Shpesh më telefononte dhe gjithnjë ishte kënga e Çamërisë që ndërhynte në bisedat tona, fliste e këndonte, edhe pse sëmurë, por kënga si dukej i jepte jetë, forcë dhe e gëzonte. Bilbili i Çamërisë do dëgjohet gjithnjë pasi janë zogj që nuk dinë tê heshtin dhe pas shuarjes së tyre. E kujtoj me mall mikun e dashur i cili më fliste gjithnjë për “vëllain” e tij, muzikologun e famshëm francez Bernard Lortat Jacob me të cilin shkuan në fshatin e tij ku i këndoi trojeve dhe historisë çame…
—
Fragment nga një shkrim per Bernard Lortat Jacob i cili nuk jeton më:
« Kënga e një vendi të humbur »
—-
« Chants d’un pays perdu » është titulli i filmit dokumentar të xhiruar prej tij dhe të shfaqur para pak kohësh me rastin e Kongresit të Etno-muzikologjisë në Paris, në Musée de l’Homme. Një film që u nderua me Çmimin e Parë krahas filmave të tjerë që trajtonin pikërisht fondin e pasur të këngës popullore ndër disa popuj të botës. Pas shfaqjes Bernardin e takova në hollin e atij muzeu dhe e përgëzova për realizimin e filmit që vërtet më kishte prekur. Jo vetëm pse vetë i kisha vizituar ato treva të Çamërisë dhe isha mbarsur me këngën e vjetër çame, por sepse historia e atij këngëtari që nisej të kapërcente kufirin për të parë trojet e të parëvë, prindërve të tij, e bënin atë film tepër njerëzor. Këngëtari i njohur çam Shaban Zeneli e përshkoi gjithë atë itinerar përmes këngës. Kënga e ndjek hap pas hapi, deri sa nostalgjia e malli i tij klith në gërmadhat e shtëpisë së prindërve të tij. Një këngë e mbytur nga dhimbja në një dekor tragjik, këngë e një vëndi të humbur, siç e titullon Lortat-Jacob. Pikërisht këtë donte të filmonte dhe Bernardi : lindjen e këngës, proçesin se si lind ajo. « Unë nuk jam kineast, më thotë ai, – por ajo që më interesonte, jashtë konsideratave politike, ishte udhëtimi i këngëtarit drejt burimit të këngës ». E habitëshme është në film se pikërisht në Filat, Kastri dhe fshatrat e tjera çame, atje ku Shabani këndon « Ulu mal të shoh të bukurat e Kastrisë/ » ai pikëtakon atje çamët e vjetër, ata që guxuan të qëndronin dhe që nuk i kanë harruar këngët e vjetra, edhe pse kënga e tyre heshti 50 vjet me rradhë. Në këtë pikëtakim kënge, vargjet popullore shpërthejnë sërrish në gjuhën e mëmës. Ata këndojnë së bashku. Historia ka mbetur e ngjizur në këngë. « Ideja e këtij filmi lindi nga vetë Shabani. Isha me Helenën që studjon këngët e Epirit, kur ai na propozoi ta ndiqnim në udhëtimin e tij. Dhe ne e ndoqëm. Ndoqëm këngën që lindëte nga nostalgjia madje dhe se si lind ajo. Së pari lind emocioni, pastaj lind melodia, pra emocionet mishërohen në melodi dhe më pas lindin vargjet që i ngjizen kësaj melodie. Kjo është pra të tregosh buronjën e këngës së popullit ».
Rasti e solli që me Bernardin dhe Shabanin, i cili ishte në Paris për prezantimin e filmit, të mblidhemi në shtëpinë e Solange d’Angely, një mjekeje me nënë përmetare të ardhur që në vitin 1924 në Francë.
– Solange, vëri Shabanit të dëgjojë arvanitët e tu, – i them asaj, dhe shpejt ajo vë diskun e vjetër që ka blerë 20 vjet më parë në Paris me regjistrime këngësh arvanitase. Këngëtari zë e këndon dhimbshëm. Eshtë kënga e Osman Takës, pastaj « O e bukura Moré », e cila ndiqet nga Konstandini i vogëlith…Thanas Moraiti, i cili ka regjistruar dhe një disk të dytë « Kujtesa e gurit », është interpreti kryesor. Ulur krah Bernardit, Shabani është dhënë i tëri pas këngës dhe mërmërit të njëjtën melodi, si ta kishte dëgjuar në fëmijëri të tij. Po kështu dhe Bernardi i cili për herë të parë që e dëgjonte këtë disk të lançuar me mbështetjen e Teodoraqit të famshëm. Pas këtij disku, Solange, që e ka bërë shtëpinë e saj si « bodrumet e Ali Babës » me qindra objekte, libra e disqe nga Shqipëria, na vë të dëgjojmë një disk tjetër, ca çamër të tjerë, muzikën e Petro Luka-s.
– Janë instrumentistë virtuozë, – thotë i prekur Bernardi…Klarineta qan, klith, bashkë me të dhe llauta. Bernardit i kujtohet Laver Bariu, të cilin e ka njohur vite më parë dhe ai nis të më flasë për të tjerë mjeshtër të mëdhenj shqiptarë.
Midis nesh është bota shqiptare, ku më i dashuruari nga të gjithë është Bernardi, ky bohem i tokës shqiptare.
Foto – në shtëpinë e Solange d’Angely në Paris.

