Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Figura të Shquara #Lajmet e Fundit

HAJREDIN ISUFI HISTORIANI QË I DHA ZË ÇAMËRISË (In Memoriam) – Nga Enver Kushi

Më 7 shtator, duke u gdhirë e hëna e kësaj date, shkoi nga kjo jetë Hajredin  Isufi, personalitet i shquar i Çamërisë, që me punën, përkushtimin dhe pasionin, në veprën e tij ka dritësuar historinë, kujtesën sa të veçantë, befasuese, aq edhe dramatike të kësaj krahine në shekuj, bijtë e saj të shquar, trashëgiminë kulturore, origjinalitetin dhe vlerat e saj të papërsëritshme. Vepra e tij voluminoze i bën nder jo vetëm Çamërisë, por edhe historiografisë shqiptare e më gjerë. Ajo është dhe do të jetë edhe në të ardhmen, pikë referimi për studiuesit dhe historianët e Greqisë fqinje. Hajredin Isufi, siç tha akademiku Pëllumb Xhufi, në ceremoninë e përcjelljes, ishte edhe çam, edhe durrsak, edhe nga Kosova, edhe nga Shkodtra, edhe nga Shqipëria e Mesme, edhe nga Labëria.

            Emrin i tij e kam hasur për herë të parë në gazetën “ Adriatiku”, që botohej në Durrtës. Ishin fillimet e viteve ’70 të shekullit që lamë pas, kur unë kisha filluar punën në shkollën e mesme të qytetit të vogël të Rrogozhinës si mësues i letërsisë dhe gazetën në fjalë e lexoja rregullisht. Kryeredaktor i saj ishte Hamdi Sallaku, gazetar shumë i mirë, por edhe njeri i rrallë. Emri i Hajredin Isufit, me shkrimet e tij, ishte i pranishëm në rubrikën e përjavshme të historisë dhe traditave, që botohej në faqen e katërt të gazetës “Adriatiku”, krahas Moikim Zeqos, Fabian Mirajt, Hasan Ulqinit etj.etj. Pastaj rasti e solli që në vitin 1978 (mos gaboj), ai të emërohej mësues në shkollën e Gosës së Vogël, fshat matanë tunelit të Rrogozhinës. Ndoshta për herë të parë Hajredinin e kam takuar në shtëpinë time, kur ai ka ardhur për t’u njohur me prindërit e mi. Edhe tani, pas kaq shumë vitesh, mbaj mend që më bëri përshtypje portreti dhe trupi i tij i gjatë e i hollë. Sapo e pashë, m’u kujtua Kamani, një nga personazhet e poemës “Histori e Skënderbeut” të Naim Frashërit, që ua lexoja me pathos nxënësve dhe komentoja vargjet e poetit tonë kombëtar. Janë pak a shumë vargjet, ku krahas trimërisë, besnikërisë të Kamanit, poeti jep edhe portretin fizik të tij si “I hollë ish e pak i gjatë;  E s’kish mish në faqe”. Jo vetëm kaq. Në portretin e tij, vështrimi dhe sytë, ishin zhbirues, të zgjuar dhe melankolikë. Melankolizmi, siç e ka vënë në dukje Prof. Pëllumb Xhufi kur i vogël, në kafene “Çamëria” në Skelë të Vlorës, ka parë burrat e rëndë e melankolikë çamë,  është  pjesë e qënies dhe e vulosur ajo, veçanërisht te sytë.

        Edhe atëhere, edhe tani, mbanë vazhdimisht me vete një çantë, ku në letra apo blloqe, me siguri ka shënuar dëshmi gojore, dokumente arkivore, foto. Sa herë vinte në shtëpinë time, pasi ndërronin cigare me babain, e pyeste për Spatarin, vendlindjen e prindërve të mi, lagjet, fiset, për Muharrem Rushitin, kapedanin e famshëm çam, Beqo Izet Kushin, xhaxhain, që ka qenë kryetari i parë i Shoqërisë “Çamëria” me krijimin e saj në vitin 1918, në Boston. Babai im kishte një kujtesë fenomenale. Isha i ri atëhere, por i mbaj mend mirë bisedat me Hajredinin dhe rrëfimet e babait tim, hollësira nga më të çuditshmet, që nga qiejt me re, erërat, shirat, takimet e burrave spatarjot në qendër të fshatit, emra të familjeve të mëdha, si Nurçenjtë, Brahenjtë, Saqejtë etj, se kur u kthye Beqo Izet Kushi nga Amerika, largimi i tij nga Spatari për në Sarandë, për t’i qëndruar pranë Muharrem Rushitit, që e kishte dajo etj. etj. . . Hajredini dëgjonte me vëmendje dhe si pa  u ndjerë, hapte çantën, nxirte një bllok prej saj dhe shënonte ato çka rrëfente im atë. Këtë, hulumtuesi dhe punëtori i palodhur, historiani që i ka kushtuar jetën Çamërisë, e ka bërë në të gjitha ngulimet e popullsisë çame në Shqipëri, duke grumbulluar mijëra e mijëra rrëfime, foto, dokumente të arkivave familjare. Ana tjetër e punës kërkimore të tij, është shfrytëzimi i Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Institutit të Historisë, Bibliotekës Kombëtare etj. etj.

“Në mesin e “ishullit çam” të plazhit të Durrësit, ka shkruar Prof. Pëllumb Xhufi, një nga miqtë e tij të hershëm, ky mësues e lëvrues i apasionuar i historisë, kishte ngritur “Çamërinë” e tij të vogël, që përfaqësohej nga shtëpiza modeste, nga kopshti i mbjellë me limonë, portokalle e lule, mbi të cilat ngrinte kryet sovrane, “pisha flamur”, që edhe sot u ofron freskinë e saj miqve të shumtë të shtëpisë. Elementë thelbësore të kësaj qelize shqiptare të shpërngulur nga Rrëzanji i Gumenicës në brigjet e Durrësit, ishin furra tipika e bardhë çame, oda e zjarrit, ku edhe sot kuvendohen biseda “ndryshe” dhe mbi të gjitha studioja me librat e dokumentet pa fund, të cilën Hajredini e kishte ngritur qëllimisht në një cep tjetër të oborrit; nuk donte që hulumtimet dhe meditimet e dhimbshme për tokën e tij të braktisur të përziheshin me meskinitetin e bisedave të përditshme. E ka vuajtur shumë bashkëshorjta, Hamideja, këtë ngujim sistematik të të shoqit në “guvën” buzë oborrit, por tashmë edhe ajo është mësuar”.

 

Ta shohësh në sy historinë.

Kur kam lexuar ose i rikthehem leximit të veprës së Hajredin Isufit, them me bindje që ai, duke hyrë dhe dalë nëpër arkivat e Shqipërisë jo si soditës, por si studiues skrupuloz, duke parë me vëmendje  qindra e mijëra dokumente ose botime, veçmas ato të autorëve grekë, na e ka sjellë Çamërinë dhe personalitetet e saj, në dritën e diellit. Historiani dhe studiuesi i pasionuar Hajredin Isufi nuk i ul sytë para historisë së Çamërisë. Ai e sheh në sy atë me heroizmin, me  qëndresën, dramat, dhimbjen dhe dinjitetin e dhimbjes. Çamët, brezi që erdhi në Shqipëri pas një rrugëtimi biblik, duke lënë pas shtëpi të djegura dhe viktime të genocidit zervist, ruajtën krenarinë dhe dinjitetin dhe shumë shpejt u integruan në shoqërinë e vëllezërve të tyre shqiptarë. Pikërisht këtë vlerë të kësaj popullsie e gjejmë edhe në veprën e Hajredin Isufit, ku dinjiteti i dhimbjes bëhet bashkë me atë të mbijetesës.

          Unë kam patur fatin të jem ndoshta lexuesi i parë i librave të tij, sepse kam bërë korrektimin letrar të tyre. Kështu në vitin 2002, u botua monografia “Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947” (me parathënie shkruar nga Prof.Pëllumb Xhufi) dhe “Dy kujtime me Musa Demin”, shkruar në vend të pasthënies, nga Prof. Kristo Frashëri).

 Aty nga viti 2000, Hajredini më solli një dosje, ku me makinë shkrimi, ishte hedhur i tërë materiali. Ishte një dosje voluminoze. I hodha një vështrim të shpejtë, duke shfletuar me nxitim faqet e shumta, sa për të krijuar një ide për këtë monografi. Herë-herë ndalesha në ndonjë faqe, ku fiksoja data, vite, ngjarje, figura të shumta historike të Çamërisë dhe Shqipërisë. . . Dhe kur nisa punën për korrektimin, kjo  dëndësi ngjarjesh, figurash historike, vendesh, ishte marramëndëse apo rridhte në shtratin e historisë  e vrullshme, ashtu si ujërat e lumit Kalama në stinën e shirave. Ai, siç nënvizova më lart, duke shfletuar qindra dosje të arkivave shqiptare, libra, koleksione gazetash dhe revistash, botime të autorëve grekë etj. sjell ngjarje që lidhen me historinë e Çamërisë nga viti 1800 deri në vitin1947. Figura e Musa Demit e vendosur në të gjitha momentet më të rënësishme të historisë së Çamërisë dhe Shqipërisë, por edhe të Greqisë, ndërlidh të gjitha ato, duke shpalosur kontributin e tij të madh në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si njeri i penës dhe i pushkës, i lidhur ngushtë me atdhetarët e Paramithisë, Margëlliçit, Prevezës, Pargës, Volës, Mazerrekut, padyshim të Filatit nga ai ishte, Konispolit, Koskës etj. por edhe me personalitete të shquara në Shqipëri.

        Vend të gjerë zë në këtë libër Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare  në Çamëri (1940-1944). Mendoj se këtu, si askush historian që është marrë me këtë temë, bazuar në një dokumentacion të gjerë, si dhe burime nga arkivat Greke dhe botimet e historianëve të shtetit fqinj, Hajredin Isufi, krahas atmosferës së rëndë të krijuar në Çamëri para dhe pas Luftës Italo-Greke, propogandën fashiste, internimet masive nga qeveria greke të meshkujve çamë nga 17-70 vjeç, jep edhe organizimin e Lëvizjes Antifashiste në Çamëri, krijimin në fillim të janarit të vitit 1943 në Filat të Çetës Antifashiste dhe më pas, më 18 qershor 1943, të batalionit

 “ Çamëria” dhe në maj të vitit 1944, në Kastanjë të Greqisë, u formua batalioni i minoritetit çam, që mori emrin e heroit të Luftës Nacionalçlirimtare, Ali Demi.

            Në fund të kësaj monografie, janë 849 zëra apo referenca, si dokumente nga arkivat, botime, gazeta, revista, kujtime etj. (nga faqja 373-415). Çdo lexues i vëmendshëm, do të lodhej, nëse do të bëhej kurioz t’i shihte me vëmendje ato referenca. Vetëm nga burimet greke janë mbi 15 gazeta dhe revista të periudhave të ndryshme historike dhe mbi 20 historianë grekë, si Zotou Molottou, N.Perrevou, Niko Zhango, F.Ikonomou, H.Hristovasilis, S.Mela, S.Mouselimi, V.Krapsiti,

  1. Nikollaidhi, Aleksandër Livadeos, G.F.Fessopolos, P.Markezines, K.M.Lambros, Vasileos Kontes, D.Mihalopoulos, I. Sarras, G.Georgiu, N.Svoronos, etj.

           Në vitin 2006, pa dritën e botimit libri tjetër i Hajredin Isufit “Çamëria, studime historike-sociologjike shek.XIII-XX”, që për mendimin tim është nga më të arrirët e autorit. Kreu i fundit i këtij libri, rreth 50 faqe, titullohet “Jasin Sadiku-emër i njohur në historinë e Çamërisë”. Dhe pas dy a tri vitesh, Hajredin Isufi më solli një dosje, ku përsëri me makinë shkrimi ishin mbi 200 faqe të monografisë “Jasin Sadiku kapedan çam”. Punova gjatë me korrektimin e monografisë në fjalë, e cila u botua në vitin 2012, shoqëruar me parathënien e gazetarit dhe botuesit Naim Zoto. Këtu vjen më e plotë figura e Jasin Sadikut, që siç shkruan Naim Zoto “… një figurë pothuaj e panjohur deri para publikimit  të kësaj monografie . . .  Jasin Sadiku, kapedani i Margëlliçit, njeriu më me ndikim e autoritet në këtë krahinë, i cili sapo kishte finalizuar një kuvend mirëkuptimi mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë, si edhe komunitetit Vllah të krahinës, vritet pabesisht nga një bashkëpunëtor i Napolon Zervës…”

                Vepra tjetër “ Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940” është  jo një sy i historisë së Çamërisë, por mijëra sy ose rreth 380 sy kronikash dhe u përkasin rreth 60 organeve të shtypit vendas e të huaj, që kanë “regjistruar”, në bebet e tyre, si kamerat moderne Çamërinë, mbijetesën dhe dramat e saj, plagët, dhimbjet, zërat, vuajtjet e çamëve. Çamëri në zi.

               Lidhur me këtë libër Prof.Shaban Sinani shkruan: “Vëllimi “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës”, paraqet besnikërisht si kanë rrjedhur ngjarjet e si janë pasqyruar ato drejtpërdrejt në shtyp . . . Nga kronikat që autori ka mundur të mbledhë, lexuesi kupton se çeshtja çame nuk është vetëm një çeshtje martirizimi: ajo është edhe çeshtje e lëvizjes kombëtare dhe pjesë e rëndësishme e saj, edhe pjesë e kryengritjes së përgjithshme antiosmane në Shqipëri, edhe çështje ndërkufitare, edhe çështje me karakter ndërkombëtar. . . Libri i Hajredin Isufit vlen më shumë se plot teori e hartime atdhetare. Ai është libër me dëshmi të

 Frikshme…”

       Nuk do të ndalem gjatë në monografinë tjetër të këtij studiuesi të palodhur  “Feja dhe flamuri, Dom Nikoll Kaçorri”, botuar në vitin 2008. Kjo vepër është ribotuar në kuadrin e vitit jubilar të 110 vjetorit të pavarësisë, si dhe 90 vjetorit të lindjes së autorit të saj. Ajo është më e plotë, duke shtuar mbi 50 dokumente të reja. Historianët, lexuesit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë do kenë në duart e tyre një monografi ku: ” Studiuesi Hajredin Isufi, me një përkushtim të heshtur, ka mundur që të rikthejë me dinjitet në dritën e kërkimit shkencor një personalitet, që e ka shkruar me veprim historinë e vet”

Të jetosh me Çamërinë

       Mi më ka rrëfyer shpesh rrugëtimin e tij për në Çamëri në vitin 1989. Një pjesë të këtyre rrëfimeve, nga më të bukurat, do t’i gjeni në librin “ Çamëria, studime historike-socialogjike shek.XIII-XX”. Kur i lexon këto rrëfime, duket sikur Hajredin Isufi ka shkuar në Çamëri edhe si misionar, që pas 45 vitesh, kërkon të ringjallë miqësitë e vjetra mes çamëve  myslimanë dhe të krishterëve dhe për t’i thënë opinionit të shëndoshë  në Greqinë fqinje, se kemi nevojë për këto kumte apo kode mirëkuptimi . . .

            Në vitin 1988, pra një vit para se Hajredini të shkonte në Çamëri, Eleni, e shoqja e Strati Vrisit, niset enkas nga Grikohori  për të vizituar familjen e Xheviz Isufit, shkruan ai. Takimi me të ishte shumë prekës. Pas dyzet e ca vitesh, Eleni, e shoqja e mikut tonë të shtrenjtë, ndodhej mes nesh . . . Babai im i mirë e fisnik nuk ishte më. Edhe Stratiu kishte vdekur. Por ata kishin lënë të ndezur një miqësi të përjetshme, që nuk do ta shuante kurrë asnjë kohë.

            Bukur e ka përshkruar ai Rrëzanjin, kur ka shkuar për herë të parë atje. Kur shkova si vizitor me gruan time në Çamëri, së bashku me pjesëtarë të familjes Vrisi, shkuam edhe në fshatin Rrëzanj dhe aty pamë gërmadhat e shtëpisë, por edhe konizmën e vogël. Me thënë të vërtetën shtëpia që ishte kthyer në gërmadha, ku kisha kaluar fëmijërinë time dhe në të kisha përjetuar ngjarje, që s’do më hiqen nga kujtesa sa të kem jetën, nuk m’u dhimb shumë. Ajo një ditë do të bëhet prapë edhe më e mirë. Ajo që më gëzoi ishte përjetësimi që i kishte bërë shtëpisë dhe njerëzve të saj, i paharruari ynë Strati Vrisi. Flas disa herë në ditë me mikun tim, Hajredin Isufi. Meqë jemi ne faktin e mësipërm, mbaj mend, që ai mes të tjerash më ka thënë, se kemi lënë shtëpitë tona, ullinjtë, arat e mbetura pa punuar, kujtimet, fëmijërinë. Në Çamëri kemi lënë edhe miqësitë me të krishterët e një gjaku, grekët apo vllehët.

          

Pjesë nga Ditari im.

19 gusht 2026. Ora 18.05

Më merr Hajredini në telefon. Nga zëri nuk më duket mirë. Më ka thënë se është shtruar në spitalin e Dirrësit dhe më ka marrë kur ka qënë atje.Sot zëri i tij nuk është më ai i pari. E pyes sesi është. Më kanë lënë këmbët, thotë. Pastaj shton, se ka folur me Alketin e ai më ka premtuar të më sjellë një mjek të mirë. Pastaj hesht dhe shton: “E kam larë mirë foton e xhamisë së Prevezës. Kam dhe disa foto për puset. Në Çamëri puset i ndërtonin Familjet e mëdha. Në Filat ka disa puse me emrat e Sejkatëve. Familjet e mëdha ndërtonin edhe ura në përrenj”.

Pas pak më merr prapë. Kam dërguar mbesën time Shqipëonjën në Çamëri për të bërë foto të shtëpive të vjetra, disa prej të cilave janë rrënuar. I kam thënë të shkojë edhe në Rrëzanj. Pastaj hesht dhe shton: “Në brigjet e lumit Kalama ishte një vend, ku netëve dëgjoheshin kopanet e grave, që lanin rroba. Atje ishte një grikë. Stihia ishte futur thellë brenda në një pus, që kalonte në shkëmb. Si duhej vrarë stihia? Çamët e mençur ngarkuan një mushkë me eshkë dhe i vunë zjarrin eshkës. Mushka eci nëpër këtë grikë. Eshka mori flakë dhe stihia u vra. Edhe tani ajo quhet “shpella e stihisë”.

E diel 23 gusht, paradite.

Kam një foto të varreve në fshatin tim, Rrëzanj. Janë varre mysilimanësh, e pyes unë. Jo. Jo, thotë. Varret e të parëve tanë i kanë prishur. Janë varret e të krishterëve. Kam dhe një fotografi tjetër shumë të bukur për Vanërën, ku në mars të vitit 1945 u masakruan në këtë vend, jo larg Filatit, dhjetra e dhjetra të pafajshëm. Ky vend është mbjellë me portokalle e limona. Mbi krimin ose për të fshehur krimin, kanë mbjellë këto pemë.  Enver, thotë. E kam merak shumë botimin e albumit për Çamërinë. Nuk do të ketë vetëm foto të shjtëpive, por edhe monumente të tjera të kulturës në Çamëri. Më 25 qershor në Tiranë, Alketi na dha fjalën për botimin e këtij albumi.

1 shtator 2026.

Sapo shoh emrin në ekranin e vogël të celularit tim e hap menjëherë telefonin. E pyes sesi është. Më dukesh më mirë, apo jo. Më ka ardhur edhe Pëllumbi, edhe Ksenofoni. U kënaqa me ta. I them që kam dashur të vij dhe e kam lënë me Tahir Muhedinin. Thotë se Taku e ka marrë në telefon. Taku më pyeti, nëse kam nevojë për ndonjë gjë dhe se ishte gati të linte pushimet, për të ardhur tek unë. Si gjithmonë i gatshëm Taku, shton Hajredini. Më thotë diçka për Alketin dhe albumin. I them të mos shqetësohet. Pastaj i them që Valentina Madani, kur i shkrova që je i sëmurë, më tha të të përshëndes dhe të uron shërim sa më të shpejtë. Valentina, shtova, ka shkruar se nuk ka njohur njeri më vital dhe me një kujtesë të jashtzakonshme, siç është prof. Hajredin Isufi. Ai hesht dhe duket i emocionuar edhe i prekur nga fjalët e zonjës Madani dhe më thotë që t’i shkruaj dhe ta falenderoj dhe nuk harron të më thotë, që i bëj shumë  të fala Lulit.

3 shtator, ora 15.30.

E marr në telefon. Të them të drejtën edhe nguroj sepse nuk dua ta lodh. Nga zëri sikur më duket më ndryshe. Ja them këtë. Jam i gëzurar thotë, sepse më kishin ardhur Shaban Sinani, Marenglen Kasmi dhe Naim Zoto. Sapo ikën, thotë. U kënaqa me ta, shton. Të pres edhe ty Enver. Do të vij me Takun i them. Eja, thotë, sepse kam një porosi për ty.

6 shtator. E diel.

Është shumë herët, kur bie zilja e telefonit. Jam mbesa e Hajredinit, thotë. Urime për shkrimin, i them unë. Nuk jam Shqiponja, thotë. Jam e motra. Si është Hajredini? Nuk është mirë. Kërkon të vini patjetër sot për ta takuar. Bëhem gati dhe dal menjëherë. Marr një taksi. Shoferi quhet Marenglen dhe është me origjinë nga Tepelena. Është shumë i këndshëm në bisedë. Në plepa marr në telefon mbesën e Hajredinit. Ajo thotë vendin, ku do na presë. Zbres dhe e takoj. Është e re, por portreti i saj është i trishtë. E ndjekim nga pas me taksi. Oborri i shtëpisë së Hajredinit i mbushur me lule, një ulli në krahun e majtë, limona e portokalle. Futem në dhomën, ku është shtrirë. E përqafoj. Pastaj takoj Hamidenë, bashkëshorten e tij, që vazhdimisht i ka qëndruar pranë. Ajo është e ulur në një kolltuk dhe në sytë e saj shoh pagjumësi. I them Ilirit, djalit të Hajredinit të më sjellë një karrike e të rri përballë tij. I them që do kisha ardhur ditë më parë por unë nuk kam makinë dhe e lashë ti vinim me Tahir Muhedinin.Të ka pritur me padurim, thotë Hamideja. I bën me shenjë Ilirit, që ta ngrenë përgjysmë. Pataj kërkon ujë. Prapë ujë. I kërkon mbesës një letër dhe stilolaps, ku shkruan: jam debul. Prapë me shenja. Mbesa e tij nxiton dhe më sjell një album të madh. E shfletoj ngadalë. Ndalem në foto të ndryshme, që duke i parë them: Ke bërë një punë të mrekullueshme. Shtëpi Filati. Një pus i madh. Një foto tjetër, ku duket Margëlliçi, pastaj Paramithia. Pastaj ca varreza. Një ujëvarë. Ndalem te kjo foto dhe i them, se kjo është te lumi Kalama. Hajredini bën me shenjë, që po. Xhami pa minare, gërmadha shtëpish, shoqëruar me tekste sqaruese. Hajredini në fshatin e tij të lindjes Rrëzanj. Duken gërmadhat dhe një konizëm me portretin e Strati Vrisit, që i ati i Hajredinit i shpëtoi jetën. Është një gjest i veçantë, i rrallë. E mbylla albumin dhe i them, që kjo konizëm, portrti i Starti Vrisit dhe teksti në greqisht, do të zënë dy ose tri faqe në album. I bën prapë me shenja mbesës dhe ajo sjell një libër të lidhur në formatin A4. Janë të dhëna të marra nga autorë grekë për Çamërinë. Hajredin, i them, Je një thesar i madh. Të gjitha do të bëhen, shërohu dhe albumi do dalë i plotë dhe i bukur. Ai kërkon prapë ujë. Bëhem gati të ngrihem, por bën me shenjë që të rri dhe pak. Shohim njeri-tjetrin në sy.Goja i ka ikur, por vështrimi është i njëjtë, plot dritë dhe zgjuarsi. Ngrihem dhe e përqafoj. Eputh dy herë në ballë, duke i thënë, MIRËUPAFSHIM. Befas unë shtang. Shtang edhe Hamideja, edhe Iliri edhe mbesa. Hajredini, thotë: LAMTUMIRË! Data ishte 6 shtator 2026 dhe ora diku 9.30, kur dola nga dhoma, kapërxeva pragun e shtëpisë, oborrin dhe para se të hipja në taksi qëndrova tek porta e jashtme. Fjala “LAMTUMIRË” më ndoqi nga pas dhe akoma e ndjej zërin e tij të ngrohtë, të butë: LAMTUMIRË, LAMTUMIRË, LAMTUMIRË!

camiko.al

HAJREDIN  ISUFI HISTORIANI  QË I DHA ZË  ÇAMËRISË (In Memoriam) – Nga Enver Kushi

HAJREDIN ISUFI HISTORIANI QË I DHA ZË