Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Figura të Shquara

Rrënjët çame të Mitrush Kutelit Nga Enver Kushi

Rrënjët çame të Mitrush Kutelit

Nga Enver Kushi

Duke botuar këtë letër, pas 32 vitesh, i bëjmë homazh emrit dhe veprës së madhe të prozatorit – shkollë të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, si dhe të parëve të Kutelëve, çamëve fisnikë e të kulturuar nga Arta. Është rasti të falenderoj në emër të shpirtit të patjetërsueshëm dhe vital të Çamërisë, Pandeli Paskon, pasardhës i denjë i Kutelëve, që krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës, nga ura e së cilës, si në baladën çame “Ura e Nartës”, vjen amaneti i nuses së murosur: 


“Do të mbijë kutu nji fik i bardhë, Kur të pjekë aj kokrrën e parë, Ju t’ia ipi djalit tim të hajë.” Disa vite më parë, teksa kaloja mbi urën e Artës, befas ndala në mesin e saj. Mbaj mend që regjisori Kujtim Gjonaj më pyeti se përse qëndroja si i ngrirë atje. “Ndjej dridhjet e urës,” i thashë Kujtimit. “Edhe një rënkim gruaje të murosur. Edhe pëllitjen e një demi dhe të një dashi që bërtet. Edhe zërin e nuses që thotë: ‘Oh, medet! Medet!'”

Pastaj bëra tutje nëpër urë, duke përsëritur fjalët “Oh medet! Medet!” Ishin shpirtrat e Kutelëve të vdekur e të gjallë, shpirtrat e Çamërisë martire që rënkonin dhe rënkojnë.

Tiranë, shtator 2023.


 Mund të ketë qenë fundviti 1983 ose ndoshta edhe fillimi i vitit 1984, kur Rikard Larja, një nga njerëzit më fisnikë që kam njohur, por edhe aktori dhe regjisori i mirënjohur i filmit shqiptar, më ftoi për kafe. Nuk kisha shumë kohë që kisha filluar punën si skenarist në redaksinë e filmit artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”. E pranova me kënaqësi ftesën e tij, por edhe me një farë ndroje, sepse isha i ri në atë institucion të madh të filmit shqiptar, i rrethuar me emra të njohur regjisorësh, skenaristësh, piktorësh etj. Nga ana tjetër, nuk bëja pjesë në rrethin shoqëror të tij, megjithë respektin që kisha për të.

Mbaj mend se që nga dalja nga porta e madhe e Kinostudios e deri në lokalin e vogël, brenda territorit të këtij institucioni, folëm shumë pak me njeri-tjetrin, se nëse isha lidhur me ndonjë regjisor apo paraqitur ndonjë bocet për skenar.


“Ti je me origjinë nga Çamëria,” më pyeti Rikardi, teksa porositëm kafenë e çikores.

“Po,” i thashë. “Atje i kam rrënjët e mia.”

“Të parët e tu janë nga qytetet e zonës bregdetare Parga, Preveza apo Arta?”

“Ata janë nga një fshat që quhet Spatar, shumë afër qytetit të Filatit dhe se si më ka treguar nëna ime, nga lagjia e saj, që quhet Breg, duket si në pëllëmbë të dorës deti Jon dhe qyteti i Korfuzit.”

Ai pastaj heshti dhe pasi rrufiti kafenë e çikores tha: “Ti e di që unë jam dhëndërr Pogradeci dhe shkoj shpesh atje…”

(“Ç’lidhje ka Pogradeci me Çamërinë,” mendova teksa vështroja portretin e tij, aq të njohur dhe të dashur për shqiptarët. Timbri i zërit të tij ishte i butë dhe shkodranishtja, nuk e di pse në të folurën e Rikardit, kishte një kolor tjetër, diçka si prej erërave të qytetit verior, përzier me aromat e veçanta të liqenit dhe ujërave të Drinit e Bunës.)

“Me Marjetën kam shkuar në shtëpinë e Mitrush Kutelit në Pogradec, ku banojnë të afërmit e tij…” Dhe pas një heshtje të shkurtër, shtoi: “Kutelët janë me origjinë nga Arta… Besoj se ke dëgjuar për Artën… Sa emër të bukur ka.”

Pastaj përmendi emrin e një zonje të moshuar, (emrin e të cilës nuk e mbaj mend). “Atje kam dëgjuar zërin drithërues të saj kur përmend Artën, qytetin e rrënjëve të Kutelëve.” Pastaj zëri i zonjës nga drithërues e i përmallshëm bëhet befas i egër, kur thotë: “Ah! Ai qeni, Ali Pashai, na përzuri me dhunë nga Arta. Prej atij qeni lamë Artën tonë të bukur…”


Këto më rrëfeu fisniku Rikard Larja, në lokalin e vogël të Kinostudios, 40 vite më parë. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë fakt, pra që të parët e shkrimtarit tonë të madh, Mitrush Kuteli, ishin me origjinë nga Çamëria ime e bukur. U gëzova si fëmijë nga rrëfimi i bukur i Rikard Larjes. Për Idromenot kisha lexuar një libër të vogël, ku shkruhej se të parët e Kol Idromenos ishin nga Parga, se kishin shkuar në Korfuz e që andej, vendosur në Shkodër, ku kishte lindur një nga personalitetet e shquara të këtij qyteti, Kol Idromeno.


Nuk dua të zgjatem në librin e Ibrahim Manzur Efendi “Kujtime për Ali Pashën”, që ishte mik dhe armik i Pashait të Janinës, ku flet me realizëm tronditës: “Pargonjotët të indinjuar, morën vesh se po afroheshin trupat e Pashait, ndërsa anglezët i kishin braktisur… Parganjotët të pikëlluar, shkuan grumbull në qimitrio dhe duke rënkuar nxorën nga varret eshtrat e gjyshërve të tyre dhe me nxitim formuan një turrë të madhe me dru, mbi të cilën dogjën arkivolet dhe trupat e atyre që ishin të lumtur se nuk do të përjetonin rënien e atdheut. Shumë parganjotë, përpara se t’i hidhnin në flakë mbetjet e pajeta të paraardhësve të tyre, hoqën nga ato disa relike, për t’i marrë me vete në tokën e huaj, e cila këtej e tutje do t’u afronte një strehë, një pjesë nga ajo çfarë ata kishin me të shtrenjtë. Shumë morën disa grushta nga hiri i zjarreve që digjeshin, të tjerë një dorë dhé nga kopshtet, fushat që kishin qenë të tyret.” (Shih “Kujtime për Ali Pashën” botuar nga “Globus R”, botues Petraq Risto. Tiranë, 2003, fq. 145).


Në këtë shkrim, qëllimi im nuk është të analizoj Ali Pashë Tepelenën, që sipas Sami Frashërit “Ka qenë shumë i zgjuar dhe i zoti. Në vendet që ka qeverisur, ai ka siguruar qetësinë, ka përmirësuar rrugët dhe ka ndërtuar shumë fortesa, ura dhe godina të mëdha e të forta. Por ka qenë deri në gradën e fundit keqbërës, i egër, gjakpirës dhe intrigant…”.


Edhe letra që po publikojmë për herë të parë dhe është shkruar nga Pandeli Pasko, djali i Mitrush Kutelit, më sjell ndërmend rrëfimin e Rikard Larjes.