Ali Demi (1918-1943) lindi dhe u mëkua në tokën zjarr të Filatit në Çamëri, më 18 janar 1918. Prindrit e tij, Ahmet Luçe Demit dhe Nazo Xhafo, si dhe tërë rrethi familjar, bënin kujdes në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Aty, heroi i ardhshëm mbaroi shkollën fillore dhe njoftoi bëmat e patriotëve të mëdhenj të Çamërisë, si Çelo Mezani, Osman Taka, Xhafer Demi, Rexhep Demi e Musa Demi.
Ali Demi (1918-1943), ky bir i Çamërisë martire, ishte një nga heronjtë që spikati në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha fashiste, për krijimin e një Shqipërie të lirë, republikane e demokratike. I ikur për studime që fëmijë në Konviktin “Çamëria” të Sarandës, më pas ai vazhdoi studimet në gjimnazin e Gjirokastrës, ku bashkë me shokun e tij të ngushtë Themo Vasi, organizoi një nga protestat e fuqishme të këtij gjimnazi kundër monarkisë, duke u vendosur në ballë të një lëvizjeje revolucionare.
I përjashtuar nga shkolla, ata erdhën në Tiranë, ku vazhduan studimet dhe u angazhuan në grupet e para komuniste, duke organizuar greva e demonstrata antifashiste. Në prillin e vitit 1942 ai arrestohet, burgoset dhe kërkojnë ta internojnë në Itali, por menjëherë dënohet me 25 vjet burg. Në burg, për organizimin e protestave dhe si represalje të aksioneve antifashiste në Tiranë, atë kërkojnë ta pushkatojnë, por ishte protesta e brendshme e burgut që i bëri fashistët të tërhiqen. Pasi organizoi ikjen e të burgosurve politikë nga burgu në prill 1943, Aliu iu bashkua çetave partizane, dhe pas detyrës si komisar i batalionit të Çermenikës, ai u dërgua në Vlorë, në një kohë të vështirë të luftës dhe të përçarjes në gjirin e komunistëve.
Muajt e fundit në jetën e një heroi
Një nga të parët që do më fliste gjatë për gjendjen e Vlorës në kohën e luftës ishte Rrahman Parllaku, që atëherë njihej me pseudonimin “Hallvaxhiu”. Ai ishte me origjinë nga Kukësi, por familja e tij kishte vite që kishte zbritur në Vlorë, ku kishin një dyqan të vogël. Në atë kohë ai ishte një luftëtar i patrembur dhe me një veprimtari të fortë në Njësitin Guerril të Vlorës, të cilin e drejtonte.
“Unë u largova nga Vlora më 11 tetor të vitit 1943,” më tregonte Rrahmani, “por unë u ktheva përsëri, për arsye se kur u analizua gjendja e krijuar në këtë qytet, pas goditjes së rëndë që mori lëvizja jonë nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, duhej t’i raportonim Komitetit të Partisë së Qarkorit dhe këtë duhej ta bëja unë, sepse unë isha më i informuari për atë që kishte ndodhur. Më kujtohet që më kanë pritur Muzhiku (Liri Gega) dhe i ngarkuari me detyrën e sekretarit Politik të Qarkut, Ali Demi. Pasi më dëgjuan, më pyetën se si duhej të organizohej puna këtej e tutje në qytet. Iu thashë se hë për hë puna duhej drejtuar nga Narta dhe të mbanim lidhje përmes disa shoqeve tona me qytetin.”
“Muzhiku” shfaqi pakënaqësi për faktin se ishim larguar nga qyteti dhe më urdhëroi që të kthehesha përsëri aty, por Ali Demi nuk ishte dakord me të. Ai tha se ishte dakord që tani për tani të veprohej ashtu siç e kishim menduar ne që ishim aty, sa të qetësohej gjendja dhe sugjeroi që të dërgohej në qytet një shok më pak i njohur, pasi, sipas tij, mua më njihnin të gjithë, madje edhe fëmijët, dhe isha më i kërkuari nga armijtë. Kjo, sipas Aliut, do të vazhdonte deri sa të njiheshim mirë me situatën. Por Liria nguli këmbë në të sajën…
Atë natë ranë të flinin në shtëpinë bazë. Pranë tij, Aliu kishte “Hallvaxhiun”, atë djalosh trim, shtatlartë, me vetulla të trasha dhe të zeza pis, që komandonte Njësitin Guerril të Vlorës. Aliu ishte i mërzitur. Përse vallë kjo këmbëngulje? Lirinë e njihte mirë, që në bazën e “Shtëpisë 66”, në shtëpinë e tij në Tiranë. I dukej një mendim i nxituar, por e kishte kuptuar se nuk ishte thjesht mendimi i saj: urdhëri me sa dukej vinte ose nga Enveri, ose nga Dushani.
“Aliu ndryshonte nga të tjerët,” kujtonte Rrahman Parllaku. “Ai ishte i thjeshtë dhe njeri që mendonte shumë. Nuk dinte të imponohej dhe të diktonte… kishte një tjetër metodë pune me njerëzit. Me Aliun mund të bisedoje lirshëm. Unë jam një nga ata që e kam ndjerë personalisht kujdesin e tij, siç dhe e kam shkruar në librin tim të kujtimeve: Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre.”
Në këto ditë të vështira, Aliu shkonte fshat më fshat dhe fliste me fshatarët, duke u folur për luftën dhe se ora e lirisë po afrohej. Ishte e rëndësishme që partizanët e rinj të mbushnin radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe në veçanti për formimin e Brigatës së V-të Sulmuese. Nga fillimi i shtatorit, Aliu, i shoqëruar nga luftëtarë të zonës dhe me automatik në krah, kishte marrë të përpjetën e Malit të Çikës dhe netëve qëndronte në stanet e barinjve. Kishte zbritur në Vuno dhe ishte takuar me komunistët dhe luftëtarët e krahinës. Në atë kohë, “Çeta e Bregut” ishte afruar në Gjorm me urdhër nga Shtabi Qëndror që të luftonte kundër fraksionit, edhe pse komandanti i tyre, Neki Imeri (Vangjo), kunati i Sadik Premtes, nuk donte ta luftonte Sadikun. Pikërisht në këtë kohë kishte ndodhur dhe vrasja e Mynyr Xhindit. Kur mori vesh vrasjen e tij, Aliu u trondit. Ai e kishte njohur Mynyrin dhe i vlerësonte lart cilësitë e tij dhe veçanërisht mendimet e tij, pasi Mynyrin kishte qenë student në Francë, në Grenoble, ku studionte për inxhinieri ndërtimi, por në dhjetor të vitit 1941 ai ishte kthyer me të shpejtë në Shqipëri që të hidhej menjëherë në luftë për çlirimin e vendit.
Menjëherë, Aliu i kërkoi Mitit (Dhimitër Mandro) ta informonte rreth kësaj vrasje se si kishte ndodhur dhe përse ishte vrarë, ndërkohë që dihej se atë ditë nuk ishte zhvilluar ndonjë betejë. Vrasja vërtet kishte qenë e dyshimtë. Pak orë para se të vritej, Mynyrin kishte qenë anëtar i Qarkorit të Partisë për Vlorën dhe një nga anëtarët e saj që në krijimin e Qarkorit, kishte shkuar tek partizanët e Çetës së Bregut dhe ishte takuar me vunjotët që i njihte mirë, meqë në mars të atij viti ai kishte qenë në Vuno dhe kishte krijuar atje celulën e parë komuniste. Por më pas, kur ai ishte larguar, një plumb e kish qëlluar. Në “Çetën e Bregut” u hap lajmi se Mynyri ishte vrarë në Grykën e Hasomatit të Velçës. Atëherë, Minella Koleka, bashkë me disa partizanë, kishte marrë trupin e tij dhe e kishte çuar me kalë në familjen e tij në Gorisht. Sapo mori vesh këto, Aliu vendosi që të nesërmen të shkonte në shtëpinë e familjes së tij. Sigurisht ishte me rrezik, por i armatosur rëndë dhe i shoqëruar nga disa pjesëtarë të Njësitit Guerril për Vlorën, ai u nis.
Mynyri i dhimbej. Pasi u siguruan se në shtëpi nuk kishte njeri të dyshimtë, në prag të varrimit, Aliu ia behu në oborr dhe u takua me Arshiun, babain e Mynyrit. E ngushëlloi. Dyshimi për vrasjen e tij e brente gjithnjë. Aty ishte dhe nëna e tij si dhe Baftjari, i vëllai i Mynyerit, të cilin e njihte prej kohësh, njerëz të tjerë dhe një mjek italian, që ata e kishin mbajtur në shtëpi pas kapitullimit të Italisë fashiste. Varrimi u bë i shpejtë dhe Aliu doli para varrit dhe foli.
Këtë çast të dhimbshëm, pas kaq e kaq vitesh e tregonte Murati, vëllai tjetër i Mynyrit, i cili nuk u vra në luftë dhe mbeti gjallë nga të tre djemtë e Arshi Halilit. «Pas kapitullimit të Italisë fashiste, – kujtonte Murat Xhindi, – në shtëpinë tonë ne mbanim edhe një italian, me profesion mjek. Ky edhe Baftjari konstatuan se Mynyri kishte katër plumba në trup, një mbrapa koke dhe tre në shpinë, të gjithë nga mbrapa. Ky fakt na bëri të mos kishim asnjë pikë dyshimi se Mynyrin e kishin vrarë. Po pse të kishte ndodhur kjo gjë, në ato çaste ne nuk i jepnim shpjegim kësaj pyetje, prandaj heshtëm… Mynyrin e kishim në shtëpi, të vrarë. E kishin sjellë me kalë. E kuptuam se ishte vrarë nga të vetët.»
Në varrim erdhi Ali Demi. Ai mbajti fjalën kryesore dhe vlerësoi lart kontributin e tij të shquar, si një nga figurat e spikatura të luftës antifashiste të Qarkut… Këto dyshime nuk ia thanë Aliut ato ditë, pasi ata e kishin të qartë se Aliu pak kohë kishte që kishte ardhur në Vlorë. Për më tepër ishte shok i afërt me Baftjarin. Një ditë më vonë doli trakti i Komitetit Qarkor, për të cilin Aliu kishte dhënë porosi që të shpërndahej menjëherë dhe se çfarë duhej theksuar në atë trakt. Vrasja e Mynyrit ishte një goditje e rëndë. Ky trakt mbante titullin «Fli Tradhëtie». Por për ç’tradhëti bëhej fjalë?
Familja e Mynyr Xhindit shumë vite më vonë u bind se ai kishte rënë prehë e luftës që Enver Hoxha dhe Dushani bënin kundër fraksionistëve të drejtuar nga Sadik Premtja dhe Anastas Lula. Megjithatë mënyra si u vra asnjëherë nuk u gjet. Cilët ishin ata që e kishin vrarë dhe kush kishte urdhëruar për këtë?
Më 21 nëntor gjermanët bënë reprezalje të shumta në Vlorë duke vrarë dhe arrestuar shumë njerëz të lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Ditët e atij fillim dhjetori të vitit 1943 ishin shumë të ngarkuara. Në malet e Labërisë vepronte tashmë Brigada e V-të dhe gjermanët ishin shqetësuar nga goditjet e vazhdueshme që po merrnin, edhe pse ishin të sigurtë në mbrojtjen e qyteteve dhe të rrugës Greqi-Shqipëri, të cilën e kontrollonin mirë.
Një nga ato ditë, një korrier do të shkonte për në Helmës, ku ishte vendosur Komitetit Qëndror i Partisë dhe Aliu i dha një letër djaloshit vlonjat për Njazi Demin, shokun e tij më të afërt. I shkruante se «së shpejti edhe ai do të shkonte për një punë në Skrapar dhe me këtë rast donte ta takonte». Edhe pse i angazhuar natë e ditë në luftën çlirimtare, Aliu mendonte gjithnjë dhe për fatin e Çamërisë. Ç’do të bëhej me të pas lufte?
Kohët e fundit ishte informuar se që më 2 shkurt, ishte krijuar «Çeta Çamëria», e cila vepronte në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek, e prirur nga Taho Sejko dhe Muharrem Demi. Më vonë, në bazën e kësaj çete u krijua dhe batalioni i cili do të çlironte Konispolin, ku krahas Kasëm Demit e Teme Sejkos, luftonin dhe Qamil Buxheli, Selim Islami, Myfit Sejko e shumë të tjerë, të cilët Aliu i njihte.

