Takimi, informacioni që Mid’hat Frashëri i nisi nga Athina ministrit Vrioni
- Nuk është e rastit, që lexuesve të shumtë, të gazetës “Panorama”, po u risjell deklaratat e Kryeministrit grek Teodoros Pangallos, që janë botuar në “Gazeta e Korçës”, 98 vite më parë, më 27 shkurt 1926. Koha jonë në Ballkanin e trazuar, veçanërisht vitet e fundit dhe marrëdhëniet me Greqinë fqinje, që gjithashtu herë-herë trazohen, kanë nevojë për mesazhet që jep Teodoros Pangallos, një nga politikanët e njohur grekë. Shqipëria është e interesuar që marrëdhëniet me Greqinë të jenë sa më të mira. Kjo është dëshirë e përbashkët e dy popujve tanë, nga më të lashtët në Ballkan. Teodoros Pangallos, ky politikan i mençur dhe largpamës, është interpret i dëshirave mes grekëve dhe shqiptarëve. Lexojini këto deklarata dhe do të kuptoni se sa aktuale janë ato për kohën tonë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë fqinje.
- Të gjitha përfaqësitë tona diplomatike në Athinë, si dhe ambasadorët shqiptarë atje, kanë dëshmuar dhe përçuar dëshirën e popullit dhe qeverive shqiptare për marrëdhënie të mira më fqinjin tonë të Jugut, Greqinë. Nuk është e rastit, që Mid’hat Frashëri, ambasadori ynë i parë në Greqi, me të arritur në Athinë, më 24 shkurt 1923 dhe pas takimit me ministrin e Jashtëm të Republikës Greke, Aleksandër, shkruan: “…i thashë se idetë e luftës u ç’duknë dhe që është koha për të punuar për prosperitetin material të Ballkanit” (Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.7, Fq.283. Botim i Sh.B. “Onufri”, nën kujdesin e botuesit Bujar Hudhri. Tiranë 2022). Ia vlen që para se të analizojmë deklaratën e kryeministrit të Greqisë, të citoj informacionin që i dërgon Mid’hat Frashëri nga Athina, më 17 tetor 1925, Hysen Vrionit, ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, për takimin me zotin Pangallos: “Sot poqa zotin Pangallos… u përgjegj se dëshironte edhe ay fort shumë që të jemi miq, ndaj ka dhënë urdhër në Ministri të Punëvet të Jashtme të kërkohet nga Shqipëria, agrementi për Gjeneral Kondulin, si ministër. Shtoi se Kondulin e ka mik personal dhe se është dashamir i shqipëtarëve”. (Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.383-384. Botim i Sh.B. “Onufri”, nën kujdesin e botuesit Bujar Hudhri. Tiranë 2023).
Ndërsa më 21 nëntor 1925, ai në raportin e dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, e informon për gjashtë takimet brenda tri javëve me Kondulin, ku “kemi ngrënë drekë, kemi marrë çaj, bëmë edhe një vizitë ekskursion në Pire, në shoqëri të z. Pangallos… Z. Konduli i shikon siloget vorio-epirote si qendra intrigash dhe vjedhjesh të rrezikshme për Greqinë, si dhe për Shqipërinë. Më kallzoi vetë, se ka kuvenduar në Ministrinë Helenike mbi kotësinë e propagandës vorio-epirote. Shqiptari s’bëhet grek, thotë, as greku shqiptar. Pra, të heqim dorë nga një politikë me gënjeshtra”.(Mid’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.451-452).
Më 12 dhjetor 1925, Mit’hat Frashëri e informon Hysen Vrionin për takimin me zotin Roufos, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë: “Dje e premte ditë e vizitavet, vajta poqa zotin Roufos, ministër i Punëve të Jashtme. Më tha, pa e pyetur unë gjësendi se për marrëdhëniet shqiptaro greke, qenkan marrë vendime në Këshillën Ministreale, duke caktuar një politikë miqësore për Shqipërinë dhe duke dhënë urdhër në departamentet e duhur, që të ndiqet paskëtaj një mënyrë veprimi fare i drejtë dhe i ndryshëm prej atij që është ndjekur gjer më sot… Tani qeveria greke më s’ka ndonjë pretendim as mbi kufijtë e Shqipërisë, as një tjetër farësh. Kujdesi i të gjithë ballkanikëve duhet të jetë respekti i kufijëvet të caktuara prej trktatëvet. Për çamët, z. Roufos më tha se është vendosur që të mos iknjë më asnjë çam i ri nga Greqia edhe urdhri u dha në Epir, në Ministri të Bujqësisë edhe gjetkë, që të heqin edhe refugjatë, që janë vendosur në Çamëri”. (Mit’hat Frashëri, Vepra të Zgjedhura,v.8, Fq.458).

