Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Histori

Çështja e Kosovës dhe Çamërisë në veprimtarinë e Kristo Dakos Nga Dhimitër Dishnica.

Çështja e Kosovës dhe Çamërisë në veprimtarinë e Kristo Dakos

Nga Dhimitër Dishnica

Lufta botërore mbylli siparin e saj në fundin e vitit 1918. Kudo, brenda dhe jashtë Shqipërisë, po përpiloheshin platformat dhe alternativat që kishin në themel të tyre krijimin e një shteti plotësisht të pavarur. Ajo që të binte më tepër në sy, gjatë kësaj kohe ishte zgjidhja në favor të këtij qëllimi i disa prej problemeve të shtruara përpara lëvizjes kombëtare shqiptare, si p.sh. do të kërkohej pavarësia e plotë, apo vendosja e ndonjë protektorati të ndonjë fuqie të madhe dhe mbi të gjitha a do të mundeshin grupet e ndryshme, përfaqësuesit e shtresave shoqërore të përcaktonin një platformë dhe program kombëtar për t’ia paraqitur Konferencës së Paqes në Paris.


Të gjitha këto, kërkuan në situatat e caktuara, vëmendje, përkushtim, angazhim të madh nga të gjithë burrat e mençur të Shqipërisë, të cilët jo pa dhimbje bënë përpjekjet e domosdoshme për të kapërcyer pa hezitim murin e përçarjes dhe mosmarrëveshjeve që ekzistonin. “Asnjë mbështetje e Anglisë, e Amerikës ose e ndonjë vendi tjetër nuk mund të sjellë bashkimin e shqiptarëve, i shkruante Edith Durham i Sevasti Qiriazit. Bashkimin duhet ta kryeni juve vetë dhe në qoftë se nuk e kryeni për së shpejti, kur të vijë paqja do të gjendeni jashtë portës me llambën e pandezur si Virginia në Ungjill dhe të tjerët do të jenë gati të marrin vendin tuaj”.


Problemet shqiptare gjatë vitit 1918 nuk zunë vend brenda mendimit politiko-shoqëror shqiptar, por territoret kryesore dhe ardhmëria e Kosovës dhe Çamërisë u ndërkombëtarizuan në forume të ndryshme. Organizata “Bashkimi i Evropës Qendrore”, organizatë politike iredentiste, përfshinte në gjirin e saj të gjitha vendet e robëruara të Evropës. Ajo e konsideronte Shqipërinë njëlloj me Belgjikën si shtet neutral por që gjatë luftës ballkanike dhe evropiane ishte pushtuar nga ushtritë e huaja.


Për të përfaqësuar Kosovën dhe Çamërinë, të cilat ende mbaheshin të roberuara, me kërkesën e drejtorit të kësaj Organizate u ftua Kristo Dako, drejtuesi kryesor i Partisë Politike, me mandatin e së cilës u bë anëtari legjitim i kësaj organizate. Kjo organizatë kishte si qëllim kryesor zgjidhjen e problemeve të çdo kombësie dhe nxjerrjen e problemeve që do shtronte çdo vend, pjesëmarrës në këtë organizatë, përpara Konferencës së ardhshme. Ajo do të luftonte nëpërmjet përfaqësuesve të këtyre vendeve, që t’iu bënin ballë problemeve dhe ngatërresave që pengonin zbatimin e parimeve për të cilat kishin vendosur.

Përfaqësuesit e kësaj organizate kishin deklaruar që të mos kishte diplomaci të fshehtë por do të bashkonin fuqitë e tyre dhe të deklaronin lirinë e plotë të çdo kombësie. Kjo organizatë kryesohej nga Prof. Dr Thomas G. Masaryk, i cili me mbarimin e luftës u zgjodh Presidenti i parë i Çekisë. Mbledhja e parë plenare e kësaj organizate u mbajt më 18 tetor 1918, në të njëjtën ndërtesë dhe në të njëjtën sallë ku u firmos pavarësia e SHBA më 4 korrik 1776.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të Filadelfias priti përfaqësuesit e kësaj organizate. Z. Miller, drejtori i organizatës “Bashkimi Demokratik i Evropës Qendrore”, i parashtroi Kryetarit të Bashkisë qëllimin e kësaj lëvizjeje dhe i lutet që t’i jepte leje e liri përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse të kësaj organizate, të mbanin kuvendin e tyre të parë në vendin e shenjtë ku u shpall liria e Amerikës.


Në seancat e para e mori fjalën edhe përfaqësuesi shqiptar Kristo Dako. Ai tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, me oratorinë e tij duke argumentuar lashtësinë e popullit shqiptar dhe padrejtësitë që i ishin bërë duke i cunguar në mënyrë drastike kufijtë e Shqipërisë. Ai duke iu referuar fjalës së përfaqësuesit jugosllav, Hinsko Hinskovic, tha se “nga fjalët zyrtare të tij kuptova se fqinjët tanë serbë hoqën dorë njëherë e mirë dhe përgjithmonë nga kërkimi i pa drejtë që kishin për të dalë në Adriatik nëpërmjet Shqipërisë”.


Me fakte dhe argumenta historike ai hodhi poshtë pretendimin e përfaqësuesit grek të Trakës dhe Anadollit që Vorio Epiri, sipas tij, i përkiste Greqisë, duke këmbëngulur se delegati grek në këtë organizatë nuk kishte ardhur për të çliruar popujt e robëruar por për të robëruar toka që nuk i përkisnin.

Pas disa ditë diskutimesh u organizua një ceremoni madhështore dhe përfaqësuesit e kombeve të robëruara nënshkruan “deklaratën e qëllimeve të përbashkëta e kombeve të çliruara të Evropës.” “Të mbledhur në kuvend në Independence Hall në Philadelphia Penn të SHBA më 26 tetor 1918, thuhej në deklaratë, ne që përfaqësojmë bashkërisht më shumë se 50 milion njerëz që formojmë një zinxhir kombesh midis Balltikut, Adriatikut, dhe Detit të Zi, tërësisht apo pjesërisht nën sundimin e huaj, nënshkruajmë këto që pasojnë.”


Kopje të deklaratës së qëllimeve të përbashkëta të kombeve të robëruara iu dorëzuan Presidentit të SHBA Wilson, përfaqësuesve të Independence Hall dhe pjesëmarrësve që nënshkruan deklaratën. Organizata “Bashkimi i Evropës Qendrore”, disa ditë më vonë u mblodh sërish në Washington.

Me rastin e mbylljes së punimeve të kuvendit të Bashkimit të Evropës Qendrore u mbajtën disa mitingje në New York, Washington dhe Çikago. Në banketin që u organizua në New York, në sallën e hotelit “Plama”, në të cilin ishin ftuar më se 300 personalitete të zgjedhura nga ky qytet, pas fjalës që mbajtën Prof. Dr Mazaryk dhe Prof. Muller u lexua telegrami i përshëndetjes së Presidentit Wilson. “U lutem u zgjatni urimet e mia të nxehta përfaqësuesve të kombeve të Evropës Qendrore,” u shkruante midis të tjerash ai, “dhe u tregoni kënaqësinë time të thellë që të bëjmë një përshtypje bashkimi parimesh të patundura midis nesh”.

Çështja e Kosovës dhe Çamërisë ishte në rendin e ditës në krejt veprimtarinë e Kristo Dakos. Ai, në këto vite, ishte bërë mjaft i njohur në sferat e larta të shoqërisë amerikane dhe, në çdo rast, ai dinte të parashtronte kërkesat dhe programin e lëvizjes kombëtare për përfshirjen e të gjitha krahinave të shkëputura brenda territorit shqiptar.


Më 28 nëntor të vitit 1918, ai u ftua që të merrte pjesë në takimin me njerëzit që do të shoqëronin Presidentin Wilson në Konferencën e Paqes në Paris. Ai bisedoi hapur me ta, u parashtroi faktet dhe argumentet në lidhje me kërkesat për të ardhmen e Shqipërisë. Ai u kërkoi atyre që të zbatojnë me ndershmëri dhe pa paragjykime parimet e shpalosura nga Presidenti Wilson, në themel të së cilave ishin parimet e kombësive, për të mbrojtur dhe mos lejuar që të shkeleshin të drejtat e kombit më të vjetër të Ballkanit, pavarësia e tij.


Midis të tjerash, ai iu kërkoi që brenda territorit shqiptar të përfshiheshin edhe krahinat e Kosovës dhe Çamërisë. Nga ana tjetër, ai bëri ç’ishte e mundur dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për të sensibilizuar miqtë e tij amerikanë me problemet dhe kërkesat shqiptare. Çështjet e Kosovës dhe Çamërisë zinin vendin kryesor në protestat, memorandumet, telegramet që iu dërgoheshin drejtuesve të lartë të Konferencës së Paqes në Paris.


Është për t’u theksuar fakti se Kristo Dako, para dhe gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes, u bë një nga luftëtarët më të vendosur që kërkoi me këmbëngulje përfshirjen e Kosovës dhe Çamërisë brenda kufijve të shtetit amë. Në një nga telegramet e protestës drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes, George Clemenceau, ai theksonte se, “Çamëria, pjesë integrale e Shqipërisë, padrejtësisht iu dha Greqisë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913”. Ai në telegram, për të theksuar autoktonitetin e tyre, jepte një pasqyrë të popullsisë së saj.