Më 2 shkurt 1943 u krijua, në fshatin Markat, Çeta “Çamëria”
Kujtimet e luftëtarit Ibrahim D. Hoxha: Çeta Çamëria me 350 partizanë
Popullsia shqiptare në Çamëri përkrahu pa rezerva luftën për çlirim nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Shansi historik nuk duhej humbur.
Lufta Antifashiste për popullin çam kishte rëndësi historike, për të kanalizuar energjitë dhe përpjekjet e shqiptarëve në një objektiv të përbashkët – çlirimin kombëtar dhe përfshirjen e shumicës së shqiptarëve në një njësi të përbashkët administrative. Antifashizmi në Çamërisë gjeti strehë në familje të mëdha që frymëzuan luftën e madhe kundër fashizmit.
Qeveritë greke kanë bëri një propagandë politike të ethshme për diskreditimin e luftës Antifashiste të shqiptarëve para Aleatëve dhe opinionit të tyre publik, duke tentuar të fabulojnë histori të rreme, në formën e alibive, sic është ajo e “bashkëpuminit me fashizmin”. Kjo ishte propaganda bajate e anarkoterroristëve për të justifikuar dhunën, gjenocidin dhe spastrimin e etnik. Shqiptarët e Çamërisë nuk zgjodhën të bashkëpunojnë me asnjë fashist, as të Metaxas, as të Duçes dhe as të Hitlerit, por me lëvizjen Antifashiste në Shqipëri dhe Greqi, duke krijuar formacionet e veta të rezistencës çlirimtare, nëpërmjet formimit të çetës Çamëria dhe batalionit të katërt “Ali Demi” dhe duke iu bashkuar edhe ushtrive çlirimtare në Shqipëri dhe Greqi. Shteti grek nuk mund të mohojë rezistencën e përbashkët antifashiste greko-çame. Faket historike nuk mund t’i mohojë dot askush. 8Në verën e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal i rezistencës antifashiste. Në 2 shkurt të vitit 1943 në fashatin Markat u krijua çeta “Çamëria”, e cila ishte e para çetë jo vetëm në krahinën e Konispolit, por edhe në Delvinë, minoritet, bregdet, Rrezomë e Sarandë.
Në pranverë të vitit 1944 në Qeramicë u formua Batalioni IV “Ali Demi” me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).
Gjithashtu, shumë çamë morën pjesë në Brigadën VI, VII, IX dhe XI të ushtrisë greke.
***
Antifashizmi Çam është një trashëgimi e vyer e historisë sonë kombëtare që tregon se popullsia çame ishte në anën e duhur të historisë, ndërsa alibia zyrtare greke për “kolaboracionizëm me pushtuesit” tregon degradim dhe
megalomani.
Heronjtë dhe dëshmorët e Çamërisë i bëjnë nder jo vetëm Çamërisë, por të gjithë Shqipërisë. Edhe pse popullsia çame u hodh në luftë së bashku me popullin grek dhe nuk u gjend në prehrin e okupatorit, ajo pësoi një gjenocid të pashembullt në histori. Kanë kaluar 82 vite nga dita e gjenocidit dhe të gjitha qeveritë greke nuk e kanë pranuar krimin e kryer në Çamëri, por akuzojnë shqiptarët për krime duke e kthyer agresorin në viktimë. Po sjellim disa nga kujtimet e luftëtarit dhe historianit të njohur Ibrahim D. Hoxha, që ka dokumentuar krijimin e Çetës Çamëria.
Ibrahim D. Hoxha: Çeta Çamëria me 350 partizanë
Ditët e para të krijimit të saj, Çeta Çameria kishte në radhët e saj 50-60 veta dhe më vonë ky numër u rrit në 350. Komanda e çetës përbëhej nga: Komandant çete Haki Rushiti, Zv/komandant Muharrem Demi, Komisar Taho Sejko, Zv/komisar Sami Murati, Komandant prapavije Ramadan Zejno.
“Nën drejtimin e njerëzve patriotë Rexho Plaku, Haki Rushiti të komunës Markat, të Taho Sejkos, që ishte kryetar i komunës Pandalejmon, patriotë nga gjithë krahinat u mblodhën në 26 Janar 1943 në shtëpinë e Azem Mungës në Markat, ku vendosën që të krijohet çeta partizane dhe vendi më i përshtatshëm u gjet Markati. Kështu më 2 Shkurt të vitit 1943 në kodrën e Bregut të Mënit, u mblodhën 34 burra të krahinës dhe formuan çetën partizane “Çamëria”, dhe për drejtimin e saj, me vota unanime, u zgjodh patrioti Haki Rushiti nga Konispoli”, shkruan studiuesi nga Markati, Musa Kola.
Ndërsa partizani i parë në çetën “Çamëria”, Ibrahim Daut Hoxha, lindur më 15 prill 1923 në Konispol, e ka të dokumentuar krijimin e Çetës Çamëria në librat e tij me kujtime. Në një shkrim me titull “Si u ngrit Çeta ‘Çamëria’ që luftoi kundër fashizmit”, Ibrahim D. Hoxha shkruan: “Në zbatim të vendimit të 15-16 janarit 1943 të Këshillit Nacionalçlirimtar më 1 shkurt 1943, në Çamërinë e brenda kufirit shtetëror me kryeqendër Konispolin, u ngrit çeta partizane me emrin e krahinës përkatëse: «Çamëria» me komandant ish-kapiten Haki Rushit Shehun nga Konispoli, n/komandant Taho Mehmet Sejkon nga Filati e komisar Sami Haxhi Murat Kapetanin nga Spatari; intendent Muharrem Demin nga Filati. Krahas Kasëm Demit e Teme Sejkos, luftonin dhe Qamil Buxheli, Selim Islami, Myfit Sejko e shumë të tjerë. Me detyrën e zv/komisarit s’u ngarkua kush, sepse i ngarkuari me këtë detyrë duhet të ishte doemos anëtar partie. Pjesëtarët e çetës, si u mobilizuan 200 partizanë.”
Pjesëtarët e parë të çetës u bënë konispolitët: Abaz Adem Shehu, Abdul Resul Mero Dallja, Alush Shaban Beqir Kuçuku, Hajri Resul Mane, Ibrahim Daut Hoxha, Kaso Abaz Shehu, Kupe Usni Tatari (Sadedini), Mehmet Jasin Kareçi, Mero Ali Plaku, Muço Ali Brahimi, Muho Jasin Kareçi, Ramadan Ilmaz Zejnua, Resul Sheqiri, Sejko Jakup Garbiu, Skënder Rexhep Taka, Telo Ali Plaku dhe Xhevdet Shaban Kasimi. Nga Lopsi, Izet Malo Kondua. Nga Markati: Dalan Rustem Nelaj, Ismail Zejnel Nelaj, Lame Hamza Idrizi, Ruham Dahri Dauti, Xhemo Malo Murtua dhe Xhevit Cene Dalani. Nga Ninati, Musa Shero Musai. Nga Pandalejmoni, Hasan Merua. Nga Janjari: Abaz Mero Rumani e Shahin Çufe Sherua. Krahas këtyre në Konispol fshehtazi filluan bashkëveprimin me çetën: Feim Ali Memkua, Izet Sadik Sheqiri, Qemal Emin Kuçuku, Shefqet Sulejman Mushi dhe Xhevit Resul Mero Dallja. Këtyre iu shtua pas disa ditësh edhe Xhevdet Shaban Kasimi, të cilit iu ngarkua detyra e ndërlidhësit: komandë çete – këshillë Nacionalçlirimtar, si dhe ajo e informatorit. Ndërsa nëpër fshatra në lidhje me çetën ishin plot veprimtarë të tjerë; ndër më të rëndësishmit e tyre ishin: në Dishat, Hazbi Madan Sharreti; në Markat, Azem Munga e Mezan Xhelua; në Ninat, Omer Ali Meleqi e Merso Birbili; në Janjar, Demo Fejzua e Ibrahim Binozi; në Shalës vëllezërit: Hamit, Nustret, Sali, e Shuhan Shaban Kondua dhe Sheqir Halili; në Vërvë, Ismail Zete Brahua dhe vëllezërit Jonuz e Seit Purrizua.
Ditët në vijim vazhduan të vraponin në çetë pandërprerje luftëtarë të tjerë, ndër ta edhe Ali Ahmet Mushi prej Lopsi, Alush Mahmut Lazja nga Dishati, Ferik Islam Çaçani, Ilmi Abaz Rumani e Shero Brahimi nga Janjari. Izet Sadik Sheqiri e Malo Xhelo Zejnua nga Konispoli. Sabri Hamza Idrizi nga Markati etj. Më 24.2.1943 në çetë prej Konispoli arritën 19 vetë, 14 ushtarakë: n/toger Tefik Dine Korrua, Damin Ali Korrua, Gani Selman Korrua, Hazbi Ali Korrua, Sefer Habib Labi – të gjithë prej Konispoli- dhe: Abdi Ali Ziguri, Halil Azem Munga, Isuf Muharrem Hoxha, Rushan Kakaçi e Veliko Muskli Rexhua, të 5 nga Markati. Halil Çaka e Sami Tushi nga Shalësi, Rushit Demua nga Vërva dhe një djalë flokëkuq nga Mazrrekët, që 3-4 muaj më pas u dërgua në batalionin «Asim Zeneli».
Ushtarakët e sapopërmendur ikën fshehtazi nga kompania e milicisë ushtarake e vendosur 2-3 javë më parë në Konispol si përforcim i përqëndrimit ushtarak italian atje. Tok me ta arritën edhe 5 civilë të armatosur: Hasef Tarja, Neshat Rushiti dhe Tefik Ruçu nga Konispoli, si dhe Shaban Dalipi e Zejnel Hasani nga Mazrrekët. Brenda muajit shkurt çeta “Çamëria” i kaloi të 100 luftëtarët dhe deri më 12.3.1943 ajo arriti në 220 pjesëmarrës. Ndërkaq –qysh në fillim- nëpër fshatrat e krahinës në dobi të çetës vepronin edhe konispolitët: Rexhep Mero Nushi, Izet Hamza Berishaj, Bujar Shehu dhe Hasan Niko Lati.
camiko.al

