Një film dokumentar, titulluar “Dijetari i fshehtësive”, me skenar dhe regji të Admirina Peçit, produksion i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, do të shfaqet premierë në Tiranë, më 16 shtator 2026. Vepra është një ridimensionim i figurës së Rilindasit të shquar, i cili ende njihet shumë pak nga brezat e rinj.
Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini nga fshati Ninat i Konispolit, njihet si dijetar i gjithanshëm, me interesa të gjera shkencore, filozof, gjuhëtar, poet, psikolog, njeriu që thoshte me kompetencë fjalën e vet në shumë fusha të shkencave natyrore, pasi njihte mirë matematikën, astronominë, fizikën etj.
Filmi zbulon jo vetëm këtë kontribut të Tahsinit në fusha të ndryshme, por i bën të vetëdijshëm brezat e sotëm për vlerat tona si popull, si komb.
H. Tahsini ka hyrë në Enciklopedinë tonë si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartë. Në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, njihet si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, të hapur më 1869.
Tahsini njihte kulturën e Lindjes dhe të Perëndimit. Personaliteti i tij ishte bërë i njohur edhe në qarqet akademike franceze, prandaj, shteti fancez i propozoi ta bënte rektor të Universitetit të Bordosë. H. Tahsini këtij propozimi i dha një përgjigje dinjitoze: “Mua më ka dërguar për studime shteti osman dhe kam detyrime ndaj tij, prandaj unë do i shërbej atij deri në fund….”.
Tahsini ishte një personalitet i rrallë, një filozof dhe shkencëtar në kërkim të kuptimit ekzistencial, një dijetar që përdori analizën ekzistenciale. Fondi kryesor i pikëpamjeve të tij në filozofi ishte ai i racionalistëve, me një ndjeshmëri kozmopolite dhe të adhurueshme për të zbuluar çka është e pranueshme dhe njerëzore, përballë miteve dhe dogmave, duke shpjeguar se psikika dhe dukuritë e saj janë veti të materies, gjë që duket shumë e avancuar dhe krejt e pazakontë në kohën kur ka jetuar. H. Tahsini më shumë i përket teorisë gnoseologjike të sensualizmit dhe është përkrahës i psikologjisë introspektive, duke pranuar natyrën reflektuese të psikikës dhe rolin që luajnë organet e shqisave në njohjen e botës dhe të realitetit, duke rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me to.
Në film do të gjeni detaje nga madhështia e brendshme e këtij Njeriu të veçantë , që mbeti deri në fund me shpirt e me mendje të pastër dhe nuk u sundua nga halucinacionet e kohës dhe të dogmave zyrtare, që bota të gjente superkuptimin.
“Ne vetë duhet t’u përgjigjemi pyetjeve që parashtron jeta për ne dhe këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjemi vetëm duke u treguar të përgjegjshëm për ekzistencën tonë ”. Kjo ishte bindja e Tahsinit, që u shndërrua në themelin e jetës së tij personale dhe identitetit të tij.
E vërteta e thjeshtë e këtij Filozofi dhe Dijetari të rrallë ka domethënie të thellë për këdo që e dëgjon.
Mesazhet e filmit janë shumë të rëndësishme. Filmi nxit një reflektim përballë mjerimit të epokës sonë, që shkencën po e kthen në dogmë, ndryshe nga sa veproi Tahsini shekuj më parë. Filmi i A. Peçit, mbështetur nga A. Veliu, është një nxitje për historianët e sotëm që të merren më shumë me këtë figurë unike. Një ftesë grishëse jo vetëm për studiuesit shqiptarë, por adhe ata të huaj, në radhë të parë turq, por u takon edhe sudiuesve francezë, ku ka ushtruar aktivitetin shkencor përmbi një dekadë dhe ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me dijetarë të shquar francezë të kohës, të fushave të ndryshme, duke nisur nga politika e diplomacia, deri e arsimi e shkenca.
Filmi tregon jo vetëm historinë e jetës së Dijetarit të shquar, në mënyrë kronologjike, por edhe vitet më të rëndësishme historike të jetës së tij. Baza faktike e dokumentarit është mbështetur në prova historike dhe materiale arkivore, (fotografi, video të vjetra, gazeta dhe dokumente origjinale të epokës, intervista me historianë e studiues, dëshmi etj.)
të shpalosura nga historianët dhe studiuesit e njohur: Fatih Sancaktar, Luan Rama, Hasan Bello, Manushaqe Halili, Laurant Bica, Enver Kushi, Xhafer Sadiku, Elinda Dibra, astrofizikania Mimoza Hafizi dhe skulptori Ilmi Kasemi Beati.
Regjisorja A. Peçi ka bërë organizimin e ngjarjeve sipas kohës kur kanë ndodhur, duke përdorur rindërtimet skenike, operatori A. Kamberi ka ekzekutuar vizionin vizual regjisorial, ndërsa montazhieri R. Vreko ka lidhur skenat mes tyre, për të krijuar një rrjedhë logjike dhe emocionale.
Aktrimi i ngjarjeve të kaluara për të mbushur mungesën e pamjeve reale është realizuar përmes interpretimeve të aktorëve Kastriot Ramollari, Sokol Angjeli dhe Amri Hasanlliu. Po ashtu spikat zëri shoqërues (naracioni): Zëri që tregon historinë, lidh faktet dhe udhëheq shikuesin.
Padyshim dokumentarët televizivë ende mund të thonë shumë gjëra, pavarësisht nga audienca apo hapësira e shenjimit. Aq më tepër një vepër si kjo, ndërtuar mbi një tekst sinkretik, semiotikisht kompleks.
#camiko.al

