mbijetuar i masakrave greke ndaj popullsisë Çame, që e pa dhe përjetoi tragjedinë, me sytë e një fëmije 8 vjeçar. Përmes dëshmive të tij autentike për gjenocidin, të botuara në disa libra dhe artikuj, ai ka prezantuar dhimbjen çame dhe nuk heshti për masakrën deri në frymën e fundit . “Ne ikëm të detyruar nga Çamëria, Çamëria nuk   ikën kurrë nga ne! Këto ishin fjalët që autori ka vënë në vend të parathënies, në librin  testament, “Rrënjët tona çame”, që arriti ta botonte në momentet e fundit para se të mbyllte sytë. Ja çfarë shkruan autori në hyrje të këtij libri:

“Lexuesi im i dashur, këto që po shkruaj janë fakte të jetuara drejtëpërsëdrejti, të cilat janë pleksur aq shumë me gjakun dhe shpirtin tim, saqë kam frikë se, edhe kur të mos jem më në këtë                                                                   

botë do të më ndjekin pas… Jam thjesht një intelektual çam, që shkruaj të vërtetat e fisit tim dhe të Çamërisë martire. Gjithçka këtu është vetëm një dhimbje dhe plagë e hapur që rrjedh dhe do të rrjedhë gjak deri sa guri të shkojë në vendin e vet, pra ne të kthehemi në trojet tona në Çamëri, pa të cilën nuk jetojmë dot. Qëllimi im ka qenë dhe është që t’u lemë gjeneratave pasardhëse rrënjët tona çame”.

 “Çamiko. al “ ka përzgjedhur një fragment nga ky libër dhe në ditët në vijim do të publikojë edhe pjesë të tjera.

It’Atë merrte çdo ditë ilaçe për stomakun, mbasi kishte dhimbje, po natën e llahtarisë ato i harruam në buharin e vatrës, ashtu siç të harruam edhe ty në gjumë. Pasi plasi lufta me grekun, It’Atë shkoi në front të luftës, mori me vete dhe një dufeq të vjetër, që unë se dija ku e kishte fshehur. Në frontin e luftës denji disa dite duke luftuar kundër ushtrisë greke, por u bë keq nga stomaku dhe kthye në shtëpi.

 

Masakrimet që kishin bërë ushtria dhe shtetit grek kundër Paramithisë, Pargës, Margëlliçit, si dhe fshatrave të jugut të Çamërisë, na kishin detyruar edhe ne që të merrnim masa të menjëhershme për çdo situatë. Në fillim ne kishim berë gati dengjet e plaçkave të domosdoshme për t’i marrë me vete, por nga frika e gjuajtjeve të ushtrisë  greke mbi neve, kujt i binte në mend për të marrë plaçkët e shtëpisë më të domosdoshmet, nga llahtaria e gjëmimeve të armatimeve të ushtrisë armike greke, ne të harruam edhe ty në gjumë.

 

Ne, para se Italia të sulmonte Greqinë më 28 Tetor 1940, shteti grek na përzuri nga shtëpitë tona, duke na detyruar të shkonim në drejtim të Jugut të Çamërisë. Ne qëndruam në Arvinicë te Mulla Hashimi rreth dy muaj. Pas kësaj kohe u kthyem në Grikëhor, në shtëpinë tonë. Por kur ikëm e lamë shtëpinë siç ishte me plaçkë e laçkë, duke mbyllur vetëm dyert e shtëpisë. Por kur u kthyem e gjetëm të vjedhur dhe plaçkitur të gjithë nga grekët. Nuk kaluan shumë kohë dhe përsëri shteti dhe ushtria greke na përzunë prapë nga shtëpitë tona, por kësaj here drejtim veriut të Çamërisë. Shkuam deri në Lops, atje qëndruam gati tre muaj në shtëpinë e njerëzve të Bidesë – xhexheshës time, pas kësaj u kthyem në Grikëhor, në shtpitë tona, të cilat përsëri na i kishin plaçkitur dhe shkatërruar sa mundën grekët.

 

Shteti grek kishte marrë të gjithë meshkujt e Çamërisë në eksori (burg – internim), para se Italia të sulmonte Greqinë. Në shtëpi kishim mbetur ne gratë dhe fëmijët e vegjël. Sakon, djalin e xhaxhait, e kishin marrë ushtar, edhe këta jo nën armë, por në vend të armëve për të luftuar pushtuesit italianë, shteti grek u dha kazma e lopata për hapjen e rrugëve për ushtrinë greke. Greku nuk u jepte armë shqiptarëve muslimanë.

Të internuarit në detin Egje dhe ushtarët e brigatave të punës u liruan në Prill – Maj 1941 kur Greqia u pushtua e gjitha nga Gjermania.

 

It Atë kur u kthye në shtëpi nga eksoria ishte kockë dhe lëkurë. Në burgun që i thoshin eksori – internim, atyre u jepshin vetëm 200 gram bukë në ditë dhe supë me disa kokrra fasule, e cila ishte e gjitha ujë i zierë, me qëllim për t’i vdekur! Pas kthimit të tët’ Eti në shtëpi nga internimi, Nana ime – Aisheja u lirua nga ngarkesat e punëve të rënda jashtë shtëpisë. Përsëri ishin kohëra luftërash, Greqia ishte e pushtuar nga Gjermania dhe Italia, por zona jonë nuk ishte nën flakën e luftërave të mëdha, por ishte si një qiell i zi, në furinë e gjëmimeve dhe shkrepëtimave mbi gjithë Çamërinë. Krimet dhe masakrakimet në pabesi të grekëve në Paramithi, Pargë dhe në gjithë fshatrat shqiptare në jug të Çamërisë, detyruan gjithë meshkujt shqiptarë të organizoheshin në mbrojtje ndaj maskrimeve të ushtrisë greke kundër pjesës tjetër të Çamërisë. Qëndresa e forcave tona ishte e dobët në krahasim me ushtrinë greke, e cila ishte armatosur shumë, por sidoqoftë rezistenca e njerëzeve tanë na mbrojti nga masakrimet e ushtrisë greke të pjesës tjetër të Çamërisë.

 

Kur ushtria armike greke na erdhi pranë, ishte nata e 13 e Allonarit (korrikut) 1944, ishte një e natës. Na foli Zuba, ngrini fëmilën se në Koshovicë po gjëmojnë topat dhe pushkët e kaurit (ushtise greke) ata po gjuajnë kundër forcave tona dhe Grikëhorit ata priten të vinë shumë shpejt edhe këtu. Në Grikëhor vinin lajmet e vrasjeve dhe krimeve çnjerëzore që bënin zervistët mbi shqiptarët muslimanë në Jug të Çamërisë, familja jonë, Zuba, Fetahu dhe Tahiri kishim bënë gati dengjet me plaçka për t’i marrë me vetëhe, por nga zhurmat dhe llahtaritë e plumbave dhe topave që binin mbi ne i lamë dhe ikëm.

Morëm vetëm gjërat më të domosdoshme nga shtëpia, duke ngarkuar kalin dhe gomarin si dhe veten. Ndërsa dy vëllezërit e mëdhenj, Shemia dhe Bidua, ishin nisur me kopetë e dhenëve drejt veriut të Çamërisë. Kurse ne si familje, pasi u ngarkuam sa mundëm, ju bashkëngjitëm varganit njerëzor që kishte ardhur nga pjesa jugore e Çamërisë.

 

Babai dhe Nanëdajua u ngarkuan me gjërat më të domosdoshme, ndërsa Nana mbante në krah motrën, Bejon, e cila ishte dy vjeçe. Lazi ishte pesë vjeç e gjysmë, edhe ai ngarkohet dhe merr “mastrapain” e ujit, të cilin nuk e lëshoi asnjëherë nga dora, gjatë gjithë rrugëtimeve të dhimbshme. Mastrapanë ua la trashëgim pasardhësve të tij, të cilin e kanë edhe sot dhe duhet ta ruajnë si thesar të tij.

 

Ishte hera e tretë që shteti grek po na përzente me forcën e luftës nga shtëpitë dhe vendi jonë, por kësaj here ai po vriste, therte njerëzit dhe po shkatërronte çdo gjë tonën. Ushtria dhe shteti grek po bënin lemeri dhe barbari çnjerëzore kundëra nesh. Mëngjesi na zuri në Gumenicë, kemi ikur copa – copa, në këmbë, pasi gomarin dhe kalin e kishim ngarkuar me plaçkët më të domosdoshme dhe ca ushqime për të mos na mbetur fëmila pa ngrënë. Nga Grikëhori deri në Galbaq kemi vajtur në këmbë. Në Galbaq erdhën dhe i morën makinat deri në Janinë ata që kishin vënë mënjanë para – florinj, pasi vetem ki para shkonte në këtë rast të luftes gjakatare . Mua me vajzën – Bejon më lanë që të shkoja me makinë, bashkë me Fetahlen dhe gjithë familjen e Shaban Saqes, por përfundimisht ne mbetëm të ecnim në këmbë.

 

Në Galbaq qëndruam dy ditë në shtëpinë e Sherratëve, te familja e vajzës së Hallë Nazos, e cila ishte martuar atje. Unë në këtë kohe isha pesë mujshe me barrë dhe vajza – Bejua ishte dy vjeçe dhe Lazi ishte pesë vjeç. Bejua nuk ecte dot, kështu që edhe atë e mbaja unë në krahë. Të gjithë të tjerët ishin të ngarkuar me gjërat më të domosdoshme për të mos vdekur rrugëve. Di djelte e mëdhi ishin nisur drejt veriut me kopenë e dhenëve, së bashku me di djeltë e Hate Mamos-Mustafain dhe Mahmutin. Ndërsa nusja e Sakos kishte hipur në kalë deri në Galbaq, kurse unë me barkun te gola po ecja në këmbë. Kafshët tona ishin të ngarkuara shumë, pasi pa ato plaçka do të kishim          vdekur nga të ftohtit dhe shirat e mëdha të atij dimri të zi!

 

Rrugës nga tmerret e rrugëtimit u vrava, dhe djali pesë muajsh në bark më iku. Unë isha në prag vdekje, por edhe në atë gjendje ishim të detyruar të lëviznim së bashku me varganin e njerëzeve që kishin lënë shtëpite e tyre për të shpëtuar fëmijët dhe jetët e tyre nga kriminelët zervistë grekë. Me maqina ikën nga Galbaqi deri në Janinë  familjet e Hizdrës, Mahmutit, Lasko Fejzos, Sulos, Sakos, Metes, Shuquriut dhe Sadikut. Për ne nuk kishin më vend makinat, se edhe para floriri nuk kishim. Në Galbaq u ndamë përfundimisht me Sakon, para se të ndaheshim ai më dha dy lira e gjysmë, dhe më tha: “merri këto që të mos vdesin jenët për bukë”. Ai e dinte që ne nuk kishim para flori që duheshin për këto kohë të liga. Këta pasi arritën me makina në Janinë, pas disa ditësh u nisën për Korçë. Pasi arritën në Korçë rruga për në veri – Tiranë, ishte e bllokuar nga lufta. Pritën shumë ditë në Korçë, por nuk lëviznin dot në drejtim të Tiranës, se lufta vazhdonte dhe çdo drejtim ishte i bllokuar. Më në fund ndryshuan drejtimin e lëvizjes Korçë-  Skrapar –  Berat – Lushnje.  Edhe në Lushnje ndenjën shumë diteë deri sa u hap rruga për në Tirane. Tirana akoma ishte e pushtuar nga forcat gjermane.

 

Kur ne arritëm në Shulash, Babai juaj vate të kërkojë djeltë e mëdhej – Shemen dhe Bidon, të cilët akoma ishin fëmijë të vegjël.  Shemia 13 vjeç dhe Bidua 10 vjeç. Babai ata të dy i nisi me kopenë e dhenëve tona drejtim veriut – Lops – Sajadhë – Konispol. I’t Atë i gjeti në fushën e Lopsit së bashku me Mahmutin e Hates. Kishin mbetur pa ngrënë tre ditë. Kishin hëngër roka misri dhe therur ndonjë dele. I’t Atë qëndroi me djeltë dhe neve erdhi e na mori Fetahu në Galbaq. Nga Galbaqi deri në Lopës erdhëm në këmbë, nën breshërinë e armëve të grekut. Në Lopës u bëra shumë sëmurë, isha në prag vdekje. Nga Lopsi deri ne Sajadhë ecëm në këmbë, por unë me gjithë vajzën shkuam kaluar mbi kalë, se nuk ecja më dot në këmbë, as unë dhe as vajza – Bejua dy vjeçe. Për të shpëtuar nga vdekja e sigurt unë dhe vajza, u detyrua it’atë të hidhte shumë gjëra që të na siguronte jetën tonë. Në Sajadhë ndenjëm shumë ditë në pritje për t’u kthyer në shtëpitë tona, por ushtria greke vazhdonte masakrimet kundër nesh. Më në fund kaluam kufirin shtetëror, atje nuk kishte asnjë ushtar nga të dy anët e kufirit, as shqiptar dhe as grek, ishte kohë lufte dhe të dy shtetet – Greqia dhe Shqipëria ishin nën ushtrinë e Gjermanisë; kaluam Qafe Boten dhe qëndruam në Fushën e Konispolit. Fusha – Grika e Konispolit ishte mbushur plot me ne, të përzënë nga shtëpitë dhe vendi jonë, ishte mes allonari (Korrikut) ku vapa dhe rrezet e diellit të përvëlonin, se atje nuk kishte asnjë pemë ku të futje kokën. Për t’u ruajtur sado pak nga dielli përvëlues ngritëm çadra me çarçafë dhe qilima. Atje ndenjëm gjithë Korrikun dhe Gushtin në fushën e Konispolit me shpresën e kthimit në shtëpitë tona. Ne Konispol u sëmurë rëndë edhe ti, lëngove rreth dy muaj atëhere. Nga fundi Gushtit dhe fillim të Vjeshtës së parë u nisëm drejtim Mursi – Kllogjer. Më në fund arritëm gjallë me shpirt nëpër dhëmbë në Mursi. I’tatë  zuri një kalive lopësh me qira në Mursi, ku futëm kokën, e cila na shpetoi nga vdekjet masive, se për ata që mbetën në baltën e Kllogjerit dhe të ftohtin e atij dimri dhe vitit te zi, ishte një llahatari e madhe për të gjithë të mjerët që çdo ditë vdisnin me dhjetra!. Kasolle lopësh ishte, por I’t atë e pagoi si “Frëngu Pulën”, me 15 napolona në muaj, që përdoreshin atëhere në Shqipëri, që kishin një vlerë të madhe për kohën. Pas ndarjes me Sakon ai e dinte se unë kisha vdekur kur dështova nga frikerat dhe mundimet pa fund të rrugëtimit vdekjeprurës.

 

Zoti bëri emër dhe nuk na e mori jetën të gjithëve gjatë këtij largimi nga dheu inë. Llahtaritë dhe hallet tona, mor bir, nuk mbarojnë kurrë, kur largohesh nga vatra e ngrohtë e shtëpisë dhe vendit tënd. Kudo që të veç dhe shkosh, sido që të jetosh, përsëri mbetesh njeri i huj në botë të huaj, se rrënjët tona janë atje në Grikëhor, ne jemi degë e mërguar nga vendi inë. Shuqur (shyqyr) që kisha Nanën me vete që nuk vdiqa, se atë e kisha ngahera mbi kokë, për vete dhe për juve, se edhe ju do të kishit vdekur për bukë. Kush do t’u gatuante dhe ushqente ju që ishit gjithë ata jene(fëmijë) të vegjël. Asgjëkundi nuk kishte as dyqan dhe gjë prej gjëje për t’u ushqyer. Ishim në mes të luftës së egër të ushtrisë greke, se pari ishte koka e çdo njeriu, pastaj stomaku. Molloitë e Nanës për jetën dhe vendin tonë janë të shumta, por këtu janë trajtuar një pjesë e vogël e tyre.