Historianët e njohur britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, takohen me të rinjtë çamë
James Pettifer dhe Miranda Vickers, dy historianët dhe studiuesit e njohur britanikë, të njohur për disa botime interesante për Ballkanin dhe veçmas për shqiptarët, zhvilluan të hënën, më 16 tetor 2023, një auditorium me të rinj e të reja, pjesëtarë të komunitetit çam. Takimi i zhvilluar nën kujdesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, u drejtua nga zoti Alket Veliu, i cili tha se “të dy studiuesit kanë kryer disa studime dedikuar çështjes çame dhe kanë arritur në përfundimet e tyre, duke e parë atë nga një këndvështrim i veçantë”.
“Kemi pasur një mungesë kontakti me brezat e rinj të popullsisë çame, ndaj ishim shumë të interesuar për këtë takim, tha në hyrje të bisedës profesor James Pettifer. Si përfaqësues të brezit të ri ju duhet të mbroni me vendosmëri identitetin tuaj kombëtar, qoftë dhe përmes promovimit të historisë dhe kulturës.
“Jemi të emocionuar për arritjet e komunitetit çam në Shqipëri, u shpreh në vijim znj. Vickers . Ju po e mbani të gjallë historinë dhe kulturën tuaj. Me sa duket rrëfëmet e gjyshërve tuaj për Çamërinë ju i keni rrënjosur mirë në mendje e në zemër. Fushata më e mirë është të flasim për anën e drejtë të historisë”.
“Gjëja më e mirë do të ishte të mësohej çështja çame në shkolla, ndërhyri prof. Pettifer. Por kjo çështje prej vitesh nuk trajtohet në shkollat shqiptare. Më shumë trajtohet në Kosovë, se sa në Shqipëri. Mua kjo gjë më irriton shumë dhe nuk e di si mund të ndryshojë kjo politikë nga Ministria e Arsimit. Ndoshta duhet ushtruar presion ndaj kësaj ministrie, duke protestuar te dera e saj.
Por pikë së pari le të bëjmë një prezantim të punës sonë, si historinë që jemi marrë me trajtimin e çështjes shqiptare, thanë historianët.
“Kemi ardhur në Shqipëri para 31 vitesh si gazetarë. Kalimin tonë e kemi bërë përmes Greqisë dhe fillimisht qëndruam në zonat minoritare greke”, tha Pettifer. “Në atë kohë nuk e njihnim kauzën çame”, ndërhyri Miranda Vickers.
Prof. Pettifer përmendi botimin e disa veprave për Çamërinë dhe trojet e tjera shqiptare, në bashkëautorësi me kolegen Miranda Vickers, vepra si: “Çështja çame, etapa e re”, “Albania” “Çështja shqiptare, riformësimi i Ballkanit” etj. Vetë profesori i njohur i Universitetit të Oksfordit, James Pettifer, ka autorësine e veprave si “Woodhouse, Zerva dhe Çamët”, Grekët”, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” ,“Çështja e Maqedonisë së re” etj.
Ndërsa Miranda Vickers ka publikuar veç të tjerash librat e njohur: “Ç’po bëhet me çështjen çame”, “Shqiptarët, një histori moderne”.
Librat e tyre, përmes botimve dygjuhëshe (anglisht- shqip), marrin në analizë çështjen shqiptare në përgjithësi dhe atë çame në veçanti. Veç historisë së Çamërisë, vlerave të trashëgimisë kulturore dhe materiale të saj, autorët kanë trajtuar edhe gjenocidin grek, qëndrimin e fuqive të mëdha ndaj çështjes çame gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, zbardhjen e Traktatit të Miqësisë dhe ndikimit të tij në çështjen çame, faktorët dhe nismat politike në të dy vendet përkatëse, si dhe rezonancat e tyre në politikën ndërkombëtare. Në librin “Çështja çame, etapa e re”, jepen argumenta për qëndrimet ndaj çështjes çame nga protagonistët politikë të periudhës tranzitive, prej regjimit totalitar në shoqërinë e hapur.
“Në Greqi ka shenja të dukshme racizmi dhe nacionalizmi. Greqia e konsideron veten superior ndaj vendeve të tjera të Ballkanit. Grekëve u lejohet të jenë nacionalistë, shqiptarëve jo. Ka njëlloj përulësie nga pala shqiptare, tha prof. Pettifer, duke theksuar se edhe shteti shqiptar ka bërë shumë gabime në trajtimin e minoritetit.
Në këtë moment, ndërhyri këshilltarja e Këshillit bashkiak të Konispolit, Sildi Koqini, duke iu referuar censusit që po zhvillohet aktualisht. “po tentohet që Konispoli të kthehet në bashki minoritare dhe kjo do të ishte fatale! Duhet ta mbrojmë atë Çamëri që na ka ngelur, deklaroi me shqetësim Sildi. Menjëherë ndërhyri znj. Vickers: “Grekët e kanë bërë këtë prej kohësh në Jugun e Shqipërisë. Po rikthehen kohërat e vjetra…”.
Ne jemi përpjekur të rizgjojmë çështjen çame te ndërkombëtarët qysh në vitin 2002 dhe kjo klimë krijoi debat për 6 vite rresht. Ne kemi vendosur qysh në atë kohë të bëjmë një histori të plotë të çështjes çame. Është një projekt i madh, që e kemi nisur fillimisht me artikuj dhe informacione të vogla.
Kur publikuam librin e parë të Mirandës nuk është se e pëlqyen. Unë drejtoja një qendër kërkimore – shkencore dhe qeveria britanike nuk dëshironte të publikonim materiale kur bëhej fjalë për vende anëtare të BE-së, apo që krijonin njëfarë shqetësimi për palën greke”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve që u drejtuan të rinjtë, të dy historianët ishin të qartë në qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes çame. Për të dy studiuesit çështja çame do të duhej të ishte hapi i menjëhershëm i qeverisë shqiptare për ta çuar atë drejt zgjidhjes. Nëse nuk zgjidhet tani, problemi nuk do të zhduket; ai është si kanceri që përhapet pambarim – u shprehën ata. Deri tani shqiptarët kanë heshtur dhe logjikisht grekët kanë thënë që nuk ka një problem çam. Tani është koha që shqiptarët t’i kërkojnë qeverisë së tyre të ndërhyjë, por gjithmonë duke e trajtuar këtë si një çështje të shkeljes së të drejtave të njeriut. Shteti shqiptar duhet të flasë i pari. Qeveritë shqiptare dhe greke duhet të bëjnë hapat e parë të bashkëpunimit.
“Hapi i parë që duhet bërë është ai i pranimit nga të dya qeveritë respektive se ka një çështje çame, tha profesor Pettifer. Më tej duhet të njihet historia e vërtetë e tyre. Një hap tjeter që duhet të kapërcehet është që qeveria greke t’u kërkojë ndjesë publike çamëve. Më tej Greqia duhet t’i japë fund regjimit diskriminues me ndalimet në dogana për çamët e lindur në Çamëri. Ata duhet të shkojnë në Greqi lirshëm dhe të ndihen si qytetarë grekë. Natyrisht që qeveria greke duhet të ndërmarrë një operacion dëmshpërblimesh. Disa çamë do të preferojnë të shkojnë në tokat e tyre, disa të tjerë jo dhe gjithçka mbyllet me pak dëshirë e vullnet të mirë. Nuk ka për të ndodhur një fenomen i papërballueshëm.
Kjo nuk është një çështje e ndryshimit të kufijve. Kjo është një detyrë morale dhe ndërkombëtare, pra mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë”. James Pettifer, në vijim, e zgjeroi analizën e tij duke u shprehur se “zgjidhja e çështjes çame do të ndikojë edhe në futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi një nga kushtet është që të mos ketë çështje të pazgjidhura mes shteteve anëtare. Edhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë mënjanë. Dhe mënjanë do të rrijë përderisa Shqipëria dhe Greqia do të vazhdojnë të heshtin. Kujtojnë se mbase çamët do e harrojnë një ditë plagën e tyre… Por shpërngulja e çamëve drejt kufijve shqiptarë është një padrejtësi, e cila tashmë duhet të pranohet dhe të zgjidhet. Grekët kanë pretenduar se çamët ishin “kolaboracionistë të nazistëve gjermanë”, por e vërteta thotë se 99 përqind e popullsisë çame nuk ka pasur asnjë lidhje me nazizmin. Gjithsesi rrënjët e një veprimi të tillë gjenocidal ndaj çamëve lexohen më herët. Në vitet 1920 -1930 çamët sërish janë përzënë nga trojet e tyre, sepse grekët pretendonin se ata ishin “turq”. Pra dëbimi i tyre nën akuzën se ata ishin “bashkëpunëtorë të nazistëve” ishte vetëm një pretekst për të përmbushur një politikë të vjetër. Të gjitha argumentat e palës greke kundër çështjes çame mbështeten te falsifikimi i historisë.
Bazuar në Konventën Evropiane dhe Deklaratën Universale shteti grek duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame si pakicë etnike e shpërngulur me dhunë.
Profesor Petiffer u tha të rinjve se historia botërore ka treguar se kurrë gjatë shpërnguljeve të ngjashme nuk janë harruar pronat e lëna pas. Çamët u kanë rrëfyer brezave se ku janë pronat e tyre, ata ruajnë edhe dokumenta të vjetra, madje e dhe çelësat e shtëpive. Ata nuk e harrojnë vendin, megjithëse vdesin. Gjithsesi kohë për të humbur nuk ka.”
Të dy historianët ishin të një mendimi se marrëdhëniet shqiptaro – greke rrezikohen seriozisht nga dështimi për të zgjidhur çështjen çame. Kjo vështje natyrisht nuk mund të zgjidhet vetëm mes Shqipërisë, Greqisë dhe organizatave që përfaqësojnë popullsinë çame. Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me ndërmjetësimin ndërkombëtar, me mbështetje nga institucionet e BE-së dhe me udhëheqje të qartë nga Shtetet e Bashkuara.
“Çështja çame ka tri aspekte kryesore, u shpreh studiuesja Miranda Vickers: Së pari është njohja e problemit nga qeveria greke, së dyti është çështja e pronave dhe së fundi është problemi i nështetësisë. Kur diskutohet problemi çam me politikanët shqiptarë, ata zakonisht thonë se ky nuk duhet parë si një kundërvënie politike me qeverinë greke.
Padyshim që tani është koha për të hapur këtë kapitull të braktisur të historisë shqiptare, para se sytë e botës të largohen nga Ballkani. Në vitin 2002, siç e theksoi kolegu im prof.Pettifer, unë shkrova një studim për Akademinë Britanike të Mbrojtjes, të titulluar “Çështja çame – aspiratat kobëtare dhe pronësore të shqiptarëve në Greqi”, që u botua në prill të atij viti. Reagimi ndaj këtij libri në Londër dhe në Bruksel ishte i ndryshëm. Nga njëra anë ai u prit me interes të madh sepse, me përjashtim të grekëve, pothuajse askush nuk kish dëgjuar në Ballkanin jugor të flitej zyrtarisht për çamët apo për problemet e tyre. Reagimi ndërkombëtar për problemin çam mbartëte njëlloj alarmi. Mos ishin shqiptarët duke u përgatitur “ të hapnin një front tjetër”? Në këtë kohë brenda bashkësisë ndërkombëtare pati më shumë frikë për bisedimet mbi një “Shqipëri të Madhe”. Ata që kishin bërë një studim serioz të çështjes çame e dinin që këtu nuk ishte fjala për një pretendim territorial, por për fat të keq ajo kështu ishte perceptuar në qarqet e huaja. Qëkurse u hap ky debat në vitin 2002 ishte përgjithësisht e ditur që çamët do të gjenin mirëkuptimin për ankesat e tyre nga miliona evropianë të tjerë, të cilët vuajnë padrejtësitë e luftës. Ka një ngurrim për ta nxjerrë rastin çam mbi të gjitha problemet e tjera më thelbësore dhe më strategjike për çështjen e pronave që ziejnë aktualisht në Bashkimin Evropian. Mjerisht Greqia është plotësisht e ndërgjegjshme për këtë. Ndaj dhe përgjigja e Athinës për çështjen çame është e njëjtë si për çdo gjë që ka të bëjë me çështjet e pakicave, konkretisht për të kjo çështje nuk ekziston! Teorikisht Bashkimi Evropian ka një angazhim të fortë ndaj abuzimit me të drejtat e pakicave. Shikoni përshembull këmbënguljen e BE, thirrjet e përsëritura dhe korrekte drejtuar qeverisë së Kosovës mbi rëndësinë e të drejtave të pakicave në Kosovë. Ndërsa nuk ka pasur kurrë deri më tani ndonjë trysni nga Evropa mbi qeveritë e njëpasnjëshme greke për të përmirësuar faktet skandaloze që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pakicat e tyre turke, sllave apo shqiptare. BE mbetet në mëdyshje për të zbatuar ato që vetë predikon. Prandaj, do apo s’do, i përket udhëheqjes shqiptare të merret seriozisht me çështjen çame.
Ende nuk është bërë asgjë për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi të panevojshëm, që gërryen së brendshmi marrëdhëniet shqiptaro – greke.
Zgjidhja e çështjes çame u shërben interesave afatgjata si të Greqisë, ashtu edhe të Shqipërisë. Ndaj të dyja palët duhet të punojnë për të gjetur një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje gjithnjë e më serioze.












