Revista e “Bashkësisë Shqiptare” numri 3, i vitit të III-të 1976, u botua në NYC (d.m.th. në qytetin e Nju Jorkut) dhe kishte 23 faqe. Në faqet 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, të numrit 3 të kësaj reviste është botuar memorandumi me titull “Barbarizmat greke në Çamëri”. Materiali shoqërohet me një shënim të shkurtër, por mjaft kuptimplotë: “E pamë të rrugës ta botojmë këtë tekst, meqenëse ende është aktual dhe në brendësi mban ende të pashlyer të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar-çam…
” Ky dokument u ribotua i plotë tek gazeta e Diasporës shqiptare, “Illyria”: (30 gusht -1 shtator 2005, f. 27; dhe 2-5 shtator 2005, f. 30, 35.) Ky dokument është botuar edhe tek libri “Diaspora e rilindur”, Agron F. Fico, Tiranë, 2006, f.46-61. Pas botimit në librin “Diaspora e rilindur” prof. Peter Prifti e përktheu anglisht dhe nëpërmjet rrjetit të internetit në adresën “Frosina.org” u shpërnda dhe u bë i njohur gjerësisht në opinionin publik… Sipas zotit Aurenc Bebja në një informacion në internet (12 maj 2019) thuhet se ky memorandum gjendet i arkivuar në faqen nr. 240 të dokumentit “Sociétédes Nations – Journal Officiel”. Dossier “Shpërngulja, dhuna dhe vrasja e çamëve nga autoritetet greke, dëshmia në dokumentin zyrtar të Lidhjes së Kombeve.”
Ky memorandum ka një vlerë të veçantë historike, ai është njëherazi edhe një akuzë e fuqishme, një demaskim konkret, një provë e gjallë e terrorizmit shtetëror grek ndaj shqiptarëve çamë, është një thirrje dhe bori alarmi të përhershëm edhe në ditët e sotme, që populli shqiptar çam të fitojë të drejtat kombëtare dhe njerëzore. Në këtë memorandum zbulohet lakuriq masakra greke ndaj popullsisë çame, sillen fakte, ngjarje konkrete tepër rrëqethëse të kryera nga bishat e xhunglës greke ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve. Ndërgjegjja njerëzore revoltohet dhe kërkon drejtësi e ndëshkim të këtyre kriminelëve sadistë.
Së pari: Memorandumi është një histori sintetike, tepër e ngjeshur, e gjenocidit, pastrimit etnik nga ana e shtetit grek, qeverive të tij, e politikës dinake dhe vrastare të kishës ortodokse greke.
Së dyti: Dokumenti hedh poshtë demagogjinë, hipokrizinë dhe “spërdredhjet” e politikave greke ndaj zgjidhjes së problemit çam, që nga viti 1913.
Së treti: Shqiptarët, kudo që janë dhe veçanërisht vëllezërit tanë të një gjaku, çamët, kurrë nuk e kanë pranuar dhe as i janë nënshtruar aktit barbar të Traktatit të Londrës (më 1913) për ndarjen e Çamërisë dhe Kosovës nga trungu i Shqipërisë dhe dhënien Greqisë dhe Serbisë e Malit të Zi.
Së katërti: Shqiptarët e ndershëm, figura të ndritura të Çamërisë martire, kanë ngritur zërin dhe kanë bërë përpjekje deri në OKB, siç dëshmon edhe ky dokument.
Së pesti: Shteti shqiptar, veçanërisht shteti komunist-totalitar, në përgjithësi nuk bëri ndonjë gjë për çështjen çame. “Por, për hir të së vërtetës historike, – thotë zoti Peço Kagjini, veteran, disident dhe një nga figurat kryesore të kundërshtimit të vijës të Enver Hoxhës në Konferencën e Tiranës (prill 1956), i cili për gati 34 vjet është përplasur burgjeve dhe kampeve të internimit familjarisht, -në fund të Luftës Antifashiste, pati edhe ndonjë përpjekje për zgjidhjen e çështjes çame…” “Më kujtohet -shton ai- se aty nga fundi i vitit 1944, pas formimit të Qeverisë së Beratit, më thirri Koçi Xoxe, sekretar organizativ i PKSH dhe Ministër i Punëve të Brendshme dhe më ngarkoi të shkoja në Janinë, të takoja drejtuesit e ushtrisë partizane grek dhe të bisedoja për kthimin e çamëve në Çamëri. Mora edhe Aleks Jatron si përkthyes dhe shkuam në Janinë. Aty takuam drejtuesit kryesorë të partizanëve grekë për rajonin e Janinës dhe iu shtruam problemin për të cilin kishim shkuar. Në përfundim të bisedimeve ata na thanë se do të çlironin Epirin dhe çamët do të ktheheshin në Çamëri!”
Në vazhdim të këtij kumtimi gojor, zoti Peço Kagjini, madje shton se, më 1945 në Vlorë u mbajt edhe një Kongres antifashist çam. Mirëpo, pas vitit 1946 punët morën për keq. Çështja çame mori goditje më 1960, -e përfundoi bisedën veterani i nderuar Kagjini, – me arrestimin, dënimin dhe ekzekutimin e një pjese të të ashtuquajturit grup armiqësor i Teme Sejkos, që e ngriu përfundimisht problemin çam. Ka rëndësi të theksohet se, si forcat e majta, ashtu edhe forcat e djathta të sistemit politik grek, kur është fjala për Shqipërinë dhe Çamërinë, bashkohen në qëndrimin dhe platformën armiqësore ndaj çështjes shqiptare. Fakt është se mbahet ende në fuqi ligji famëkeq i gjendjes së luftës me Shqipërinë. Marrëdhëniet e tensionuara shqiptaro-greke, gjatë pothuajse tërë viteve të shtetit totalitarist, u vërtetuan edhe me mungesën e vullnetit politik të qeverisë komuniste shqiptare për të ndërmarrë në planin ndërkombëtar trajtimin e problemit çam dhe kërkesën për zgjidhjen e tij në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, anëtare e së cilës ishte edhe Shqipëria.
camiko.al

