Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot

“Akademi përkujtimore për gjeneral Enricco Tellini”.

“Akademi përkujtimore për gjeneral Enricco Tellini”.

Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'

Gjeneral Tellini shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i jep “Medaljen e Mirënjohjes”
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” zhvilloi më 16 dhjetor në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave një “Akademi përkujtimore për gjeneral Enricco Tellinin”, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve, caktuar në këtë detyrë nga Lidhja e Kombeve. Gjeneral Telini u vra më 27 gusht 1923 në një pritë të mirëorganizuar dhe, pas hetimeve speciale të zhvilluara nga një komision ndërkombëtar hetimi, u fajësua për këtë vrasje shteti grek, duke paguar edhe një shumë të madhe.
 
Të ftuar në këtë veprimtari ishin profesor Lorenzo Franchini, stërnip i Telinit dhe prof. Andrea Giannasi, studiues dhe autor i librit “Prej vrasjes së Telinit te pushtimi i Korfuzit”. Stërnipit të Telinit iu dorëzua Certifikata e “Dëshmorit të Atdheut”, dhënë nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” i dorëzoi familjarit të gjeneral Telinit “Medaljen e Mirënjohjes”, si Dëshmor i kufijve të Shqipërisë.
Në një auditor të tejmbushur, folësit në këtë veprimtari, akademikë, profesorë e studiues të njohur, e vunë theksin te harresa ndaj kësaj figure historike, gjeneralit të ndershëm dhe realist në misionin e tij, i cili ishte jo vetëm një ushtarak i shquar, por edhe një diplomat, që njihte mirë parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Akademinë përkujtimore e çeli drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, zoti Alket Veliu, i cili tha: “100 vjet më pare u u vra pak kilometra nga Kakavia, kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve, gjenerali italian Enrico Tellini dhe katër shoqëruesit e tij. Vrasja e gjeneral Telinit është një nga barbaritë më ekstreme që ka parë bota ndonjëherë dhe vepra më represive e miopisë nacionaliste greke. Një gjest tragjik, i hidhur dhe i pabesë, neveria e të cilit ndjehet edhe sot pas 100 vjetësh. E kisha menduar ndryshe këtë vit të rëndësishëm në kujtim të gjeneralit. Kisha besuar në mirënjohjen që institucionet shqiptare do të tregonin për Telinin, duke qenë ato që do të organizonin diçka në kujtim të Tij. Por jo, heshtën institucionet, mediat, pushteti lokal, shoqëria civile, bashkë me organizatat e tyre. Duket një heshtje e mirëorkestuar, por nga kush dhe për çfarë arsyeje kjo heshtje për mbrojtësin e kufijve tanë?
 
Mbase nuk kanë rëndësi kufijtë për ta, mbase pazaret e viteve të fundit me kufijtë në veri të Kosovës, apo të deëtit në jug, janë një arsye për të mos vënë dorën mbi plagë, mbase trashëgimia politike dhe historike e sistemit të shkuar ka rrënjë të forta në Tiranën e sotme zyrtare, mbase marrëdhëniet e trazuara me Greqinë do acaroheshin më keq, pasi do t’u kujtonte këtyre të fundit poshëtrimin historik, pasojë e vrasjes së pabesë të gjeneralit. Cilado qoftë arsyeja ne reflektuam një mungesë të madhe mirënjohjeje si shtet shqiptar, pasi nuk vlerësuam një figurë me kontribut kaq të madh në historinë tonë kombëtare, siç është Telini.
Unë dua të sjell në vëmendje disa emra që ne nderojmë, mes të cilëve ka edhe kriminelë, si Thimjo Loli në Finiq, apo Kastandin Micotaqis, i njohur për operacionet “fshesa” ndaj emigrantëve shqiptarë. Në Durrës nderojmë me një bust kolonelin holandez Thomson. Çfarë ka bërë ky për shqiptarët? Ka firmosur Protokollin e Korfuzit, që i jepte autonominë “Vorio – Epirit”, duke copëtuar më tej territorin shqiptar! Dhe qershia mbi tortë është nderimi në ceremonial shtetëror që i bëjmë ushtarëve pushtues grekë në Këlcyrë dhe nga ana tjetër injorojmë viktimat e gjenocidit grek, shqiptarët e Çamërisë që prehen në Kllogjer. Është sa e turpshme aq dhe antikombëetare që asnjë zyrtar i lartë shqiptar nuk ka shkuar të vërë një kurorë me lule në nderim të këtyre viktimave të gjenocidit. Sot jemi në një situatë alarmante përsa u përket simboleve dhe emërtimeve të shesheve, rrugëve, shkollave etj. Duhen rishikuar! Ato simbole apo emërtime kanë të bëjnë me historinë tonë, identitetin tonë, por edhe me dinjitetin tonë.
 
Sot jemi mbledhur për të kujtuar Telinin e shqiptarëve, dëshmorin e kufijve tanë, tha më tej zoti Veliu. Arsyeja pse e zhvillojmë këtu këtë aktivitet nuk është thjesht fakti që figura e Telinit e meriton të prezantohet në institucionin më të lartë të mendimit shqiptar, siç është Akademia e Shkencave, por edhe fakti që pak metra më tutje, 82 vjet më parë, u ngrit një shtatore madhështore e gjeneralit, vepër e skulptorit Odhise Paskali, e cila fatkeqësisht, në mosmirënjohje të veprës të Telinit, u hoq me ardhjen e komunistëve në pushtet.
Unë do të kërkoja në emrin tuaj, në emër të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, rikthimin e Telinit aty ku ishte, kjo jo për të nderuar thjesht gjeneralin, por për veten tonë, për dinjitetin tonë, duke i qenë mirënjohës veprës së këtij burri të madh”.
Profesor Lorenzo Franchini, studiues i njohur dhe lektor në Universitetin Europian të Romës, stërnip i gjeneral Telinit, duke shprehur mirënjohjen për ftesën që mori nga Fondacioni, në fjalën e tij mjaft interesante, u shpreh se grekët sulmuan gjeneral Telinin pasi, sipas tyre ai ishte një hero fashist. Por kjo nuk është e vërtetë, vërejti ai, ndërsa shtoi se në fakt familja e Tellinit i përkiste borgjezisë së lartë dhe nuk kishte simpati për Musolinin. Jo vetëm kaq por komuniteti grek në Livorno, me një forcë politike lokale, propozoi që të hiqte emrin e gjeneral Telinit në një rrugë, për t’u quajtur “Rruga e grekëve”.
Edhe Prof. Andrea Giannasi, drejtor i Qendrës së Studimeve të Historisë Bashkëkohore, e cilësoi vrasjen e gjeneral Telinit një vepër monstruoze dhe një akt të paprecedent për qëllime të mbrapshta. Grekët ekzekutuan një gjeneral të spikatur që ishte model në të gjitha drejtimet dhe i përgjegjshëm për detyrën që i ishte caktuar. Dhe ata që kryen aktin nuk ishin thjesht banditë e hajdutë, nuk e qëlluan për ta grabitur, pasi ndryshe nuk ka si shpjegohet që askush nuk i mori sendet e tyre personale, apo portofolet e tyre.
 
Me mjaf interes u prit kumtesa e titulluar “Vrasja e Telinit provë e politikës ekspansioniste greke ndaj Shqipërisë”, përgatitur nga prof. dr. Ksenofon Krisafi, anëtar i Akademisë së Shkencave. Prof. Krisafi u shpreh se ata që e ekzekutuan nuk kishin asgjë me Telinin, madje, sipas tij, ka shumë të ngjatë që as nuk e njihnin. “Ata përmbushën detyrën që ju ishte ngarkuar nga eprorët e tyre sepse ata ishin në shërbim të shtetit të vet, të Greqisë, dhe Greqia nuk donte të vriste Telinin, donte të vriste Shqipërinë, sikurse kishte bërë edhe herë të tjera. Italiani i ndershëm Enricco Tellini mbi gjithçka donte dhe respektonte të vërtetën, që në ditët e fundit të jetës së tij ishte në anën e Shqipërisë, deklaroi prof. Krisafi, duke thënë se ajo që ndodhi në vitin 1923 ishte projektuar dhe planifikuar së paku 79 vjet më pare. Është e pakontestueshme që Telini e humbi jetën nga disa burracakë ushtarakë. Gishti mbi këmbëzën e armës ishte vendosur shumë herët, që prej vitit 1844. E kishin vendosur aty një ekip politikanësh ekstremistë grekë, në krye të të cilëve, për fat të keq, ishte një arvanitas, Ioannis Kolettis. Qeveria greke udhëhiqej nga ide shoviniste dhe një nga objektivat e strategjisë parësore ekspansioniste greke ishte zhvendosja drejt trojeve shqiptare. Të gjitha tentativat e mëparshme për ta shtyrë kufirin e shteti grek, nga Arta, Preveza deri në Shkumbin, kishin dështuar, tha më tej prof. Krisafi. Kishte dështuar gjithashtu edhe përpjekja tinzare greke që u shfaq në negociatat e ndërmarra gjatë viteve 1876-1878, ndërmjet përfaqësuesve të shtetit grek dhe udhëheqësve të ndritur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, me të cilat u bisedua rreth projekteve konkrete të bashkëpunimit në luftën kundër Perandorisë Osmane. Ndërsa shqiptarët, nëpërmjet krijimit të një shteti shqiptaro – grek synonin të lehtësonin procesin e shkëputjes nga Perandoria Osmane, grekët synonin ta përdornin këtë truk për të pushtuar lehtë dhe pa kosto territoret shqiptare. Ata nisën të merrnin disa territore në jug, duke zhytur në fatkeqësi disa dhjetra shqiptarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore pushtuan territore të tjera në jug të vendit. Pasi nisën mosmarrëveshjet me armë, forumet ndërkombëtare caktuan një delegacion për demarkacionin e kufijve shqiptaro – grekë, që kryesohej nga Enricco Tellini. Athina vazhdonte të krijonte pengesë, të ushtronte dhunë ndaj banorëve, duke i detyruar të deklaroheshin grekë. Telini i gjykonte këto deklarime me shumë realizëm dhe i konsideronte sabotim të qëllimshëm të punës së Komisionit, për çka nuk hezitonte as të raportonte herë pas here te ata që e kishin dërguar. Në Athinë, ndërkohë, struktura të caktuara gjykuan se ishte me interes pezullimi i veprimtarisë së Komisionit të Përcaktimit të Kufijve nëpërmjet eliminimit fizik të Telinit. Ai ishte bërë objekt akuzash dhe kërcënimesh të hapura. Në një raport që i drejtonte Lidhjes së Kombeve më 26 gusht 1923, një ditë para eliminimit, ndër të tjera thoshte: “ Gjithë kjo atmosferë e krijuar më bën të dyshoj se mos ndoshta e gjithë puna e bërë do të shkatërrohet nga kryetari i palës greke, i cili gjithmonë shpik incidente që të mos u bindet vendimeve të Komisionit, që është i paanshëm e nuk duhet të na kundërshtojë me plumb në gojë, siç bën ai. Kam shumë dyshim se kur kjo letër e shkruar prej meje sot të mbërrijë në destinacion, unë mund të mos jem gjallë…” përfundoi Profesor Krisafi.
 
Mbi figurën e gjeneral Telinit folën edhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, kryetar i shoqatës së historianëve ushtarakë të Shqipërisë, si dhe Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, shef i kërkimit shkencor në Akademinë e Policisë.
Një kumtesë që u prit me mjaft interes edhe nga profesorët italianë ishtë ajo e Prof. asoc. Dr. Hasan Bello, i cili e konsideroi gjeneral Telinin një model për diplomatët bashkëkohorë që vendosin për fatet e botës apo vendeve të vegjël si shteti shqiptar. “Në historiografinë shqiptare të para vitit 1944 dhe sidomos pas vitit 1991 personaliteti i Gjeneral Telinit ka zënë një vend të merituar. Kjo tregon se tek historianët shqiptarë ekziston një konsensus i përgjithshëm mbi rolin dhe kontributin e tij. Për Gjeneral Telinin vlerësimi shumë pozitive janë shprehur edhe në edicionin e fundit të tekstit “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” të botuar nga unë dhe një grup kolegësh të Institutit të Historisë dhe me kontributin e një numri të madh historianësh nga trevat shqiptare”, tha zoti Bello, duke vijuar më tej: “Më duhet të theksoj se po ashtu vlerësime shumë pozitive për këtë personalitet të ushtrisë dhe diplomacisë italiane kanë shprehur gjithashtu në kujtimet e tyre figura eminente të politikës dhe administratës së lartë të shtetit shqiptar. Kështu, në kujtimet e Eqrem bej Vlorës, Mehdi Frashërit, Xhemal Kusit, Sejfi Vllamasit, e të tjerë emra si këta, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe protagonistë kryesorë të atyre viteve të vështira kur po ndërtohej dhe po caktoheshin kufinjtë e shtetit, ka të dhëna e qëndrime shumë objektive për Gjeneral Telinin.
 
Një numër i madh artikujsh dhe shkrimesh mbi vrasjen e tij gjenden edhe në shtypin e kohës, ku përveç keqardhjes dhe akuzave të drejtpërdrejta kundër atyre që organizuan eleminimin e Gjeneral Telinit, shprehet gjithashtu një konsideratë e lartë për ndershmërinë që ai kishte treguar gjatë procesit të delimitacionit të kufirit shqiptaro-grek. Në çdo përvjetor, por dhe sa herë që mes dy shteteve kishte tensione, në shtyp nuk mungonin shkrime të cilat evokonin ngjarjen e vrasjes së tij më 27 gusht 1923. Gjeneral Telini merrej si ekol i ndershërisë së diplomatëve të huaj dhe veçanërisht atyre italianë, të cilët detyrën e ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha të kohës për caktimin e kufirit shqiptar ishte përpjekur ta realizonte në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Por pse jo edhe me ndershmëri maksimale, pa rënë pre e insinuatave të fqinjëve tanë jugorë, të cilët, përpiqeshin të përdornin çdolloj manipulimi, për të mashtruar përfaqësuesit e komisionit ndërkombëtar që drejtohej nga Gjeneral Telini. Nga hulumtimet arkivore që kam pasur rastin të realizoj prej shumë vitesh në AQSh dhe AMPJ për çështje të ndryshme që lidhen me historinë e shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me vendet fqinjë, kam konstatuar se për këtë ngjarje dhe Gjeneral Telinin ka një sasi të konsiderueshme dokumentacioni. Në këto dosje vihet re se shteti shqiptar ka shprehur një indinjatë të thellë, e cila vlerësohet edhe nga një letër falenderimi që Dhoma e Deputetëve Italianë i dërgonte Parlamentit shqiptar me rastin e manifetsimit përkujtimor, që ishte organizuar për vrasjen e Gjeneral Telinit. Kësaj letre i kishin paraprirë disa letra të tjera ngushëllimi si ajo që kryetari i Parlamentit shqiptar Eshref Frashëri i kishte dërguar homologut të tij italian apo ajo drejtuar familjes së të ndjerit. Sipas dokumentacionit për nder të Gjeneral Telinit nuk mungoi edhe rrespekti institucioneve fetare.
Megjith brishtësinë e institucioneve të shtetit shqiptar në periudhën kur ndodhi kjo ngjarje, Ministria e Brendshme dhe Prefekturat e kohës u angazhuan për hetimin, zbulimin dhe arrestimin e organizatorëve apo realizatorëve të kësaj vrasjeje.
 
Përkujtimi i Gjeneral Telinit u kthye në një element të përvitshëm të ceremonive dhe protokollit zyrtar të shtetit shqiptar. Kështu, për ta ilustruar këtë dua të përmend një qarkore që Presidenti i Republikës A.Zogu i drejtonte ministrave Fuqiplotë të Shqipërisë në Londër, Romë dhe Gjenevë, që legatat shqiptare të organizonin një meshë përkujtimore në nderim të Gjeneral Telinit dhe bashkëpunëtorë të tij.
Në përfundim, Hasan Bello tha se hulumtimi dhe botimi i këtij dokumentacioni përbën një interes të madh, sepse krahas shumë të dhënave me rëndësi për historiografinë dhe diplomacinë tonë, ai tregon sesa i vështirë ishte procesi i caktimit të kufinjve të shtetit shqiptar; se gjatë historisë, nuk kanë munguar ushtarakë dhe diplomatë italianë, të cilët me dashamirësinë dhe ndershmërinë e tyre përbëjnë një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë.
Akademinë përkujtimore e përshëndetën edhe studiuesit Besnik Bakiu, drejtues i parë i Policisë së Shtetit, njohës ekselent dhe adhurues i çështjes Telini, si dhe Kolonel Guri Pashaj, po aq pasionant dhe i përkushtuar ndaj kësaj figure që I bën nder kombit shqiptar. Zoti Pashaj është përkthyes i librit të prof. Andrea Giannasi “Prej vrasjes së Telinit te pushtimi i Korfuzit”.
 
Në mbyllje të Akademisë Përkujtimore, pjësëmarrësit në këtë veprimtari, intelektualë të njohur, profesorë e gazetarë, firmosën një Kërkesë drejtuar kryetarit të Bashkisë Tiranë, zotit Erion Veliaj që t’i propozojë Këshillit Bashkiak të Kryeqytetit rikthimin e bustit të gjeneral Telinit atje ku ishte, si dhe emërtimin e një Sheshi dhe të një Rruge në kryeqytet me emrin e tij.
“Akademi përkujtimore për gjeneral Enricco Tellini”.

Çelet ekspozita “80 vjet genocid’