Lungomare e Vlorës u kthye në një hapësirë të bukur të shpirtit, kulturës dhe traditës çame, në një mbrëmje të veçantë që bashkoi këngën, muzikën dhe emocionin e një trashëgimie që vazhdon të jetojë.
“Le t’ja themi ÇAMËRISHT” solli në zemër të Vlorës yjet e muzikës çame dhe një atmosferë të jashtëzakonshme, duke mbledhur një numër të madh qytetarësh e dashamirësish të kulturës çame. Këngët, meloditë dhe traditat çame u bënë pjesë e një nate që dëshmoi edhe një herë se kultura është një nga mënyrat më të bukura për të ruajtur kujtesën dhe identitetin.
Pas kësaj mbrëmjeje qëndron një organizim i realizuar me shumë përkushtim nga Shoqata Patriotike Çamëria, Dega Vlorë, nën drejtimin e Sali Nuredinit. Një përpjekje që meriton vlerësim dhe respekt për mënyrën se si tradita dhe kultura çame po bëhen pjesë e jetës kulturore të qytetit.
Nga këngët e vjetra te zërat e rinj, nga kujtesa te festa, “Le t’ja themi ÇAMËRISHT” ishte më shumë se një koncert. Ishte një mbrëmje që na kujtoi se Çamëria nuk është vetëm një vend në kujtesë, por edhe një gjuhë, një këngë, një traditë dhe një shpirt që vazhdon të përcillet brez pas brezi.
camiko.al












