Më 23 gusht është Dita evropiane e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare. Po sjell në vëmendjen tuaj historinë e tre poetëve të shquar: Trifon Xhagjika, Drita Çomo dhe Bilal Xhaferi, të cilët u ekzekutuan ose u persekutuan, vetëm pse nuk preferuan të dëgjonin “psalmet” e epokës së tyre, u rebeluan nga ajo çka ziente përreth, jo si të vetëprivuar, por që të mund të bëheshin zëdhënës të epokës së vet. Në poezitë e tyre është dhimbja dhe vuajtja. Dhe jo vetëm kaq. Atje është poezia e vërtetë, forma e re estetike, janë mjetet e reja shprehëse të poezisë moderne shqipe. Është biografia reale e vetë autorëve, aq madhështore, sa dhe vetë poezia.
Trifon Xhagjika, një nga poetët e parë të ekzekutuar nga regjimi komunist
Në vitin 1992-1993, së bashku me mikun tim, poetin dhe studiuesin Gjergj Titani, takoheshim shpesh me Robert Vullkanin, te shtëpia e tij pranë farmacisë Nr.10 në Tiranë. Roberti ishte i biri i Sotir Vullkanit, një nga themeluesit e Grupit Komunist të Korçës. Gjithmonë në takimet tona merrte pjesë edhe e shoqja e Robertit, Asamble Kristo (Vullkani), vajze Pandi Kristos, personalitet i lartë i PKSH-së dhe Shtetit shqiptar, i cili u end 42 vjet me radhë burgjeve të diktaturës, duke e radhitur në grupin e Koçi Xoxes.
Vetë Robert Vullkani, i dënuar edhe vetë me 16 vjet heqje lirie, kujtonte një korrespodencë në mes Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, me Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe Kryeministrinë, lidhur me procesin gjyqësor të zhvilluar në nëntor-dhjetor të vitit 1963, ndaj të pandehurve: Trifon Xhagjika, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Thoma Rafaeli, Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të tjera të Europës Lindore, si artistë, inxhinjerë, ushtarakë, gazetarë etj. I gjithë aktiviteti i tyre “antiparti dhe armiqësor”, sipas informacioneve të Gjykatës së Lartë, duke filluar nga: agjitacioni e propaganda. Ata u akuzuan se gjatë takimeve të tyre në shtëpinë e Robert Vullkanit dhe plazhin e Durrësit, po bënin plane dhe për të vrarë me atentat Enver Hoxhën në lokalin e Bllokut të udhëheqjes dhe më pas ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu.
Ndërkohë, sipas Robertit, ata ishin vetëm një grup shokësh, që i shprehin njëri-tjetrit shqetësimet për situatën poltike dhe kërkonin lirimin e të burgosurve politikë, trakte me shkrim doreSipas Robertit, Trifoni kishte natyrë të heshtur dhe meditative dhe i shprehte në poezi ndjenjat e tij dhe mendimet që e mundonin, mbi shtypjen dhe terrorin që ushtronte sistemi. Madje shpërndau disa trakte të shkruara me shkrim dore.
Poezitë e tij shprehin edhe rebelizëm. Ndërkohë që në shtypin e kohës i këndohej atdheut të lumtur, Trifoni shprehte revoltë mbi lumturinë e ‘shtirur’:
PERËNDIVE
Pa besuar thërrasim Urra.
Mos kemi lindur të bindemi!
Ja ligji i sotëm:
-Beso pa menduar.
Por mua më duhet të mendoj
mendimi i lirë të mbretërojë.
(Revoltë kundër perëndive ?!
Nuk jam i pari,
historia njeh kundërshtarë me taborë).
Unë ju drejtohem perëndive tokësorë :
O perëndi !
Tërbimi juaj askujt nuk i duhet,
me ju askush s’e ndjen veten mirë,
dhe unë bashkë me ta.
Lamtumirë!
***
Më 6 dhjetor 1962 Trifon Xhagjika dënohet për tradhti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje. Trifon Xhagjikën e pushkatuan më 23 dhjetor 1962, në moshën 31 vjeçare. (Vetëm Trifoni u dënua me vdekje. Fadili Kokomani vdiq në revoltën e Spaçit në vitin 1973).
Në gjyq Trifoni recitoi poezinë «Ndihmomëni të qesh». Akuzës se donte të rrëzonte pushtetin popullor ai iu përgjigj: «Më jepni një top t’i bie sistemit tuaj».
NDIHMOMËNI TË QESH
Nuk mundem,
Nuk mundem
Nuk mundem
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafine
nga lavdi e shekujve.
Atdheun e dija të rritur!
Por sa i vogël qenka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot
E mora për dore
ta rris në zemrën time.
Vëllezër !
Po e kërkuat Atdheun
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh,
ndihmomëni të gëzoj!
Atdheu është lakuriq.
Kjo është poezi që krijon reaksion kimik, për Atdheun e provokuar, që ekziston realisht, por merr kuptimin e optikës reale dhe ireale, si një fantazmë ideologjike, që ndrydh mendjen dhe vullnetin e njeriut, që e kompromenton, e dobëson dhe e degradon qënien njerëzore. Vërehet tendenca e poetit për të transfiguruar këtë realitet, ekzistencën e mëtejshme të qënies së tij reale – për mbijetim.
***
Edhe pse kanë kaluar rreth 64 vjet nga ekzekutimi i tij, poeti ka mbetur pa varr, ende nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit.
Lindur në Peshtan, Tepelenë, më 20 prill 1932, T. Xhagjika shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në Normalen e Elbasanit (1947). Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në Revistën “Pionieri”.
Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Në vitin 1958 filloi studimet me korrespondencë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.
KRIJIMTARIA:
Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin letrar të kohës, në revistën “Nëntori”, “Drita”, “Ylli”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj.
Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”. Pas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994), si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Gjithashtu, Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”. Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe. Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.
Poetja e dënuar në lirinë e vet!
Drita Çomo, poetja e pafat me një talent të habitshëm, që vuajti pasojat e regjimit të egër komunist, u shua në moshën 23 vjeçare, në 19 shkurt 1981. Në dosjen e saj janë shënuar 11 operativ që përndiqnin letraren e re te talentuar. Ajo la pas një vëllim poetik me vargje melankolike, introspektive dhe një ditar rrëqethës që dokumentojnë vetminë, jetën në internim dhe luftën me kancerin në moshë të re. Kur ishte 20 vjec shkroi poezinë “Dashuri siberiane”.
“Po bie shi… dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt – kaq akull,
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.
E megjithatë, unë të dua.
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash,
Të urrej dhe të dua njëkohësisht.
Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë,
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë.
Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër,
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur,
Dashuria ime siberiane.
Në të tërë qënien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je aq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë.
(9 shtator 1978)
Pesha e lirisë dhe e mungesës së saj është me të vërtetë universal në krijimtarinë e Dritës. Ajo është e thekshme dhe priret të kthehet në një ide pa përmbajtje, në një ëndërr-cak; bëhet amorfe, e braktis poeten në dallgët e revoltës dhe të dalldisë dhe rikthehet sërish tek ajo..
“Mendime të lagura…si të jetosh
Në ketë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh”
(Shi)
Një liri që shpërthen si një fakt i mirëfilltë dhe që është e lidhur ngushtë me pohimin e zhveshur të ekzistencës, sa të kujton idenë e një nevoje.
“Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.
Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.
Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.
(Vetmia)
Poetja gati lëshon pyetjen: Si mund të jetë e imja kjo liri, nëse unë nuk kam asnjë mundësi ta pranoj? Si mund të marrë ajo një pamje njerëzore? Dhe autorja, me një ekzaltim të epërt, përvijon kufijtë mes njerëzores dhe jonjerëzores. Gjith krijimtaria e saj është sa lirike, aq dhe absurdiste. Poetja ndihet e dënuar në lirinë e vet….Një liri absurde, deri në makth. Me një magji të rrallë spontaniteti, Drita Çomo bëri prova të pazëvëndësueshme për ushtrimin e lirisë së saj shpirtërore duke provuar transhedencën. Ajo arriti t’i japë kuptim kësaj forme të skllavërisë, e shkëputur në mënyrë të përkryer nga mpirja e vet, me shpërthimin e saj rinor, të përkorë dhe guximtar.
“Fjalë të bukura…Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me llustër”.
(Shi)
“Poeti i nëmur” çam Bilal Xhaferi
Bilal Xhaferi u lind më 1935 në fshatin Ninat të Konispolit dhe zemra i ndali në 14 tetor të vitit 1986, në Çikago të Shteteve të Bashkuara, ku jetonte si emigrant, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1969, pas privacioneve të shumta që pësoi nga regjimi diktatorial. Padyshim Bilal Xhaferi ishte një talent i lindur, një uragan letrar, me frymëzim dhe kthjelltësi të pakrahasueshme i cili, me veprat e tij, kapërceu dhe e sfidoi kohën. Talenti i tij nuk mund të vihet në diskutim ndonjëherë. Sot, 38 vjet pas vdekjes, edhe pse vepra e tij mbeti e papërfunduar, ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë. Studiuesi i letërsisë Adriatik Kallulli, që e njihte nga afër Bilal Xhaferin, shprehej se ai ishte fund e krye “mik i njerëzve të së ardhmes, me energji të pashteshme”.
Regjimi komunist i shkaktoi Bilalit plagë të rënda, goditje shpirtërore, gati vdekjeprurëse, si goditje rrufeje, që nuk u mbyllën asnjëherë dhe nuk u shëruan kurrë plotësisht. Goditja e regjimit ndaj Bilalit ishte njëlloj kasaphane ndaj shpirtit të lirë të një shkrimtari dhe poeti kombëtar, prototipi i një natyre organike, me temperament të zjarrtë, aktiv dhe i papërmbajtur.
“Poet i nëmur” do ta quante Bilal Xhaferin shkrimtari Sabri Hamiti, duke u nisur nga vuajtjet e tij të shumta shpirtërore. Por Bilali kishte atributet e rezistencave vetëmbrojtëse dhe asnjëherë nuk e ndjeu nevojën e vetëmohimit. Kurrë nuk u shuan në gjoksin e tij flakët e ndezura të talentit flakërues, vullneti krijues i sprovuar nga përvoja tragjike e jetës, edhe pse fati e braktisi qysh fëmijë. Ishte 12-vjeç kur humbi nënën dhe komunistët i pushkatuan të atin dhe, fill i vetëm, i duhej të kujdesej për tri motrat. “Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha, tregonte shkrimtari dhe shoku i tij Bedri Myftari. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet…Në ‘68-ën, në skicën e dhomës ku qëndronte, planifikoheshin përgjuesit, e për çdo rast aty ishin operativët, shpesh ndër ata që i rrinin pranë, me dhjetëra, si “Petraq Myzeqari”, “Bilbili”, “Dhespoti”, e të tjerë. Derisa Bilalit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të arratiset, duke lënë pas një letër”. Studiuesi dhe shkrimtari Ahmet Mehmeti tregon se ka lexuar me kujdes dosjen e Bilalit, e cila përmban rreth 400 faqe dokumente. “Në dosjen e tij ka 111 dokumente. Ndaj tij Sigurimi kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë. Rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim, ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij”, thotë zoti Ahmeti.
Deri dy ditë para se të arratisej, shkrimtari Bilal Xhaferri punoi në sektorin e fermës “8 Nandori” Sukth, punëtor në Brigadën e Vreshtave, ku u transferua pas debatit të hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve për moskonkordancë me romanin “Dasma”. Është fakt se në vitin 1969 jeta e Bilalit u trondit nga cikloni i fuqishëm komunist dhe jeta e tij u shemb me uturimë .“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969. (Fashikulli i shkrimtarit Bilal Xhaferri publikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018).
Shpirti i tij, pas arratisjes drejt lirisë në SHBA, filloi të çlirohej nga marramendja, mundi të gjejë një koncept filozofik krejtësisht të ndryshuar, një koncept të ri për jetën. Dhe kjo e rriti deri në pambarim mundësinë e forcimit shpirtëror të tij. Kur shkoi në SHBA jeta e tij mori një kuptim të ri.
Si shkrimtar, gazetar e polemist i flaktë ai iu kundërvu, me tërë talentin dhe forcën e shpirtit, forcës shkatërruese të realitetit komunist, me ide dhe koncepte të reja për letërsinë dhe jetën. Energjia e rrufeshme e talentit të tij ishte e pashembullt. Shirti i tij nuk u çlodh dhe nuk u rehatua asnjëherë.
Bilali luftoi me kurajo, në ekstazë e me tërbim krijues, kundër harbimit të shfrenuar komunist, që nga Gazeta “Dielli”, ku shërbeu si zëvëndëseditor në vitet 1970-1972, e deri te revista “Krahu i Shqiponjës””, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, që themeloi në Çikago në vitin 1974. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, dhe për tradhtinë kombëtare të regjimit komunist, të mbushuar me tharm e forcë, shkumëzonin me perla xixëlluese dhe me ritme të fuqishme. Shkrimet e tij kishin një dritë solemniteti, realizmi dhe tejdukshmërie magjike, deri në thellësitë më të mëdha, në mënyrë të pakrahasueshme, me përkushtim e ligjërim të shndritshëm.
Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”.
Duhet pranuar se përndjekja e tij vazhdoi edhe në SHBA, pasi nuk reshti së akuzuari, me tërë forcën e shpirtit, regjimin komunist, si karikaturë e një sistemi të personifikuar te Njëshi. Tregojnë se kur shkruante për E. Hoxhën i kërcente damari i ballit nga tërbimi. Në Dosjen e arkivuar më 10.04.1987, me vlerë studimi, (Fashikulli 2/A nr. 98), e cila është deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018, thuhet:. “Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elementë të shumtë që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij, jo vetëm në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986”. Edhe ai e dinte që përndiqej, por u përpoq të ruante mbijetimin e shkrimtarit dhe gazetarit të vërtetë, duke pranuar konsakrimin e vet: një jetë prej martiri dhe asketi.
Grehina shpirtërore e talentit të tij digjej nga zjarri i përqendruar i frymëzimit, derisa ndjeu dhimbjen e fortë të sëmundjes vdekjeprurëse.
Vdekja e Bilal Xhaferit ka mbetur një moment i errët dhe i pashpjeguar. Nëse të gjithë e pranojmë që talenti i tij letrar është unikal, mendoj se nuk është nevoja që fati i tij fizik të shndërrohet në një mit. Në jetën e shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj ka rastësi të mbrapshta. Biografët dhe studiuesit shpesh bëjnë një llogari të gabuar, duke synuar të arrijnë një efekt të ndjeshëm, në tejkalim të fakteve dhe rrethanave ku ka jetuar dhe mbyllur jetën shkrimtari apo artisti. Në shkrime të autorëve të ndryshëm është thënë se Bilali vdiq në një spital të Çikagos, në rrethana të dyshimta.
Për vdekjen e beftë të shkrimtarit në ‘86-ën në Çikago motra e tij, Antika Hoxha, është shprehuar, pa dhënë as emra as detaje, se i është thënë që kjo vdekje nuk ishte natyrale, dhe se vëllanë e saj e helmuan…
Disa nga veprat e Bilal Xheferit:
Njerëz të rinj, tokë e lashtë (tregime, 1966)
Lirishta e kuqe (poezi,1967)
Dashuri e përgjakur (1992)
Krastakraus (roman,1993)
Eja trishtim (poezi,1995)
Ra Berati (1995)
Përtej largësive (1996)

