Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Figura të Shquara #Gjenocid/Dëshmi #Histori #Ide dhe Polemika #Lajmet e Fundit

Arben Iliazi: Skënder Beqiri, i mbijetuari i gjenocidit, që dokumentoi me foto dramën çame

Isha student kur, në shtator të vitit 1984, takova për herë të parë Skëndër Beqirin në Vlorë. Miku im Bardhosh Gaçe më çoi në shtëpinë e tij. Do takojmë një fotograf të njohur çam, më tha. – Ne e quajnë Marubi i Vlorës dhe i Çamërisë. Fotograf mjeshtër, shumë i talentuar. Rrugës Bardhoshi më tha se Skënderi, së bashku me shkrimtarin Fadil Zeqiri dhe regjisorin Halim Halimi, kishin krijuar Ansamblin çam, të parin ansambël në Shqipëri, dhe që mbante emrin e Çamërisë. Skënder Beqiri, bashkë me Halim Halimin, ishin drejtues të këtij grupi të madh artistik, që do sillte të pastër folkorin burimor çam. (Sot këtë traditë po e zhvillon dhe çon përpara Sali Nuredini, duke bërë një punë të shkëlqyer me ansamblin “Çamëria”).

E gjetëm në shtëpinë e tij të vjetër, por të pastër si bora, atje, në lagjen e vjetër të Vlorës, në rrugën “Jani Vreto”. Një burrë trupvogël e fytyrëhequr, me një dashamirësi të dukshme dhe ndjenja miqësore, që i lexoheshin haptas në sy. Na tregoi fototekën e tij, që e ruante si një thesar shpirtëror të pazëvëndësueshëm. Mbeta i mahnitur nga fotografitë e shumta, të sistemuara bukur dhe me shënime, që zinin një vend të konsiderueshëm në shtëpi. Një miniarkiv kombëtar i çmuar, me fotografi autentike bardhë e zi. Trojet nën flakë, karvani i vuajtjeve, çadrat e sajuara rrugës me qilimat e shtëpive. Përmes atyre fotove-dëshmi mund të njohësh Çamërinë në momente tepër delikate të historisë, monstruozitetin, masakrat, të vërtetën e pafalsifikur të tragjedisë, fatin e një populli të tërë muhaxhir. Skënderi Ishte 14 vjeç kur la trojet e të parëve në Vrohona të Çamërisë në vitin 1944. Me një aparat të thjeshtë fotografik në duar, i tronditur nga skenat makabre dhe një barrë e rëndë në shpirt, dokumentoi dhimbjen e madhe të popullit të tij, fotografoi familjet duke ikur nga Çamëria me fëmijët e vegjël në krahë dhe dengjet e plaçkave në shpinë. Dhembja gurin e çau, drurin e thau, por Skënderin e mbau. Për të mbijetuarin e tragjedisë, Skënder Beqiri, një kredo e tillë ka qënë mision i madh i jetës dhe motiv krenarie. Gjaku dhe mendimi, jeta dhe pavdekësia. Në ekspozitën vetiake “Gjenocidi i Çamërisë”, me 700 foto në 40 stenda, që çeli në vitin 2018 në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë , si dhe në ekspozitën fotografike “Tragjedia e Çamërisë flet”, të çelur në Galerinë e Artit Figurativ të qytetit të Durrësit, pasqyrohet dhuna, vrasjet, shtegtimi i mijëra çamëve të përzënë nga vatrat e tyre.

Sipas të dhënave që jep shkrimtari dhe studiuesi i njohur, Albert Habazaj, në fototekën e Skënderit, ka mbi mbi 25 mijë fotografi, negative, dhe filma ku janë fiksuar figura të shquara intelektualësh e atdhetarësh, çeta luftëtarësh e kryengritje për pavarësinë e Shqipërisë, ngjarje e veprimtari të ndryshme historike e kulturore, institucione ekonomike e shtetërore, qendra muzeale e objekte të tjera me vlera monumentale. Veprimtaria e tij e gjerë si artist dhe mjeshtër i fotografisë është shfaqur në mbi 30 ekspozita fotografike në Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë, Sarandë etj., deri në Holandën e largët.

Për ardhjen e refugjatëve çamë në Shqipëri, në fondin publik të arkivit të UNRRA-s në OKB, ruhen edhe rreth 400 foto të marra nga Jani Ristani, një nga figurat më të shquara të kinematografisë botërore dhe jo vetëm në Shqipëri.

***
Skënder Beqiri, “Nderi i Çamërisë”, “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”, sot mbush plot 97 vjeç. Ka lindur më 15 maj 1929. Gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të Çamërisë, duke fotografuar e mbledhur fotografi, që janë shprehëse më të përshtatshme se sa fjalët. Ai ruan dhe përcjell histori, si një nga të mbijetuarit dhe dëshmitarët kryesorë të tragjedisë. Secila foto ka një histori që ruan kujtesën, traditat, identitetin, ndjeshmëritë kulturore, për t’i trashëguar brez pas brezi. Kur e pyet, përgjigjet thjesht: “Ne s’duhet të humbasim në lojën e përgjakshme të historisë”! I duket se sa të jenë gjallë këto foto, kauza nuk do të asgjësohet dot kurrë. Ky është kriteri i tij i mbijetesës. Skënderi përdor të gjitha mënyrat njerëzore për t’u dukur më i ri se ç’është, me besim e pasion të gjallë te arti dhe fotografia, që nuk janë gjë tjetër veçse thurja e dukshme e shpirtit të tij me shëmbëlltyrën e Çamërisë, atdheun e fuqisë dhe vitalitetit të tij. Kurrë nuk ka rendur përhumbazi drejt pleqërisë, por jeton jetën e tij të frymës. Mendjen e ka të kthjellët dhe mundohet të kënaqë ëndjet e tij të përhershme, që janë fotografia dhe folklori. Për të kanë vlerë vetëm traditat kombëtare. Ka një kujtesë të tërëfuqishme dhe supreme.
 
Është ithtar i patrembur i shpresës se Çamërisë do i rikthehet e drejta natyrore dhe e drejta historike, ndërsa atij vetë fëmijëria e grabitur dhe e dhunuar. Skënderi beson tek e ardhmja. Beson se një ditë do të gdhihet në shtëpinë e tij në Vrohona. E tremb vetëm politika e papërgjegjshme, pa brejtje të ndërgjegjes, mostoleranca, çështja e humbjes së referencave kulturore dhe rrënimi i trashëgimisë kombëtare. “Historia do na gjykojë jo vetëm ahere kur folëm, por edhe ahere kur heshtëm”, thotë me urtësinë e gati njëshekullore. “Nuk duhet kursyer asgjë për çështjen tonë, Çamëria është emri i shenjtë që bashkon gjith emrat tanë”, shton i mallëngjyer. Skënderi nuk urren, ndonëse ka parë me sytë e tij krimet e përgjakshme të tragjedisë. Urrejtja mpin ndërgjegjen dhe çdo gjë njerëzore. Skënderi ka qenë dhe është për mirëkuptim dhe vëllazërim mes popujve, kundër pasioneve nacionaliste. Mungesën e përshpirtnisë për viktimat çame e konsideron mungesë të sensit historik. Dhe nga goja e tij e rrudhur buron mesazhi kuptimplotë: Çlirimi nga kompleksi i gjenocidit është një dlirësim, është triumf i miqësisë së popujve.
 
camiko.al