Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Lajmet e Fundit

Arben Iliazi: Konispoli shpallet “Ansambël Arkitektonik”, ejani të kërcejmë Osman Takën!

Gjithmonë e kam radhitur veten haptazi në vazhdën e traditës së iluminizmit dhe kam kërkuar të përgjithësohet njohja e veprave të mëdha njerëzore, kulturore e kombëtare. Për shumë vite në Shqipëri barabaria arriti të pushtojë kulturën, duke harruar që është identiteti kulturor ai që e ndryn individin brenda përkatësisë së tij kolektive.
 
Nga një publikim në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë, Konispol, zotit Erges Dule, që i referohej njoftimit të ministrit Blendi Gonxhe, mësova se: “ Sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore, një vendim që i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë. Me banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave, Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë.
 
Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë. Ky vendim vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta”.
Kësisoj Këshilli i Ministrave shfaqi një shenjë të qartë përkujdesjeje dhe nderimi ndaj trashëgimisë etnokulturore dhe traditës kombëtare të regjionit të Çamërisë, për ruajtjen e kësaj trashëgimie, pjesë e kulturës materiale kombëtare. Tradita është baza e personalitetit kolektiv të një populli dhe kujtesa është një faktor thelbësor i krijimtarisë së njeriut. Degradimi dhe zhdukja e një pasurie të trashëgimisë kulturore përbën një varfërim vdekjeprurës të të gjithë trashëgimisë së popujve të botës”, thuhet në Konventën e Trashëgimisë Botërore, vërejta e 2-të. Afirmimi i identiteteve kulturore, ruajtja dhe propogandimi i trashëgimisë etnokulturore, që paraqesin vlera universale të jashtëzakonshme, përbën themelin shpirtëror të Evropës dhe përfaqëson vlerat e epërme të njerëzimit evropian, me të cilën kombet përfaqësojnë dhe identifikojnë veten.
Konispoli është vendlindja e nënës sime. Veç kësaj me Konispolin më lidh edhe një moment i veçantë në krijimtarinë time. Valltari dhe luftëtari i famshëm i Konispolit, Osman Taka, më ka frymëzuar për të shkruar dramën historike “Osman Taka”, e cila është inskenuar në vitin 2023 nga Teatri Kombëtar Eksperimental, me regji të Naun Shundit dhe mbështetjen e Alket Veliut.
Por le të bëjmë shkurt një përshkrim të historisë dhe identitetit të këtij qyteti, të transmetuar brez pas brezi. Konispoli është një vend i stërlashtë autokton, emri i të cilit datohet në shekullin e 8-të të erës së re dhe që i takon Çamërisë së mbetur, pas ndarjes së kufijve shtetërorë, në vitin 1913. Por të dhëna të rëndësishme tregojnë se Konispoli nuk ka pse të datohet në shekullin e 8-të të erës së re.
Në historiografinë tonë dhe të vendeve fqinje mendohej se Konispoli është banuar prej fisit të Thesprotëve, që kufizohej nga kaonët në veri dhe përfundonte në Gjirin e Ambrakisë në Prevezë. Mbreti Pirro ka lënë gjurmë të thellë edhe në Konispol. Mbi fshatin Shkallë, afër Konispolit, ka ekzistuar dhjetra vjet më parë një lis disashekullor që quhej Lisi i Pirros. Kështu quhet edhe sot ky vend strategjik. Sipas sudiuesit Selman Sheme, Konispoli ka filluar të popullohet shumë herët, qysh në epokën e Paleolitit, mbi 100 mijë vjet më parë. Shpella e Kreshmoit dhe vendbanimi i Xarrës njihen si vendbanimet më të hershme në Shqipëri. Qyteza e Çukës së Ajtoit, sipas studimeve të arkeologut Selim Islami, të përditësuara edhe nga arkeologu i zonës Halil Shabani, mendohet se është e shekullit të 5 e të 4 p.e.s, ku spikat arti i ndërtimit pellazgjik. Sipas studiuesit Skënder Mullai, varrezat e zbuluara në Vardhar i përkasin shekullit të 4-2 p.e.s, banesat romake të Gropës së Vulës shekullit 2-1 p.e.s, qyteza e Julia shek. I p.e.s. të gjitha këto i përkasin periudhës së para Krishtit. Konispoli në lashtësi është banuar prej fisesh ilire, që mendohet se e kanë prejardhjen nga Pellazgët.
Në vitin 1968 në vendin e quajtur Gropa e Vulës në Vardhar, miku im, arkeologu i famshëm Selim Islami, zbuloi rrënojat e një godine dhe u shpreh se kemi të bëjmë me një banesë të shekullit 1-2 e.re. dhe se i përket stilit romak të ndërtimit
Gërmadhat e vendbanimeve të hershme tregojnë për një vazhdimësi trojesh të banuara, qyteza që u shkatërruan nga Paul Emili, gjenerali romak, në fushatën e tij kundër epirotasve në vitin 167 para Krishtit, betejë që u zhvillua në lumin Pavël. Është kuptimplote edhe e dhëna e Luixhi Ugolinit te “Butrinti”, që fakton lidhjen historike të Konispolit me Butrintin e lashtë. Pas vitit 167 para Krishtit, pasi Epiri u pushtua nga romakët edhe Konispoili ra nën pushtimin romak, (gjendje që vazhdoi deri në shek 3-4 të e. re. pas rënies së Konstandinopolit në duart e latinëve në vitin 1204) Konispoli përfshihet në Despotatin e Artës.

Në vitin 1475 Konispoli ra nën sundimin turk, që vazhdoi rreth 200 vjet dhe zhduku çdo gjurmë të zhvillimt kulturor autokton duke ndërprerë zhvillimin normal të arsimit dhe kulturës kombëtare. Vetëm në fund të viteve ‘50 të shekullit të XVIII dhe në gjysmën e parë të shekullit XIX u shfaqën në skenën e kulturës personalitete të tilla si Muhamet Kuçuku (Çami) dhe Abdullah Sulejman Konispoli, si përfaqësues të letërsisë së Bejtexhinjve. Pas Muhamet Kuçukut punën e tyre në Konispol dhe në krejt Çamërinë, si dhe në shkallë kombëtare, gjatë Rilindjes Kombëtare do të vazhdojë Hasan Tahsini (Hoxha) nga Ninati. Më 11 janar 1879 u mblodh Kuvendi i Prevezës, me Abedin Pashë Dinon, Abdyl Bej Frashërin, Mustafa Pashë Vlorën etj. ku, si përfaqësues i Konispolit, mori pjesë Osman Taka. Ky Kuvend kundërshtoi me forcë dhënien e trojeve shqiptare Greqisë.

Në vitin 1805 Konispolin e vizitoi Martin Lik, ish konsulli anglez pranë Ali Pashës, në atë kohë pasha i Janinës. Në shënimet e tij për Konispolin ai shkruan: “Konispoli është një qytet i përhapur katër a pesëqind familjesh shqiptare, i dukshëm nga Korfuzi për shkak të pozitës së tij në majë të një vargu që shtrihet nga fusha pranë grykës së lumit Kalama dhe gjer në Gjirin e Butrintit.
 
Në vitin 1901 pakënaqësia ndaj shtypjes osmane dhe lakmive të fqinjëve bëri që të dilnin mjaft kryengritës nga Konispoli, midis tyre Alush Taka, Rushit Dine, Remzi Dalani e Shuaip Dalani dhe, në vitin 1908, të krijohej në Konispol çeta e Muharrem Rushitit. Në Konispol pavarësia u shpall më 12 dhjetor 1912. Në vitin 1923 Konispoli u bë Nënprefekturë dhe u miratua si Kryeqendër e Çamërisë, me 31 fashatra me 10488 banorë, ndërsa gjatë viteve 1925-1927 Qendra Konispol ishte bashki.

Konispoli ka qenë nyje e madhe tregtare drejt veriut e jugut. Njihen edhe sot Hani i Bellos dhe Hani i Qafës së Pazarit, ku strehoheshin karvanet tregtare që lëviznin poshtë e lartë. Konispoli ka qenë nyje tregtare me det edhe nëpërmjet porteve. Zyra e parë e Postë- telegrafës u hap në vitin 1917. Ndërsa dogana që u hap në vitin 1925. Në vitin 1925 tregtia njohu një zhvillim të madh. Pazari u sistemua dhe mori formën e plotë me ndërtime. Në vitin 1928 u hap edhe Gjykata, që jepte vendime konform ligjit (natyrisht pa korruptime). Nga një dokument arkivor mësohet se në vitin 1930 Konispoli kishte 33 godina për tregti e kafene, 288 shtëpi banimi, 5 godina për mbledhje populli. Pazari i vjetër i Konispolit ishte i tipit mesjetar, që ngjan me atë të Filatit, Delvinës dhe Gjirokastrës. Ai është ndërtuar në vazhdimësi, duke filluar nga shekulli 18 deri në formën që paraqiste në vitet 20, 30, 40 të shekullit 20. Ai ishte ndërtuar në sheshin qendror të qytetit të sotëm, të shtruar me kalldrëm guri gjysëm të gdhendur, dhe përbëhej nga dy radhë dyqanesh, të lidhura me njëra-tjetrën, me gjatësi 200-300 metra. Ky Pazar karakteristik e monument kulture u prish në vitin 1970, kur Konispoli u shpall formalisht qytet. Fragmente të atij pazari karakteristik ekzistojnë edhe sot, ku mund të krijosh një ide të qartë për pazarin e vjetër.

Banesat e Konispolit, si ato më të vjetrat dhe ndërtimet e gjysmës së parë të shekullit të 20, janë të mëdha, ndërtuar me gurë, llaç e gëlqere të formës bizantine të vonë, me vendosje dhe pamje nga deti dhe me një stil të veçantë nga zonat e tjera të vendit, të afërt me stilin e ndërtimit në Çamëri e përtej kufirit të sotëm shtetëror. Shumica e tyre janë shtëpi dykatëshe, me shkallë të jashtme, me divanë e me veranda guri, divanë druri, me porta me qemer e me harqe, me gurë të skalitur në qoshe. Ky stil i veçantë dhe kjo arkitekturë tërheqëse ka nxitur qysh herët vëmendjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe mjaft prej tyre janë shpallur ndër vite “monumente kulture”.

Vetëm tani, më në fund, pas kërkesave të vazhdueshme, nga bashkia dhe institucione private, Konispoli shpallet Ansambël Arkitektonik Kulturor Urban.
Nuk janë vetëm arkitektura urbane, objektet e lashtësisë dhe elementët etnografikë që e bëjnë Konispolin një destinacion kulturor turistik. Njihet historikisht mikpritja dhe bujaria e konispolatëve, mënyra e të gatuarit, ëmbëlsirat karakteristike, prodhimet bio, e shumë surpriza që vetëm ky qytet i ofron. Ndërsa te rrapi i vjetër në shesh të pazarit, fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” premton të shfaqë falas dramën Osman Taka.
 
Urojmë që pas këtij vendimi të KM të gjenden fondet dhe burimet financiare të nevojshme që Konispoli, me një trashëgimi shumë të pasur, të kthehet realisht në një qytet turistik të frekuentueshëm.
 
camiko.al