27 mars 1913- Masakra e Selanit, nisja e genocidit në Çamëri
Nexhat Merxhushi/Mehmet Minga
Vështirë që të ketë këngë epike të krahinës së Çamërisë me këto përmasa të dhimbjes njerëzore. Në një këngë të krijuar në Filat dhe që studiuesi dhe mbledhësi i njohur i folklorit Fatos Mero Rrapaj e ka gjetur në vitin 1955, rreshtohen gati të gjith ata që u bënë therror i mëmëdheut të tyre, i cili këndëj e tutje do të lëngonte nën thundrën e pushtuesit grek. Bashkë me këta heronj të vërtetë të lirisë së Çamërisë, kënga mori përsipër që të vinte përballë ata që projektuan dhe ekzekutuan këtë krim barbar, duke nisur nga barbari grek Deli Janaqi.
Masakra e Selanit kishte një sfond aspak të favorshëm për popullsinë çame, e aq më tepër edhe për shtetin e ri shqiptar që ishte krijuar vetëm para pak muajsh më 1912, duke lënë jashtë kufijve territorin e Çamërisë dhe të Kosovës. Shteti grek, i përgatitur për këtë fitore të madhe politike e diplomatike, kishte përgatitur skenarë nga më të egrit mbi popullsinë e pambrojtur të Çamërisë, që tani e tutje do të ishin në oborrin e një shteti që asnjëherë nuk ua kishte dashur të mirën dhe që asnjëherë nuk ua kishte përkrahur identitetin e tyre kombëtar, fetar, kulturor, aq më shumë atë gjuhësor. Masakra e Selanit ishte masakra më e madhe që ka shkaktuar qeveria greke në një ditë të vetme. Një masakër që do të përsëritej më forcë pas 30 viteve më vonë.
Për ironi të fatit, në të njëjtin vend si Paramithia, si simbol i qytetërimit shqiptar në Çamëri. Përpara qeverisë greke ishte plani ogurzi që të zhdukeshin krerët më të spikatur të fshatrave çame. Më 27 mars 1913, nën dritën e hënës, të 200 andartët u vërsulën në fshatrat çame. I kishin të shënuar të gjithë emrat e atyre që do t’i vinin në gijotinë. Në grupin e parë ishin ata që shkonin në fshatin Nihuar, Rrëzanj, Beden, Koriqan, Skupicë, Dramës. Pas trokitjes së parë në portë ata u thoshin: “Vishuni bukur se ju kërkon qeveria. Do të merrni emërimin si kryeplak ose ndonjë emërim tjetër ”.
Porsa dilnin te dera të veshur bukur, andartët u lidhnin fort duart me tela dhe i merrnin me vete. Në Mininë u arrestuan 29 vetë: Xhemal Ademi, Veli Murati,Vesel Balo, Nuh Nuhu, etj. Në Njihuar u morën 21 vetë: Bejaz Selim, Adem Shehu, Duro Dauti, Gafur Qemali, etj. Në Koriqan (Rrëzanj) u morën 15 vetë, midis të cilëve dy djem të mirë si Mehmet Maza dhe Shuaip Meta…Në Dramës u morën 17 vetë, në Nikolicë 9, në Skupicë 10, në Bedelenë 7, në Vratilë 4, në Grikë 5, në Paramithi 5 dhe në Vrisi e Shëmrizë nga 4 vetë.
Pothuaj 90% e fshatrave të masakruar ishin të Paramithisë.Kështu vargu i burrave më të mirë, më të shkolluar dhe më patriotë të këtyre fshatrave shkoi 73 vetë. Në kohën që ashtu, të lidhur mirë e në kërcënimin e armëve, andartët i nisën për në Paramithi, si fillim të lidhur dy e nga dy, i vendosën në shtëpinë e Kushenjve në Skupicë, që kishte një avlli të lartë. Para se të niseshin, një djalë 21 vjeçar, i quajtur Vejsel Rexho, pasi zgjidhi duart e shokut të tij, u hodh nga avllia.
Në breshërinë e pushkëve të andartëve ai u largua dhe i shpëtoi i vetëm lukunisë greke. I morën të 72 burrat dhe i nisën për ekzekutim.Tek rrapi i Kushes u ndalën nga një grup i komandës së Garnizonit prej 5 vetash, që i dhanë një letër sekrete komandantit të kësaj masakre, Deli Janaqit. Ishte një letër që vinte direkt nga komandanti i garnizonit të Paramithisë, Kol Dhimitraqi. Me të marrë letrën Deli Janaqi urdhëroi që burrat të grumbulloheshin në një grykë përroi, ku do të eliminoheshin që të gjithë. Rruga po i çonte nga Përroi i Selanit, ku krismat mund të dëgjoheshin sa më pak.
Të gjith të lidhurit e kuptuan këtë dredhi, ndaj filluan të kundërshtonin, por andartët i shponin me bajoneta në trup. Dalan Binozi u thotë andartëve: “Ne e kuptuam se ju po na çoni për të na vrarë, por dijeni se Çamërisë nuk do t’i mungojnë burrat edhe pas vrasjes sonë”. Në kohën kur i futën në grykën e ngushtë të Selanit, u dha urdhri “zjarr”. Gjysma e burrave ra menjëherë, ndërsa të tjerët po goditeshin me sëpata e me kondakë të pushkëve. Ende pa u dalë shpirti filluan t’i grabisnin.
Me ditë të tëra dëgjoheshin rënkime të burrave gjysmë të vrarë, që po jetonin vdekjen e dytë. Në atë varrezë masive, që nuk u mbulua kurrë, ishte njolla më e madhe e turpit të qytetërimit grek. Rrallë gjen në Evropë raste analoge ku të jetë vepruar me aq sadizëm siç vepruan grekët për shfarosjen e popullsisë shqiptare të Çamërisë. Masakra e Selanit paralajmëronte genocidin në vazhdim. Egërsia, mjetet që u përdorën kundër parësisë së Paramithisë, duke i copëtuar me thika e sëpata, lënia pa i varrosur me ditë të tëra, synonte të ngjallte panik që pjesa tjetër e popullsisë të braktiste gjithçka dhe të merrte rrugën e mërgimit. Por gjakftohtësia dhe qëndresa e vendosur e shqiptarëve bëri që të dështonte plani i Deli Janaqit dhe i forcave shoviniste.
Ndaj kësaj barbarie autoritetet greke, jo vetëm nuk reaguan, por morën në mbrojtje kriminelët, që vetë i kishin dërguar. Për këtë, në një raport të Konsullit Austro-Hungarez në Janinë, drejtuar Vjenës, thuhet: “Një oficer që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve” (A.K. i Vjenës për Shqipërinë, dosja 23, dok.17, nr.61, Janinë 11.8.1913)

