Më 9 prill 1931 u nda nga jeta atdhetari dhe luftëtari i njohur Muharrem Rushiti. Më 9 prill 1931, në Sarandë u nda nga jeta Muharrem Rushiti (1856-1931), luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), udhëheqës çetash kryengritëse kundër sunduesve osmanë, pushtuesve grekë e italianë.
Lindi në fshatin Koskë të Çamërisë. Mori pjesë që herët në lëvizjen kombëtare. Në 1902 udhëhoqi kryengritjen kundër osmanëve në Filat. Në vitet 1908-1912 ishte anëtar i kryesisë së shoqërisë kombëtare (klubit) “Vëllazëria” të Filatit për anën ushtarake.
Më 1909 ngriti çetën e tij, e cila luftoi pa ndërprerje kundër bandave të andartëve grekë dhe kundër ushtrive osmane e greke, për çlirimin e vendit dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale.
Gjatë kryengritjeve të viteve 1911-1912 bashkëveproi me çetat e Labërisë e të Mallakastrës dhe së bashku me to, më 9-10 shtator 1912, çeta e tij shpartalloi bandat greke në Çukë të Sarandës.
Më 1913-1914 luftoi kundër pushtuesve grekë në vijën Kolonjë-Fushëbardhë (Kurvelesh) dhe kundër kryengritësve esadistë në zonën e Vjosës, ndërmjet Fierit e Vlorës.
Në 1919, së bashku me Alush Takën e atdhetarë të tjerë çamë, i dërgoi në emër të çamëve Konferencës së Paqes në Paris një përkujtesë ku kundërshtohej shkëputja e Çamërisë nga trungu kombëtar shqiptar.
Më 1920, me çetën e tij, mori pjesë në Luftën e Vlorës.

