Vashazt e një shekulli më parë, i merrnin gratë e plakat, mes tyre ishin edhe dadat (mëndesha të punësuara sidomos për nuset e reja që të ambjentoheshin me shtëpinë dhe njerëzit e familjes së burrit), dhe, i çonin në mal, tek guri i Elimit.
Kështu mbaj mend nan Havanë nga Kurtesi, kur e tregonte në muhabetet familjare, shumë vite më parë.
Aty te sofra që hanin Elimët gjigand, në një nga ditët e para të marsit, këto mususe(musa) u tregonin si të mbanin higjienën pas gjakoneve(zakoneve).
Si të silleshin me trupin para se të bëheshin gra dhe më tej kur të bëheshin gra. Këto gra e plaka, sidomos Dadat ishin homologet e mësueseve të sotme të sexit në shkolla.
Ishin vetëm femra mësueset dhe nxënëset. Edhe nanë Pembezeja, e martuar në fisin e babait, kur vinte nga Fieri tregonte ngjarje të kësaj natyre.
Ajo ishte një grua e madhe në shtat, me kujtesë e rrëfimtari të madhe gjithashtu, por emri i saj është Pembeza, pemë e vogël.
Sa emër i bukur “shqip shqip”. Sot do ishte 100 vjeç dhe ne sot nuk kemi ku ta gjejmë këtë pemë lisi, ta pyesim për këto tema tabu, që sot po bëhen “lesh e li” nga opsionet edukative të mësuesve sociopsikologë modern.
Nanë Havaja gjithashtu e thyer në moshë, po shkonë tek 90-tat dhe ka shkuar në Boston. Duhet pyetur pasi ajo vetë ka qenë vajzë e vogël dhe tregimet e saj për këtë ritual edukativ pagan do ishin me shumë vlerë.
…
Skulptura është një bocet në allçi në dimesionin 70 cm dhe e ardhmja do më ndihmojë ta realizojë në madhësi natyrale.
I vura emrin Donalizë nga Dodona, Diona, Diana-Artemisë dhe e konceptova në gjest e lëvizje “prematurale”, në ilustrim të kësaj dite të ritualit femëror në përgatitje për jetën.
Me kurorë lisi mbi krie një “pembëzë” dhe shigjetën në duar, të cilat tregojnë gjest mbrojtje dhe ndrojtje dhe në majën e së cilës do jetë fruti i lisit.
Gjithashtu në harmoni vazhdimësie e adhurimi për Monalizën e mësuesit të madh Da Vinci.

