Më 15 prill 1923 lindi historiani, folkloristi dhe publicisti Ibrahim D. Hoxha. Ibrahim Daut Hoxha lindi në Konispol më 15 prill 1923 dhe rrjedh nga një familje dhe një fis i shquar atdhetar i Çamërisë, që ka luftuar vazhdimisht me pushkë e penë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj dhe sidomos nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Babai i tij, atdhetari Daut Hoxha, vrasja e të cilit shërbeu edhe si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Greqisë, si dhe për fillimin e luftës italo-greke. Pas shumë e shumë përpjekjesh, në vitin 1964 Ibrahimi mundi të diplomohej për histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare e veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.
Në vitin 1966 është diplomuar nga Universiteti i Tiranës si mësues për shkollat e mesme në lëndën e historisë dhe gjeografisë. Që prej vitit 1956 ka nisur hulumtimin e këngëve dhe valleve popullore, zakoneve, kujtimeve dhe tregimeve, duke shkuar kudo ku gjendeshin çamër. Prej vitit 1960, filloi kërkimin, kopjimin, fotografimin e arkivimin e gjithfarë dorëshkrimesh dhe dokumentesh, duke krijuar një fond të pasur e mjaft të vlefshëm dokumentar.
Në vitet 1965-1972 regjistroi në Institutin e Krijimtarisë Popullore dhe Radio Tirana këngët e para çame. Në të gjitha vitet e jetës së tij, Ibrahimi iu përkushtua tërësisht kombit dhe vepra e tij është një thesar i çmuar. Ai u nda nga jeta në moshën 97-vjeçare, në tetor 2020.

