Largimi nga jeta i Prof. Selman Shemes është një humbje e rëndë për komunitetin çam dhe për gjithë shqiptarët që e vlerësojnë mendimin e thellë, përkushtimin shkencor dhe atdhetarizmin e palodhur. Ai nuk ishte thjesht një studiues, por një figurë e rrallë që i dha zë, përmbajtje dhe dinjitet çështjes çame në historiografinë shqiptare.
Si ish-Kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, profesor Sheme e përfaqësoi me dinjitet dhe përkushtim këtë çështje, duke e vendosur në qendër të vëmendjes kombëtare dhe duke u përpjekur që e vërteta historike të mos mbetet në harresë. Kontributi i tij shtrihet në fusha të ndryshme: histori, gjeografi, religjion, folklor dhe trashëgimi kulturore. Ai ka qenë zëri i dokumentuar i një të kaluare të dhimbshme, por krenare.
Selman Sheme, në veprat e tij të shumta, zbulon autoktoninë dhe vitalitetin e lartë të popullit shqiptar të Çamërisë, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë.
Prof. Sheme është ndër autorët e rrallë që ka argumentuar shkencërisht dhe me fakte historike se “Çamëri” dhe “Epir” janë toponime të një regjioni dhe se kuptimi i tyre gjatë shekujve mori dimensione hapësinore të ndryshme dhe se Çamëria është një nga emrat tipikë që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Çamëria, thotë ai, në çdo periudhë historike është paraqitur si një regjion gjeografik dhe etnografik unikal, i identifikuar, megjithatë emri i saj gjatë shekujsh nuk ka qenë i qëndrueshëm, por ka ndryshuar nga njëra periudhë historike në tjetrën. Këto ndryshime shprehën procesin historik të zhvillimit të saj.
Libri i tij : “Vendbanimet në hapësirën historike Shqiptare të Çamërisë” është vlerësuar si një “Testament trashëgimie” për botën shqiptare, një gur i rëndë në referimet historike dhe komplekse që studiuesi i propozon lexuesit, studiuesve, institucioneve dhe perëndimit në njohjen thelbësore të Çamërisë.Ky libër u flet brezave në shekuj, për të mos harruar, njëherazi për ta lartësuar emrin e Çamërisë shqiptare.
Prof. dr. Selman Sheme ngulmon bindshëm: “Çamëria është një konstruksion mental që ekziston në vetëdijen kolektive të popullit shqiptar, bazuar në origjinën e përbashkët etno-kulturore”.
Krahas një varg veprash të tjera mbi gjeografinë humane dhe regjionale, Prof. Selman Sheme, duke gjurmuar e hulumtuar traditat etnokulturore të Çamërisë, na ka sjell disa vepra të epërme, të cilat kanë lënë gjurmë në botën akademike shqiptare dhe ballkanike. Në këtë hulli bëjnë pjesë edhe studimet e tij monografike: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2008), “Gjeohapësira e Konispolit” (2009), “Epiri i Jugut – Çamëria” (2014) “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor” (2016), etj.
Prof. Sheme ishte një misionar i paarritshëm, i papërsëritshëm, i cili na afroi më shumë te ndërgjegjia kombëtare, te trashëgimia jonë kulturore historike. Si i tillë do të nderohet përherë nga gjithë shqiptarët që e kanë njohur Atë dhe Veprën e tij. Ai e meriton plotësisht nderimin e përjetshëm.
Në punën, padyshim kolosale të tij do të pulsojë, sot e në të ardhmen, një zemër e madhe e një mendje e ndritur.
Prof. Selman Sheme përfaqëson një institucion të lartë, tipin e intelektualit kombëtar. Le të prehet në paqen e përjetshme!

