Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi në datat 18, 19 dhe 20 shtator ekspozitën me titull “Saga e Dinejve – Çamët që bënë histori”, e cila u zhvillua në ambientet e Kalasë së Tiranës.
Gjatë tre ditëve të saj, ekspozita tërhoqi vizitorë të shumtë, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me dokumente, fotografi dhe dëshmi të rralla historike që ndriçuan veprimtarinë e një prej familjeve më të shquara të Çamërisë – Familjen Dino. Kjo familje ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në historinë kombëtare, kulturën shqiptare dhe diplomacinë ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin e shtetformimit dhe zhvillimit të Shqipërisë.
Ekspozita u vlerësua si një mundësi e rrallë për publikun për të njohur më nga afër figurat që bënë histori dhe që mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës kombëtare. Përmes këtij aktiviteti, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” synoi jo vetëm të sjellë në vëmendje kontributin e Familjes Dino, por edhe të forcojë ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë historike të Çamërisë, duke e përcjellë atë tek brezat e rinj.






















