Një analfabet nga fshati i Spatharit në Çamëri, Vasil Ballumi, njihej edhe si njeri i dhunshëm. Jo vetëm kaq, por shpesh grabiste edhe bagëti nëpër stanet e Mazrrekut, Luaratit dhe Margëlliçit.
Në vjeshtën e vitit 1941, mostra i Spatharit sulmoi stanin e bagëtive të vëllezërve Gjinika, duke marrë 50–60 dele nga tufa që kulloste, dhe ia mbathi bashkë me bagëtinë. Barinjtë dhanë alarmin dhe shumë margëlliçiotë e ndoqën hajdutin këmba-këmbës. Në vendin e quajtur “Kollodhi”, diku mes Margëlliçit dhe fshatit Morfat, grabitësi e braktisi tufën e vjedhur, por, duke qenë i armatosur, hapi zjarr kundër banorëve. Në atë përplasje mbeti i vrarë 17-vjeçari Kristo Zavruci, djali i Vasil Zavrucit, që nuk kishte asnjë lidhje me atë konflikt.
Humbja e jetës së djalit të pafajshëm trazoi shumë ujërat në rrethinat e Margëlliçit dhe nxiti hakmarrje, e cila shpesh kthehej në beteja mes familjesh e fisesh të tëra. I ati i viktimës shkoi dhe i kërkoi Vasil Ballumit ndihmë për t’u hakmarrë ndaj Riza Gjinikës, të cilin e fajësonte për humbjen e të birit.
Fshatari i dhunshëm i Spatharit me djallëzi arriti të rrëmbente një fëmijë pesëvjeçar të Riza Gjinikës. Rrëmbimi i Nailit të vogël u diktua menjëherë dhe krijoi tronditje të thellë. Edhe pse u diktua dhe u ndoq këmba-këmbës, Vasil Ballumi jo vetëm nuk u kap dot, por shkoi edhe më tej: fëmijën e hodhi në zjarr dhe e dogji, kurse vetë u largua e u fsheh fillimisht në fshatin e së shoqes, Koronopulo, në zonën e Fratarit.
Atje rekrutoi dy të afërmit e së shoqes, Stavro Andonin dhe Taso Taqin. Tsoutsoumpis Spiro, një historian nga rajoni i Gumenicës, në studimin “Violence, Resistance and Collaboration in a Greek Borderland: the case of the Muslim Chams of Epirus” (Qualestoria, anno XVII, nr. 2, Dhjetor 2015, f. 132), shkruan se Stavro Andoni kishte vrarë të atin, ndërsa Taso Taqi kishte vrarë gruan e tij.
Por qetësia e familjes së Ballumit u prish shpejt në Koronopulo: ajo u sulmua në befasi nga njerëzit e Riza Gjinikës, në ndjekje për të kapur vrasësin e djalit të tyre, por Vasil Ballumi ia mbathi nëpër malet e thepisura të Sulit si kaçak. Për të mos u kthyer duar-bosh, të afërmit e Riza Gjinikës rrëmbyen njërin nga dy djemtë e vegjël, Kriston, që ishte vetëm 7 vjeç. Ndjekësit e vrasësit, kur u kthyen në Margëlliç dhe po i afrohej shtëpisë së Riza Gjinikës me pengun—a ishte një fëmijë 7-vjeçar—mendonin se do të qetësonin zemrat e trazuara e dhimbjen e atyre dy prindërve. Por ndodhi e kundërta. Riza Gjinika, që qëndronte me të shoqen në krye të shkallëve të shtëpisë, kur pa se, në vend të vrasësit, po u sillnin peng një moshatar të djalit të tyre, u trondit aq shumë sa ulëriti:
“Turp të keni! Keni turpëruar veten, mua dhe tërë Margëlliçin me marrëzinë që keni bërë!”.
E shoqja e Rizait shkoi vetë, e mori për dore djalin që i kishin lidhur sytë, duke e përkëdhelur dhe përpjekur ta qetësonte. Djali dridhej prej frikës dhe nuk kishte fuqi t’i përgjigjej. Ajo e futi në shtëpi duke i thënë:
“Bir i nënës, më beso mua dhe burrin tim, mos ki frikë! Nuk ke asnjë faj ti! Do të të kthejmë në shtëpinë tënde. E kam unë një plagë të madhe në zemër; këtë dhimbje mos ta ketë jo vetëm nëna jote, por asnjë nënë tjetër. Më beso sikur nënën tënde…”.
Megjithëse Kristua ndihej i rrethuar nga mirësjellja e familjes Gjinika, ai prapë ndjente mungesën e nënës së vet, dy motrave dhe vëllait që nuk i kishte pranë. Më në fund, Riza Gjinika vendosi ta kthente Kriston te familja e tij. Ai ftoi në shtëpi parinë e Margëlliçit—ndër të cilët Abdulla Kasëmi dhe myftiu—dhe u deklaroi se kishte vendosur të kthente djalin. Vendimi i Rizait u prit me entuziazëm dhe u përgëzua. Me njerëz të besuar që kishte përzgjedhur Riza Gjinika, nën përgjegjësinë e z. Omer Qazim Agait, ai e dorëzoi Kriston në Shenicë te fis-i krishterë Gjini, dhe nga atje djalin e çuan te prindërit e tij, shëndoshë e mirë.
Vitet kaluan, dhe Kristo Ballumi, rreth viteve ’60, emigroi në Gjermani, ku krijoi familjen e vet. Por shpesh kthehej në vendlindje, në Spathari. Më 20 korrik 1998, gazetari Hristos A. Dimitriadis erdhi ta intervistonte për kujtimet e tij nga fëmijëria.
Në librin “Apeleftherotikoi Organe Thesprotan: 1941–1944” (1999), gazetari grek citon dëshminë e Kristos:
“Më trajtuan si djalë shtëpie dhe më shumë si fëmijë të përkëdhelur. Për mua gatuhej gjella më e veçantë, ndryshe nga ajo e familjarëve të mi e e fëmijëve të tjerë. Pranë meje në çdo çast qëndronte një grua e dashur; nuk më thërriste me emër, por më drejtohej me fjalët ‘biri im’, dhe unë e thërrisja ‘nanë’. Ajo më përkëdhelte ballin çdo mëngjes dhe, me zë të ëmbël, thoshte: ‘Ngrihu, bir, të hash bukë…’.”
Kur u pyet për kujtimet më të mira nga nëna çame, Kristua u përgjigj:
“Do të mbetet një nënë e paharruar tërë jetën… Ah, sikur të kisha fatin ta takoja një herë atë nënë të dashur, ta përqafoja fort siç më përqafonte ajo dhe t’i puthja duart që më përkëdhelnin orë e çast, kur më mungonin përkëdhelet e nënës që më kishte lindur.”
Kristo mbylli rrëfimin i emocionuar, duke thënë:
“Unë shpesh ua tregoj edhe fëmijëve e gruas gjermane sa kujtime të ëmbla kam nga ajo familje.”
Riza Gjinika dhe njerëzit e familjes së tij fisnike përcollën një mesazh të rëndësishëm në ato kohë të trazuar: njerëzit e pafajshëm, grave e fëmijë, nuk duhet të preken; fajtorët të dënohen, por jo familjet e tyre.
Kjo histori më kujton vizitën time të parë në Çamëri, në vendlindjen time të masakruar nga bandat e Napolon Zervës e të mohuar më pas nga politika greke. Bandat e Zervës ishin të zhveshura nga humanizmi: më 1942, Margëlliçit i vunë zjarrin dhe Vasil Ballumi printe zervistët grekë. Me djegien e qytetit nuk shpëtoi as shtëpia e Riza Gjinikës në lagjen “Drizë”.
Pas 45 vjetësh, në qershor 1989, shkova sërish në Çamëri, jo vetëm si vizitor, por për të grumbulluar dëshmi për dramën çame. Gjëja që më tronditi ishte qyteti i kthyer në gërmadhë. Kur pyeta se kush e dogji Margëlliçin, përgjigja ishte e shkurtër: “Vasil Ballumi, me bandën e tij, në vitin 1942”. Sipas hulumtimeve të mia, Margëlliçin e ripopulluan vllehë të fis-eve Manos, Zikos, Ndostas, Meidis, Sideris, Disios etj., dhe sarakacianë nga fis-et Paparimas e Surlos. Fisat malore të Paramithisë, si Popova, u vendosën po ashtu atje, dhe sot në Margëlliç jetojnë rreth 250 banorë të fisit Sufia.
Veprimet e nacionalistëve grekë, verbuar nga urrejtja ndaj çamëve, shkatërruan çdo gjurmë të tyre—pronat, xhamitë e shtëpitë—duke harruar se edhe ata ishin njerëz, fëmijë, gra, nëna pa asnjë lidhje me luftërat e politikat.
Unë vetë isha një prej atyre fëmijëve që provova dhunën, urrejtjen, spastrimin etnik. U rrita e u pashë vendlindjen time, por shumë vonë—kur isha larg—vetëm mund ta shihja, jo ta gëzoja.

