Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Lajmet e Fundit

Së bashku për Çamërinë: Kujtesa, drejtësia dhe identiteti bashkuan institucionet dhe personalitetet shqiptare

Në kuadër të “Muajit të Çamërisë”, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR dhe Shoqatën “Tirana”, organizoi më 25 qershor në ambientet e Hotel International aktivitetin përkujtimor me temën “Kujtesë, Drejtësi dhe Identitet”, duke sjellë së bashku personalitete të jetës akademike, kulturore, artistike dhe publike për të nderuar kujtimin e viktimave të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Nën lajtmotivin “Të jesh me Çamërinë do të thotë të jemi së bashku”, veprimtaria u kthye në një thirrje për ruajtjen e kujtesës historike, promovimin e trashëgimisë çame dhe forcimin e identitetit kombëtar. Aktiviteti u moderua nga gazetarja Luela Myftari, e cila theksoi se ruajtja e kujtesës kolektive dhe reflektimi historik e kulturor janë detyrim i çdo shqiptari.

Një nga momentet më prekëse të aktivitetit ishte interpretimi i “Monologut të nënës çame” nga Artistja e Popullit Margarita Xhepa, i cili emocionoi thellësisht të pranishmit. Në sallë morën pjesë profesorë, akademikë, gazetarë, artistë, veprimtarë të çështjes kombëtare, si edhe Princ Leka.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, u ndal te rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe mbështetjes së vazhdueshme për çështjen çame.

“Kombi shqiptar është i papjesëtueshëm në thelbin e vet etnik. Çamëria është e jona, çamët janë prej nesh dhe ndër ne. Kujtesa është baza e personalitetit kolektiv të një populli dhe drejtësia për Çamërinë është detyrim moral e kombëtar”, u shpreh ai, duke nënvizuar se Fondacioni ALSAR ka mbështetur prej vitesh botime dhe aktivitete kushtuar historisë dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.

Dëshmi të drejtpërdrejta solli historiani dhe studiuesi Hajredin Isufi, i mbijetuar i gjenocidit grek, i cili kujtoi ngjarjet tragjike të vitit 1944, kur ishte vetëm 12 vjeç.

Ai rikujtoi hyrjen e forcave të Napoleon Zervës në Paramithi më 26 qershor 1944 dhe shkatërrimin e qytetit, duke theksuar se Çamëria ka qenë gjithmonë një hapësirë bashkëjetese mes shqiptarëve myslimanë e ortodoksë, si edhe mes komuniteteve të ndryshme, ndaj vlerat e humanizmit duhet të triumfojnë mbi urrejtjen dhe shovinizmin.

Atmosfera artistike u pasurua nga interpretimet e këngëtares Enkelejda Arifi, e cila solli këngën elegjiake “Lamtumirë Çamëri”, bazuar në poezinë e Bilal Xhaferit, si dhe më pas, së bashku me Hysni Alushin, interpretuan këngën “Çamëri na mori malli”, duke krijuar një tjetër moment të fuqishëm emocional.

Shkrimtari Enver Kushi theksoi rëndësinë e reflektimit historik dhe respektimit të dhimbjes së shqiptarëve të Çamërisë, ndërsa kujtoi se edhe studiues grekë kanë pranuar shkeljet e rënda të të drejtave njerëzore të kryera në Thesproti. Ai solli në vëmendje edhe qëndrimin e shkrimtarit Ismail Kadare, sipas të cilit drama çame kërkon një rishqyrtim të plotë historik.

Në vijim përshëndeti kryetari i Shoqatës “Tirana”, Ruzhdi Keçi, i cili ndau kujtime personale nga bashkëjetesa me familjet çame në kryeqytet, duke vlerësuar kontributin dhe vlerat njerëzore që ato kanë sjellë në jetën e Tiranës.

Në fjalën përmbyllëse, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, theksoi se Çamëria nuk është vetëm çështje e çamëve, por një dimension i rëndësishëm i historisë kombëtare shqiptare.

Ai vlerësoi bashkëpunimin afatgjatë me Fondacionin ALSAR dhe partnerët e tjerë, duke theksuar se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit mund të mbrohen e promovohen e vërteta historike dhe të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Çamërisë.

Në përfundim të aktivitetit, përfaqësuesit e tre organizatave firmosën një Rezolutë drejtuar Bashkimit Evropian, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, OSBE-së, si dhe qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë.

Në dokument, çështja çame trajtohet si një çështje e të drejtave të njeriut dhe e së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se masakrat dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë bien ndesh me instrumentet kryesore të së drejtës ndërkombëtare dhe se Greqia nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare kundër gjenocidit dhe diskriminimit.

Aktiviteti u mbyll me vizitën në ekspozitën dokumentare kushtuar gjenocidit në Çamëri, si dhe në këndin e librit me botimet e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, të dedikuara historisë, kulturës dhe identitetit të Çamërisë.

MENU