Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Lajmet e Fundit

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi në Sarandë 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” zhvilloi në Sarandë një aktivitet përkujtimor me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga forcat ushtarake greke. Aktiviteti mblodhi studiues, përfaqësues të komunitetit çam, intelektualë dhe qytetarë, duke u shndërruar në një moment reflektimi mbi historinë dhe kujtesën e kësaj tragjedie.

Në hapje të aktivitetit u nderua kujtimi i të ndjerit Rexhep Ismaili, ish-kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, për kontributin e tij të vyer në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes çame.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” e cilësoi Rexhep Ismailin si një prej figurave më të rëndësishme të kauzës çame që prej themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, duke vlerësuar qëndrueshmërinë, integritetin dhe përkushtimin e tij në mbrojtje të së vërtetës historike.

“Nuk u tërhoq kurrë. Nuk e uli kurrë zërin. Nuk e përdori kurrë Çamërinë për interes personal. Përkundrazi, jetoi me bindjen se shërbimi ndaj Çamërisë ishte një detyrim moral”, u shpreh ai, duke rikujtuar edhe mesazhin që Rexhep Ismaili përcillte vazhdimisht se Shoqata Patriotike “Çamëria” duhet të mbetet shtëpia e përbashkët e të gjithë çamëve, përtej bindjeve politike.

Në emër të familjes foli Astrit Ismaili, vëllai i të ndjerit dhe njëherazi anëtar i hershëm i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, dega Sarandë, i cili shprehu mirënjohjen për vlerësimin e figurës së Rexhep Ismailit dhe kujtoi kontributin e tij shumëvjeçar në shërbim të çështjes kombëtare.

Pjesa e dytë e aktivitetit iu kushtua promovimit të librit “Sherifeja”, me autor diplomatin Petrit Kasemi Begati. Gjatë promovimit, themeluesi i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, inxhinier Hekuran Halili, ndau reflektime mbi vlerat letrare dhe historike të veprës, duke theksuar se libri përbën një homazh të ndjerë për nënat çame dhe sakrificat e tyre.

Vlerësime për librin dhe për kontributin e autorit në pasurimin e kujtesës historike të Çamërisë shprehën edhe studiuesi Ahmet Mehmeti dhe historiani Enver Kushi, të cilët e cilësuan botimin si një dëshmi të rëndësishme në ruajtjen e memories kolektive.

Në fjalën e tij, Tahir Muhedini u ndal te nevoja për rikthimin e çështjes çame në vëmendjen e institucioneve të shtetit shqiptar dhe bëri thirrje për një organizim më të madh të komunitetit çam në funksion të avancimit të kësaj kauze.

Duke përmbyllur diskutimet, autori Petrit Kasemi Begati rikujtoi procesin që çoi në shpalljen e 27 Qershorit si Dita Zyrtare e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë, duke vlerësuar përpjekjet e komunitetit çam për institucionalizimin e kësaj date në kalendarin kombëtar të kujtesës.

Aktiviteti u mbyll me shfaqjen premierë të dokumentarit “Më çoni në Qafë Botë të shoh Çamërinë”, i cili u prit me interes dhe emocione nga të pranishmit, duke sjellë në vëmendje historinë, dhimbjen dhe kujtesën e shqiptarëve të Çamërisë.