VALLET E ÇAMËRISË Nga Prof.Dr. Ramazan H. Bogdani, “Mjeshtër i Madh”, studiues i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë
Vallet çame të burrave dhe të grave kanë dialektin e vet dhe i përkasin gjithashtu njëterritori të caktuar, Çamërisë, që shtrihet brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. (Brenda kufijve njihet me emrin Zona e Konispolit dhe përmbledh tetë fshatra, të cilët administrativisht bëjnë pjesë në rrethin e Sarandës). Vallet çame praktikohen sot aktualisht jo vetëm në fshatrat çame, por edhe në vendbanimet e tjera shqiptare, si: në Fier, Durrës, Rogozhinë, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë. Këtu ato luhen nga banorët çamë të besimit islam, të shpërngulur me forcë gjatë shekullit të kaluar nga trojet e veta të përtej kufijve për shkaqe historike tashmë të njohura.
Vallet e burrave me fustanellë të kësaj treve përbëjnë një objekt të rëndësishëm studimi për etnokoreografinë shqiptare sepse, veç të tjerash, emërtimi Valle çame dëgjohet në disa krahina të Shqipërisë. Madje, është e njohur tashmë përhapja e valles çame të burrave me fustanellë edhe te grekët nën titullin Çamiko. Vallet çame të burrave luhen në dy mënyra, prej nga marrin emërtimin: valle dyshe dhe valle në grup. Ato kanë shoqërim vokal polifornik (si më i hershëm) dhe me orkestrinë ose saze (aktualisht të dytat janë më të shumta).
Si një prolog i të kërcyerit të valleve çame, do t’i referohesha njw prej personazheve më të spikatur dhe të patjetërsuar të valles folklorike shqiptare me fustanellë, Taip Madani i Konispolit të Çamërisë brenda kufijve shtetërorë. Ai e ka manifestuar kërcimin përmes atij golopantizimi mahnitës të hapave dhe atyre hedhjeve fluturuese vërtik tokë-ajër. Pjesë e një kumtese të mbajtur në Simpoziumin etnokulturor në Otranto të Italisë (2019)

