Kujtimet e Hilmi Saqes, themelues dhe ish – kryetar (në vitet 1997-2000)
Në 35 vjetorin e krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria, kemi shkëputur një fragment nga libri “Rrënjët tona çame”, i atdhetarit të njohur Hilmi Saqe, themelues dhe ish kryetar i Shoqatës në vitet 1997-2000. Libri është botuar në shtator 2024, pak muaj para se të ndërronte jetë në Nju Jork, më 27 maj 2025.
Krijimi i Shoqërisë Politike Atdhetare Çamëria (Sot Shoqata patriotike Çamëria), në 10 janar të vitit 1991, është një ngjarje historike në historinë e kombit shqiptar, pasi shënon fundin e heshtjes së madhe për këtë problem të madh kombëtar.
Politika izoluese e regjimit komunist jo vetëm që e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar, por i privoi refugjatët çamë në Shqipëri nga shumë të drejta njerëzore e kombëtare, duke i trajtuar si njerëz të kategorisë së dytë, jo si gjithë qytetarët e tjerë. Madje në vitin 1953 u hoqi shtetësinë greke arbirtrarisht, me një dekret të posaçëm antikushtetues, të njëanshëm, duke e ndërlikuar edhe më shumë çështjen përpara drejtësisë.Lufta kundër nesh çamëve dhe shpresat për rikthimin tonë në Çamëri po veniteshin nga heshtja dhe mospërfillja e zgjidhjes së çështjes sonë nga shteti komunist shqiptar, gjë që na kishte revoltuar të gjithëve, por diktatura ndaj gjithë shqiptarëve kishte gati Shpatën e Demokleut. Shembujt e kokave që iknin ishin mijëra dhe të pafajshëm. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “Grupit të Teme Sejkos”. Por, me shpalljen e pluralizmit politik, ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare. Nga Dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi u aktivizuam së bashku me shumë të tjerë në themelimin e SHPA ”Çamëria”, dhe në luftën për zgjidhjen e çështjes sonë për kthimin sa më të shpejtë që të ishte e mundur në vendin tonë – në Çamëri, e cila ishte mohuar, luftuar e denigruar nga diktatura moniste shqiptare. Nuk ishte rreshtuar një numër i kufizuarish atdhetarësh, por të gjithë shqiptarët e Çamërisë që jetonin në Shqipëri, që nga Konispoli dhe deri në Shkodër. Për këtë gjë është shkruar shumë dhe një kontribut të madh dha edhe gazeta “Çamëria – Vatra Amëtare”.
“Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria”, ishte e para Shoqëri me karakter kombëtar që u krijua. Në programin dhe statutin e së cilës u përcaktua gjithçka në rrafshin kombëtar për sensibilizimin dhe zgjidhjen e çështjes çame.
Momentet e para, para themelimit të SHPA ”Çamëria” ishin shumë shpresëdhënëse për çdo shqiptar të Çamërisë. Kjo gjë u shfaq në gjithë hapësirat ku jetonin çamët dhe jo vetëm. Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, filluan organizimin për krijimin e Shoqërisë Çamëria, qysh në dhjetor 1990, me biseda të veçanta me grupe. Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë hija e diktaturës. Patriotët çamë u organizuan vetë, pa i shtytur njeri, në familjen e tyre çame, për të kontribuar edhe në çështjen kombëtare. Organizimi, me synim krijimin e shoqatës, filloi nga mesi i dhjetorit 1990. Resul Taipi, ushtarak, nga Grikëhori, vendlindja ime, ishte një nga organizatorët e palodhur në ngritjen e seksioneve në lagjet e Tiranës dhe të Degëve nëpër Rrethe dhe bashkë me të tjerë, krijuan mundesinë në shtrirjen e Shoqërisë Camëria në gjithë Shqipërinë. Takimet e para të koordinuara u bënë studion e skulptorit Ilmi Kasemi, në shtëpinë time, në shtëpinë e Ferhat Sejkos e Sali Bollatit, dhe dy herë në një dhomë të veçantë te pallati i Kulturës. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, etnograf, unë Hilmi Saqe, inxhinier, së bashku me tim vëlla, Lutfi Saqen, pedagog, Ilmi Kasemi skulptor, Ferhat Sejko, mjek, Sali Bollati, inxhinier, Petrit Kasemi pedagog, Emin Sejko, Arshin Rexha gazetar, Hasan Minga historian, Petrit Demi historian, Gazali Sejko, jurist, Hasan Musaj kaldaist, Jaho Saliu ushtarak, Martin Demi arsimtar, Rexhep Çami elektricist, Ramazan Banushi pensionist, Bejdo Mehmeti mjek, Daut Xhaferi oficer, dhe katër pesë – ditë më vonë iu bashkuan këtij grupi Nexhat Merxhushi, mësues dhe historian, Fatos Mero Rrapaj folklorist, Laurant Bici pedagog e historian, Ballkize Halili gazetare, Ibrahim Hoxha historian, Gjin Varfi piktor etj. Falë bashkimit të gjithë shqiptarëve të Çamërisë, më 10 Janar 1991 u njoftua themelimi i Shoqërisë Çamëria. Vendimi për miratimin nga Ministria e Drejtësisë, mbante firmën e ministrit Enver Halili dhe u transmetua në TVSH në lajmet e mbrëmjes. Selia e Shoqërisë u vendos fillimisht ku ka qenë deri vonë selia e ambasadës italiane dhe më pas u transferua në Rrugën e Kavajës. Logon e Shoqërsë e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi, i biri i shkrimtarit të njohur Andrea Varfi. Menjëhërë në Tiranë dhe në rrethe filloi organizimi. U krijuan 27 degë, gati në gjithë Shqipërinë.
Vijonte puna edhe për ngritjen e seksioneve në lagje. I pari seksion që u krijua ishte ai i lagjes Ali Demi. Dy herë te Varri i Bamit u bë mbledhja për ngritjen e komisioneve pranë Shoqërisë. Jo më pak kontribut kanë dhënë dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj. Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti, etj. Në Fier: Agush Veliu, Naim Dalipi, etj. Në Durrës: Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmeri patrioti Daman Sinani, i cili u zgjodh edhe Nënkryetar i Shoqërisë, duke mos perjashtuar dhe Emine Sadikun dhe Hyqmet Zanen. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zeneli. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.Nga fundi i muajit janar 1991, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë, për të zgjedhur drejtuesit definitivë të shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar i Shoqërisë Çamëria, Daman Sinani Nënkryetar dhe Arshin Rexha Sekretar i Përgjithshëm. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve u bë duke respektuar Statutin, me vota te fshehta dhe në mënyrën më demokratike. Tubimi i parë i shoqatës u organizua me rastin e ardhjes së kryeministrit grek Micotaqis, më 31 janar 1991, ku patrioti ynë Tahir Dervishi, me një megafon në dorë, doli para benzit të kryeministrit Micotaqis, në bulavardin qendror para kryeministrisë, dhe i foli me një greqishte të kulluar, aq sa Kryeministri grek qëndroi i hutuar dhe e dëgjoi me vëmendje, kuptohet pa i dhënë përgjigje.
Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në adresë të saj në prag të ndryshimeve të mëdha. SHPA “Çamëria” e sapo krijuar reagoi me anë të një letre, duke ja prezantuar edhe ambasadës greke në Tiranë, në adresë të Kryeministrit Micotaqis, por dhe mikpritësit, presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë. Çamëria me këtë rast riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, fundi i shtatorit 1944 dhe ai i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945, nëpërmjet Komitetit Antifashist Çam, si përfaqësuese e vetme legjitime e popullatës çame në atë kohë. Rikthimin apo riatdhesimin, Ripronësimin dhe Gëzimin e të gjitha të Drejtave Njerëzore dhe qytetare në vatrën e tyre.
Si aktivitet me rëndësi duhet të përmendim daljen e numrit të parë të gazetës “Çamëria”, më 25 mars 1991, nën drejtimin e prof. Bashkim Kuçukut. Më kujtohet kur doli artikulli i parë i shkruar nga prof. Bashkim Kuçuku, me titull:…” Çamëria, Palestinë e Harruar…”, pati jehonë të madhe te komuniteti çam dhe në mbarë opinionin shqiptar.
Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj. Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para. Për të njohur të rinjtë me traditën e valleve karakteristike, si Vallja e Osman Takës etj. u thirrën veteranët çamë Ibrahim Hoxha dhe Xhemil Demi. Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve, për të përkujtuar ditën e gjenocidit. Shoqëria Çamëria filloi të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë Në periudhën e parë të krijimit të SHPA ”Çamëria” ka pasur relativisht shumë veprimtari brenda dhe jashtë Shqipërisë, për zgjidhjen e problemit të madh çam.
Në përgjithësi se si ka punuar ShPA “Çamëria” që nga themelimi i saj, më 10 Janar 1991, deri në vitin 2000, është trajtuar pjesërisht në librin tim “Genocidi Grek Kundër Çamërisë vazhdon”, vëllimi i parë dhe i dytë. Gjatë periudhës 1991 -2000 te SHPA ”ÇAMËRIA” nuk ka pasur ngecje në vend, aktiviteti dhe veprimtaria e saj kanë qenë jo të vogla, si brenda Shqipërise ashtu dhe jashtë saj.
Nëqoftëse kemi pasur ndonjëherë kënaqësi të madhe shpirtërore, ka qenë pikërisht koha kur gjithçka fizike, shpirtërore dhe ekonomike ia kemi kushtuar çështjes çame, jo vetëm gjatëedrejtimit të Shoqërisë, por qysh para themelimit të saj, në dhjetor 1990, së bashku me shumë bashkëatdhetarë të tjerë.
Shteti shqiptar, si gjithmonë, vazhdon të injorojë problemin çam dhe të Çamerisë dhe, me sa duket, kjo gjë do të vazhdojë, prandaj mendojmë se del detyrë kryesore e Shoqatës ”Çamëria” që të aktivizojë të gjitha degët e saj në rrethe, të cilat nuk funksionojnë. Analizën e punës së Shoqatës “Çamëria” duhet ta bëjnë kryesitë përkatëse dhe të merren vendime të rëndësishme për forcimin e luftës sonë të drejtë për zgjidhjen e problemit çam. Të kemi parasysh gjithmonë se shteti grek është shumë i frikësuar me pushtimin e Çamërisë si dhe për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Çamëria është shpirti i gjithë çamëve! Ajo ka qenë dhe do të mbetet përjetë, derisa pasardhësit tanë ta gëzojnë atë.
Nga libri “Rrënjët tona çame” (Sh.B. Enja, Tiranë, shtator 20024)
camiko.al

