Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Art dhe Krijimtari

Baladë për Mehmet Hamit Sejkon nga Hekuran Halili

Baladë për Mehmet Hamit Sejkon

POEMTH

 Çamëri, mali me mall,
Vend i burrave atdhetarë,
Herë me pushkë, herë jataganë,
Herë me penë, herë abetare,
Shkruan histori të rrallë,
Nga Preveza në Filat,
Me Dinajt, me Pronjatë,
Çaparejtë, Çelo Mezanë,
Me Dematët e me Sejkatë,
Të numëruar nuk kanë.

Vijnë si deti dallgë-dallgë,
Historisë i rrinë në ballë,
Bashkë me Mehmet Sejkanë.

Tetëqind e shtatëdhjetë seneja,
Tri krisma zgjuan Filatin,
Hamid Sejkos, brez sermeja,
E shoqja i lindi djalin,
Mehmet bej, lule çamin.

Krismat që dhanë lajm,
Tërë jetën nuk ju ndanë,
Se luftoi për vatan,
Me halldup e me andart,
Gjithmonë në front të parë.

Shumë e deshi diturinë,
Abetaren e këndimin,
Shkollë e bëri shtëpinë,
Të mësonte vegjëlinë.

Nëntëqind e tetë viti,
Shoqërinë me shokë e ngriti,
Klubin shqiptar “Vëllazërimi”,
Të vëllazëroheshin gjithë ç’qenë,
Myslimanë e të krishterë,
Të çlironin mëmëdhenë.

Kryetar Filati e zgjodhi,
Ku pikoi edhe rrodhi,
Abetaren nga Stambolli,
Derë më derë ai e mbolli:
“Shqip të shkruajmë e lexojmë,
Shqipërinë ta çlirojmë,
Në mes kombesh të jetë zonjë,
Si njëherë të mbretërojë,
Si një kohë e si njëherë,
Me Pirron e Skënderbenë.”

Në vitin trembëdhjetë,
Bënë ç’deshën të mëdhenjtë,
Çamërinë grekut ia dhanë,
Derë më derë bënë hatanë,
Dogjën, prenë, dëbuan, vranë,
Patriotë e atdhetarë,
Gjithë ç’qenë shqiptarë,
Për të pastruar Elladhë.

Djemtë e Çamërisë s’u shtruan,
Dhëmb për dhëmb me ta luftuan,
Çdo pëllëmbë dheu që lëshuan,
Plumb e gjak e mbuluan,
Ngritën zërin, protestuan,
Të drejtat e tyre kërkuan,
Bashkë me ta edhe Mehmeti,
Firma përjetë në kartë i mbeti.

Kur erdhi në Konispol,
Nga lufta nuk u tërhoq,
Bashkë me shokët e tij,
Dërgoi kartë përsëri,
Për bërjen e Shqipërisë.

Ky ishte Mehmet Sejkati,
Që, kur shkeli prapë Filatin,
Menjëherë e arrestuan,
Bënë gjyq për ta dënuar,
Shqipëria u alarmua,
Në Greqi u protestua,
Ndaj grekët e liruan.

Mehmet Sejko, burrë zotni,
Për atdhe e shoqëri,
Për grua e fëmijë,
Derë e parë në Filat,
Patriot, zemër bujar.

Por nga trojet, kur e shkulën,
Me zor siguruan bukën,
Ndershmërisht, me dinjitet,
Me të vojtur e me siklet,
Tre djemtë i shkolloi vet,
Njërin me universitet.

Si babai, edhe ata,
Shumë luftuan për vatan,
U rreshtuan partizanë,
Konispol – Veshigrad,
Ku luftoi Brigada e Gjashtë.

Dy vajzat, si vet e mira,
Zonjë i nxorri nga shtëpia,
Në fise të mëdha i dha,
Në Plakaj e në Dojakë.

Ky ishte Mehmet Sejkati,
Burrë i madh nga Filati.
Shkurt ia shkruam historinë,
Nipër e mbesa le t’ia dinë,
Le t’ia dijë gjithë njerëzia,
Ç’burra nxorri Çamëria,
Që krenohet Shqipëria!

Burra që lanë porosinë:
Sa të keni hapur synë,
Mos harroni Çamërinë!


Shpjegime

  1. Më 20 shtator 1908, patriotët çamë në Filat krijuan klubin atdhetar “Vëllazërimi”, ku Mehmet Sejko u zgjodh kryetar.

  2. Viti 1913 është viti kur u mbajt Konferenca e Londrës, që copëtoi viset shqiptare.

  3. “Të mëdhenjtë” janë: Anglia, Rusia, Franca, Gjermania, pjesëmarrëse në Konferencën e Londrës.

  4. Elladha – Greqia, e cila, sapo mori në zotërim trojet e Çamërisë, nisi pastrimin e saj nga shqiptarët çamë.

  5. Patriotët çamë i shkruan notë proteste Konferencës së Londrës për padrejtësinë që bëri. Si në letrën e vitit 1913, ashtu edhe në atë të Konferencës së Parisit (1919), mes të tjerëve, figuron edhe firma e Mehmetit.

  6. Është fjala për Konferencën e Parisit, mbajtur në vitin 1919.

  7. Në vitin 1924, kur Mehmeti vajti në Filat për arsye familjare, mbasi qeveria greke e kishte dëbuar që më 1920 në Konispol, ai u arrestua dhe do të ishte dënuar, po të mos kishte ndërhyrë qeveria shqiptare.

  8. Është fjala për dëbimin që i bëri qeveria greke familjarisht nga Filati, për shkak të veprimtarisë patriotike.

  9. Mehmeti kishte tre djem: Taho Sejkon, Teme Sejkon dhe Sulo Sejkon. Tahua mbaroi Liceun Francez në Korçë dhe vazhdoi Universitetin Francez në Athinë.

  10. Të tre djemtë e tij u rreshtuan partizanë, fillimisht në çetën e batalionit “Çamëria”, e më pas në Brigadën e Gjashtë Sulmuese, ku mbanin edhe poste të rëndësishme.
    Taho Sejko dhe Teme Sejko u pushkatuan nga regjimi komunist — një dramë e pashoqe e fisit Sejko gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Baladë për Mehmet Hamit Sejkon nga Hekuran Halili

Dule dhe Beleri, në foto me flamurin