Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Art dhe Krijimtari #Autoktoni

Përparim Kapllani: “NJË GRUSHT DHÈ…” NGA ÇAMËRIA (HISTORI BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETA)

“Kalla ise?” – e pyeti ajo në greqisht.
“Kalla” – u përgjigj ai.
– E ti? – e pyeti ai në anglisht. – Më vjen keq, por nuk di fare greqisht; prindërit e mi kanë jetuar këtu më shumë se 50 vjet më parë.
Gruaja u afrua më shumë.
– Të pashë të bëje foto të shtëpisë time, – e akuzoi ajo atë.
– Po, bëra disa foto. Foto nga shtëpia e familjes së tim ati. Kjo shtëpi nuk është juaja. Thjesht sa e keni në përdorim. Nuk jeni pronarë. Të gjitha shtëpitë në këtë qytet u përkasin shqiptarëve. Erdha këtu të bëj disa foto e të marr një grusht dhe nga kjo shtëpi për babanë tim, që t’i shohë. Ai është i sëmurë rëndë dhe mund të vdesë nga momenti në moment.
– Je çam?
-Po! Çam jam.
– Këput qafën që këtu, përndryshe do të thërras policinë, – tha gruaja duke u bërë menjëherë agresive.
– Erdha këtu që të marr një grusht dhe nga toka që i përket babait tim, për ta hedhur mbi varrin e tij kur të vdesë. Tani që e mora, po iki.
Me të thënë këtë, Zylyftari u kthye për të ikur, por këmbët nuk i bënin. Dukej se e mbante toka të mbërthyer. “Nëse largohem tani, dhe marr me vete vetëm këtë grusht dhe, amaneti i tij nuk do të jetë i përmbushur”- mendoi.
U largua dhe u drejtua për te taksia. Teksa iu afrua asaj, një makinë policie u shfaq dhe ndaloi përballë tij. Doli një polic dhe iu afrua duke folur greqisht. Dëgjoi fjalën “karta”. Kuptoi se duhet t’i tregonte policit dokumentet e identifikimit. Nxori pasaportën e tij amerikane. Këtë herë polici iu drejtua atij në anglisht.
– Më falni zotëri, por, a keni hyrë pa leje te ajo shtëpi atje përtej?
– Jo zotëri. Nuk hyra pa leje. Ajo është shtëpia ime. Kohë më parë iu mor me forcë familjes së babait tim. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht shtëpia ime.
– Jetoni atje?
– Jo zotëri. Nuk jetoj atje tani. Jetoj në Amerikë.
– Pra ke hyrë pa leje. – këmbënguli polici. – A jeni një qytetar amerikan?
Ai e pa me dyshim pasaportën e Zylyftarit.
– Po zotëri. Jam një amerikan. Gjyshërit e mi kanë jetuar në atë shtëpi. Qeveria juaj na përzuri që aty dhe vrau ata që nuk mundën të largoheshin.
Zylyftari foli me guxim ndaj policit, duke e parë atë drejt e në sy. Polici nxori armën e tij dhe e ngriti deri sa tyta preku ballin e Zylyftarit.
– Emri jot duket si emër mysliman. Shqiptar je?
– Po, jam me origjinë shqiptare. Jam çam.
– O, çam, ë? Ah. Pra ti vjen këtu për të bashkuar Çamërinë me Shqipërinë, apo jo?
– Jo zotëri, erdha këtu për të parë shtëpinë e babait tim.
Zemërimi dhe urrejtja po shkëlqenin në sytë e policit.
– Juve duheni zhdukur të gjithë njëherë e mirë. Jeni tradhtarë. Ju çamët bashkëpunuat me nazistët gjermanë gjatë pushtimit të Greqisë, kështu që ju nuk keni të drejtë të ktheheni pas dhe ta quani këtë “shtëpi”. Ju jeni “Schumannschaft” gjermanë, minoritet tradhtarësh që luftuan vendasit kudo në Europë.
Polici thuajse i pështyu fjalët e fundit, duke e mbajtur ende armën në kokën e Zylyftarit.
– Ti nuk e njeh historinë tënde, or mik – tha Zylyftari në mënyrë sfiduese. – Kishte grupe me shqiptarë çamë që luftuan po ashtu edhe për çlirimin e Greqisë. Kishte më shumë çamë patriotë që luftuan për vendin e tyre se sa ata pak çamë që bashkëpunuan me nazistët.
Zylyftari nuk mund të heshtte. Edhe pse mund të përfundonte në telashe, duhet të thoshte atë që ishte e drejtë.
– Spastrimi etnik i një minoriteti të tërë nuk mund të justifikohet nga këto fakte injorante të sajuara. Ti po më drejton armën mua, një qytetari amerikan, që po viziton këtë vend. Do të lajmëroj ambasadën dhe do tu them atyre se policia greke po më kërcënon.
Dora e policit u drodh, por ai e mbajti tytën e armës përsëri te koka e Zylyftarit.
– Çfarë ke në çantë?
– Kam rrobat e mia dhe pak dhe.
– Çfarë?
– Dhe. Dhe nga toka e tim ati.
– Je në rregull nga mendtë e kokës? Ti je i çmendur. Për se të duhet dheu?
– Për ta hedhur në varrin e babait tim, kur të vdesë.
– Përse? Nuk ka dhe te ju në Shqipëri?
– Jo, ai do që të varroset me dhe nga Çamëria.
– Eja me mua në komisariatin e policisë.
– Përse?
– Je i akuzuar se ke shkelur pronën e dikujt dhe se i ke vjedhur pasurinë. Lëviz!