Në kuadër të aktiviteteve të “Muajit të Çamërisë”, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi më 22 qershor, në ambientet e Hotel International, promovimin e librit “Sherifeja”, vepër e publicistit, diplomatit dhe një prej nismëtarëve të krijimit të Shoqatës Çamëria, Petrit Begati.
Libri, të cilin autori ia kushton nënës së tij, është një rrëfim i ndërtuar mbi dëshmi të drejtpërdrejta dhe përjetime reale, duke sjellë para lexuesit jo vetëm dramën e një familjeje, por edhe tragjedinë kolektive të shqiptarëve të Çamërisë gjatë gjenocidit grek të vitit 1944.
Në fjalën e tij, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, e cilësoi veprën si një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike.
“Sherifeja nuk rrëfen vetëm historinë e një nëne, por historinë e qindra nënave dhe gjysheve çame që mbijetuan tragjedinë e spastrimit etnik. Është një libër që mbart mesazhe të fuqishme njerëzore dhe historike, të cilat duhet të dëgjohen përtej kufijve të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Veliu vlerësoi gjithashtu figurën e Petrit Begatit si një intelektual dhe veprimtar kombëtar që, përmes penës, ka mbrojtur vazhdimisht të vërtetën historike dhe të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë.
Shkrimtari dhe studiuesi Enver Kushi theksoi se fati i Sherifesë është simbol i fatit të qindra grave çame, të cilat mbartën mbi supe peshën e tragjedisë dhe të mbijetesës.
Sipas tij, libri sjell një rrëfim tronditës, të mbështetur mbi ngjarje konkrete historike, ku protagonistja, që në moshën 12-vjeçare, përballet me humbje, dhimbje dhe amanete që nuk i shuan as koha. Në të njëjtën kohë, vepra përcjell mesazhe të forta humanizmi dhe bashkëjetese, duke promovuar miqësinë mes popujve dhe duke refuzuar urrejtjen e shovinizmin.
Autori Petrit Begati ndau me të pranishmit historinë që frymëzoi librin, duke theksuar se rrëfimi është ndërtuar mbi kujtimet e nënës së tij, një prej të mbijetuarave të gjenocidit grek.
“Nuk e kam dëgjuar kurrë nënën time të shprehte urrejtje. Ajo jetoi gjithë jetën me amanetin e nënës së saj, të cilën e varrosi në Kllogjer dhe që edhe sot nuk ka një varr të njohur, ashtu si mijëra çamë të tjerë. Këtë libër ua kushtoj të gjitha grave dhe nënave çame që u flijuan ose mbijetuan tragjedinë”, u shpreh Begati.
Ai shtoi se gjatë gjithë jetës ka zgjedhur penën dhe jo armët për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të kërkuar drejtësi, ndërsa vlerësoi Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini” për veprimtarinë e tij të vazhdueshme në promovimin e historisë dhe identitetit çam.
Gazetari Arben Iliazi e cilësoi veprën si një tekst me vlera të veçanta narrative dhe dokumentare, ku historia personale e nënës shndërrohet në një pasqyrë të gjerë të tragjedisë së Çamërisë, të rrëfyer me ndjeshmëri, humanizëm dhe mesazhe universale.
Ndërsa shkrimtari Arben Kondi e vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e letërsisë, historisë dhe kujtesës kombëtare, duke theksuar rëndësinë e botimeve që dokumentojnë përvojat njerëzore të shqiptarëve të Çamërisë.
Promovimi i “Sherifeja” u zhvillua në prani të studiuesve, shkrimtarëve, gazetarëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe dashamirësve të librit, duke u shndërruar në një tjetër aktivitet domethënës të “Muajit të Çamërisë”, i cili synon të mbajë gjallë kujtesën historike dhe të forcojë ndërgjegjësimin për të drejtat e mohuara të shqiptarëve të Çamërisë.









