Në një atmosferë me pjesëmarrje të jashtëzakonshme dhe me praninë e qindra anëtarëve nga të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, u zhvillua më 9 korrik Konferenca e Shoqatës Patriotike Çamëria, Dega Tiranë, në ambientet e Hotel “International”. Aktiviteti u karakterizua nga thirrje për bashkim, rikthimin e funksionimit demokratik të shoqatës dhe forcimin e rolit të saj në mbrojtje të çështjes çame.
Konferenca u hap me fjalën e profesor Lutfi Saqe, një prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe drejtues i grupit të punës për riorganizimin e saj. Ai kujtoi angazhimin shumëvjeçar për kauzën kombëtare, duke theksuar se puna për Çamërinë ka qenë sakrifica më e madhe shpirtërore e brezit të themeluesve.
“Procesi i riorganizimit ka nisur prej dy muajsh dhe themelet e tij u hodhën gjatë veprimtarisë së 35-vjetorit të shoqatës. Prania juaj dëshmon se Çamëria vazhdon të jetojë në zemrat tona. Synimi ynë është rikthimi i rregullave statutore, funksionimit demokratik dhe frymës së dialogut. Kemi kërkuar vetëm bashkim, jo përçarje. Le të dalim nga kjo sallë më të bashkuar, sepse këtë ua kemi borxh brezave që do të vijnë”, u shpreh Saqe.
Juristja dhe veprimtarja Ruko Sako e cilësoi shoqatën si “shtëpinë e të gjithë çamëve”, duke bërë thirrje që askush të mos përjashtohet nga kjo familje e përbashkët.
“Ne mbijetuam diktaturën. Nuk mund të mos dimë sot të mbajmë të hapur derën e Çamërisë. Vetëm të bashkuar mund të fitojmë”, tha ajo.
Edhe veprimtari i hershëm i çështjes çame dhe ish-deputeti Tahir Muhedini vlerësoi nismën për riorganizimin e shoqatës, duke falënderuar grupin organizues dhe profesor Lutfi Saqen.
“Kjo sallë mban erë Çamëri. Këtu na bashkon amaneti i të parëve dhe dashuria për vendlindjen tonë. Vendimet duhet të merren me votë, në respekt të statutit. Halli ynë më i madh mbetet mohimi dhe nëpërkëmbja e çështjes sonë, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë të bashkuar”, deklaroi Muhedini.
Një nga fjalimet më të gjata dhe më të drejtpërdrejta u mbajt nga veprimtari Alket Veliu, i cili theksoi se procesi i riorganizimit kishte nisur me synimin për të mos përjashtuar askënd.
“Shoqata nuk duhet të ketë vend për ndasi, por për mendim ndryshe dhe kontribut. Nuk mund të kërkojmë të drejtat e një popullsie pa respektuar të drejtat brenda shtëpisë sonë. Statuti parashikon zgjedhje çdo dy vjet, ndërsa ato munguan për një dekadë. Shoqata ka nevojë për transparencë, struktura funksionale dhe një zë të fortë përballë politikës. Çështja çame nuk është monopol i askujt. Shoqata duhet t’u rikthehet çamëve”, u shpreh ai.
Mesazhe për bashkim përcollën edhe themeluesi i shoqatës, skulptori Ilmi Kasemi Beati, i cili kujtoi se kishte realizuar vulën e parë të shoqatës.
“Fakti që kam bërë vulën nuk më jep të drejtën ta privatizoj atë. Shoqata është e të gjithë çamëve. Çamëria është e çamëve dhe ky proces duhet të vazhdojë. Firma ime është për bashkim”, deklaroi ai.
Emocionet nuk munguan edhe në fjalën e Fadil Nurit, të mbijetuar i gjenocidit grek në Paramithi, i cili u shpreh shkurt: “Jemi vëllezër, të gjithë të pandarë.”
Ndërsa ish-deputeti Dashamir Tahiri theksoi se çështja çame nuk duhet të përdoret për interesa politike.
“Atë që mund të bëjë shoqata nuk e bën politika. Plagët tona ende rrjedhin gjak dhe askush nuk do ta mbrojë kauzën tonë nëse nuk e bëjmë vetë. Fatkeqësisht, institucionet shqiptare dhe politika vazhdojnë të injorojnë çështjen çame”, u shpreh ai.
Pjesë e konferencës ishte edhe prezantimi i dy kandidatëve për drejtimin e Degës Tiranë, Altin Osmani dhe Ermir Gjyzeli, të cilët paraqitën platformat e tyre për drejtimin e shoqatës.
“Nuk ka forcë në botë që ta zhdukë emrin Çamëri dhe çam”, deklaroi Altin Osmani gjatë prezantimit të programit të tij.
Nga ana tjetër, Ermir Gjyzeli theksoi se “bashkimi i çamëve është kushti kryesor për ta çuar përpara kauzën tonë kombëtare.”
Pas përfundimit të procesit të votimit, delegatët e Konferencës zgjodhën me shumicë votash Altin Osmanin në detyrën e kryetarit të Shoqatës Patriotike Çamëria, Dega Tiranë.
Konferenca u mbyll me thirrje për unitet, respektim të statutit dhe angazhim të përbashkët në mbrojtje dhe promovim të çështjes çame, duke riafirmuar se Shoqata Patriotike Çamëria duhet të mbetet shtëpia e përbashkët e të gjithë çamëve.





















