Në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Çamërisë 2026, mbrëmjen e 10 qershorit u zhvillua në Maqedoninë e Veriut një aktivitet përkujtimor, i organizuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Vizioni M”.
Në qendër të aktivitetit ishte premiera e filmit dokumentar “Më çoni në Qafë të Botës të shoh ÇAMËRINË!”, me skenar të diplomatit dhe shkrimtarit Luan Rama. Dokumentari sjell përmes dëshmive, kujtesës historike dhe rrëfimeve autentike historinë e shqiptarëve të Çamërisë, duke përcjellë mesazhe të forta për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të së vërtetës historike.
Pas shfaqjes së filmit u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me të pranishmit, ku u diskutua mbi historinë e Çamërisë, rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, si dhe aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të përkujtimit të 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Në panelin e diskutimit morën pjesë diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, autor i dokumentarit, si dhe drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Ata ndanë me pjesëmarrësit reflektime mbi rëndësinë e dokumentimit të historisë së Çamërisë dhe domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte prezantimi i një pikture dhe një poezie të krijuara nga një vajzë e re, të frymëzuara nga historia dhe drama e shqiptarëve të Çamërisë. Ky moment u vlerësua si një dëshmi se kujtesa historike vazhdon të jetojë edhe te brezat e rinj, të cilët e përqafojnë këtë kauzë përmes artit dhe krijimtarisë.
Në përfundim të aktivitetit, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” shprehu mirënjohjen për Shoqatën Kulturore “Vizioni M”, pjesëmarrësit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në promovimin e së vërtetës për Çamërinë, duke theksuar se bashkëpunime të tilla forcojnë ndërgjegjësimin kombëtar dhe mbajnë gjallë një pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare.
camiko.al




