Arben Kondi, shkrimtari që ka rrëfyer kronologjikisht historinë e Çamërisë dhe të Kosovës
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” promovoi më 19 qershor, në ambjentet e Tirana Internacional, jetën dhe krijmtarinë e shkrimtarit Arben Kondi. Shkrimtari Arben Kondi sapo botoi me rastin e 80 vjetorit të genocidit grek kolanën me 10 vëllime për Çamërinë dhe librin e ri “Dëbimi”.
Në një sallë të tjembushur me personalitete, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” Alket Veliu u shpreh se çështja e Çamërisë u bë ushqimi shpirtëror i Arben Kondit. Më tej, Veliu theksoi se atë që ka bërë Mit’hat Frashëri, që është në qendër të librit “Dëbimi” të Kondit, nuk e ka bërë shteti shqiptar në 100 vite.
“Në vazhdën e aktiviteve për 80 vjetorin e genocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë që kemi bërë nuk mund të mungonte vepra, veprimtaria e Arben Kondit. Ai është një nga publicistët dhe shkrimtarët më të spikatur. Ai ka hedhur dritë mbi plagët e vendit tonë. Tema e Çamërisë u bë ushqimi shpirtëror i tij. Tek libri i fundit “Dëbimi” gjejmë figurën emblematike të Mit’hat Frashërit. Dihen përpjekjet e tij për të ndaluar spastrimin etnik të Çamërisë.
Ai ngriti zërin e protestës në Athinë dhe organizata të tjerë që projekti për spastrimin e Çamërisë të mos realizohej. Mit’hat Frashëri si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë në vitet 1923-26 ka bërë aq shumë për Çamërinë sa nuk kanë bërë të gjithë ambasadorët, ministrat dhe administratat e tyre në 100 vitet fundit.
Janë mbushur 80 vite nga dëbimi i shqiptarëve të Çamërisë nga trojet e tyre dhe asnjë politikan, deputet, ministër apo kryeministër nuk ndërmerr nisma domethënëse për të zgjidhur çështjen çame dhe shumica e tyre nuk vendosin as një tufë me lule për viktimat e Çamërisë që prehen në Kllogjer”, tha ai.
Shkrimtarja e njohur dhe deputetja Flutura Açka foli për mesazhet e fuqishme të veprave të A. Kondit, si lëvrues i romanit histrorik, një zhanër i rrallë në letërsinë shqipe. Zonja Acka solli para auditorit edhe përjetimet e saj personale nga një vizitë në Prevezë, ku kish mbetur mjaft e emocionuar nga prania e elementit shqiptar atje. Deputetja shpreh po ashtu zhgënjimin e saj nga politika dhe shteti shqiptar, që gati e kanë harruar këtë çështje të rëndësishme kombëtare. Edhe shkrimtari Resmi Osmani rrëfeu përjetimet e tij mbi krijimtarinë e A. Kondit, të lidhur në mënyrë organike dhe të pandashme nga Çamëria. Ai e vlerësoi Kondin si shkrimtar të spikatur, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme për afirmimin e vlerave të vërteta të historisë së Çamërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Studiuesi dhe poet inga Kosova, Berat Luzha, duke e mbiquajtur Kondin jo vetëm poet të Çamërisë, por edhe të Kosovës, tha se ky autor dallohet për personalitetin e tij letrar, si poet e shkrimtar i respektuar në mbarë etninë shqiptare. Luzha tha se liria nuk do të fitohej kurrë pa gjakun e bijve tanë. Dhe ky është një nga lajtmotivet e krijimtarisë së Kondit.
Shkrimtari i njohur Enver Kushi tha se Arben Kondi ka rrëfyer kronologjikisht historinë e Çamërisë dhe të Kosovës, duke sjellë vlera të spikatura në letërsinë artistike të dokumentuar.
Libri i fundit “Dëbimi”, ku në qendër është figura e Mit’hat Frashërit, ka në qendër shkatërrimin dhe largimin e detyruar të çamëve nga trojet e tyre. Kujtesa çame në veprat e Kondit është nga më të çuditshmet dhe befasueset në tërësinë e kujtesës shqiptare dhe si pjesë e saj, e zhvendosur nga shtrati i Epirit, na mrekullon me larminë, lirizmin, dramacitetin e skajshëm. Krahas imazheve të tmerrshme të të krimeve të bandave zerviste, shtëpive në flakë, të vrarëve dhe të masakruarve, jepen edhe imazhet e detit dhe të qiellit, fushave pjellore, kodrave me ullinj etj.
Edhe prof. Laurant Bica, një nga nismëtarët e shoqatës Çamëria dhe kontribues i palodhur në gazetën Çamëria tha se A. Kondi është një veprimtar i njohur kombëtar dhe një poet i orëve të para. Ai recitoi dy poezi interesante të autorit dhe tregoi disa momente pikante të bashkëpunimit me shkrimtarin.
Në mbyllje të takimit Arben Kondi dhe bashkëshortja, autore e librit ”Kuzhina Çame”, falenderuan miqtë dhe të ftuarit, si dhe Fondacionin Çamëria si organizator të takimit.













